Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CL) – Kastrioti – Qyteza që ndriçon Kosovën e vet rri në terr

Kastrioti, respektivisht Obiliqi, është qytezë industriale dhe qendër komunale e 20 vendbanimeve. Realisht është një paralagje e kryeqytetit, vetëm 10 km larg. Shtrihet në një fushë të gjerë në brigjet e lumit Sitnicë, mes dy komplekseve termoenergjetike; termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Në afërsi të Kastriotit, te vendi Maja e Zezë në rrëzë të Qyqavicës, ndodhen gjurmët e një qyteti ilir. Gjatë Perandorisë Osmane Kastrioti kishte statusin e nahisë, kur është quajtur Glloboder. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në vitin 1912, vendi u emërua me emrin e kryetrimit të Betejës së Kosovës, Obiliq (Kopiliq) e pas luftës çlirimtare të UÇK-së, në vitin 1999, u quajt Kastriot. Statusin e komunës e kishte marrë që nga Lufta e Parë Botërore deri në vitin 1962, kur iu bashkangjit komunës së Prishtinës, por nga viti 1989 sërish ndahet nga komuna e Prishtinës.
Kur u ndërtua hekurudha Shkup – Mitrovicë, në vitin 1873, në Glloboder ishte ngritur një stacion treni që i shërbente edhe qytetit të Prishtinës. Duke marrë një rëndësi të madhe si vend me qarkullim të madh të njerëzve e mallërave, aty u hapën lokale të ndryshme zejtare dhe tregtare. Atëherë iu vunë bazat e një qyteti të ardhshëm, një qendre të rëndësishme të fshatrave përreth.
Në komunën e Kastriotit ka disa objekte të trashëgimisë kulturore, nga të cilat dallojmë Tyrben e Sulltan Muratit të shek. XIV në fshatin Mazgit, si njëra nga veprat më të vjetra osmane në Ilirik, Tyrben e Gazi Pashës, Përmendoren e Trimave të Kosovës (e zyrtarizuar si monument i historisë dhe i trashëgimisë serbe), pastaj mulliri në fshatin Graboc etj.
Komuna e Kastriotit ka popullsi shumetnike prej rreth 32 mijë banorëve; shqiptarë (90 për qind), serbë dhe romë, kurse rreth 5000 banorë jetojnë në qytezën e Kastriotit. Duhet theksuar se banorët e Kastriotit dhe fshatrave të afërme jetojnë në hijen e tymtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe duke gëlltitur pluhurin dhe hirin që vjen nga djegia e qymyrit në termoelektrana.
Zhvillimi ekonomik i komunës së Kastriotit mbështetet në rezervat e mëdha nëntokësore të thëngjillit dhe në tokën e begatshme bujqësore. Në Kastriot janë ndërtuar termoelektranat dhe minierat e mëdha të thëngjillit, ku prodhohet 97 për qind e energjisë elektrike në Kosovë. Prodhimi i energjisë mbështetet në eksploatimin e thëngjillit (linjitit) në minierat e mëdha sipërfaqësore Bardh i Madh, Mirash dhe Siboc, si dhe në shtatë turbinat e TEC-eve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Kompleksit të madh elektroenergjetik të Kosovës, TEC-eve dhe minierave në Kastriot planifikohet t’i shtohet edhe një termoelektranë e re, “Kosova e Re” ose “Kosova C”.
Për herë të parë ka filluar shfrytëzimi (primitiv) i thëngjillit në fshatin Hade në vitin 1922 me hapjen e puseve, galerive e zgafellave. Thëngjilli atëherë përdorej për nevojat e minierës së Trepçës. Që nga ajo kohë e deri tash vazhdimisht është rritur shfrytëzimi i thëngjillit, duke u hapur miniera të reja, si ajo në Dardhishtë, Siboc, Mirash, Bardh i Madh etj. Djegia e thëngjillit në industri, kryesisht në TEC-et e Kastriotit, shërben si lëndë e parë kryesore për prodhimin e energjisë elektrike. Thëngjilli është përdorë edhe për nxemje, si zëvendësim i drurit, në familjet tona. Theksojmë se Kosova zë vendin e pestë në botë për rezerva me linjit, me më shumë se 10 miliardë tonelata.
Pasojë e funksionimit të TEC-eve, qyteti i Kastriotit dhe rrethina e tij është zona më e ndotur në Kosovë, mbase edhe në Evropë. Ndotja e mjedisit, veçanërisht në Dardhishtë, shkaktohet nga TEC-et që kanë teknologji të vjetër të prodhimtarisë, me ç’rast lirohen gazërat, tymi e pluhuri. Tymi dhe grimcat e pluhurit, të lëshuara në atmosferë nga tymtarët, si dhe hiri dhe uji i ndotur, që lëshohen në natyrë, shkaktojnë ajër me erë të rëndë mbi qytet e rrethinë në një diapazon të gjerë, madje edhe mbi qytetet e Prishtinës e Fushë-Kosovës. Kastrioti është qyteti i vetëm në Kosovë për të cilin ka një ligj. Sipas këtij ligji qyteti dhe rrethina e tij përcaktohen si zonë me rrezikshmëri të veçantë mjedisor dhe me buxhet të shtuar për komunën, por efektet e tij ende nuk janë parë.
Është vlerësuar se shkaktar kryesor i problemeve shëndetësore dhe i vdekjeve të parakohshme në këtë zonë është ndotja e madhe e natyrës, që shfaqet me sëmundje të frymëmarrjes, të kancerit, të zemrës, të syve etj. Ndotjet mjedisore, tri herë më të mëdha se që është e lejuar, shkaktohen nga kontaminimi i ajrit, tokës e ujit. Prandaj banorët e Kastriotit e rrethinës ndihen të diskriminuar dhe të rrezikuar nga pasojat shëndetësore që i shkakton Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Madje, ata ndihen të diskriminuar shpeshherë edhe për furnizim me energji elektrike. Plus, me zgjerimin apo me hapjen e minierave apo të mihjeve sipërfaqësore, banorët e zonës detyrohen të zhvendosen nga shtëpitë e nga vendbanimi i tyre, siç është rasti me banorët e fshatit Hade.
Në Mirash, ku gjendet miniera e madhe e qymyrit, është hapur edhe një deponi e madhe e mbeturinave, në të cilën derdhen mbeturinat që vijnë nga Prishtina, Podjeva, Lipjani, Fushë-Kosova, Drenasi dhe Graçanica. Kjo deponi mbeturinash kundërmon aromë të rëndë, duke shkatërruar mjedisin edhe ashtu të shkatërruar. Pos aromës kundërmuese, duke u djegur mbeturinat ngriten retë e tymit shumë të dëmshëm për shëndetin e popullsisë dhe të gjallesave tjera.
Nëpër territorin e komunës së Kastriotit, në një fushë të begatshme bujqësore, përshkojnë tre lumenj; Sitnica, Llapi e Drenica, si dhe sistemi i ujitjes “Ibër – Lepenci”, që paraqesin pasuri të konsiderueshme ujore. Këto rrjedha do të ishin pasuri e madhe natyrore sikur të mos ishte ndotja tepër e madhe dhe e vazhdueshme e tyre nga shumë faktorë, po kryesisht nga hedhja e mbeturinave të ndryshme dhe derdhja e kanalizimeve në lumenj. Sot rrjedhat ujore, duke përfshirë edhe lumenjtë në komunën e Kastriotit, ngjajnë në kanale të ujërave të zeza që kundërmojnë erë të rëndë.
Megjithë problemet e mëdha mjedisore, Kastrioti ka pozitë shumë të mirë gjeografike. Ka terren fushor, kodrinor dhe malor të përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, por edhe të turizmit. Pika më e lartë mbidetare në territorin e komunës shkon deri në 740 metra dhe pika më e ulët – 530 m. Sipërfaqja e rrafshët dhe ajo kodrinore, në rreth 75 për qind të territorit të komunës, mundëson zhvillimin e bujqësisë, kurse sipërfaqja malore është e pasur me pyje. Qyteti paraqet edhe një nyje komunikacioni, nga kalon rruga magjistrale dhe autostrada, si dhe lidhja me hekurudhë me Fushë-Kosovën e Mitrovicën.
Kastrioti është një qytezë simpatike në mes të Kosovës, e cila i jep shumë Kosovës e merr pak nga Kosova. Ajo, më shumë se çdo qytet e komunë, ka nevojë për ndihmën e institucioneve të Republikës sonë.