TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se Shqipëria do të ndihmojë Republikën e Kosovës përgjatë dy ditëve festive, 31 dhjetor dhe 1 janar në furnizimin me energji të popullatës.
Në përgjigje të interesit të medias pas mbledhjes së radhës së qeverisë, ministrja Balluku bëri të ditur se energjia që do t’i jepet Kosovës llogaritet 7680 megavat dhe se për këtë Kosova nuk do të paguajë para, por do ta kthejë sasinë e energjisë përgjatë periudhës së verës atëherë, kur Shqipëria përballet me mungesë të reshjeve.
Sipas Ballukut, parashikohet që energjia që do t’i jepet Republikës së Kosovës të mundësohet nga depozitat, pasi sektori po favorizohet nga reshjet.
Balluku tha se edhe Shqipëria si shumë vende të tjera të rajonit, por edhe më tej, ndodhet në një moment të vështirë sa i takon situata energjetike.
“Kryeministri ka kërkuar dje që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të gjente një mundësi për të furnizuar Republikën e Kosovës me energji përgjatë dy ditëve të festave, 31 dhjetor-1 janar. Pavarësisht se Republika e Shqipërisë si të gjitha vendet e tjera, jo vetëm të rajonit, por edhe botës, përballet me krizën energjetike, ne do të sakrifikojmë dhe do të heqim nga rezervat tona për të ja dërguar Kosovës. Kemi bërë një rakordim me Republikën e Kosovës dhe sasia e dërguar do të jetë 7680 megavat. Transmetimi do të nis në orën 07:00 të datës 31 dhjetor deri në orën 24:00 të datës 1 janar . Do të jetë një instrument që ne e quajmë depozitim, pra për gjithçka që ne do të dërgojmë nuk do të ketë shkëmbim financiar. Nuk presim nga Republika e Kosovës, në këto kushte që ata ndodhen, të na paguajnë para, por kjo sasi do na kthehet kur ata të kenë komoditetin e nevojshëm, në periudhën e verës, nga qershori deri në shtator, kur Shqipëria ndeshet me mungesë të rezervave hidrike. Do të mundohemi të krijojmë një mishel nga depozitat që do të krijohen këto ditë nga reshjet që kemi. Sigurisht ne do të jemi në kushtet e importit edhe për Republikën e Shqipërisë. Shpresoj t’ia dalim me rezervat tona“, shtoi ajo. /j.p/