Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CLI) – MITROVICA – qyteti që e pagoi shtrenjtë lirinë e Kosovës

Mitrovica është njëri nga qytetet më të mëdha në R. e Kosovës, dikur qyteti dhe komuna më e zhvilluar industriale, qyteti i dytë për nga madhësia, qyteti i kombinatit “Trepça”, qyteti i minatorëve, qyteti i lbrit dhe i Urës mbi Ibër. Nga ana tjetër Mitrovica (e Kosovës) sot është qytet i ndarë, qytet i plagosur, qytet i papunësisë e i varfërisë. Mitrovica, e ndarë mes shqiptarëve e serbëve, mbetet shembulli më i keq “i zgjidhjeve” të problemeve politike e ndëretnike. Sot qyteti i Mitrovicës paraqet një vatër (të pashuar) të mosmarrëveshjeve e konflikteve ndëretnike.

Në vitin 1982 secila njësi federative e Jugosllavisë ishte e detyruar ta emëronte një qytet me emrin e Titos. Në Kosovë kjo “nafakë” i takoi Mitrovicës, duke e marrë emrin Mitrovicë e Titos. Këtë emër Mitrovica e mbajti shkurt, deri në vitin 1991, kurse sot i mbanë dy emra; Mitrovicë (komuna në jug) dhe Mitrovicë e Kosovës (komuna në veri). Deri në vitet ’80-ta të shekullit të kaluar edhe komunat e Zveçanit,edhe komuna e Zubin Potokut ishin pjesë e komunës së Mitrovicës. Por, ato ishin pavarësuar në kohën e Milosheviqit me vendim politik, që të rritet numri i komunave me popullsi serbe në Kosovë.
Zbulimet arkeologjike kanë treguar se territori i komunës së sotme të Mitrovicës ka qenë i banuar shumë herët, që nga parahistoria. Vendi ishte i banuar nga fisi ilir i dardanëve. Në territorin e kësaj komune janë zbuluar gjurmë vendbanimesh të vjetra, një nekropol ilir, statuja, sarkofag, figura… Popullsia në kohët e lashta, pos bujqësisë e blegtorisë, është marrë edhe me përpunimin e metaleve. Pushtuesit romak erdhën në shek. I e.r., kur këtu kishin ngritur një postë ushtarake. Soçana ishte qendra e dytë më e rëndësishme romake në territorin e Kosovës së sotme, pas Ulpianës. Pastaj vendi kishte rënë nën sundimin e Carit bullgar, Simeonit (897 – 927), të Bizantit, të Nemanjës (1185) etj. Sundimtarët serbë e shndërruan territorin e Kosovës në qendër politike e kishtare, duke zbatuar edhe politikë asimiluese ndaj popullsisë vendore. Me ardhjen e Car Dushanit në fuqi, në vitin 1346, popullsia vendore ka filluar të kthehet nga riti katolik në ritin ortodoks. Në këtë kohë emërtimet e vjetra ilire e shqiptare janë zëvendësuar apo përshtatur me emra sllav.
Me emrin Mitrovicë për herë të parë përmendet në vitin 1499 nga Arnold von Harfi, kurse në vitin 1530 B. Kuripeshiqi e quan qendër tregtare, F. Kanej, në vitin 1573, e quan qytezë, Pjetër Bogdani e quan vendbanim me 500 shtëpi. Mitrovicën e përmendin, në shkrimet e tyre, edhe Marin Bici (1614), E. Çelebia, A. Pukëvili etj. Ami Boue (1794 – 1881), gjeolog austriak, ka shkruar se Mitrovica në shek. XIX kishte 200 – 300 shtëpi me 800 banorë, dy xhami, dy hane, një sahatkullë dhe disa dyqane. Gjeografi dhe udhëpërshkruesi turk, Haxhi Kalfa, Mitrovicën e ka përmend në shek. XVII si kadillëk në Sanxhakun e Vushtrrisë.
Sot në qytetin e Mitrovicës (së jugut) banojnë mbi 70 mijë banorë, kurse në pjesën veriore rreth 25 mijë, që d.m.th. se tërë qyteti ka rreth 100 mijë banorë. Qyteti me rrethinë ka pozitë shumë të mirë gjeografike, i ndodhur mes tre lumenjve, Ibrit, Sitnicës e Lushtës, në lartësi mbidetare 510 metra. Ka klimë të përshtatshme dhe tokë të begatshme për zhvillimin e bujqësisë. Shtrihet në korridorin veri-jug në luginën Ibër – Sitnicë, që rrethohet rreth e përqark me kodra e male të larta e të pasura me minerale të arit e argjentit, plumbit e zinkut.
Nga fundi i shek. XIX Mitrovica zhvillohet si një qytet i rëndësishëm ekonomik e tregtar. Që atëherë u lidh me hekurudhë me Shkupin e Selanikun, kurse më vonë edhe me Kralevën e Beogradin. U hapën dyqane tregtare e zejtare. Me rrugë është lidhur nga shumë anë; me Prishtinën e Shkupin, me Pejën, me Besianën, me Rozhajën e Podgoricën, me Kralevën e Beogradin. Në gjysmën së dytë të shek. XIX Mitrovica është një vendbanim i rëndësishëm xehetar, kurse nga fundi i viteve ’30-ta të shek. të kaluar u ndërtua miniera dhe ndërmarrja “Trepça”, kur me shpejtësi u zhvillua, jo vetëm industria e nxjerrjes së mineraleve, por edhe ajo e shkrirjes dhe e përpunimit të tyre. Në ish-Jugosllavi, mbi bazën e minierave dhe industrisë përpunuese u formua Kombinati Xehetar – Metalurgjik “Trepça”. Ky kombinat, për afër një shekull, ka prodhuar dhjetra mijëra tonelata plumb, zink, argjend, ari, bismut, kadmium, akumulatorë etj. Në ditët më të mira, para vitit 1990, Kombinati kishte rreth 22 mijë punëtorë dhe ishte e shtrirë, pos Mitrovicës, edhe në shumë vende të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë, kurse sot nuk ka më shumë se 1500. Por, shkatërrimi i këtij kompleksi industrial gjatë viteve ’90-ta dhe në luftë e la Mitrovicën në krizë ekonomike, në varfëri e papunësi.
Si qytet i madh industrial Mitrovica sot i ka dy universitete, njërin në jug, me emrin e Isa Buletinit, tjetrin në veri, me emrin Universiteti i Prishtinës(?). Qyteti përmban vlera të larta kulturore, jetë të zhvilluar kulturore e sportive. Në qytet ndodhet Muzeu i qytetit, i vendosur në objektin e ish-armatës jugosllave, Pallati i Kulturës, me teatër e kinema, Palestrën sportive, dy stadiume futbolli, një stadium të sporteve të vogla, poligone e dhjetra klube të sporteve të ndryshme që garojnë në të gjitha kategoritë sportive të Kosovës. Nga vlerat e trashëgimisë kulturore në qendër të Mitrovicës ndodhet Hamami i vjetër i shek. XVII.
Gjatë periudhës së pushtimit klasik të Kosovës në vitet 1990 – 1992 nga Kombinati janë larguar me dhunë rreth 12 mijë punëtorë shqiptarë. Pas luftës janë punësuar numër shumë i vogël i minatorëve, rreth 1500, pasi minierat kanë pësuar dëmtime të mëdha. Gjithashtu, janë mbyllur Fabrika e Akumulatorëve, Fabrika e Plehërave Minerale dhe reparte tjera industriale e shkencore, duke përfshirë edhe Shkritoren në Zveçan.
Ishte një projekt, i quajtur “procesi i decentralizimit” që i erdhi Mitrovicës si një “dhuratë” tjetër, e shndërruar në goditje fatale, duke e ndarë qytetin në dy pjesë apo në dy komuna; Mitrovicën (e jugut), me popullsi kryesisht shqiptare dhe Mitrovicën e Kosovës (së veriut), me popullsi shumicë serbe. Pas luftës së Kosovës shqiptarët e pjesës veriore u penguan nga KFOR-i francez të kthehen në shtëpitë e veta. Kështu, rreth 15 mijë banorë të Mitrovicës së përtej lumit u penguan të kthehen apo u dëbuan nga shtëpitë e veta. Ata u detyruan të bëhen refugjatë në qytetin e tyre, në pjesën jugore të qytetit, por edhe në Prishtinë e në qytete tjera. Që nga lufta qyteti i viktimizuar i Mitrovicës ndodhet i ndarë mbi bazë etnike në lumin Ibër. Ura mbi lumin Ibër në qendër të qytetit është bërë objekt identifikues i qytetit të Mitrovicës që, në vend të bashkimit, është bërë simbol i ndarjes dhe i tensioneve ndëretnike. Që nga lufta kjo urë, që ruhet nga ushtarë të KFOR-it dhe policia e Kosovës, është e ndaluar për qarkullim të lirë. Meqenëse banorët serbë, të përqendruar në veriun e qytetit, nuk e njohin Republikën e Kosovës, ura mbi Ibër dhe tërë qyteti i Mitrovicës është bërë zonë e ndijshme, ku një shkëndijë mund ta ndezë zjarrin. Duke mos u shtrirë sa duhet pushteti në pjesën veriore, andej lumit lulëzon krimi dhe kontrabanda, si askund tjetër. Serbia ka organizuar pushtet paralel, investon në institucione “paralele”, në Universiteti “i Prishtinës” në Mitrovicë.
Pasojë e luftës, e ndarjes së qytetit dhe e çrregullimeve ekonomike, veçanërisht e Kombinatit “Trepça”, sot Mitrovica duket një qytet i pashpresë, një qytet me ardhmëri të pasigurtë, një qytet me papunësi të madhe, me varfëri të theksuar dhe me emigrim të pandalshëm.
Megjithë problemet e mëdha që ia solli historia, Mitrovica është qytet i bukur. Bukurinë ia shton edhe lumi Ibër dhe lugina e tij piktoreske, liqeni artificial, i ndërtuar sipër qytetit, në lumin Ibër, malet e Shalës…