Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXVIII) MEJA – FSHATI QË PËRJETOI MASAKRËN MË TË MADHE SERBE NË KOSOVË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXVIII)
MEJA – FSHATI QË PËRJETOI MASAKRËN MË TË MADHE SERBE NË KOSOVË
Meja është një fshat i vogël i tipit të shpërndarë, rreth 3 km në veriperëndim të qytetit të Gjakovës.
Më 21 prill, një javë para se të ndodhte Masakra e Mejës, ishin vrarë në një pritë pesë milicë dhe një oficer policie. Ata kishin ardhur në fshat me veturë, duke i pyetur fshatarët; – Ku është UÇK-ja? Pak pasi ishin larguar nga fshati, ishin dëgjuar të shtënat. Njëri nga të vrarët ishte komandant i milicisë, i njohur për vrasjet e shqiptarëve. Mirëpo, një zyrtar i lartë i forcave serbe ka deklaruar se operacioni, i quajtur “Reka”, që kreu masakrën në Mejë, ishte planifikuar shumë kohë para se të vriteshin milicët serbë.
Në Mejë, një javë pas këtij aksioni dhe një muaj pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, ka ndodhur masakra më e madhe serbe në Kosovë. Në mëngjesin e 27 prillit 1999, duke filluar nga ora 5, forcat policore dhe ushtarake serbe e kanë sulmuar, pa paralajmërim, fshatin Mejë, fillimisht duke e granatuar nga larg dhe duke i djegur shtëpitë. Pasi kishin depërtuar në fshat, e kishin tubuar popullsinë afër shkollës, sipas një plani të hartuar më herët. Po atë ditë milicia, ushtria dhe Beretat e Kuqe, shumë prej tyre të maskuar, i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre edhe banorët e 15 fshatrave të Rekës së Keqe dhe të Lugut të Carragojës, komuna e Gjakovës, duke i detyruar të ecnin vetëm në drejtim të Mejës, ku kishin vendosur një pikë kontrolli. Në Mejë kishin filluar t’i plaçkitnin banorët, t’i kërcënonin e t’i rrihnin, duke ua marrë paratë dhe çdo gjë me vlerë që kishin me vete. Pas bastisjeve, kolona e të dëbuarve është urdhëruar të vazhdojë rrugën për Shqipëri, ndërsa burrat dhe djemtë janë detyruar të gjunjëzohen dhe t’i lidhin duart pas shpine. Në Mejë forcat terroriste serbe i kanë ekzekutuar brenda pak orëve të gjithë djemtë dhe burrat që i kishin rrëmbyer atë ditë, gjithsej 377 persona civilë të pambrojtur.
Vrasjet në Mejë ishin të planifikuara në kuadër të operacionit ushtarak e policor “Reka”, ku kanë marrë pjesë njësitë e Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave, Beretat e Kuqe, Batalioni 52-të i policisë ushtarake dhe komandanti i Brigadës 125. Sipas dëshmitarëve të mbijetuar, ushtarët apo milicët serbë ishin të frikshëm në pamje, sepse ishin të veshur uniforma kamuflazhi, kishin në kokë maska të zeza, dorëza të zeza e thika në duar, ndërsa në krah mbanin pushkë automatike.
Viktimat fillimisht ishin varrosur në varrezë masive publike afër Gjakovës, por pjesa më e madhe e tyre më vonë janë zhvarrosur dhe, bashkë me viktimat e masakrës së Suharekës, janë bartur në Batajnicë, afër Beogradit, në përpjekje për ta fshehur krimin. Bartja është bërë me kamion zyrtar të shtetit jugosllav drejt qendrës së ushtrimeve të Njësisë Speciale Antiterroriste Serbe në Batajnicë, ku viktimat janë varrosur në një varrezë masive. Më 15 qershor, pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, në vendin e ngjarjes kishin gjetur disa trupa të dekompozuar, dokumente të djegura, sende personale të të vrarëve dhe gëzhoja të plumbave. Gjatë hetimeve të pasluftës është vërtetuar se 287 trupa njerëzish, të gjetur në Batajnicë, i përkisnin masakrës së Mejës.
Drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare edhe për këtë masakër, si edhe për masakrat tjera në Kosovë, nuk e ka kryer detyrën e vet. Edhe pse ka mjaft prova dhe janë identifikuar shumë kryerës të masakrës, deri tash askush nuk ka dalë para drejtësisë. Për herë të parë në prill të vitit 2013 prokurorët e EULEX-it kanë filluar hetimet kundër 17 serbëve nga Gjakova, të përfshirë në masakër, por pa ndonjë aktakuzë apo arrestim. Prokuroria Speciale e Kosovës, në fund të vitit 2018, ka ngritur aktakuzë kundër 53 personave, kryes apo të përfshirë në Masakrën e Mejës, për të cilët është ngritur edhe “urdhër i arrestit ndërkombëtar”, ndërsa Interpol ka lëshuar urdhër ndalimi ndaj tyre. Vetëm pas 15 viteve është arrestuar një i dyshuar për pjesëmarrje në masakër por, pa u bërë muaji në paraburgim, është gjetur i varur në litar në qelinë e Qendrës së Paraburgimit të Pejës. Kështu, deri sot asnjë kriminel, që e ka kryer masakrën e Mejës, nuk ka dalë para drejtësisë. Kujtojmë se deri sot, pas 25 vjetëve, Kosovës i mungojnë, si të pagjetur, edhe 1620 persona të rrëmbyer në luftë nga forcat serbe. Nga të gjithë të pagjeturit, 13 janë nga Masakra e Mejës.
Nga 377 viktimat, 36 ishin të moshës 14 deri 18-vjeçare, 11 ishin nxënës dhe 20 ishin arsimtarë. Nënë Zoje Prendit i janë vrarë pesë djem. Njerëzit ishin vrarë vetëm pse ishin shqiptarë, pa dallim moshe, gjinie, feje, prejardhjeje. Dhe, për ironi, masakra në Mejë është bërë në ditën e festës së Serbisë, e krijuar më 27 prill 1992.
Meja është një plagë e jona e përhershme, shpeshherë e krahasuar me Srebrenicën. Ky fshat sot ka marrë epitetin e fshatit të lotëve, ndërsa vendi ku është kryer masakra njihet si “Lëndina e Pikëllimit”. Aty është ngritur Qendra Përkujtimore e viktimave të Masakrës së Mejës, ndërsa 27 prilli në Kosovë është shpallur dhe shënohet si Dita e të Pagjeturve, njëkohësisht është dita kur çdo vit përkujtohet Masakra e Mejës. Qendra Përkujtimore, e shtrirë në gjashtë hektarë, pos varrezave përmban edhe kullën – muze, amfiteatrin, parkingjet dhe hapësirat e gjelbëruara.