Në një status timin një ditë shtrova pyetjen, pse ende nuk kemi arritur të orientohemi përpara, drejt rritjes dhe zhvillimit, por vazhdojmë të jetojmë të orientuar pas, duke përdorur të kaluarën. Një mik i imi tha: kështu do të jetë deri në paraqitjen e mbinjeriut! Kjo përgjigje e tij më nxiti të merrem pak më shumë me mbinjeriun si nocion dhe fenomen shoqëror. Kush përbën mbinjeriun në shoqërinë tonë!Derisa mbinjeriu i Niçes është njeriu, arsyeja e të cilit është ngritur mbi forcën e tij, te mbinjeriu ynë ka ndodhur e kundërta: Mbinjeriu ynë ka rritur forcën mbi arsyen e tij. Për të vërtetuar këtë nuk do shumë mund. Shihi njerëzit që u vunë nëpër pozita të larta të Kosovës e në përbërje të institucioneve të saj, dhe do të bie menjëherë në sy një antagonizëm mes atyre vetë, postit që mbajnë dhe ambientit përreth.Për një njeri që ka dy fije mend në kokë, një pamje e tillë, me ministra pa kulturë institucionale, me mjekë apo inxhinierë që janë bërë diplomatë, e me policë deputetë, pamja ngjan në një karikaturë, që te bën të qeshësh e të qash njëkohësisht. Sipas Erich From-it, fjala pushtet është një term mjaft i gjerë dhe mund të ketë dy kuptime krejtësisht të ndryshme. I pari, mund, të jetë Racional dhe i dyti, Joracional. I pari, pushteti racional bazohet në kompetencën, dhe si i tillë ndihmon rritjen e atyre që i kanë besuar votën. Ndërsa i dyti, pushteti joracional, bazohet në forcë dhe shërben për shfrytëzimin e atyre që e votojnë. Në bazë të kësaj, do të mund të konkludonim se njerëzit e lirë, të orientuar drejt në kohë dhe hapsirë, të cilët e duan rritën dhe zhvillimin vetes, e fëmijëve të tyre, dhe të shoqërisë në tërësi, doemos nuk do të votojnë një pushtet të tillë që i shfrytëzon ata, e mbi të gjitha nuk do të votojnë njerëz të paaftë për të çuar procesin para. Meqë te ne po ndodh ky paradoks, dhe meqë asnjeherë nuk arritëm të kemi një pushtet të tillë racional, të bazuar në kompetencën them që faji është i yni. Për mua, kemi gjithmonë një pushtet që e meritojmë. Paaftësia për t’u organizuar është poashtu e metë e jona. Një shoqëri meritore, gjen, krijon mekanizma, kapërcen kufijtë e egos dhe arrin të tregoj forcën e vet duke vënë në krye ata që e meritojnë. Por, ti kthehemi dhe njëherë pyetjes sonë ç`është mbinjeriu. Nëse e identifikojmë mbinjeriun me njeriun që mban pushtetin, ai do të jetë varësisht prej rrethanave të kohës, psh nëse në shoqeritë primitive, ai do të duhej të ishte i aftë për të siguruar ekzistencën, apo të posedonte cilësi të tjera si: zemërgjerësia, trimëria, paraqitja e jashtme, përvoja jetsore etj, cilësi këto që përbëjnë kompetencën; në shoqërinë tonë mbinjeriu është ai i cili nuk ka fare lidhje me kompetencën. Kështu kompetencën e vërtetë e zëvendëson titulli, uniforma, statusi social, preardhja familjare. Duhet të jesh tepër budalla t’i besosh një mbinjeriu të tillë. Ndërkaq mbinjeriu i Fromit, para se gjithash është individi i formuar dhe i lirë, i cili ka arritur një shkallë të caktuar të integrimit dhe zhvillimit. Kompetenca eshte plus. Një individ i tillë i zhvilluar në këtë mënyrë, nuk ka nevojë të urdhërojë, të kërcënojë apo të nënshtrojë të tjerët. Vetë pamja e tij, më shumë se fjalët dhe veprat flasin se ç`mund të bëjë njeriu. Se në ç`shkallë të integrimit, zhvillimit dhe socializimit ndodhen pushtetarët tanë “no coment“! Analizoni sjelljet, komunikimin e tyre, i cili nuk e kapërcen nivelin e mëhallës apo koketerive prej nga vijnë dhe bindesh.Mbinjeriu që kërkon miku im duhet të ketë këto veti që i ceka më lart. Populli nëse nuk është i aftë t’i shohë, t’i vërejë ku janë ata që i duhen, le t’i kërkojë dhe t’i gjejë e nëse nuk i gjen, ua paftë hajrin këtyre që i ka!
add a comment