Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXVI) – Fishta – Fshati i Gjergj Fishtës dhe i “Mrizit të Zanave”
Fshati Fishtë ndodhet në një peisazh shumë të bukur në krahinën e Zadrimes, Bashkia e Lezhës. Përshkohet nga rruga Lezhë – Vau i Dejës dhe lidhet me rrugën Lezhë – Shkodër. Shtrihet 19 km në veri të qytetit të Lezhës, 33 km nga Shkodra dhe 75 km nga Tirana.
Fishta, një fshat i vogël, i shtrirë në rrëzë të malit, në një kodër të butë të fushës së Zadrimës është krijuar në vitin 1641. Sot fshati ka një popullsi prej rreth 1000 banorëve.
Në vitin 1967 në Fishtë ishte hapur një burg, godinat e të cilit sot shërbejnë si punishte qumështi, reçeli e marmelade me frutat e zonës e ku do të hapet edhe një laborator.
Fshati dallohet për pasuri historike, kulturore e etnografike, për muzikën folklorike dhe për zakonet e veshjet tradicionale. Sot Fishta është një fshat turistik, një zonë e rëndësishme e agroturizmit, që ka krijuar famë dhe vizitorë të shumtë vendës e të huaj. Vizitori, pasi mund të drekojë në njërin nga katër restorantet e Fishtës, mund të vizitojë dy liqenet artificiale, dy krojet e fshatit, majën e Krestës, shtëpinë e poetit kombëtar Gjergj Fishta, kishën e fshatit. Pastaj, për adhuruesit e sporteve ju pret shëtitja me kuaj apo me biçikleta, shëtitja në Shtegun e Mendimit, shëtitja me kajak në liqen, gjuetia etj. Shtegu i Mendimit është një rrugicë nëpër pyllin mbi restorantin “Mrizi i Zanave”, ku janë skalitur në dru vargjet e poetit Gjergj Fishta. Derisa në Nivicë të Tepelenës mbahet një konkurs për zgjedhjen e cjapit më të mirë, në Fishtë mbahet panairi i gjelit të detit.
Sot Fishta është një fshat i rigjallëruar. Janë katër restorantet, veçanërisht restoranti “Mrizi i Zanave” që i kanë dhënë jetë fshatit. Deri dje Fishta ishte një fshat i vogël dhe i varfër, me papunësi dhe emigracion të madh, kurse sot ka perspektivë të qartë të zhvillimit. Restoranti “Mrizi i Zanave” është nga restorantet më të vizituara në vend, restorant që ia ka ndryshuar pamjen fshatit dhe ia ka kthyer shpresën fshatarëve. Ky restorant, krejt i veçantë, është edhe një qendër e agroturizmit, që ka marrë emrin sipas veprës së Gjergj Fishtës. Namin ia ka dhënë kulinaria, d.m.th. gatimet e freskëta tradicionale të zonës, çfarë nuk gjenden tjetërkund. Restoranti dhe vendi ku shtrihet, në një kodrinë të gjelbëruar, të mahnitë, si me bukuritë natyrore, ashtu edhe me gatimet e shërbimet e jashtëzakonshme dhe shumë cilësore. Një rrjet familjesh, rreth 200 sosh, i dorëzojnë prodhimet e tyre bujqësore e blegtorale në restorant; mishin, perimet, qumështin, frutat… Ndërtimi i “Mrizit të Zanave” fillimisht ishte parë si një aventurë apo, siç e quajtën, një “çmenduri”. Por, përkundrazi, ndërmarrja e tyre u tregua një histori suksesi e dy vëllezërve mërgimtarë që kishin jetuar shumë vjet në Itali dhe përvojat e zëna atje i kishin bartur në fshatin e tyre. Një restorant tjetër i Fishtës, gjithashtu me famë, është edhe “Oazi i Fishtës”, i ndërtuar nga një mërgimtar tjetër i fshatit.
Një objekt i rindërtuar me interes për ta vizituar është shtëpia e lindjes e At Gjergj Fishtës, e shpallur monument kulture në vitin 1991 dhe e shkatërruar në vitin 1994. Për herë të dytë shtëpia u shpall monument kulture në vitin 2008, kurse para një viti u rindërtua. Prifti e poeti Gjergj Fishta, autor i “Lahutës së Malcis”, lindi në Fishtë në vitin 1871 dhe vdiq në Shkodër në vitin 1940. Pos si prift i ritit françeskan e poet kombëtar, Fishta ka përpiluar “Fjalorin e Bashkimit”, dhe ka kryesuar Kongresin e Alfabetit në Manastir.
Fishta kishte shkollë 9-vjeçare, që sot nuk e ka! Shkolla “Gjergj Fishta” më nuk funksionon për shkak të braktisjes së madhe të fshatit nga banorët dhe për mungesë të nxënësve. Tash godina e shkollës shërben si kopësht fëmijësh, kurse nxënësit e paktë janë të detyruar ta vijojnë mësimin në shkollën e fshatit fqinjë, Troshanit.
Zadrima, në përgjithësi dhe Fishta, në veçanti, janë të njohura për mikpritje, kulturë e traditë kombëtare. Banorët e Fishtës janë punëtorë të vyeshëm, shumica e tyre të punësuar në të katër restorantet e fshatit, por edhe të angazhuar për furnizimin e tyre me prodhime të freskëta bujqësore.
Natyra mbresëlënëse; kodra, mali, fusha, liqenet, krojet, pastaj edhe bujtinat, ushqimi, ajri, qetësia, mikpritja janë shtytëset që “e detyrojnë” vizitorin t’ia mësyjë fshatit Fishtë. Fishta përfshihet në projektin qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”, projekt që ka për qëllim zhvillimin e fshatrave, mbrojtjen nga braktisja e tyre, zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, ruajtjen e trashëgimisë kulturore etj.
Fishta sot është një destinacion i rëndësishëm turistik, kryesisht për gastronominë e zhvilluar, por edhe për qetësinë që dhuron ky vend, si një strehë e qetësisë larg zhurmës së qytetit. Fishta mirëpret vizitorë apo turistë nga të gjitha trojet tona, por edhe turistë të huaj nga tërë bota.
add a comment