Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CXLV) – Galica – qendra e “Arbanisë së Vogël” e Azem Galicës

Nga vendbanimet me tradita të larta atdhetare e luftarake, i cili me gjak e shkroi historinë, është fshati Galicë. Galica është vendbanim i tipit të grumbulluar, rreth 13 km larg qendrës komunale, Vushtrrisë, 12 km nga Skënderaj dhe 16 km nga Mitrovica. Ka pozitë shumë të mirë gjeografike, e shtrirë në një rrafshnaltë të rrethuar me brigje, kodra e male në mbarim të malit të Qyqavicës dhe në një skaj të Drenicës heroike.
Edhe pse i takon krahinës së Drenicës dhe e ka më afër Skënderajn, pas viteve 50-ta Galica iu bashkua dhunshëm komunës së Vushtrrisë. Shkak kryesor ishte miniera e magnezitit, kurse qëllim të ndahej nga krahina luftarake dhe etnikisht e pastër e Drenicës.
(Miniera e magnezitit në afërsi të Galicës nisi të eksploatohet në vitin 1929 nga regjimi i Jugosllavisë së vjetër. Miniera ka punuar deri në vitin 1954).
Galica, që sot ka rreth 60 shtëpi e 500 banorë, është vendbanim i lashtë. Përmendet në defterët osmanë të vitit 1447 si Kalica dhe Kaliça. Gjithashtu, është shënuar edhe në regjistrimin e vitit 1455 si katund i madh me 30 shtëpi. Në vitin 1530 është regjistruar në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë me emrin Galiçe. Në një relacion të arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725 shkruhet se në Pejë misionar është don Ndre Braçani, misionit të të cilit i takon Galizza me tetë shtëpi e 50 besimtarë të krishterë. Lashtësinë e fshatit e vërtetojnë edhe toponimet e vjetra, si Livadhi i Kolë Bibës, Vorret e Katolikëve, Katuni i Moçëm, Vorret e Moçme, Vorret e Kaurrit etj. Në afërsi të fshatit ndodhen gjurmët e themeleve të një kishe të vjetër.
Njëri nga fshatrat më historike të Kosovës padyshim se është Galica. Që nga koha e Perandorisë Osmane, por edhe të regjimit serb, pushka e galicasve nuk ka pushuar. Në betejën kundër Shemsi Pashës, e zhvilluar në vitin 1906 afër Deviçit, është vrarë Bejtë Galica, baba i Azem Galicës. Gjatë pushtimit austrohungarez, në vitin 1917, nga Galica, që kishte vetëm 20 shtëpi, kishin shkuar vullnetarë (xhynli) 11 djemë për të luftuar në luftërat ruso – turke, nga të cilët u kthyen vetëm dy. Në gushtin e vitit 1920 në fshatin Duboc ushtria serbe kishte pushkatuar gra e fëmijë; nënën e Azemit – Sherifen 60-vjeçare, motrën e Azemit – Mihanen 38-vjeçare, mbesën e Azemit – Zojën 5-vjeçare dhe një grua tjetër nga fshati Baicë.
Të gjithë kemi mësuar, kemi lexuar e kemi dëgjuar për kryetrimin Azem Galica, i njohur edhe si Azem Bejta (1889 – 1924). Luftërat e tij për liri kanë filluar në vitin 1910/12 dhe kanë zgjatur deri në vitin 1924. Azem Galica, bashkë me “Nusen e Maleve”, Qerime Radishevën, e njohur si Shota Galica, u prinë çetave të kaçakëve kundër pushtuesve turq, serbë, austrohungarezë e bullgarë. Çetat kaçake kishin arritur që në vitet 20-ta të shekullit të kaluar ta formonin një territor të lirë në Drenicë, të quajtur “Arbania e Vogël”. Në fillim ky territor i lirë përfshinte fshatrat e komunës së Prekazit; Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Dubocin, Beçiqin, Krasaliqin, Tërnacin, Kuçicën, Stërmcin, kurse më vonë është kufizuar vetëm në tri fshatra; Galicën, Lubovecin dhe Mikushnicën.
Më 15 korrik 1924 ushtria serbe, me 1200 trupa, me artileri të rëndë, duke përfshirë edhe shtatë topa, e sulmoi “Arbaninë e Vogël”. Me këtë rast u zhvillua betejë e përgjakshme tetëorëshe, kur ushtria dhe xhandarmëria serbe pësuan humbje të mëdha, 94 të vrarë. Për hakmarrje, forcat serbe dogjën të tri fshatrat, rreth 100 shtëpi, duke përfshirë edhe kullën e Azem Bejtës – Galicës e duke vrarë e masakruan 82 persona, përfshirë pleq, gra e fëmijë dhe ishin plagosur edhe 28 luftëtarë, përfshirë edhe komandantin Azem Galica, i cili mori plagë vdekjeprurëse dhe, pas pak ditësh, i mbylli sytë përgjithmonë më 25/26 korrik 1924.
Para se t’i mbyllte sytë kryetrimi kishte lënë amanet që trupi i tij të mos binte assesi në duart e armikut. Shota dhe bashkëluftëtarët, duke kryer amanetin, e lëshuan trupin e Azemit në një shpellë vertikale të thellë 74 metra në malet e fshatit Përçevë. Trupi i tij qëndroi në varrin më të thellë në botë plot 46 vjet, deri në vitin 1971, kur vendin e prehjes e zbuloi mësuesi atdhetar, Avdyl Krasniqi, nga Drenoci. Me nismën e tij dhe të shumë bashkëfshatarëve e bashkatdhetarëve nga shumë anë të Kosovës trupi i Azem Galicës u nxorë nga shpella dhe u varrosë në fshatin e tij të lindjes dhe të luftës, në Galicën e tij të dashur.
Pas vdekjes së komandantit shoqja e tij e jetës dhe e luftës, Shotë Galica, bashkë me plakun e çetës, Bekë Hysenin e Galicës dhe me disa fëmijë të mbetur pa prindër, në vitin 1926 dolën në shtetin shqiptar. Shota, që ishte e plagosur në luftë, vdiq në moshën 32-vjeçare në skamje e mjerim të thellë në fshatin Derven, afër Fushë-Krujës, më 4 korrik 1927. Para se të vdiste i kishte shkruar letër Ahmet Zogut që ta ndihmonte: “Unë jam Shote Galica, gruja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vramë për çlirimin e Kosovës. Jam e shtërngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetimë”. Varri monumental, ku prehet edhe sot Shota, ndodhet në afërsi të qytetit të Fushë-Krujës, kurse një varr (i zbrazët) i është ndërtuar edhe në Galicë, pranë varrit të Azemit. Në Galicë, para kullës së rindërtuar (2010) ndodhet kompleksi memorial, ku gjenden, pos varreve të Azemit e Shotës, edhe varri i bashkëluftëtarit të tij, Hysë Popovës, i nënës e i motrës së Azemit. Në oborrin e shkollës fillore “Azem Galica” të Galicës qëndron busti i heroit.
Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore galicasit ishin përfshirë nëpër njësitë luftarake të kohës me qëllim të çlirimit të vendit. Ata luftuan edhe në Jeni Pazar, Kollashin, Artakoll. Shumë prej tyre luftuan në kuadër të Brigadës së Shaban Polluzhës. Grupe luftëtarësh morën pjesë në luftërat në Kollashin, Sanxhak e Rashkë.
Pas “çlirimit” njëra nga detyrat kryesore të pushtetit të instaluar jugosllav në Kosovë ishte likuidimi dhe kapja e kryengritësve që kishin luftuar në Brigadën e Shaban Polluzhës. Në këtë periudhë kohore në Kosovë po zhvillohej Reforma Agrare, e cila në tokat e fshatarëve të Galicës kishte prurë gjashtë familje kolonistësh.
Në luftën çlirimtare të UÇK-së Galica ka dhënë kontribut të çmueshëm. Më 5 prill 1998 djemtë e Galicës ishin betuar para varrit të Azem Galicës për të luftuar për liri. Djemtë e Galicës luftuan edhe në Padesh, në kufirin me R. e Shqipërisë, ku, më 18 korrik 1998 ka rënë dëshmor Adem Ademi nga Galica. Në Studime, afër Vushtrrisë, më 2 maj 1999 ka rënë dëshmor galicasi tjetër, Bahri Haxha. Galica ia fali lirisë 18 persona dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur në luftë.
Gjatë historisë 100-vjeçare Galica është djegur shtatë herë. Herën e fundit u dogj pothuaj në tërësi gjatë ofensivës së forcave serbe më 17 mars 1999. Me të gjitha djegiet, vrasjet e shpërnguljet e dhunshme, Galica nuk është mposhtur asnjëherë. Ajo është ringjallur nga hiri i saj, si Feniksi dhe sot gjallëron në truallin e vet. Popullsia e fshatit, duke mos pas mundësi të mbijetesës në Galicë, shumica u shpërngulën në qytete, si në Vushtrri, Mitrovicë dhe një numër i madh emigruan jashtë, nëpër botë.
Kur shkon në Galicë duket sikur po e ndien trokun e kalit dhe jehonën kushtrimtare që zbret nga mali “O, prite, prite Azem Galicën, more hej”. Kjo është Galica, Galica e gjakut dhe e krenarisë kombëtare!

Postimet e fundit !