Kulturë\Letërsi

“Shqipja standarde sot”, Këshilli organizativ: Asnjë ndërhyrje për përjashtime nga konferenca

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Këshilli organizativ i konferencës “Shqipja standarde sot” përgënjeshtron shpifjet për ndërhyrje nga Akademia e Shqipërisë për përjashtime nga kjo konferencë.

Këshilli njoftoi sot opinionin se për asnjërin nga kandidatët që do të paraqiteshin me punime në konferencë, nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga Akademia e Kosovës apo nga Akademia e Shqipërisë në punën e Këshillit.

Pak ditë më parë studiuesja Ledi Shamku ka hedhur akuza për Akademinë e Shkencave dhe Kryesinë e saj se është ndërhyrë për përjashtimin e saj si pjesëmarrëse në konferencën “Shqipja standarde sot që u mbajt në Prishtinë nga dy akademitë.

Këshilli organizativ i konferencës “Shqipja standarde sot” përgënjeshtron shpifjet e studiueses Ledi Shamku për ndërhyrje nga Akademia e Shqipërisë për përjashtimin e saj nga kjo konferencë.

“Nëpër rrjete sociale kemi vërejtur, me shqetësim, diskutime që aludonin për tendenca përjashtimi të ndonjë studiuesi nga Konferenca shkencore ‘Shqipja standarde sot’, mbajtur më 17 nëntor në Prishtinë, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në shënim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit”, thuhet në njoftim.

Këshill Organizativ njofton opinionin se, ndërsa si gjithmonë ka pasur rrahje mendimesh brenda Këshillit Organizues për parimet e përgjithshme të kritereve të pranimit të kandidatëve, që do të paraqiteshin me punime në konferencë, nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga Akademia e Kosovës apo nga Akademia e Shqipërisë në punën e Këshillit.

“Pra, nuk ka pasur shkresë ndërhyrëse drejtuar organizatorëve, siç pretendohet. Si Këshill Organizativ kemi punuar shumë për mbarëvajtjen e konferencës dhe kujtojmë se kemi arritur të organizojmë një konferencë shumë të suksesshme, me rezultate të rëndësishme për shqipen standarde sot. Prandaj, konsiderojmë se është për keqardhje që një tubim i tillë të vihet në hije të një diskutimi të këtillë të parëndësishëm, të pandershëm dhe, për më tepër, të mbështetur në pohime të pavërteta”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të Konferencës. /m.m/