Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXVI)
VITIA – QYTETI I VEÇANTIVE I MORAVËS SË EPËRME
Qyteti i Vitisë është qendër komunale e 40 fshatrave të Moravës së Epërme dhe Karadakut. Shtrihet në mes të fushës së Moravës së Epërme dhe në rrjedhën e epërme të lumit Morava e Binçës. Pos fushës së Moravës edhe një pjesë e maleve të Karadakut bëjnë pjesë në territorin e komunës së Vitisë, me lartësinë më të madhe, Kopilaçën 1490 metërshe. Vitia ndodhet 20 km larg nga Gjilani, po aq nga Ferizaj, ndërsa lidhet me rrugën Ferizaj – Gjilan në Kllokot (6 km) dhe me rrugën Prishtinë – Shkup në Gërlicë (14 km).
Se Morava ishte e banuar shumë herët dëshmojnë kalatë në Binçë dhe në Terpezë. Në vitin 1455, sipas regjistrimit osman, Vitia kishte 104 shtëpi. Kjo trevë dikur kishte statusin e nahisë, si Nahia e Moravës. Në vitin 1912 është pushtuar nga Serbia, kurse në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore është pushtuar nga Bullgaria. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Vitisë kishte 47 mijë banorë, nga të cilët rreth 5000 banorë jetojnë në qytetin e Vitisë.
Deri në vitin 1912 Vitia ishte një fshat i thjeshtë. Pushtuesit e ri fshatin e Vitisë e shpallën komunë, që bënte pjesë në Banovinën e Vardarit, me qendër në Shkup. Në vitin 1952 qarku i Gjilanit ishte shpërbërë, nga i cili dolën tri rrethe; rrethi i Gjilanit, rrethi i Vitisë dhe rrethi i Kamenicës. Rrethet ishin jetëshkurtëra, sepse në vitin 1959 ato transformohen në komuna. Kështu, komuna e Vitisë ishte njëra nga 22 komunat e atëhershme të Krahinës Autonome të Kosovës, kurse sot është njëra nga 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Morava e Epërme, e gjendur në lartësi mbidetare 450 – 500 m, është një fushë e gjerë dhe e rrafshët pjellore, e rrethuar pothuaj në të gjitha anët me male. Nëpër këtë fushë, me klimë të mesme kontinentale, rrjedhë lumi Morava e Binçës (Angros), që buron në malet e Karadakut të Shkupit dhe i takon pellgut të Detit të Zi. Është fushë e përshtatshme për kultivimin e të gjitha bimëve bujqësore që rriten e kultivohen te ne. Popullsia e saj jeton kryesisht në fshatra dhe tradicionalisht është marrë me bujqësi e blegtori. Deri vonë më shumë se 70 për qind e popullsisë merrej me bujqësi, prandaj kjo komunë vlerësohej si komunë tipike bujqësore.
Nga monumentet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duhet veçuar shkollat e para shqipe, të hapura gjatë sundimit Osman në fshatin Stubëll e Epërme (viti 1905) dhe në Pozhoran (viti 1905), pastaj xhamia e shek. XV në fshatin Goden, kishat katolike në Letnicë, Stubëll e Binçë, disa kisha ortodokse, pesë kala antike dhe disa shpella parahistorike, etj. Në Smirë, Sodovinë, Verban (afër Kllokotit), Gradinë e Gerçar ndodhen lokalitetet arkeologjike.
Morava e Epërme apo komuna e Vitisë është një trevë e banuar nga shqiptarët e serbët që kanë tri besime fetare; myslimane, katolike dhe ortodokse, por që jetojnë në harmoni etnike e fetare. Një pjesë e popullsisë serbe janë shpërngulur në Serbi pas luftës, në vitin 1999. Në disa fshatra të kësaj komune; Letnicë, Shashare, Vërnakollë, Vërnez dhe Binçë ka jetuar e jeton edhe një bashkësi e vogël etnike kroate. Shumica dërmuese e kësaj bashkësie janë larguar nga Kosova gjatë viteve ’90-ta të shekullit të kaluar për shkak të pasigurisë që kishin pas luftës së Kroacisë dhe Bosnjës. Disa vendbanime dikur ishin të banuara me popullsi shqiptare kriptokatolike apo, si quheshin në popull, laramanë. Ka edhe sot shqiptarë të fesë katolike që kanë mbiemra myslimanë, madje edhe emra e mbiemra të tillë.
Vitia prinë sa i përket numrit të mërgimtarëve. Mendohet se rreth gjysma e popullsisë së komunës së Vitisë jetojnë në botën e jashtme. Të theksojmë se mërgimtarët nga kjo komunë janë të përqendruar në shtetin Helvetik. Vlerësohet se vetëm në regjionin e Gjenevës jetojnë rreth 16 mijë bashkatdhetarë nga komuna e Vitisë. Ata janë të organizuar nëpër shoqata atdhetare për ta ndihmuar komunën e tyre.
Territori i komunës së Vitisë apo Morava e Epërme ka bukuri të rralla natyrore dhe vlera e pasuri të mëdha turistike. Në këtë drejtim duhet përmendur fshatrat me bukuri të natyrore, siç janë Debëlldehu, Binça, Letnica, Stublla, Shushtë etj. Përmes qytetit përshkon, si një perlë e rrallë, lumi i Moravës kurse në mes të Vitisë ndodhet sheshi i rregulluar dhe parku i bukur.
Qyteti i Vitisë me rrethinë njihet për mikpritje e bujari. Këto vlera u shpërfaqën edhe me respektimin e mirënjohjen për miqtë ndërkombëtarë; diplomatit amerikan, Riçard Hollbruk dhe gazetarit të agjencisë AP, Kerim Lewton, duke ua dedikuar atyre nga një shesh përkujtimor dhe duke ua ngritur nga një bust.
Qyteti i Vitisë dhe rrethina e tij shquhet për veçantitë, që e karakterizojnë si qytet dhe si krahinë. Cilat janë këto veçanti? Vitia është kryeqendra e krahinës etnografike të Moravës së Epërme. Morava e Epërme dhe Morava e Binçës janë emnakë. I përket regjionit të Gjilanit, me largësi të njëjtë mes Gjilanit e Ferizajt, por që graviton më shumë nga Ferizaj. Në Jugosllavinë mbretërore bënte pjesë në Banovinën e Vardarit, me qendër në Shkup. Në dy fshatra të komunës së Vitisë, Stubëll e Pozhoran, janë hapur shkollat e para shqipe gjatë Perandorisë Osmane, të cilat sot janë muze. Vitia është njëra nga dy komunat e Kosovës ku ka jetuar një pakicë kroate. Mërgimtarët moravas të komunës së Vitisë janë të përqendruar në Zvicër, kryesisht në kantonin e Gjenevës. Është qyteti që u ka dhënë sheshe dy miqve ndërkombëtarë. Në Letnicë Nënë Tereza mori thirrjen për t’u bërë motër nderi. Në kishën e Letnicës mbahet festa vjetore, ku marrin pjesë të gjithë, shqiptarë katolikë e myslimanë, të ardhur nga të gjitha viset e atdheut. Në Stubëll mbahen Takimet tradicionale shkencore e letrare “Dom Mikel Tarabulluzi”. Morava është vendi ku shqiptarët e besimit katolikë mbajnë edhe emra e mbiemra që mbajnë shqiptarët e besimit myslimanë. Në dy luftërat botërore Vitia ishte pushtuar nga bullgarët. Komuna e Kllokotit, e formuar mbi baza etnike e politike pas luftës çlirimtare, kufizohet nga të gjitha anët me komunën e Vitisë.
Morava e Epërme, si krahinë dhe Vitia, si qendër e saj, dikur ishte vend i bujqësisë, sot mund të thuhet se është vend i mërgimtarëve. Megjithatë, kryeqendra e Moravës po zhvillohet si një qytet i zhvilluar bashkëkohor, me pamje gjithnjë e më shumë të një qendre të rëndësishme regjionale ekonomike e kulturore.
add a comment