Shtegtime nëpër Atdhe (CLXVI) – Nasheci – fshatii i dikurshëm turistik, sot fshat i braktisur
Shtegtime nëpër Atdhe (CLXVI)
NASHECI – FSHATI I DIKURSHËM TURISTIK, SOT FSHAT I BRAKTISUR
Nasheci, i njohur edhe me emrin Syzi, është një fshat në komunën e Prizerenit, që ndodhet 9 km në perëndim të qendrës komunale. Shtrihet në bregun e majtë të lumit Drini i Bardhë, aty ku Drini del në fushë nga një kanion i thellë. Fshati ka rreth 230 shtëpi me mbi 1800 banorë. Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të këtij fshati punojnë e jetojnë jashtë fshatit, kryesisht si bukëpjekës, nëpër Kosovë dhe në botën e jashtme. Megjithatë, shpërngulja e banorëve jashtë vendit nuk është e madhe. Konsiderohet se është fshat turistik, ndonëse ka probleme të mëdha ekzistenciale. Fshatarët janë marrë me bujqësi e blegtori, por tash pak apo aspak nuk merren me këto degë ekonomike.
Dikur, para luftës çlirimtare, Nasheci ishte një vend pushimi, i përshtatshëm veçanërisht për pushime verore dhe pushime të fundjavës. Që nga viti 1962 e deri në prag të luftës çlirimtare shumë qytetarë të Prizerenit e të vendeve tjera kishin ndërtuar në Nashec shtëpiza verore. Mirëpo, sot ato qindra shtëpiza janë braktisur dhe janë shkatërruar në masë të madhe.
Fshati është ndërtuar në një shpat mali afër lumit Drin, ku ka ajër të pastër e klimë të përzier kontinentale e mesdhetare, ku mbulon gjelbrimi i dendur, ku janë ngritur shumë kampshtëpiza. Vendi me burime uji e me ajër të pastër, me pamje fantastike dikur sillte fluks të madh të pushuesve, por nuk sjellë sot. Sot në Nashec vështirë jetojnë edhe vet banorët vendës, jo më pushuesit e turistët. Jetën në fshat e kanë vështirësuar apo e kanë bërë të padurueshme shumë probleme, veçanërisht është problemi i derdhjes së ujërave të zeza të qytetit të Prizerenit në afërsi të fshatit Nashec. Gjithashtu, banorët ankohen edhe për hudhjen e mbeturinave të ngurta në brigjet e lumit, si dhe për shfrytëzimin e pakontrolluar të rërës në Drin, me ç’rast lumi del nga shtrati, duke i dëmtuar të mbjellat në bujqësi. Kështu, fshati i dikurshëm turistik, që jetonte mirë e qetë me mysafirë të shumtë, është shndërruar në një fshat të papastër, në një fshat pa kanalizim, në një fshat ku rrjedhin dhe derdhen ujërat e zeza, në një fshat me grumbuj mbeturinash, në një fshat që kundërmon dhe e bën jetën të padurueshme. Kështu, pushuesit gjithnjë e më pak po e vizitojnë Nashecin. Për shkak të ujit të ndotur të Drinit, janë zhdukur peshqit dhe lumi tashmë nuk mund të shfrytëzohet as për larje e freskim. Të gjithë kandidatët për zgjedhjet lokale i kishin premtuar Nashecit se do ta bënin fshat turistik, si kishte qenë më parë, por gjendja ka vazhduar të mbetet e rëndë. Megjithë kushtet e rënda, persona të veçantë e të paktë mund të hasen aty – këtu duke peshkuar, lundruar, vrapuar, notuar dhe çiklistë. Janë edhe disa restorante të peshkut dhe të ushqimit tradicional, si dhe një hotel i mbyllur e i lënë pasdore.
Fshati ka një shkollë të bukur të standardeve të larta, ku mësojnë mbi 300 nxënës. Nga objektet publike ndodhet edhe një tyrbe, e quajtur Tyrbja e Babës Suzi, e cila vizitohet nga qytetarë të anëve të ndryshme me qëllim të shërimit apo të kërkimit të fatit. Edhe udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, e kishte një shtëpi në Nashec, gërmadhat e të cilës, të pambrojtura, ende ekzistojnë. Në këtë shtëpi janë mbajtur tubime historike dhe takime me personalitete të larta të asaj kohe, si Abdyl Frashëri etj.
Në Nashec në vitet 80-ta ishte ndërtuar kompleksi rekreativ – sportiv Pushimorja e Fëmijëve (nxënësve). Pushimorja kishte, pos 15 dhomave me 60 shtretër dhe mensës, edhe dy pishina, terrene sportive, kopshtin e bukur etj. Pas luftës në të ishin vendosur Trupat e Mbrojtjes të Kosovës, kurse sot mbahet e mbyllur dhe e braktisur. Me shfaqjen e pandemisë, në pranverën e vitit 2020, pushimorja ishte përgatitur për izolimin e personave të sëmurë nga Kovid-19, por as për këtë qëllim nuk u aktivizua. Kishte ide edhe për shndërrimin e Pushimores në një shtëpi pleqësh. Asnjëra nga qeveritë komunale, përkundër premtimeve të mëdha se do ta rregullonin pushimoren, por edhe fshatin, nuk bën gjë, ndaj Pushimorja mbetet ende e pashfrytëzuar dhe fshati Nashec ende i braktisur nga turistët.
Përkujtojmë se forcat serbe, në mars të vitit 1913, në fshatin Nashec masakruan dy familje. Ushtria serbe për një ditë i kishte masakruar 19 burra të dy familjeve; të familjes Kalaj – 15 djem dhe të familjes Manreca – katër djem.
Nasheci, i cili dikur ishte nga fshatrat më turistike e më të vizituara të Kosovës, ka natyrë të bukur, pamje e peisazhe të mrekullueshme. I zhytur në gjelbërim, fshati ndodhet në hije. Periferisë së tij, poshtë fshatit dhe nëpër një kanion të ngushtë përshkon Drini i Bardhë, në të cilin zhvillohen veprimtari të shumta, si not, peshkim, shfrytëzim të rërës etj. Fshati Nashec është i bukur, por atij duhet t’i kthehet nami i dikurshëm, pasuria e tij, pushimorja e tij, rrjedhimisht edhe turizmi i tij. Vetëm me investime të duhura, Nashecit mund t’i kthehet emri i dikurshëm.
add a comment