Opinion

Shqiptar Kosova: Salih Berisha person “non grata”

Me 19 maj 2021, ditë e mërkurë, Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken, Salih Berishën, ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin e Shqipërisë  e shpalli person “non grata”, duke ia ndaluar atij dhe familjarëve të tij hyrjen në Amerikë. Kjo sepse, sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, Berisha kishte “keqpërdorur fondet publike në favor të miqve të tij politikë dhe të familjarëve të tij, dhe sepse Berisha i kishte minuar proceset demokratike në Shqipëri”. Salih Berisha të nesërmen me 20 maj, ditë e enjte, doli para ekraneve televizive dhe deklaroi se për ta mbrojtur dinjitetin e tij, Sekretarin e Shtetit Amerikan e kishte paditur për shpifje në një Gjykatë Korrektuese të Parisit.

Në parim ndiej keqardhje që Amerika, mbështetësja më e madhe e Kosovës dhe e Republikës së Shqipërisë në këto tri dekadat e fundit, ka shpallur non grata një ish-President, përkatësisht një ish-Kryeministër shqiptar, sepse kushdo që të jetë Salih Berisha, megjithatë ai jo vetëm që është shqiptar, por edhe ka paraqitur disa herë figurën numër një të Shqipërisë. Por, thënë  të drejtën më shumë se për Salih Berishën ndiej keqardhje për Shqipërinë,  pa territorin dhe ndihmën e të cilës Kosova as nuk do të mund të organizonte ndonjë luftë çlirimtare kundër Serbisë, dhe për rrjedhojë as NATO-ja nuk ka pasur se si të ndërhynte ushtarakisht në çlirimin e Kosovës, dhe për rrjedhojë as Kosova pa qenë paraprakisht e çliruar, nuk ka pasuar se si ta shpallte veten të pavarur në vitin 2008.

Sa i përket Salih Berishës, siç thuhet të rrim shtrembër e të flasim drejt: Salih Berisha tani më për  30-të vite me radhë, mendësinë e tij kryesisht feudaliste dhe shumë pushtet-dashse, Shqipërisë si shtet dhe shqiptarëve si komb, më shumë se të mira e gëzime iu ka sjell të këqija dhe deri edhe kobe.

 Në fillim të viteve të `90 e nisi demokracinë në Shqipëri me hu e me litar në krah, duke e kthyer kësisoj Shqipërinë jo në një vend demokratik si thoshte, por në një vend anarkik siç e bëri. Një vend ku siç thuhet `qeni s`e njihte qeni t ‘zonë!`.  

Ai me fjalimet e tij histerike, hakmarrëse e luftë-nxitëse kundër të kaluarës motivoi e trimëroi tifoz e mafioz, që e dogjën, e shkatërruan dhe e vodhën në fillim të viteve të `90 të shekullit të kaluar ish-ekonominë socialiste, duke e varfëruar kësisoj edhe më shumë Shqipërinë,  dhe për rrjedhojë edhe duke bërë që shqiptarët në shifra kolosale të detyroheshin të merrnin arratinë drejt Greqisë e Italisë. Këto kanë qenë kohët kur prostitutat shqiptare kishin mbushur rrugët e Athinës dhe të Romës.

Salih Berisha dhe partia e tij në pushtet gjatë viteve 1993-1996 pajisën me leje pune disa firma piramidale të rrezikshme, të cilat duke iu premtuar rrejshëm shqiptarëve kamata astronomike, ua zhvatën atyre rreth 3 miliardë dollar. Por nuk do të shkonte gjatë e do të shihej qartë, se Salih Berisha duke e lejuar veprimtarinë e firmave të tilla piramidale, i hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve një gropë vërtet të madhe.

Dhe ç ‘është edhe më keq Salih Berisha pas një vizite që në vitin 1993 bëri në Shqipëri presidenti i Malit të Zi Miomir Bullatovqi, që ishte krahu i djathtë i Sllobodan Millosheviqit, ai gjatë viteve 1994-1995 e lejoi furnizimin e makinerisë serbe të luftës me naftë nga territori i Shqipërisë.  Gjatë atyre viteve kamionët cisternë e bartnin naftën drejt Shkodrës ku nafta kalonte në Mal të Zi. Nga Mali i Zi nafta kalonte në Serbi dhe nga Serbia kalonte në duart e ushtrisë serbe në Bosnje, e cila po e masakronte e  gjenocidizonte pa asnjë mëshirë popullatën e pafajshme boshnjake.    

Më tej Salih Berisha pas një takimi (që deri më sot ende nuk është zbardhur) me Sllobodan Millosheviqin dhe presidentin maqedonas Kiro Gligorovin në vitin 1995 në Shkup, gjatë viteve 1995-1996 doli publikisht me idenë që Kosova ta pranonte një autonomi në kuadër të Serbisë, kjo pa marr parasysh se Kosova në vitin 1991 e kishte zbatuar referendumin për pavarësi. Për më tepër edhe njërin nga dokumentet e deklasifikuara të Departamentit të Shtetit Amerikan, shihet e zeza mbi të bardhën se si Salih Berisha në një takim që ka pasur me presidentin Klinton, ia ka shprehur atij idenë që Kosova ta pranonte një autonomi në kuadër të Serbisë. 

Fillimi i dështimit të firmave piramidale në fund të vitit 1996 bëri që populli shqiptar në fillim të vitit 1997, të ngritej deri edhe me armë në dorë kundër Salih Berishës dhe regjimit të tij mafioz. Kryengritja e tillë popullore e vitit 1997 e shkaktuar nga Berisha dhe regjimi i tij, Shqipërisë i ka kushtuar në mos me mijëra viktima (siç thuhet) së pakut me qindra viktima njerëzore, me qindra miliona dollar humbje në ekonomi, si dhe me një imazh e nam vërtet të  zi. Por ç ‘ishte më e keqja, kryengritja popullore e vitit 1997, duke u shoqëruar me grabitjen e armeve nga kazermat e vendit, nga ana e masave popullore, Shqipërinë e la pa ushtri e pa mbrojtje. Brenda rrethanave të tilla mjetet informative më të njohura në botë, filluan të flisnin se si po ndodhte shformimi i Shqipërisë si vend e si shtet. Thuhet se në vitet e para pas LDB-së diku në Malësinë e Shkodrës kishte ndodhur një kryengritje antikomuniste kundër pushtetit të Enver Hoxhës, por ajo kryengritje nuk ka qenë as sa  gishti i vogël i kryengritjes popullore të vitit 1997, e  orientuar kundër pushtetit anarkik mafioz të Salih Berishës dhe të partisë së tij.

Nga ana tjetër që kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja) u shfaq në gjysmën e parë të vitit 1996 dhe më pas derisa ajo po luftonte kundër forcave serbe, Salih Berisha në emrin e tij personal dhe në emrin e partisë së tij, UÇK-në e etiketoi duke e quajtur organizatë terroriste. Por kur Kosova u çlirua nga UÇK-ja me ndihmën madhore të NATO-së në qershorin e vitit 1999, i njëjti Salih Berishë filloi ta qonte në qiell të njëjtën UÇK që e kishte quajtur organizatë terroriste.

Salih Berisha edhe ato pak të mira që ia ka bërë Shqipërisë dhe kombit shqiptarë, ose ia ka bërë pa dashje si fat në fatkeqësi, ose ia ka bërë për nevoja rehabilituese pas shumë e shumë prapësirave që bënte.  

Kështu grabitja e armeve nga kazermat nga ana e njerëzve të thjesht gjatë kryengritjes së   vitit 1997 të shkaktuar nga Sali Berisha dhe regjimi i tij, për Kosovën ka qenë një fat në fatkeqësi! Kjo sepse UÇK-ja pati rastin që të armatosej duke blerë armë me çmime të ulta nga njerëzit e thjesht në Shqipëri. 

Salih Berisha për nevoja rehabilituese pas shumë të këqijave që kishte bërë për vite të tëra, ai më në fund bëri një vepër të mirë për kombin shqiptar.  Gjatë viteve 2007-2010 u angazhua me të madhe për ndërtimin e autostradës nga Durrësi e deri në pikën kufitare me Kosovën të quajtur Morinë. Por edhe këtë vepër madhore ai e ndoti se e ndoti me korrupsion, duke i pasuruar me fondet e autostradës Durrës-Morinë miqtë e tij politik dhe mbase edhe djalin e tij Shkëlzen Berishën.

Sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO-së në vitin 2009  që konsiderohet si një meritë e Salih Berishës, kjo nuk qëndron aspak. NATO-ja për ta anëtarësuar ose jo një vend në gjirin e saj, nuk merr parasysh asnjë kërkesë e as një dëshirë të asnjë individi, qoftë ai edhe President apo Kryeministër i një vendi aspirues. NATO-ja duke qenë Aleanca Ushtarake më e madhe në botë, ajo vendimmarrjen për pranimin ose jo të një vendi në mesin e saj e bën vetëm sipas planeve të saj të studiuara hollësisht më parë. Kështu anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk është meritë e Salih Berishës, por është meritë e pozicionit gjeostrategjik e gjeopolitik që ka Shqipëria për NATO-n.

As heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë nga Bashkimi Evropian nuk është ndonjë meritë ekskluzive e Salih Berishës. Bashkimi Europian duke ua hequr vizat të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, më në fund ka vendosur që vizat t`ia heq edhe Shqipërisë. Kështu heqja e vizave nuk është produkt i angazhimit të kujdoqoftë në Shqipëri, sepse po të ishte kështu Kosova që ka vite që angazhohet për heqjen e vizave duke i përmbushur të gjitha kushtet e Bashkimit Europian, tani më do të kishte vite që Bashkimi Europian do t`ia hiqte vizat, por heqja e vizave për Kosovën edhe pas kaq vitesh nuk po ndodh.   

Thjesht anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe heqja e vizave për Shqipërinë nga Bashkimi Europian, kanë ndodhur rastësisht në kohët kur Sali Berisha dhe partia e tij kanë qenë në pushtet në Shqipëri. Këto arritje  kanë mundur të ndodhin edhe duke qenë në pushtet  Fatos Nano me partinë e tij, dhe sërish ato  nuk do të ishin merita të Nanos dhe të partisë së tij.

E keqja më e madhe që Salih Berisha i solli Shqipërisë dhe kombit shqiptar në tërësi ka qenë dhe ka mbetur fryma shumë konfliktuoze e tij, të cilën ai e ushtroi në shoqërinë shqiptare ethshëm që kur e morri pushtetin për herë të parë në pranverën e vitit 1992, dhe që ka vazhduar ta ushtroj deri në ditët e sotme, kur më ai nga Departamenti i Shtetit Amerikan u shpallë non grata. Kjo frymë shumë morbide e Berishës asokohe u përhapë dhe u bartë shumë shpejtë si me valët e erës, jo vetëm në mesin e partive tjera brenda vendit, por edhe në secilën pore të jetës së vendit. Në popull nuk thuhet kot se “rrushi e sheh rrushin dhe piçet!”

Salih Berisha duke qenë i tillë (konfliktuoz) ai e shkaktoi edhe kryengritjen popullore të vitit 1997 me aq shumë pasoja  tragjike për Shqipërinë, kurse në vitin 1998 derisa Kosova ishte në luftë me Serbinë, ai bëri një përpjekje për grushtet në Shqipëri me qëllim të largimit me dhunë nga pushteti të Fatos Nanos dhe të partisë socialiste dhe për të ardhur vet në pushtet me partinë e tij.

 Salih Berisha i ka shkaktuar Kosovës  dëme të konsiderueshme në momentet më kritike që ajo ka pasur, duke qenë Kosova në luftë me Serbinë. Berisha gjatë viteve 1995-1996 kërkoi që Kosova ta pranonte një autonomi nën Serbi, gjë ka qenë e barabartë si të kërkonte që Kosova ta pranonte robërinë; Duke e quajtur UÇK-në gjatë kohës së luftës  organizatë terroriste, ai përveçse i bëri një satisfaksion politik Serbisë, ndikoi negativisht edhe sa i përket  vlerësimeve të faktorit të jashtëm për UçK-në; Duke e shkaktuar kryengritjen popullore të vitit 1997 në një kohë që  Kosova ishte në luftë me Serbinë,  ai e dobësoi ekstremisht shtetin shqiptar, pikërisht  kur Kosova më shumë se kurrë kishte nevojë për një Shqipëri  stabile dhe të konsoliduar, dhe Salih Berisha i shkaktoi dëme Kosovës, kur ia mësyri  marrjes së pushtetit me dhunë e  grushtet në 1998,  pikërisht kur Kosova duke qenë tani më në luftime të gjera me Serbinë, më shumë se kurrë ndonjëherë ia kishte nevojën një Shqipërie unike dhe stabile. 

Salih Berisha është treguar i pangopshëm me luftën e tij të gjatë dhe të egër për pushtet. Duke qenë i tillë, ai edhe pas përpjekjes për të bërë grushtet në vitin 1998, sa herë që është konfliktuar me partinë tjetër kryesore (atë socialiste) në opozitë apo në pushtet, ai së pakut edhe shtatë herë me radhë ka thirrur në parlament:  “Rrëmbeni armët o djema!”. Por kundër kujt duhej t`i rrëmbenin armët ata djem?  Sipas Salih Berishës ata djem duhej t`i rrëmbenin armët kundër Partisë Socialiste.  Por lufta me armë e Partisë Demokratike kundër Partisë Socialiste, nuk do të ishte tjetër veçse një luftë vëllavrasëse në mesin e shqiptarëve.

E keqja tjetër po ashtu e madhe e Salih Berishës dhe e partisë së tij ka qenë fryma e papërgjegjësisë, ajo e uzurpimit të pronës shoqërore, e hajdutllëkut dhe e mafiozitetit, të cilat ai i instaloi në Shqipëri që gjatë mandatit të tij i parë në pushtet në mes të viteve 1992-1996, dhe që vazhdoi t`i instaloj  deri në ditët e sotme kur më ai nga Amerika është shpallur person non grata. Edhe kjo frymë kaq destruktive, skandaloze dhe tragjike u bartë u përhapë asokohe me të shpejt, ashtu siç përhapet shpejt një sëmundje ngjitëse epidemike, jo vetëm në mesin e të gjitha partive tjera, por edhe në secilën pore të jetës brenda vendit, kuptohet  edhe kjo në stilin «rrushi e sheh rrushin e piçet!»

Vesi tjetër i Salih Berishës ka qenë dhe ka mbetur fjalori i tij tejet arrogant, brutal dhe banal.  Ai jo njëherë në parlamentin shqiptar i ka quajtur kriminel, mafioz, klani i Zemunit e çka jo tjetër, të gjithë deputetët e partisë socialiste pa asnjë dallim. Në raste të veçanta ai ka ditur që ndonjë figure politike të njohur të partisë socialiste t`i shajë edhe nënën apo motrën në parlament (rasti me T.B.), ose t`i thotë ndonjë figure tjetër politike të partisë socialiste  se “gruaja jote ka qenë prostitute” (rasti me E.V.). Salih Berisha duke i involvuar në luftën e tij politike  edhe familjarët e  kundërshtarëve politik,  ai ka bërë veprime që nuk i kanë hije as një qytetari të thjeshtë, e jo më një Presidenti apo një Kryeministri të një vendi, siç ka qenë zoti Berisha.

Për të gjitha këto mendoj se Shqipërisë  kohën e tranzicionit të stërzgjatur  30-të vjeçar për 50% ia ka zgjatur vetëm Salih Berisha si lider e individ,  kurse për 50% ia kanë zgjatur kohën e tranzicionit të gjithë të liderët e partive tjera politike.  

Duhet pasur parasysh se edhe pse Salih Berisha ka qenë e ka mbetur kryesori, megjithatë ai nuk është i vetmi politikan i lartë që i solli kaq shumë të këqija Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Jo, të këqija të tilla i kanë sjell Shqipërisë dhe kombit shqiptar edhe shumë politikan tjerë të lartë e të mesëm nga radhët e të gjitha partive,  qofshin ato të djathta apo të majta.  Prandaj edhe figurat politike të partive tjera që janë përgjegjëse, në mos për më shumë, së pakut për gjysmën  e të këqijave të gjithmbarshme që i janë bërë Shqipërisë në këto 30-të vjetet e fundit. Kështu Salih Berisha sa i përket keqbërjeve ndaj  Shqipërisë dhe kombit shqiptarë, nuk është një ushtar i vetmuar, por është si një trim me shumë shokë, për të mos thënë se është si një «Ali Babë me dyzetë hajdutë!»

Jo, të korruptuar e minues të demokracisë në Shqipëri përveç Salih Berishës ka edhe shumë të tjerë. Prandaj duke i pasur parasysh të gjitha këto nuk më mbetet tjetër veçse Sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken  t`i uroj e t`i dëshiroj punë të mbarë!