Shqipëria/Aktualitet

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIV) – MALËSIA E MADHE – KRAHINA ME NJË LUMË DHE NË DY SHTETE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLIV)
MALËSIA E MADHE – KRAHINA ME NJË LUMË DHE NË DY SHTETE
Malësia e Madhe ose Malësia e Mbishkodrës është njëra ndër krahinat më të mëdha gjeografike në hapësirën etnike shqiptare. Territori i saj shtrihet në dy shtete; në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe kufizohet, që nga lumi Moraça, afër Podgoricës deri në Shkodër dhe nga Liqeni i Shkodrës, deri në Vermosh. Përmes këtij territori rrjedh lumi i vetëm i Malësisë, lumi i Cemit, që buron në Alpet Shqiptare dhe derdhet në lumin Moraça. Edhe gjeografikisht krahina e Malësisë së Madhe ndahet në dy zona krejtësisht të ndryshme; në zonën malore dhe në zonën fushore.
Brenda kufirit shtetëror bëjnë pjesë Kelmendi, një pjesë e Hotit, Kastrati dhe Shkreli. Është e organizuar në bashki, me qendër në Koplik dhe në rreth, me qendër gjithashtu në Koplik, si dhe është pjesë e Qarkut të Shkodrës. Në vitin 2004 ajo kishte rreth 37 mijë banorë.
Në pjesën e Malësisë së Madhe në Mal të Zi jetojnë rreth 14 mijë banorë, pothuaj të gjithë të etnisë shqiptare. Qendra më e rëndësishme e Malësisë së Madhe në Mal të Zi, njëkohësisht edhe qendër e komunës, është Tuzi, një qytezë e vogël me rreth 4000 banorë.
Malësia e Madhe sot përbëhet nga shtatë nënkrahina. Në zonën fushore ndodhen Gruda, Kopliku, Gruemira, Buz-Uji, pjesë të Kastratit, të Shkrelit dhe të Hotit. Ndërsa në zonën malore ndodhen Triepshi, Korita e Hotit, Kelmendi, Koja, pjesë të Shkrelit, të Grudës, të Hotit, të Kastratit dhe të Shkrelit.
Në hershmëri Malësinë e Madhe e banonte fisi ilir i Labeatëve. Atëherë kjo krahinë quhej Malet e Labeatëve (Mons Labeatis), ndërsa Liqeni i Shkodrës quhej Liqeni i Labeatëve (Lacus Labeatus). Në mesjetë, para pushtimit osman të vitit 1476, Malësia ishte e njohur me emrin Pulti ose Pulati dhe bënte pjesë në Principatën e Pultit, që përfshinte 12 fise; Kelmendin, Hotin, Grudën, Shkrelin, Kastratin, Trieshin, Piperin, Kuçin, Vasojeviqin, Krasniqen, Gashin dhe Bytyçin. Fiset Piperi, Kuçi dhe Vasojeviqi gjatë shekujve janë sllavizuar dhe sot popullsia e tyre identifikohet me përkatësi malazeze.
Situata dhe rrethanat më të rënda ishin krijuar në vitin 1880, kur Fuqitë e Mëdha evropiane ia njohin Malit të Zi një pjesë të Hotit e të Grudës. Më 11 prill 1980 Dega e Lidhjes Shqiptare e Shkodrës, prirë nga Hodo Sokoli, formoi shtabin ushtarak për mbrojtjen e Hotit, Grudës e territoreve tjera të rrezikuara shqiptare. Kënga popullore më së miri e shpjegon këtë situatë historike:
Hot’ e Grud’ na jan betue
Vin’ n’Shkodër me qa dert’
Pa gjak malet mos me i lshue
Jena nis me u ba milet.
Pushtimet e para të territoreve shqiptare nga Mali i Zi kanë filluar në vitin 1876, kur malazezët e morën një pjesë të Malësisë së Madhe; Kojën e Kuçit dhe Trieshin. Ndërsa në vitin 1913 Konferenca e Londrës ia njohu Malit të Zi edhe territoret tjera shqiptare, duke e ndarë Malësinë e Madhe në dy pjesë. Dhe, Komisionin Ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit shtetëror mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në vitin 1914, e ka udhëhequr rusi S. Potapov.
Në luftërat për mbrojtjen e Hotit e Grudës ka marrë pjesë edhe Tringë Smajlja (1880 – 1917), e mbiquajtur edhe si Tringa Gruda apo Tringa e Maleve. Ajo ishte një vashë shqiptare e pajisur me vlera e tipare të larta të urtisë, të trimërisë, të fjalës në kuvend e të pushkës në luftë për liri. Ishte vajza e atdhetarit dhe luftëtarit të njohur, Smajl Martini. Më 6 prill 1911 ajo shkëlqeu në luftën për marrjen e Malit të Deçiçit, bashkë me Dedë Gjo Lulin, kur në majën e këtij mali, në Bratilë, u ngrit flamuri kombëtar. Poeti Gjergj Fishta ka thënë: – Tringa ia kalonte çdo djali në urti e në trimëri.
Historianë e albanologë kanë vërtetuar faktin se, deri në pushtimin osman, edhe Malësia e Madhe kishte një zhvillim të krahasueshëm me vendet evropiane. Deri në vitin 1476, kur udhëhiqej nga Balshajt dhe Cernojeviqët, ajo mbante lidhje të ngushta me Venedikun. Pjesa malore e Malësisë asnjëherë nuk e ka njohur pushtetin osman dhe nuk pagoi taksa e tatime.
Krahina e Malësisë së Madhe ndodhet në një pozitë periferike dhe, për shkak të terrenit malor, është mjaft e izoluar. Në zonën malore ka shumë pak tokë të punueshme, prandaj popullsia kryesisht merret me blegtori, vreshtari dhe me mbledhjen e bimëve mjekësore, ndërsa në zonën fushore, me lavërtari. Viteve të fundit Malësia e Madhe është kthyer në një destinim të rrallë turistik.
Në vitin 1641 kryeprifti i Grudës dhe i gjithë Malësisë, Karlo Della Mirandella ka organizuar në Tërgaje, në brigjet e lumit Cem, besëlidhjen mes maleve dhe ka hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe në fshatin Prifte të Grudës. Mirëpo, shkollën e kanë mbyllur osmanët. Shkollat e para shqipe në Mal të Zi janë hapur në vitin 1916, gjatë Luftës së Parë Botërore nga austrohungarezët dhe më vonë, pas LDB. Në përhapjen e arsimit shqip në Malësi kanë punuar edhe mësues arbëresh nga Zara; Josip Rela e Josip Duka.
Më mirë se kudo tjetër, në këtë krahinë etnografike janë ruajtur traditat popullore, veçanërisht ato folklorike, që përcillen me lahutë e çifteli. Aty janë zhvilluar dhe ruajtur deri sot vlerat epokale të folklorit, si gojëdhënat, Eposi i Kreshnikëve, Kënga e Majekrahut, vallja e shpatave, kanuni i maleve etj. Gjithashtu, janë ruajtur veshjet karakteristike të kësaj ane; xhamadani, çakshiri dhe xhubleta. Aty gjejmë edhe traditën e mikpritjes së malësorit, si një vlerë të veçantë dhe origjinale. Malësorët njihen edhe për atdhetari, besë, nderë e bujari, si vlera tradicionale të malësorëve. Të gjitha këto vlera përshfaqen në festivalin “Logu i bjeshkëve”, manifestim unik që zhvillohet në amfiteatrin natyror të Qafës së Predelecit, afër Lëbushës e Vermoshit.
Bukuritë mahnitëse natyrore, freskia e maleve, trashëgimia dhe traditat e vjetra popullore, ushqimi tradicional, si dhe pozita e veçantë gjeografike e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë shumë të pasur me vlera turistike. Gjatë tërë vitit aty zhvillohen të gjitha llojet e turizmit, duke përfshirë edhe turizmin kulturor, historik e sportiv. Vendet më të njohura turistike janë: Razma, Boga, Lëpusha, Vermoshi, Selca e Reçi