Lëvizja\UÇK

Shoqëria LËVIZJA – Lëvizëse e proceseve

Shkruan: Tahir Hani, Strugë

28 nëntor 2020           

Përshëndetje rasti për Portalin, Gazeta LËVIZJA

Ne, veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, më 1 gusht të vitit 2015, themeluamë Shoqatën për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila mori emrin: SHOQËRIA “LËVIZJA”.

Pesë vite më vonë, më 28 Nëntor 2020, disa veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, përuruan, Portalin: Gazeta LËVIZJA.

Ashtu siç kishte shtrirje gjeografike gjithëshqiptare në trojet e ish Jugosllavisë, Lëvizja Popullore e Kosovës, në Kosovë, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës e Mal të Zi, ashtu edhe Shoqëria “LËVIZJA” do të ketë një gjeografi gjithëshqiptare, por tani me detyra dhe qëllime të tjera që e presin.

Shoqëria “LËVIZJA” edhe pse e re në moshë, ka mbi supe një përvojë të gjatë dhe të bujshme. E ka përvojën e themluesve të atyre që në vitin 1982 themeluan Lëvizjen Popullore të Kosovës, Lëvizje e cila më pas do të merrte përsipër rezistencën, themelimin, organizimin dhe strukturimin e rezistencës së armatosur dhe më pas i dha edhe emërtimin: Ushtriq Çlirimtare të Kosvës. Lëvizja Popullore e Kosovës e mori përsipër organizimin e Luftës çlirimtare dhe më pas themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës, organizimin, strukturimin, avansimin dhe zhvillimin  e Republikës së Kosovës.

Është krejt e natyrshme që pjestarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, me arritjen e detyrës që i kishin vënë vetes që nga themelimi, Çlirimin e Kosovës, më pas anëtarësia të vijojë angazhimin nëpër forma dhe mënyra të ndryshme, nëpër subjekte dhe asociacione të llojllojshme. Por, themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës nuk mund të rrinin pa ngritur një asociacion, i cili do të vepronte konform rrethanave të reja të krijuara dhe ruajtjen e bërthamës së veprimtarëve të kësak Lëvizje, e cila në historinë shqiptare ka lënë gjurmë të pashlyera.

Shoqëria “LËVIZJA”, Kuvendin themelues e mbajti më 1 gusht të vitit 2015, në Prishtinë dhe udhëhiqej nga Këshill i Përkohshëm Drejtues i përbërë prej 11 vetave. Kështu vijoi deri më 28 nëntor 2015 kur u mbajt Kuvendi i Parë Zgjedhor, ku edhe u zgjodhën organet e Shoqërisë “LËVIZJA”.

Pas themelimit të Shoqërisë “LËVIZJA” në Kosovë fillojnë aktivitetet për shtrirjen e saj edhe në trojet e tjera etnike shqiptare. Kështu, në gusht të vitit 2017, në Gostivar, Themelohet Dega e Shoqërisë “LËVIZJA” në Maqedoni.

Në Deklaratën e themelimit të Shoqërisë “LËVIZJA” thuhet se LPK si organizatë e bashkimit të veprimtarisë çlirimtare fillimisht, dhe pastaj edhe si organizatë e konsoliduar dhe bartëse kryesore e veprimtarisë së fshehtë, ka peshën historike edhe të organizimit të Luftës çlirimtare në të gjitha trojet e pushtuara të Shqipërisë. Si e tillë, edhe tani në paqe ka shumë rëndësi një organizim që shpalos, afirmon, dhe kultivon vlerat e një veprimtarie kaq domethënëse për lirinë e Kosovës, që po e jetojmë, ani se akoma larg asaj që e kishte projektuar kjo organizatë. Ndërkaq, për qëllimin e Shoqatës në Deklaratën Themeluese thuhet:

“ Qëllimi kryesor i Shoqërisë “LËVIZJA” do të jetë mbledhja, ruajtja, kultivimi, mbrojtja, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të LPK-së dhe veprimtarisë së fshehtë në të gjitha trojet e pushtuara si dhe kudo që ka vepruar si organizatë”.

Lëvizja Popullore e Kosovës ishte e natyrshme që në rrethanat e kohës të vepronte në ilegalitet dhe në kushte tejet të vështira. Edhe në ato rrethana veprimtarët e LPK-së kishin menduar dhe vepruar me mençuri. LPK-ja në rrethana të tilla pati menduar dhe themeluar edhe organin apo zëdhënësin e Lëvisjes, e që atëbotë dhe në ato rrethana botohej në Europë e shpërndahej në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare në ish Jugosllavi. Ishte “ZËRI I KOSOVËS”, gazetë, e cila shtypej në Europë, distribuohej ilegalisht në Kosovë dhe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi, ku shpërndahej dorë pas dore dhe lexohej me interes. Ishte “ZËRI I KOSOVËS”, mbase i vetmi mjet i informimit, ku pjesëtarët e Lëvizjes përmes publikimeve të tyre demaskonin krimet e bëra mbi shqiptarët, po njëkohësisht edhe mobilizonin popullin për një rezistencë mbarëshqiptare, e cila hap pas hapi do të marrë formën e një Ushtrie çlirimtare.

Mund të thuhet se nëpër “DYERT” e LPK-së kanë kaluar dhe janë skalitur djemtë dhe vashat më të devotshme të kombit shqiptar, pa dallim të prejardhjes së tyre gjeografike. Lëvizja Popullore e Kosovës me “Zërin e Kosovës” u shëndrrua në një tribunë gjthëpopullore dhe si e tillë mori mbi supe lëvizjen e armatosur të rezistencës kundër okupuesve.

Shoqëria “LËVIZJA” nuk ka mundur të hesht dhe ka reaguar edhe ndaj zhvillimeve të rrjedhave politike në Kosovë, sidomos në mbrojtje të vlerave të Luftës dhe në mbrojtje të çlirimtarëve. Kështu, në Deklaratën Politike të Shoqërisë “LËVIZJA”, të datës 6 tetor 2020, ndër të tjera  thuhet:

“Luftëtarët e UÇK-së po persekutohen, po linçohen, po hetohen, arrestohen e akuzohen me qëllim që të dënohet përpjekja dhe Lufta Çlirimtare e popullit shqiptar dhe të shantazhohet e goditet fryti i asaj Lufte, shteti i Kosovës dhe sovraniteti i tij!! Skenat (me skenarë !) e ndërhyrjeve, të dhunës e të arrestimeve me polici të huaj në Kosovë kanë fyer ndjenjat liridashëse dhe kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e luftëtarit të lirisë dhe të krejt popullit tonë. Prandaj, Shoqëria “LËVIZJA”, u bën thirrje qendrave ndërkombëtare të vendosjes, Fuqive të Mëdha, që të respektojnë lirinë, pavarësinë, demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, shtetëror e kombëtar të Republikës së Kosovës, duke i ndihmuar të konsolidohet e jo duke e shantazhuar e duke ia dhunuar liritë dhe të drejtat themelore për ekzistencë”. Në po të njëjtën deklaratë më tej thuhet:

“Po të ishte Lufta Çlirimtare e LPK-UÇK-së luftë cubash dhe luftë bashibozukësh nuk do ta fitonte kurrë përkrahjen e kombit shqiptar, përkrahjen e Fuqisë më të madhe në botë, SHBA-së, përkrahjen e organizatës ushtarake më të fuqishme në botë, NATO-s, dhe përkrahjen e botës së civilizuar e demokratike”.

Shoqëria “LËVIZJA” ka organizuar edhe një varg aktivtetesh nga programi i saj. Kështu, më 30 shtator të vitit 2018, Degët e Shoqërisë “LËVIZJA” në Austri, Francë, Gjermani dhe Zvicër ka organizuar manifestimin NJËZET VJET PËRJETËSI”, kushtuar 20-të vjetorit të rënies së shokëve tanë të luftës për liri: Fehmi e Xhevë Lladroci, Adem, Hamzë e Shaban Jashari, Xhavit Haziri, Ismet Jashari-Komandant Kumanova, Mujë Krasniqi, Agim Bajrami, Beqir Limani, Bekim Berisha, Skënder Çeku, Sejdi Sejdiu etj.

Shoqëria “LËVIZJA”, udhëheqësia e saj dhe e tërë struktura përbërëse kanë një mision historik për të rujatur dhe kultivuar vlerat e Luftës çlirimtare. Pjesëtarët e saj të gjallë kanë përvojë dhe këtë punë dinë ta bëjnë më së miri. Ata duhet të përjetësojnë amanetin e shokëve të tyre të rënë për Koovën e lirë. Mbi ta bie barra që të dëshmojnë se për liri dhe pavarësi luftohet dhe vdiset. Sepse, siç ka thënë një rilindas i yni: “Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë po të biem ne do të ngrihemi përsëri”. Shqiptarët ranë heroikisht për lirinë e Kosovës e të viseve të saj. Shoqëria “LËVIZJA” tani e ka barrën e përjetësisë së tyre dhe të lirisë. Brezave që vijnë tua tregojë se sa e shtrenjtë është lira dhe se si duhet ruajtur dhe kultivuar ajo.

   Portali, Gazeta LËVIZJA, do të jetë një instrument për të realizuar më lehtë këtë mision. Besoj se udhëheqësia e Shoqërisë po edhe shokët e Portalit, duke u nisur nga kryetari i Shoqërisë “LËVIZJA”, Xhevat Bislimi, nënkryetarët Adnan Asllani e Fatmir Limani, sekretari Fatmir Arifi, anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues do t’ia dalin me sukses detyrës së marrë.

Shoqëria “LËVIZJA” mbajti Kuvendin e saj ëgjedhor, më 28 Nëntor të vitit 2015. Pesë vite më vonë, më 28 Nëntor 2020, u inaugurua edhe gazeta online. Jo rastësisht themelimi dhe inaugurimi bëhen më 28 Nëntor. Kjo është ditë dhe datë e artë në historinë e kombit shqiptar, ndërkaq për Shoqërinë “LËVIZJA” kjo datë ka qenë dhe ka mbetur e shenjtë, sepse themeluesit dhe veprimtarët e Shoqërisë “LËVIZJA” thuaja se tërë aktivittin e tyre e kanë mbështetur në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Edhe një detaj nga veprimtaria e LËVIZJES. Anëtarët e saj Betimin e kanë dhënë mbi FLAMUR.

28 Nëntori mbetet festa më e madhe dhe më e ndritshme shqiptare. Me flamurin kombëtar janë nisur aktivitetet kombëtare dhe me të kanë vijuar. Ashtu siç ndodh edhe sot gjithkund ku janë dhe veprojnë shqiptarët.

Flamuri i Skëndërbeut dhe i Ismail Qemalit, i Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, i Mujo Ulqinakut, Adem Demaçit, Adem Jasharit e mbarë shqiptarëve mbetet simboli i përjetësisë dhe jetesës shqiptare.

Është krejt e natyrshme, që Shoqëria “LËVIZJA”, si mbajti Kuvendin e parë zgjedhor më 28 Nëntor, në të njëjtën datë histotike të inauguroj edhe portalin “LËVIZJA”.

Shoqërisë “LËVIZJA” jetë të gjatë, Portalit “LËVIZJA” punë të mbarë dhe sukses në këtë kohë të pakohë, ku lajmet e rreme ngulfatin vlerat dhe të vërtetën. Portali “LËVIZJA” shpresoj dhe pres të kontribuoj për të drejtën dhe të vërtetën.

“Për lirinë, të drejtën dhe të vërtetën e lë dhe kokën”, thotë një nga rilindasit e fundit të gjallë shqiptar.

Urime Kryefestën e kombit, 28 Nëntorin!

Suksese dhe punë të mbarë!