VEPËR PUBLICISTIKE ME RËNDËSI HISTORIOGRAFIKE
Ing. Nazmi Peci, “DEMOKRACIA E PROLONGUAR 2”, publicistikë, (Përgatitur për shtyp nga Prof. Demë Jashari dhe Shefqet Dibrani), botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2024, faqe 160. ISBN 978-9951-31-014-7
Shkruan: Shefqet DIBRANI
FILLIM
Këto ditë doli nga shtypi Libri i Dytë publicistik “DEMOKRACIA E PROLONGUAR”, nga Ing. Nazmi Peci, vepër kjo që synon të pasqyroj dhe sa më mirë të kompletoj portretin politik e intelektualit të veprimtarit Nazmi Peci, i cili ishte nënkryetar në disa mandete i Degës së LDK-së në Zvicër.
NJOHËS I SHKËLQYER I PROCESEVE POLITIKE
Ing. Nazmi Peci ishte dhe mbetet njëri nga veprimtarët më të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Zvicër. Ai ishte njohës i shkëlqyer dhe pjesë aktive e të gjitha proceseve nëpër të cilat kalonte atdheu ynë. Falë njohurive të tij intelektuale dhe kulturës institucionaliste, ai diti më mirë se kushdo tjetër t’iu japë kahe të mbara të gjitha organizimeve dhe proceseve ku ai pati ndikim. Këtë konstatim e sforcojnë edhe shkrimet e radhës, të përfshira në vëllimin e dytë “DEMOKRACIA E PROLONGUAR 2″, përgatitur për shtyp nga prof. Demë Jashari dhe Shefqet Dibrani. Shënimet në fjalë janë përzgjedhur dhe sistemuar në këtë mënyrë, me qëllim të pasqyrimit sa më të mirë, sa më real e të dinjitetshëm të veprimtarisë së njërit nga veprimtarët më të vyeshëm që pat Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër.
Edhe për këtë vëllim, hartuesit kanë arritur të gjejnë komente e shkrime të tija, kryesisht të mbetura në dorëshkrim. Prandaj, gati secili shkrim është ilustruar me fragmente nga dokumentet origjinale përmes të cilave lexuesit dhe bashkëveprimtarëve të tij ua paraqesin edhe një vlerë të rrallë që kishte Ing. Nazmi Peci: “Atë për të mbajtur shënime me një bukurshkrim për lakmi).
Është rast i mirë për të theksuar se vëllimit të parë dhe këtij të dytit do t’i bashkëngjitet edhe i treti, (që është në proces botimi), në të cilin janë përfshirë kryesisht raporte dhe fjalime të Nazmiut të mbajtura nëpër tubime, mbledhje dhe kuvende të Degës së LDK-së e në të cilat shpalosen jo vetëm vlerat intelektuale të Ing. Nazmi Pecit të cilat ai i posedonte, por bëhet edhe pasqyrimi i vlerave demokratike që i ka zhvilluar Dega e LDK-së në Zvicër dhe përgjithësisht Lidhja Demokratike e Kosovës.
NË PROCES PËRPILIMI EDHE “MONOGRAFIA” KUSHTUAR KËTIJ VEPRIMTARI
Më vonë, kësaj trilogjie do t’i bashkëngjitet edhe “Monografia për jetën dhe veprimtarinë e Ing. Nazmi Pecit”, monografi kjo e cila është duke u përgatitur nga prof. Demë Jashari dhe Shefqet Dibrani. Ku pretendohet të materializohet dhe të kompletohen sa më mirë shënimet e përmbledhura edhe në këtë trilogji.
Kështu, duke i publikuar shkrimet e Ing. Nazmi Pecit, është pasqyruar edhe një pjesë e madhe e veprimtarisë së mijëra bashkatdhetarëve me të cilët ka vepruar Ing. Nazmi Peci, e së këndejmi edhe të përzgjedhësve dhe përgatitësve të këtyre vëllimeve – gjithsesi me rëndësi edhe historike.
Ky përkushtimi i D. Jasharit dhe i Sh. Dibranit, për tu realizuar kjo trilogji, është një nga mundësitë më humane për njeriun që tashmë nuk është në mesin e të gjallëve. Përmes përgatitjes për publikim të veprës së tij, hartuesit kanë përkujtuar e nderuar mikun dhe intelektualin Ing. Nazmi Peci si dhe të gjithë miqtë e bashkëveprimtarët e tyre të përbashkët me të cilën kanë sendërtuar një kauzë e cila i pati ndikimet e veta në shtetndërtimin e Kosovës, në propagandimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës e, së këndejmi, edhe të organizimit politik, kulturor dhe atij ushtarak në funksion të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
PROLONGIMI (LAT. PROLONGARE)
Libri “DEMOKRACIA E PROLONGUAR 2”, përfshinë kryesisht komente dhe analiza të shkruara nga Ing. Nazmi Peci në përvijim kohërash. Edhe ky vëllim përbëhet nga një përzgjedhje profesionale e shënimeve të gjetura në arkivin e tij; të komenteve dhe analizave të cilat Ing. Nazmi Peci i ka shkruar me dorën e vet. Prandaj, hartuesit kanë futur faksimile të bollshme për ta dëshmuar sa më mirë e sa më qartë këtë afinitet të rrallë që kishte bashkëveprimtari dhe miku i tyre Ing. Nazmi Peci.
Të gjitha janë pikëpamje të Ing. Nazmi Pecit të cilat i ka shprehur kudo: në ndeja, në mbledhje dhe nëpër tubime të shumta që kishin të bënin me organizimet, mobilizimet, zhvillimet shoqërore e politike – sociale e historike në shoqërinë shqiptare.
Me publikimin e këtyre komenteve dhe analizave, hartuesit kanë synim për të nxjerrë më në pah afinitetin intelektual që kishte veprimtari dhe udhëheqësi shumëvjeçar i Degës së LDK-së në Zvicër Ing. Nazmi Peci. Së këndejmi, edhe ky vëllim është me mjaft interes për të afirmuar dijen dhe njohuritë e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së në Zvicër Ing. Nazmi Peci.
Sipas përpiluesve, thuhet se “nuk kemi informacione nëse këto shënime e shkrime të Nazmiut ishin të botuara në shtypin e kohës ose diku tjetër. Por, si shënime të tija origjinale, gjithsesi që ngjallin emocione dhe shpalosin edhe afinitetin e tij për mbajtjen e shënimeve gati si lloj kronikash. Ky nivel dhe kjo saktësi e mbajtjes së shënimeve është për t’u admiruar e lakmuar edhe nga ne miqtë e përhershëm të tij sepse, kësisoj, po shohim se krijimi dhe shkrimi janë jo vetëm vlera personal por ato edhe kanë atë privatësinë e individit i cili edhe kur krijon gjëra me vlerë, siç është rasti i Ing. Nazmi Pecit, shumë pak iu ka kushtuar rëndësi për t’i botuar e publikuar”.
EDHE KY VËLLIM PËRBËHET NGA DY PJESË
Në pjesën e parë janë përmbledhur shkrime, referate, fjalime, pikëpamje e analiza, kurse në pjesën e dytë janë përfshirë disa shkrime për figura dhe personalitete të kohës siç ishin Jusuf Gërvalla, Enver Hadri, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe Nuhi Berisha, me emrat e të cilëve ndërlidhen shumë ngjarje e zhvillime. Për këto figura të shquara, organizimi i LDK-së në Zvicër – në tërë shtrirjen e vet, ka shënuar e mbajtur përvjetor të rregullt. Po ashtu, përpiluesit kanë gjetur edhe dy shkrime të tilla të cilat lidhen me dy figura të shquara të Mitrovicës siç janë prof. dr. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, të vrarë nga forcat serbe në natën e 24 dhe 25 marsit të vitit 1999.
Siç është shpjeguar edhe në vëllimin e parë, nocioni Prolongim (lat. prolongare), ka të bëjë me zgjatjen dhe zvarritjen e proceseve, kuptim ky që iu shkon edhe këtyre shkrimeve të cilat janë zvarritur dhe nuk janë botuar për të gjallë të autorit. Prandaj, paska qenë edhe një arsye më shumë për ta pagëzuar librin me të njëjtin titull dhe, në anën tjetër, për ta ruajtur vazhdimësinë e komenteve dhe analizave, si vlerë të rrallë intelektuale të cilën e kishte Ing. Nazmi Peci. Kjo shprehje (prolongim) e përdorur shpesh nga Ing. Nazmi Peci, krijon lehtësi për të kuptuarit e veprës dhe bën që titulli të jetë më i kuptueshëm dhe shumë më i pranueshëm. Kjo është theksuar edhe në vëllimin e parë se “Demokracia për të cilën është angazhuar Ing. Nazmi Peci, (po edhe përpiluesit bashkë me të), nuk është demokracia të cilën e kanë dëshiruar e projektuar, e për të cilën kanë vepruar për vite të tëra”.
ANA MAGJIKE DHE ENIGMA E SAJ
Në vëllimin pasues, (Libri 3), lexuesi do të ketë rastin për të mësuar luftën e pashembullt që bënte Qeveria e Kosovës në Mërgim dhe vetë Ministri i Ekonomisë dhe Financave Isa Mustafa kundër Degës së LDK-së në Zvicër, i cili madje, në mënyrë arbitrare – burokratike e bolshevike, pa asnjë arsye e shkarkoi Ing. Nazmi Pecin nga kryetari i Këshillit Qendror të Fondit për realizimin e trepërqindëshit në muajin mars 1993. Letrat dhe dokumentet e asaj kohe do të përfshihen dhe publikohen në “Librin 3”, si dokumente që do të shpjegojnë ecurinë e shumë proceseve dhe luftën e ashpër që zhvillonin kreaturat e një segmenti institucional kundër LDK-së.
PËRFUNDIMI
Përpiluesit mendojn se edhe ky libër pasqyron vetëm një anë, apo thënë më drejt, vetëm një pjesë të veprimtarisë e krijimtarisë së Ing. Nazmi Pecit. Njëherësh është edhe kontribut dhe përpjekje e tyre (përpiluesve) për të sendërtuar, realizuar e përjetësuar sa më denjësisht figurën shumëdimensionale të bashkëveprimtarit të tyre dhe në anën tjetër për të kompletuar portretin atdhetar, intelektual e politik të Ing. Nazmi Pecit.
Në fund të këtij shënimi, përpiluesit e këtij libri, e ripërsërisin refrenin se “Ing. Nazmi Peci ishte njëri nga personalitetet më të spikatura në Degën e LDK-së në Zvicër”!
add a comment