Portreti/intervista

Smajl Latifi: Veç ditëlindje ka Adem Demaçi

“Unë do të vdes një ditë, prandaj duaje Nënën Shqipëri, sepse ajo nuk vdes kurrë” – ishte porosia e Nënës Nazife për të birin e saj, atdhetarin dhe idealistin e madh shqiptar, Adem Demaçi, i cili sot do të bëhej 86 vjeçar.

Emri i ndërgjegjes së kombit tonë, Adem Demaçi, lindi në një kohë të rëndë, kur shtypja dhe padrejtësitë mbi shqiptarët e Kosovës nga regjimi pushtues serbo-jugosllav, po zbatoheshin me plane të mirëfillta akademiko-shtetërore, për shfarosjen e një populli në tokën dhe në të drejtën e tij.
Bacë Adem Demaçi u bë kundërshtari më i madh i këtij regjimi, si intelektual dhe si veprimtar politik, me shkrime publicistike, libra letërsie e aktivitete ilegale politike atdhetare, për çka do të përfundonte shumë herë e shumë gjatë si i burgosur politik.
Simboli i rezistencës dhe Shefi Politik i Zyrës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte bërë frymëzim për shumë gjenerata të reja veprimtarësh e luftëtarësh, që i dolën përballë një regjimi shtypës e kriminal. Si humanist i madh, emri i Adem Demaçit personifikon vlerat më të larta universale të barazisë, kulturës e tolerancës. Ai asnjëherë nuk promovonte revanshizëm, por të drejta e liri për të gjithë njerëzit e popujt.
Gjysma e jetës së Adem Demaçit shkoi në burgje të rënda politike dhe gjysma tjetër në veprimtari ilegale për zgjidhjen e çështjes së kombit shqiptar. Ai u përjetësua me veprën e madhe që la pas dhe sot mençuria dhe trashëgimia e tij politike e atdhetare, ndriçon rrugën tonë përpara.
Adem Demaçi ka vetëm ditëlindje, prandaj gjithë shqiptarëve kudo që janë, gëzuar 86-vjetorin e lindjes së tij.