Shqipëria/Aktualitet

SHËNIM: Domosdoshmëria e një fshese morale pranë Kryeministrit

Redaksionale DITA

Opinioni publik ka një perceptim në rritje për nivel të lartë korrupsioni në qeverisjen dhe në administratën e vendit.

Kjo situatë shkon ndesh me përpjekjet e kësaj mazhorance dhe në veçanti të kryeministrit Edi Rama, për të goditur korrupsionin nëpërmjet forcimit të kuadrit ligjor dhe ndërtimit të mekanizmave shtesë të kontrollit.

Ka qenë e pritshme dhe thuajse e pashmangshme që qeverisjet e mëparshme dhe qeverisja aktuale e zotit Rama të ekspozohej ndaj goditjeve të drejtësisë së re.

Në mënyrë paradoksale, perceptimin në rritje për shkallë të lartë korrupsioni, e ka ndihmuar vetë përpjekja e mazhorancës për t’i dhënë hapësirë hetimi dhe veprimi kësaj drejtësie.

Pra, nuk është, se më herët, nuk kemi patur korrupsion.

E vërteta është se më herët nuk kemi patur një shkallë të tillë të lartë, të mundësisë së veprimit të drejtësisë, pa shantazhe dhe presion politik.

Ky i fundit nuk mungon as sot, por as që krahasohet me kohën kur akte katastrofale korrupsioni si Gërdeci, apo krime monstruoze si 21 janari, mbylleshin në mënyrën më skandaloze dhe më ç’njerëzore të mundshme, duke prodhuar një mungesë ndëshkimi që është në themel të krizës politike dhe depresionit të sotëm të shoqërisë shqiptare.

Sigurisht, shqiptarët në shumicë, presin që mushkëritë e zgjeruara të drejtësisë së re, të pasohen edhe nga një zemër dhe mendje kurajoze e atyre që e kanë marrë përsipër këtë punë të vështirë.

E themi këtë pasi te prokurorët dhe gjykatësit e rinj, deri tani, ka munguar vullneti për të hetuar dhe ndëshkuar veç të tjerëve, edhe kryekriminelin politik të 30 viteve të fundit.

Ndërkohë që vitet ikin për të gjithë, Shqipëria rritet. Imazhi i saj në botë po ndryshon. Me apo pa korrupsion, ajo po ndryshon për mirë dhe në mënyrë radikale.

Ky realitet është padiskutim meritë e qeverisjeve të dekadës së fundit të kryesuara nga Edi Rama. Mundësitë e rritjes kanë qenë shumë më të mëdha. Ato janë penguar nga një mentalitet i vjedhjes së shtetit që vijon.

Autorë të gazetës DITA kanë vënë në dukje që në 2013 domosdoshmërinë e ndëshkimit të korrupsionit të mëparshëm për të mos vijuar një korrupsion i ri. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

Kohët e fundit në DITA kemi vënë në qendër të analizës politike domosdoshmërinë e një pastrimi moral të mazhorancës së sotme.

Në kushtet e një opozite të kriminalizuar dhe me probleme të rënda, të paprecedenta, në raportet ndërkombëtare, është detyrë e së majtës të rigjejë forcën për të prodhuar opozitën e munguar brenda vetes, dhe alternativat e qeverisjeve të ardhshme.

Shqiptarët duan që PS të vijojë të qeverisë vendin. Rezultatet e zgjedhjeve e konfirmojnë këtë mesazh, më qartë se çdo sondazh apo dosje hetimore.

Paralelisht drejtësia duhet inkurajuar dhe forcuar.

Kryeministri Edi Rama ka bërë distancë higjenike nga të akuzuarit dhe të arrestuarit e deritanishëm, por kjo nuk mjafton. Nëse ai dëshiron ta ketë të plotë dhe bindëse këtë distancë, duhet të veprojë përpara drejtësisë.

Nuk ka dyshime që zoti Rama e kupton edhe vetë se situata të tilla si arratisja e një zv.kryeministri, i cili nga personi që shfaqej krah tij, tashmë është një i arratisur në kërkim ndëkombëtar, janë absurde.

Ato janë gjithashtu të padenja dhe kosto e lartë për imazhin e qeverisë por edhe të gjithë vendit.

Mendojmë se një proces pastrimi brenda qeverisjes duhet të nisë dhe të kryhet, në kohën më urgjente dhe në mënyrën më transparente të mundshme.

Ky proces i domosdoshëm moral nuk mund të kufizohet në figura të dorës së dytë, apo në ministra të cilët publiku nuk u ka mësuar ende emrin.

Ai duhet të nisë nga njerëzit më të afërt të kryeministrit; ata, dhe veçanërisht ato, që drejtojnë ministritë që kanë fondet dhe dyshimet më të larta për korrupsion.

Siç e theksuam edhe më sipër, kjo fshesë morale do t’i bënte mirë, një Shqipërie, që më në fund, po rritet.