Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXIII) – Rahoveci – qyteti i verës dhe rakisë
Shtegtime nëpër Atdhe (CXXXIII)
RAHOVECI – QYTETI I VERËS DHE RAKISË
Rahoveci është një qytet karakteristik, krejt i veçantë; qytet i vjetër me shtëpi të mbuluara me rrasa guri që shtrihet si një mozaik i madh shpatit të gjerë të kodrës. Dhe, Rahoveci është kryeqendër e Anadrinisë, qytet i verës e rakisë, i rrethuar në të gjitha anët nga vreshtat e vjetra. Rrethina e tij fushore e kodrinore është hambar i rrushit dhe i perimeve, kurse banorët janë punëtorë të pashoq. Popullsia e qytetit prej rreth 25 mijë banorëve, një pjesë e të cilëve flasin një gjuhë arkaike të përzier me sllavishten, nuk i pëlqejnë dhe nuk kanë lejuar të mbushet qyteti i tyre me pallate shumëkatëshe, aso që do ta ngulfatnin e do t’ia ndërronin pamjen magjepse qytetit të tyre. Në fund, Rahoveci ka një shoqatë çfarë nuk e kanë qytetet tjera, shoqatën për ruajtjen e vlerave kombëtare “Arbëria”.
Rahoveci është nga qytetet më të vjetra shqiptare. Në qytet dhe rrethinë është gjetur material i shumtë arkeologjik, që nga kohët e hershme ilire e romake. Në vitin 1348 Rahoveci përmendet si një territor vreshtar, kurse në shek. XVIII përmendet me emra të ndryshëm; Ravac, Rahuaz, Rahuiz, Rahova, Ravaz, Rahovce. Tek në vitin 1911 J. Cvijiqi për herë të parë Rahovecin e quan Orahovac. Gjatë Perandorisë turke Rahoveci ka qenë seli e kadillëkut dhe e kazasë.
Në luftën e UÇK-së Rahoveci njihet për betejën me forcat serbe të 17 korrikut 1998, kur luftëtarët e UÇK-së kanë hyrë triumfalisht në Rahovec. Atëherë janë vrarë rreth 300 shqiptarë dhe një numër i konsiderueshëm i ushtarëve e milicëve serbë. Në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec është vrarë Sheh Myhedini dhe janë masakruar të strehuarit në të, gratë, fëmijët e pleqtë. Në vendin e quajtur “Tuba” janë gjetur të masakruar dy profesorë, gjashtë njerëz të vrarë e të karbonizuar dhe 150 persona tjerë të vrarë, si dhe janë marrë pengje dhe janë zhdukur shumë shqiptarë.
Territori i komunës së Rahovecit, i njohur si Anadrinia, në lartësi mbidetare prej 317 deri 1039 m., ka një pozitë shumë të mirë gjeografike dhe klimë të përshtatshme kontinentale me ndikim të klimës mesdhetare. Janë tri lloje të terrenit të këtij territori; terren fushor, kodrinor dhe malor. Nëpër këtë territor, në gjatësi prej 30 km, rrjedhë lumi Drini i Bardhë, i cili ujitë një sipërfaqe të madhe të tokës së punuar, e mbjellë me perime. Nëntoka e komunës së Rahovecit ka rezerva të shumta nëntokësore; gurin dekorativ dhe xehet e kromit, azbestit, nikelit, kobaltit, bakrit e qymyrgurit.
Sipërfaqet e gjera bujqësore dhe klima e përshtatshme kanë krijuar kushte shumë të mira për të mbjellat dhe për vreshtat. Kultivimi i rrushit dhe i perimeve, por edhe i grurit e misrit e bimëve tjera paraqet bazën kryesore ekonomike të popullsisë së komunës së Rahovecit. Veçanërisht, komuna e Rahovecit dallohet për sipërfaqet e gjera të mbuluara me vreshta dhe për prodhimin e verës dhe rakisë. Është vërtetuar se Anadrinia e ka kultivuar rrushin dhe e ka prodhuar verën qysh nga koha ilire. Rahoveci sot i ka sipërfaqet më të mëdha me vreshta dhe e ka industrinë më të zhvilluar të verës. Të theksojmë se pos kantinave të mëdha të verës, siç janë Stone Castle, Bodrumi i Vjetër etj., edhe dhjetra apo qindra familje prodhojnë verë e raki të cilësisë së lartë të standardeve evropiane. Prodhimet cilësore të verës furnizojnë, jo vetëm tregun e brendshëm, por edhe eksportohen në tregun e jashtëm. Komuna e Rahovecit është prodhuesja më e madhe në Kosovë e perimeve të freskëta dhe të përpunuara.
Afër Rahovecit ndodhet Xerxa, një qytezë e vogël, një nyje e rëndësishme e rrugëve që shpiejnë në të katër anët, si dhe ish-hekurudha Klinë – Prizeren. Gjithashtu, Xerxa është një qendër industriale, qendra më të madhe për ruajtjen dhe përpunimin e grurit në Kosovë, pastaj qendër për përpunimin e rërës e zhavorit etj.
Rreth 7500 rahovecas llogaritet të kenë emigruar në botën e jashtme dhe shumë të tjerë janë shpërngulur në qytetet e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Gjakovë, Prizeren…
Komuna e Rahovecit i ka dhënë rëndësi të posaçme zhvillimit të kulturës. Në Rahovec ka qendër kulture, bibliotekë, galeri të arteve, teatër amator, muze… Në Krushë të Madhe dhe në Hoçë të Madhe funksionojnë shtëpitë e kulturës dhe bibliotekat. Gjithashtu, në pjesën e qytetit, ku jeton një pakicë serbe, ekziston një qendër kulturore. Gjatë viteve ’90-ta, me masat e dhunshme serbe dhe gjatë luftës është shkatërruar në masë të madhe fondi i librave të katër bibliotekave publike të komunës së Rahovecit.
Komuna e Rahovecit e organizon festivalin tradicional kombëtar të folklorit “Anadrinia jehon”, një ngjarje kjo shumë e rëndësishme kulturore jo vetëm për Anadrininë. Në festival ftohen grupe dhe ansamble folklorike nga të gjitha trojet shqiptare me qëllim të paraqitjes, të ruajtjes dhe të kultivimit të traditave kulturore e artistike kombëtare në këngë, valle e lojëra popullore. Festivali kombëtar i Anadrinisë, i cili sivjet shënoi vitin jubilar, 20-vjetorin e themelimit, tradicionalisht mbahet në muajin maj e që lidhet me fillimin e luftës çlirimtare të UÇK-së në Anadrini. Është interesant që kjo ngjarje kulturore nuk mbahet në qytet, madje mbahet në një skenë të hapur larg qendrës komunale, në fshatin me tradita kulturore, Dejnë. Është interesant se fshati Dejnë nuk ka një sallë ku mund të mbahet festivali, por ka një skenë gjigante të hapur në natyrë. Skenë të madhe e të bukur, por pa sallë mund të shihni vetëm në Dejnë, Anadrini, komuna e Rahovecit.
Komuna e Rahovecit e organizon, me ceremoni të shumta, edhe festën tradicionale katërditore të vjeljes së rrushit, me ç’rast zhvillohen një mori veprimtarishë kulturore, siç është panairi i verës e rakisë, ekspozita, orë poetike, koncerte muzikore etj.
Komunat fqinje të Rahovecit dhe të Gjakovës e ndajnë një monument të rëndësishëm të natyrës, kanionin interesant dhe shumë tërheqës, i gjatë 450 metra. Në fund të kanionit ndodhet Ura e Fshajt, një urë e madhe dhe e vjetër me gjatësi 70 m., dhe lartësi 30m. Për ndërtimin e kësaj ure ekziston legjenda e murimit të gruas gjatë ndërtimit të urës. Ura e Fshajt dhe kanioni është zonë e mbrojtur natyrore, një pushimore verore dhe vend për piknik e turizëm.
Njëri nga objektet më të rëndësishme dhe më të vjetra në qytet, monument i trashëgimisë kulturore dhe simboli dhe emblemë e qytetit, është Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1791. Pos orës, që ka punuar deri nga viti 1960, kulla ka pas edhe një kumbonare. Kjo kullë ka shërbyer si pikë strategjike e vrojtimit, kurse sot është pikë turistike, nga mund të vrojtohet tërë qyteti dhe rrethina e tij.
Për t’u vizituar janë me interes dy majet më të larta, Maja e Zatriqit (1039 m.) dhe Maja e Shkodranit, si dhe Teqeja e Madhe dhe muzeu i komunës. Maja e Shkodranit tashmë është nga vendet më të vizituara në komunë. Emrin e ka marrë nga luftëtari nga Shkodra, Arian Brahimi, me nofkën Shkodrani, i ardhur nga Anglia dhe i rënë në luftë në këtë maje në vitin 1999, bashkë me tre luftëtarë nga Rahoveci. Në nderim të këtyre katër dësmorëve të lirisë, në këtë maje është ngritur një kompleks përkujtimor historik. Kompleksi përkujtimor në Majën e Shkodranit dhe ai në Gexhë kanë përjetësuar flijimin e fundit të luftëtarëve të lirisë të komunës së Rahovecit, tash të shndërruara në qendra të rëndësishme përkujtimore, historike e turistike.
add a comment