Shqipëria/Aktualitet

Shemsi Reçica: T7 – shi i Berat Buzhalës zi e terr për Shqipërinë andej Drinit

Medie si T7 – shi i Berat Buzhalës dhe “analistë” e agjitatorë më të mirë Serbia nuk do të gjente! Vështirë që mund të gjente një shtet armik të këtillë njerëz që nuk lodhen që nga mëngjesi e deri në mesnatë me gam – gamet e tyre kundër popullit dhe vendit të tyre! Shpërblimi që marrin për gamitjet e tyre zor të jetë më shumë se një kockë për ta lëpirë… Në fakt, ata që angazhohen kundër interesave jetike të Atdheut dhe kombit të tyre nuk meritojnë më shumë se një kockë për lëpirje nga armiku dhe gjithë përbuzjen e kombit të tyre. “Mjer ato nëna shqiptare që lindin të këtillë minj xhirizash që s’prajnë së vjelluri helm e së lehuri kundër NËNËS së tyre”! (Xh. Gjini)

Në TV-të NORMALE KOMBËTARE, ku respektohet Etika e profesionit, “analistët” si këta të T7-shit, Misioni kryesor i të cilëve është PËRÇARJA mes shqiptarëve të Kosovës, të Shqipërisë e më gjerë, nuk do të thirreshin më në debate, as do të lejoheshin të merrnin pjesë në emisione të tjera televizive. ***** “Zgjedhjet në Shqipëri, si arriti Edi Rama të fitojë mandatin e tretë dhe pse humbi opozita”? – Kjo ishte tema e “Debatit” në PRESSING të T7-shit, të Buzhalës (26.04.2021), por, në atë “debat”, ashtu si dhe në “debatet” e tjera, me tema të ngjashme, dominuan PËRQESHJET KEQDASHËSE e me LIGËSI, të “debatuesve” të rregullt të T7-shit, kundrejt Shqipërisë e qytetarëve të saj. RRON GJINOVCI, – një “analist” i T7-shit, thotë: “Në Shqipëri nuk operohet në situatë normale. Qytetarët e Shqipërisë kanë shumë pak motiv me dalë në zgjedhje, edhe me marrë pjesë në maskaradën e qujtur ndryshim. Qytetarët nuk shohin najfarë shprese. Në administrimin e zgjedhjeve, Shqipëria është shumë dobët. Ata çalojnë në zgjedhje. Ata s’besojnë te procesi demokratik”(!); Kështu thotë ky “analist” i T7-shit, për votuesit shqiptarë, përkundër faktit se pjesëmarrja e tyre, në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, nuk ishte më e vogël se në vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy kryeministrave shqiptarë, Kurti e Rama, Gjinovci thotë: “Unë mendoj që ma mirë mos me bashkëpunu, sa më shumë që është e mundshme”. Sipas tij, kryeministri Kurti, – “nji politikan që është i pakorruptum”, nuk duhet “mu sill normal, me një politikan që është i përfshim në korrupsion dhe në krim”, – pra me kryeministrin Rama”(!);Për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, “analisti” Gjinovci, thotë: “Shqipnija e ka përdor Kosovën, sa ka mujt, në raport me Brukselin, për me avancu veten”. Për afërsinë mes Kosovës e Shqipërisë, Gjinovci pyet: “Kallxom kur jena kon afer me Shqipnijen”? Dhe shton: “Për çështje të sigurisë kena me importu krimin edhe drogën pej atyne, s’po di çka tjetër”?; Për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Gjinovci përgjigjet me përçmim për Shqipërinë: “Po çfarë anëtar i NATO-s Shqipnija, bre!? Mos boni hajgare!”(!); “Analisti” Gjinovci flet me përçmim edhe për Diplomacinë e Shqipërisë. Sipas tij, “Shqipnija në vitet ’70-a s’ka pas, në vitet ’80-a s’ka pas, në vitet ’90-a ka qenë krejt e shkatrrume, s’ka pas bukë me honger, në vitet 2000-ta ka nis mi marrë komt e veta. Ju po thoni ka pas diplomaci! Moni bre, mos boni hajgare!. Shqipnija nuk ka traditë në diplomaci”(!), thotë ai, në Pressing-un e T7-shit. Sipas Gjinovcit, “analist” i rregullt i T7-shit të Buzhalës, “Shqipnija udhëheqet pej bandave të drogës e të krimit t’organizuar”.(!) XHEVDET POZHARI, – një “analist” tjetër në T7-shin e Buzhalës, thotë: “Shqipëria asnjëherë nuk pati mundësinë që të ballafaqohet me të kaluaren e saj, kështu që, u ndërtua njëlloj demokracie, le të themi, me spiunë të sistemit të Shërbimit dhe me prokurorë të xhaxhit Enver, të cilët, ose u forcuan politikisht, ose u pasuruan materialisht. Kështu që, Shqipëria është një shoqëri e kapur peng nga ata që njihen si oligarkë, që kontrollojnë të pushtetshmit, ndërsa politikanët e pushtetshëm e kontrollojnë dhe e blejnë varfërinë e popullit”. Pozhari shkon edhe më tej. Ai nuk beson që “regjimi” aktual në Shqipëri mund të rrëzohet me votë: “Me besu se në Shqipëri mundesh me e rrzu me votë një regjim që mbahet, mirëmbahet nga këta oligarkë, me para të pista që atje, si lavatriqe, perdoren edhe zyrtarizohen, është e njëjtë, si me mendu që mafien mundesh me mposhtë pej bibliotekës”(!), thotë Pozhari. Pra, Pozhari aludon në rrëzimin me forcë, me dhunë, të regjimit të Ramës në Shqipëri.BERAT BUZHALA, – KRYE”ANALIST” i T7-shit të tij, mundohet t’i arsyetojë parashikimet e rreme të EP-ve, siç thotë ai “edhe të B. Haxhiut”, për rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri. Sipas “analizës” së tij, “Për shkak të fushatës anti Ramës që u ba, edhe prej neve, edhe prej plot njerëzve, o konë kriju nifarë turpi me votu Ramën. Ni numër që e kanë votu Ramën, kur janë pyt në EP-e, ma me dëshirë kan thënë s’e kena votu Ramën. Njerëzit nuk janë tregu të sinqert në përgjigje”(!). Pra, për dështimin e EP-ve në parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve, në vend të fajësimit të EP-ve për “profesionalizmin” e tyre, B. Buzhala i fajëson votuesit shqiptarë.Në “analizën” e tij, Buzhala e imagjinon edhe takimin e parë Kurti-Rama, pas zgjedhjeve në Shqipëri. Sikur të mos votonte në Shqipëri, sipas fantazisë së Buzhalës: “Albini, në takimin e parë, kur ta takon Ramën, me dyr të mbyllura, i thotë: ti mo për dialog të Kosovës me Serbinë, kur une nuk të kërkoj ndihmë, ti mo nuk fol me kerkon. Unë jam njeri këtu”; Tash, pas votimit të Kurtit në Shqipëri, gjithnjë sipas fantazisë së Buzhalës: “Kur ti i perzihesh Ramës atje, me parti, Rama me plot drejt ka drejt mu tu perzi ty n’dialog, se ti pi perzihesh në politikë t’mrenshme”. Pra, sipas formulimit të përçart, logjik e gjuhësor, të Buzhalës, nëse Kurti nuk do të votonte në Shqipëri, atëherë do të mund t’i kërkonte Ramës që ai, pa pëlqimin e Kurtit, të mos përzihej në dialogun me Serbinë. Dhe Rama do t’i bindej kërkesës së Kurtit; Tash, pas votimit të Kurtit në Shqipëri, Rama ka të drejtë t’i përzihet Kurtit në dialog me Sebinë, sepse Kuri është përzier në punët e brendshme të Ramës! Logjikë naive, as për përdorim shtëpiak. “Analisti” Buzhala shpreh edhe publikisht, madje jo vetëm në këtë rast, mosmirënjohjen e tij për ndihmën e Shqipërisë, dhënë Kosovës. Sipas tij, “Ma shumë jon dek të KFOR-it, se shiptarë të Shqipnisë qi jonë ardhë me luftu n’Kosovë”. “Me lekë i kena pagu edhe armt qi i kena marrë atje”, thotë ai. E, sipas “analizës” së Buzhalës, “Me pas hi Shqipnija n’luftë i kishe pas nja 20 000 kosovarë qi kishin luftu atje(!). BLERIM LATIFI, – filozof, profesor në UP dhe analist i rregullt në T7-shin e B. Buzhalës, pas “analizës” së zgjedhjeve në Shqipëri, konstaton se “Rezultati i VV-së në Shqipëri na tregon, e para e punës, se Shqipëria dhe Kosova janë dy reale dhe politike(!) të ndryshme. Ajo që ndodhë në Kosovë nuk reflektohet atje, edhe ajo që ndodhë në Shqipëri nuk reflektohet këtu”(!). Sipas “analizës” së profesorit Latifi, pra, shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë, megjithëqë janë një popull që jeton brenda një territori kompakt, qenkan dy BOTËRA të NDRYSHME, që nuk ndikojnë në njëra-tjetrën, as varen prej njëra-tjetrës. Në të njëjtën vijë, në raport me Shqipërinë, qëndron edhe LEO, moderatori i Pressing-ut. Në përkrahje të “analizave” të kolegëve të tij, ai i fut në një QYP të MBYLLUR të gjithë liderët e Shqipërisë. Sipas tij, “Edhe Meta, edhe Basha, edhe Rama, në krahasim me Tom Doshin nuk kan vlera të mdhaja. Me Tom Dosha enen, me Tom Dosha funksionojnë. Politikën e Shqipërisë, edhe në kohë të Berishës, edhe të Fatos Nanos, edhe të Ramës, pak a shumë, Tom Doshat e kanë pas”.(!) Pra, rrjedhimisht, Misioni i Pressing-ut të T7-shit të Buzhalës, siç duket qartë në çdo “debat” të tij, me temë – shqiptarët, është acarimi i marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe PËRÇARJA mes Shqiërisë e Kosovës. Në TV-të NORMALE KOMBËTARE, në të cilat respektohet Etika e profesionit, “analistët” si këta të T7-shit, nuk do të thirreshin më në debate, as do të lejoheshin të merrnin pjesë në emisione të tjera televizive. P. s. Karakteristikë dhe pjesë e pandarë e emisionit Pressing janë zgërdhierjet, hingirizjet dhe hingëllimat, si në kor, të “analistëve”-pjesëmarrës në “debatet” e Presing-ut, pavarësisht nga pesha, rëndësia dhe ndjeshmëria e temave për të cilat debatohet. (Në Foto, hingirizjet e “analistëve” të emisionit Pressing, gjatë “debatit” të tyre për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri).

Postimet e fundit !