Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CXIX) – VËRTOKU – FSHATI I VARDARIT, I TROFTËS DHE I HIDROCENTRALIT

Fshati i vogël Vërtok ndodhet në shpatijet e maleve të Sharrit, në Pollogun e Epërm, në lartësinë mbidetare 683 m., larg Gostivarit vetëm 7 km. Është pjesë e komunës së Gostivarit dhe ndodhet aty ku fillon fusha e gjerë e Pollogut. Në gjeografi njihet si vendi ku buron Vardari, lumi më i madh dhe më i gjatë i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe i dyti, për nga gjatësia, i Greqisë. Vërtoku njihet edhe për hidrocentralin “Vërtok”, njërin ndër burimet kryesore të energjisë elektrike në shtetin e Maqedonisë Veriore. Gjithashtu, njihet edhe si fshat dyetnik, me popullsi të përzier (1200 banorë; 75 për qind shqiptarë dhe 25 për qind maqedonasë). Bashkëjetesa mes shqiptarëve e sllavëve të fshatit është në nivel, ku mbretëron mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë etnik e fetar. Lumi Vardar (Bardhar), në Greqi i quajtur Axios, që buron me volum prej 1500 litra në sekond, përshkon dy shtete dhe shumë qytete, si dhe fushat e Pollogut, Fushën e Shkupit etj., duke kaluar mes për mes qytetit të Shkupit dhe duke vazhduar rrugën 388 kilometërshe për t’u derdhur në Detin Egje, afër Selanikut.

Dikur fshat i panjohur dhe rrethinë e pazhvilluar, burimi i lumit e ka bërë Vërtokun atraksion turistik me potencial të madh mjedisor; me bukuri të rralla natyrore, me burime të shumta ujore, me natyrë malore piktoreske e me pyje të larta, si dhe një mjedis të shëndetshëm, që meriton të vizitohet. Me gjithë bukuritë e shumta, duket se ky vend i mrekullueshëm është lënë në harresë institucionale, duke mos investuar për rregullimin e infrastrukturës së duhur turistike. Me pak investime nga shteti, thonë këtu, fshati mund të bëhet një qendër e rëndësishme turistike, jo vetëm për komunën e Gostivarit, por edhe për tërë Republikën dhe rajonin. Vendburimi i lumit u shërben sidomos qytetarëve të Gostivarit dhe të rrethinës për pushim mbrëmjeve nën freskinë e ujit e të ajrit, kurse nga burimi, me ujin e pastër të pijes furnizohet qyteti i Gostivarit dhe fshatrat e rrethinës së tij. Nga parku i qytetit të Gostivarit e deri në Vërtok, përreth lumit Vardar, është ndërtuar shtegu i ndriçuar i këmbësorëve që shërben për ecje të qytetarëve dhe çiklizëm në natyrë. Në afërsi të fshatit është ndërtuar hidrocentrali me prurje nëntokësore, që mbanë emrin e fshatit, “Vërtok”. Ky HEC, i ndërtuar në vitet ’50-ta të shekullit të kaluar, ka katër turbina me nga 49 MW, me kapacitet të plotë prej 162 MW. Furnizimi me ujë i HEC-it është bërë me ndërrimin e rrjedhës së një pjese të lumit Radika përmes gypave nëntokësore, duke e mbushur Liqenin e Mavrovës e prej liqenit përcillet në HEC-in e Vërtokut, pastaj lëshohet uji në lumin Vardar. Në metrat e parë të rrjedhës së lumit, pas burimit, kultivohet trofta e artë dhe e argjentë e Vërtokut. Vërtoku, i ndërtuar në një grykë mali, deri në vitin 2004 ishte qendër komune, kurse tash është një qendër e pëlqyeshme turistike e komunës së Gostivarit, që vizitohet gjatë tërë vitit, veçanërisht muajve të verës nga turistë të shumtë vendorë e të huaj. Njerëzit janë kurreshtarë ta vizitojnë dhe të kënaqen me vendburimin e lumit më të madh në shtet dhe nga më të mëdhenjtë në Ilirik. Te burimi i këtij lumi, në një natyrë të jashtëzakonshme e në një vend ideal për pushim, vendësit kanë ndërtuar shumë restaurante e lokale tjera hoteliere, kryesisht aso të peshkut dhe të gatimeve tradicionale të vendit. Vërtoku është një vend ku natyra ka krijuar mrekulli.