Kulturë\Letërsi

Shefkije Islamaj: Stilistika e krahasimit

Në 50 vjetorin e botimit të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974-2024) të Rexhep Qosjes, i përkthyer në gjuhët: frëngjisht, gjermanisht, italisht, holandisht, greqisht, bullgarisht, serbokroatisht, sllovenisht.

STILISTIKA E KRAHASIMIT
(Marrë nga libri im “Ligjërimi, gjuha dhe stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”, monografi, Instituti Albanologjik, 2021, 827 f.)
Pjesa I
Krahasimi, si figurë mendore a trop, konsiderohet ndër figurat më dalluese me të cilën shkrimtari Rexhep Qosja ka formësuar shprehjen e tij artistike.
Duke rendur pas së bukurës, në të vërtetë pas estetikës së shprehjes gjuhësore, në romanet e Rexhep Qosjes kam zbuluar se krahasimi bashkë me metaforën paraqesin stilema kurorë në të gjitha romanet e tij. Në këtë mes, në këtë rendje pas estetikës gjuhësore të tij, është bërë përpjekje të zbulohet stilematika e krahasimit, në të vërtetë formësimi dhe struktura e stilemave si njësi të shprehësisë së lartë që krijohen me krahasimin, por njëkohësisht të zbulohet edhe përmasa e vlerës funksionale dhe estetike të këtyre njësive stilematike, në të vërtetë të zulohet stilogjeniteti i tyre.
Që në leximin e parë të cilitdo roman prej pesë syresh që janë botuar (1) të shkrimtarit Rexhep Qosja, patjetër bie në sy sasia, larmia, pasuria dhe estetika e krahasimeve të tij. Leximi i vëmendshëm zbulon qartë natyrën, strukturën dhe veçoritë krahasuese të tyre, por zbulon edhe se në këto romane gjendet një pasuri e madhe e ndërtimeve krahasuese të tipit frazeologjik.(2) Krahasimet e tij në të shumtën e herës janë origjinale, shpesh jo të zakonshme, ndërsa hetohet qartazi përpjekja e ndërgjegjshme e shkrimtarit që me krahasimet të magjepsë plotësisht lexuesin e tij. Kjo përpjekje vërehet edhe në gjetjen e afrisë së plotë të objektit të krahasueshëm me objektin e krahasuar.
Krahasimi, si figurë e analogjisë, gjithmonë realizohet përmes ballafaqimit të dy objekteve, dy njerëzve, dy dukurive, dy gjendjeve, dy ndodhive, dy situatave, gjithmonë njëri prej tyre përcaktohet me ndihmën e tjetrit, me të cilin kanë diçka të përbashkët ose na duket se ngjajnë, pra ndërtohen mbi parimin e ngjashmërisë. Në romanet e Rexhep Qosjes krahasimi paraqitet dendur në të gjithë tipat e ligjërimit.
Si formë e përgjithshme e të folurit dhe e të menduarit, si figura kryesore e poezisë klasike, krahasimi është mënyra themelore e procesit të njohjes së njeriut dhe mënyra se si i shpjegohet tjetrit kjo njohje. Në këtë kontekst duhet të thuhet se mënyra se si shkrimtari Rexhep Qosja ia parashtron lexuesit të tij njohjen dhe përvojën e vet letrare-artistike dhe jetësore është plotësisht e veçantë. Të shohim një shembull:
“Edhe, tani, thuaja, çdo ditë e dëshiroj dhe e kujtoj veten si përpara: ashtu të madh, si elefant, ashtu të fortë, si ariu i murrmë, ashtu krenar, si luani. Tani, thuaja, çdo ditë ndiej nevojë të eci, të shikoj, të dëgjoj si atëherë.” (“Vdekja” 226)
Befasia, larmia dhe denduria e përdorimit të krahasimeve të Rexhep Qosjes në këtë shembull sikur edhe në gjithë ligjërimin e tij artistik, i bëjnë krejt të veçanta e origjinale dhe të përdallueshme nga krahasimet e shkrimtarëve të tjerë në letërsinë shqipe.
Krahasimet e Rexhep Qosjes shpesh ndërtohen mbi pamjet a imazhet, kur objekti krahasues vendoset përballë objektit të krahasuar jo vetëm si pamje e ngjashme, por edhe si pamje ilustruese. Fjala është për atë lloj krahasimi që zhvillohet e zgjerohet njëkohësisht me imazhe të veçanta me të cilat objekti i krahasueshëm jepet si imazh i plotë dhe paraqet më shumë a më pak ngjashmëri me objektin e krahasuar:
“Coka ngrin në vend, si ta kishte shituar shita, e shikon si t’ia kishte sjellë pesë metra qefin, sorollatet poshtë e lart dhomës, si t’iu kishin lidhur zorrët, fryn e shfryn, si t’iu kishte zënë fyti, dikur përmallohet, po dikur prapë, e kap nëpër bark, se Coka e di si të gjithë pleqtë e fshatrave, se pushka nxjerr tym baroti, se bomba e çon në hava krejt shtëpinë, me të madh e të vogël, se i biri, Cufi, s’mbërrin të shkojë në ushtri!” (“Vdekja” 66)
Siç shihet në fragmentin e paraqitur, kjo mënyrë krahasimi ndikon në rritjen e figurshmërinë dhe në përdallimin e stilit të shkrimtarit. Me dallim prej krahasimeve të ligjërimit gojor, ku ato paraqiten në forma të ngurosa, si togfjalësha të qëndrueshëm, të zhveshur nga figurshmëria, por me funksion të përcaktuar kuptimor, krahasimet vetjake të Rexhep Qosjes janë të përforcuara nga ana semantike për arsye të përdorimit të gjatë.
Veçoria më e spikatur e krahasimit të Rexhep Qosjes është figurshmëria e lartë. Me të ai formëson dukuri nga më të ndryshmet, gjallëron shprehjen e tij gjuhësore, konkretizon abstrakten, të ndërlikuarën e të panjohurën, dinamizon rrëfimin, shquan të folurën e personazheve. Të shohim shembullin:
“Fytyra zgjatime, eshtake, lëkura e zbehtë dhe e thatë, si të ishte terur afër stufës, që ndizet me qymyr të keq, buzët e holla të mavijosura, sytë e imtë, si kokrra bizelesh, të mbuluar me vetulla të trasha ngjyrëbalte, nënvetulla të fryra, flokë të dendura të thinjura pazakonshëm (një e thinjur bajate), që i palonte në njërën anë të kokës – krejt pamja e tij e tregonte njeriun e pezmatuar kush e di pse…” (“I ringjalluri” 343)
Në këtë fragment krahasimet janë paraqitur me zgjerime tekstore në të dy anët e gjymtyrëve të tyre përbërëse (i krahasuari dhe i krahasueshmi), dhe me grumbullim krahasimesh që e dinamizojnë ligjërimin e shkrimtarit. Teksti është përshkrues, dhe tekstet e tilla me ndërtime krahasuese janë tipar i dalluar i prozës letrare artistike të Rexhep Qosjes.
Një pjesë e mirë e krahasimeve të Rexhep Qosjes mbështeten në përvojën e përgjithshme njerëzore, në kujtesën kolektive dhe në modelet e figurshmërisë së traditës. Ky grup i krahasimeve karakterizohet me natyrshmëri, vetvetishmëri, intonacion të veçantë, me elegancën e gjuhës bisedore. T’i shohim një shembuj tipik të këtij lloji krahasimi:
“Në sy më përplasen fytyra të rregulluara si kukulla, vetulla të krehura si krahë të dallëndyshes, buzë të skuqura si qershi të pjekura mirë, qafa të gjata si qafa e kanjushës, sy të zinj, të kaltër a bojëkafe, që e përkëdhelin natyrën e lëre më shikuesin e etshëm për shikim përkëdhelës, flokë shkëlqyes të derdhur shpinës si kallinj gruri …” (“Vdekja” 352)
Ky shembull, mbushur me krahasime nga ligjërimi bisedor e më shumë nga letërsia gojore dëshmojnë se për shkrimtarin rruga për shfrytëzimin e krahasimit si figurë ka qenë e hapur dhe jo përjashtuese – ai u drejtohet të gjitha burimeve gjuhësore për të krijuar shprehjen e tij figurative. Edhe pse kemi të bëjmë me figura të ”harxhuara”, siç i quan edhe vetë shkrimtari në dy romanet e tij ”Një dashuri dhe shtatë faje” dhe ”Nata është dita jonë”, në shembullin e mësipërm, këto krahasime, në tekstin ku janë përdorur, përjetohen në dritë të re, sepse ato janë konekstualizuar me figura të tjera si me grumbullimin, përsëritjen dhe paralelizmin dhe kjo i ka bërë ato të pëlqyeshme edhe nga lexuesi sado të ketë shije ta quajmë moderne apo postmoderne.
Me denduri të madhe paraqiten në një kontekst të ngushtë krahasimet e llojeve të ndryshme nga ana tematike dhe strukturore, por edhe kombinime të krahasimeve t’i quajmë pak a shumë të njohura dhe të tilla që nuk i kemi ndeshur herë tjetër. Të shohim shembullin:
“Dhe duke bërë punën tënde ke shkelur mbi njerëzit si mbi pllakat e trotoarit, i ke sukulluar si çakejt, si hienat, si ujqit e tërbuar, si korbat coftinën. Disa i ke shënjuar për tërë jetën. Si Rinushin, për shembull.” (“Nata” 228)
Me shprehësi të lartë paraqiten krahasimet t’i quajmë letrare, të krijuara ose të ndërtuara mbi bazën e tyre ekzistuese me burim letraro-artistik:
‘Kryetari i Bashkësisë së qytetit, Tushan Dushmani, i mërrolur si dita më e zymtë e vitit, i hidhëruar si rrëqebull i zënë në kurth të hekurt, mendjerrudhur si t’ia kishte pirë bolla trurin, ngjitet në foltoren që e ngrenë kastile për të…” (“Një dashuri” 61)
Nuk mungojnë shembujt ku ndërrimet krahasuese shquhen me përmbysje a shformim sintaksor, e ashtuquajtura distorzi, që do të thotë ndarje formale e pjesës që është e lidhur logjikisht me tërësinë dhe shprehet me presje, pikë ose pavarësi sintaksore. Te shkrimtari Rexhep Qosja janë paraqitur të gjitha llojet e shformimeve. Po sjellim dy shembuj me paravarësi sintaksore, ku ndarja formale paraqitet me pikë:
“Kot thërret. Zërin e vet më nuk e dëgjon. Është shterur sikundër shterojnë burimet pas thatësirave të gjata a pas tërmeteve të forta, që në këto anë janë aq të shpeshta. Si ta kishte djegur bryma e papritur e skarlatinës! … Zëri është si pusat: ikën dhe kthehet. (“Një dashuri” 245)
“Liria nuk ka kufij. Është e pakufishme. E pakufizuar në kohë dhe në hapësirë. Si gjithësia e Ajnshtajnit. Sa të dua Liri. Si sytë e ballit. Si loçkën e zemrës. Si dritën e diellit.” (“Nata” 51)
Duke qenë se romanet e Rexhep Qosjes mbajnë treguesit modernë dhe postmodernë llojshmëria ligjërimore e tyre përcakton edhe llojshmërinë e krahasimeve dhe ajo vërtet është e gjerë dhe interesante. Kështu, me krahasimin shkrimtari jo vetëm konkretizon, shpjegon dhe zbukuron shprehjen poetike, por edhe tërheq paralele të pritura dhe të papritura midis qenieve, dukurive, objekteve, pamjeve, ndodhive, arrin efekte, mistifikon tema e çështje për të cilat shpreh emocionalitetin e rrëfimtarit, sugjeron njohje dhe kulturë të lartë letrare e artistike. Po sjellim shembujt:
“Ai vëngoshi francez me syze, që e ka emrin prej tre emrash, Zhan – Pol Sartër, që shikon si shejtani pas parmakëve, që i lëviz duart dhe këmbët kur flet sikur ta kishin lidhur në korrent, nganjëherë ka të drejtë kur thotë se të tjerët janë ferr dhe, kur e ka shqiptuar këtë mendim aq të mallkuar e aq të qëlluar, sigurisht e ka pasur ndërmend ndonjërin prej fqinjëve sikundër janë disa prej fqinjëve të mi.” “Vdekja” 47)
“E lavdëroj, e lavdëroj dhe e lavdëroj pa i dhënë pushim vetes dhe pa i dhënë kohë atij që të më thotë: faleminderit. Më ishte zgjidhur gjuha si të isha gojëtar, si të isha gojëtari më i njohur i Vajazanit, si të isha shkolluar në shkollat e gojëtarisë së Demostenit, të Plinit të Ri dhe të Ciceronit. Sidomos të Fan Nolit.” (“Nata” 183)
Krahasimet e Rexhep Qosjes, siç u pa nga shembujt e paraqitur deri këtu, janë të pasura me përshkrime, shembuj, argumente dhe kundërargumente, të përdorura e të krijuara me kujdes të veçantë, ku ndihet lehtë kujdesi për ritmin, metrikën, radhitjen e tingujve, të togjeve, të fjalëve dhe të fjalive. Duke vendosur lidhje të reja midis dukurive, objekteve, qenieve, ato kanë rol kryesor, sepse zbulojnë ngjashmëri të reja midis krijesave e gjërave të ndryshme, në të vërtetë ato në një mënyrë paraqesin vetë esencën e artit poetik. Të shohim një shembull:
“Ka do ditë, ndoshta prej të mërkurës së parë të qershorit, apo, ndoshta, edhe prej të enjtes, kur binte një shi i imët, i dendur, Ti e ndien veten të zbrazët, fyell, bosh, si shtogu kur ia nxjerrin palcën, si peshku kur ia shtrydhin ikrat, si lehona kur ia heqin foshnjën. Të duket se një humnerë e gjerë dhe e thellë, gati e paskajshme dhe e pafund, është e mbështjellë me lëkurën Tënde të hollë, të butë, të bardhë…) (“Vdekja, 150)
Ky shembull dëshmon qartë se shkrimtari për të arritur shprehësinë dhe efektin e dëshiruar te lexuesi shfrytëzon mjete e veprime të ndryshme gjuhësore e stilistike. Efekti është krijuar sidomos me krahasimin e trefishtë që lidhet me fjalinë kryesore informative (remës) dhe që i është nënshtruar shkallëzimit ngjitës stilistik, klimaksi i së cilës arrihet me krahasimin e tretë:
“Ti e ndien veten të zbrazët, fyell, bosh: si shtogu kur ia nxjerrin palcën,
Ti e ndien veten të zbrazët, fyell, bosh: si peshku kur ia shtrydhin ikrat,
Ti e ndien veten të zbrazët, fyell, bosh: si lehona kur ia heqin foshnjën.”
Krahas krahasimit të trefishtë shkrimtari në këtë periudhë ka përdorur edhe sinonimet: të zbrazët, fyell, bosh dhe e paskajshme, e pafund; si dhe tri epitete radhazi: (lëkurën) të hollë, të butë, të bardhë (që e skuqin menjëherë rrezet e diellit). Me këto veprime ai ka realizuar efekte të fuqishme stilistike, në të vërtetë ka krijuar stilema që mbahen në mend.
Shkrimtari me krahasimet konkretizon dhe krijon pamje të jashtëzakonshme duke i bërë më të shquara, duke i dhënë shprehjes karakter ornamentik, duke shprehur një përvojë emocionale, që nuk do të mund të shprehej ndryshe, duke sugjeruar një vizion të përbërë të botës, sipas analogjisë së përgjithshme, duke zbuluar shumëçka nga përvoja e vet personale, jetësore, profesionale e letrare, duke përshkruar trauma psikologjike individuale e kolektive, duke paraqitur qëndrime filozofike, politike, etike ose duke përfushur ideale e shije estetike, gjithnjë në funksion të kontekstit letrar. Shembull:
“Qylafi i palarë në majë të kokës si copë bore në Qafën e Diellit, balli përplot hulli, kodra e gjolla dyngjyrëshe – të vrugëta e të bardha, vetullat e trasha, të lëshuara si strehë elefanti mbi sytë shumëngjyrësh të cilët vështirë do t’i pikturonte Abdyrrahim Buza, gropat e faqeve, në të cilat mund të bëjnë çerdhe edhe hutinët e Lubotenit, buzët e mavijosura, që mjerueshëm e mbrojnë shpellën në të cilën janë strehuar pak dhëmbë të prishur dhe gjuha, që, kohë pas kohe, e lag shkrumbin e paluar në to.” (“Nata” 33)
Siç shihet nga shembulli i paraqitur kontekstin e krahasimeve e përbën i gjithë mjedisi tekstor që ka karakter përshkrues. Përshkrimet e Rexhep Qosjes me dhe pa krahasime vërtet janë mbresëlënëse.
Pavarësisht se në letërsinë e sotme moderne dhe postmoderne krahasimi, thuhet ndoshta me pa të drejtë, ka humbur shkëlqimin e të qenët figurë e rendit të parë, siç ka qenë fjala vjen në epokat a në letërsitë pararendëse, sidomos te ajo romantike, duke ia lëshuar vendin figurave të tjera mendimore siç janë metafora, metonimia, sinekdota, ironia, për arsye të qartësisë së tyre apo ngjeshjes së tyre kuptimore, në romanet e Rexhep Qosjes, të cilësuara si moderne dhe postmoderne, krahasimi zë vend të dalluar. Krahasimi i tij, në të vërtetë, i është nënshtruar një modifikimi të thellë, prandaj përmban treguesit dhe shijen e kohës moderne e postmoderne, si nga ana përmbajtjesore e strukturore e ashtu, sidomos, nga ana e stilematikës së saj origjinale. Krahasimi i Rexhep Qosjes është origjinal, sepse pavarësisht se shpreh lidhje herë më të afërt e herë më të largët midis objekteve të krahasuara, përkatësisht midis të krahasuarit dhe të krahasueshmit, ruhet largesa midis tyre, pra ai, krahasimi, krahason, por nuk e humb identitetin e vet, sepse ajo që i bashkon në të njëjtën kohë edhe i largon. Krahasimi i tij me larminë e me dendurinë e madhe të përdorimit, dëshmon se figurshmëria e lartë në prozën e tij përfaqëson jo vetëm shfrytëzimin sistemor të një veçorie thelbësore të gjuhës por, përfaqëson edhe pasurim e zgjerim krijues të mundësive shprehëse të saj. Shkrimtari Rexhep Qosja duket se ka “zbuluar” mekanizma të tillë gjuhësorë që i kanë mundësuar që atë proces zgjerues e shumëfishues të përmbajtjeve poetike ta çojë më tej nga ana tematike dhe ajo stilematike.
Shkrimtari Rexhep Qosja, jo vetëm me krahasimin, po sidomos edhe me metaforën, metoniminë, sinekdokën dhe ironinë ka ndërtuar mjeshtërisht ligjërimin e tij artistik duke mos e lëkundur aspak përcaktimin e romaneve të tij si moderne e postmoderne, thuajse ka pasur parasysh mendimin studiuesit të njohur Kenet Burke, të shprehur në shtojcën bashkëngjitur veprës së tij të njohur “Gramatika e motiveve” kushtuar figurave mendimore dhe tropeve, se: metafora përcaktohet si perspektivë, metonimia si reduktim, sinekdoka si paraqitje (reprezentim) dhe ironia si dialektikë.” (3) Sipas tij, këto figura, në të vërtetë këto “trope mjeshtërore”, thotë ai, mund të kryejnë funksione shumë më të përbëra sesa që na udhëzojnë përkufizimet retorike tradicionale për to dhe këtë na e dëshmon vërtet mjeshtërisht shkrimtari Rexhep Qosja. Më e rëndësishmja prej këtyre tropeve mjeshtërore është metafora, në bazën e së cilës qëndron pikërisht krahasimi – krahasimi sipas analogjisë, derisa metonimia mbështetet në asociacionet, kurse që të dyjat janë burim i shumëkuptimësisë dhe që të dyja ua përforcojnë romaneve të tij treguesin – të shumëkuptimshme. Jo rastësisht metafora quhet krahasim i shkurtuar, sepse nuk ka raport krahasues me objektin me të cilin krahasohet dhe jo rastësisht shkrimtari i përdor dhe i kombinon së tepërmi shpesh në ligjërimin e tij artistik. Të shohim një shembull ku krahasimet dhe metaforat bashkëveprojnë për të krijuar stilema shprehëse:
“Ashtu i mendueshëm i bëj edhe disa hapa e, pastaj, ndalem duke i ngulur këmbët thellë në asfalt! Këmbët thellë në asfalt! Thellë në asfalt! Në asfalt. … E shoh Budin Budën petull mes dhëmbëve dhe dhëmballëve të tij të prishura prej çokollatave dhe koka-kolave. Si gazelë mes dhëmbëve të hienës! Budini i bërë petull mes dhëmbëve të hienës e ul shikimin tri pëllëmbë më poshtë. Më poshtë!
Idioti shtanget si përmendore e realizmit socialist, së cilës i janë ngjitur shtatoret e dy bashkëluftëtarëve.” (“Nata” 36)
Siç shihet në këtë fragment teksti, shkrimtari ka përdorur dy figurat kryesore mendimore: krahasimin dhe metaforën. Me dallim prej metaforës që na paraqitet dy herë (ndalem duke i ngulur këmbët thellë në asfalt; E shoh Budin Budën petull mes dhëmbëve dhe dhëmballëve të tij të prishura prej çokollatave dhe koka-kolave, krahasimi na paraqitet tri here: si gazelë mes dhëmbëve të hienës; si përmendore e realizmit socialist. Sikur të mos i mjaftonin këto dy figura në këtë tekst të shkurtër, shkrimtari përdor edhe figura të tjera – përsëritjen sintaksore. Në tekst kemi disa përsëritje të ndërtimeve sintaksore të reduktuara ose të modifikuara duke krijuar këtu edhe figura të tjera sintaksore – elipsën dhe segmentimin sintaksor: “…ndalem duke i ngulur këmbët thellë në asfalt! Këmbët thellë në asfalt! Thellë në asfalt! Në asfalt.” Rasti i dytë është përsëritja e pjesshme e fjalisë E shoh Budin Budën petull mes dhëmbëve dhe dhëmballëve të tij të prishura prej çokollatave dhe koka-kolave; Budini i bërë petull mes dhëmbëve të hienës e ul shikimin tri pëllëmbë më poshtë. Më poshtë! Në shembullin e fundit na paraqitet edhe epifora: “… më poshtë. Më poshtë!”
Shembujt e sjellë ilustrojnë katër procese të rëndësishme përmes të cilave ndodh ndryshimi kuptimor i fjalës: në të parin, kemi metaforën, ku ndodh zëvendësimi i një fjale me një tjetër në bazë të ngjashmërisë së atij objekti që ai shënjon: Fjala “petull” e zëvendëson emrin Budin Buda, për çka fjala e dytë (petull) nuk e ka më kuptimin e saj parësor, prandaj “i hap perspektivë” këtij objekti, i cili në kontekstin e ri shënjon kuptim të ri – Budin Budën. Shkrimtari nuk mjaftohet me aq, prandaj shton edhe krahasimin “si gazelë” që përforcon ndjeshëm metaforën dhe natyrisht stilogjenitetin e tekstit. Budin Buda bëhet gazelë.
Ky fragment provon qartë se shkrimtari Rexhep Qosja aktualizon ndërgjegjshëm për efekt stilistik disa figura njëkohësisht në një kontekst të ngushtë letrar. Dhe ky veprim në romanet e tij është shumë parimor, në të vërtetë ky veprim i tij është kthyer në parim krijues.
Në romanet e Rexhep Qosjes, siç u tha më lart, krahasimi paraqitet jo vetëm si figurë stilistike por edhe si frazemë krahasuese. Krahasimet si figura stilistike janë, në të shumtën e herës, krijime vetjake gjuhësore, ndërsa frazemat krahasime, duke qenë të konvencionalizuara përmes procesit të idiomatizimit dhe, pjesërisht, të desemantizimit, riprodhohen si tërësi ose si pjesë të tërësisë. (4) Krahasimet e Rexhep Qosjes nuk janë më pak interesante se metaforat, sepse ato, pos që i dallojmë më lehtë, përmbajnë edhe të gjitha elementet që përbëjnë metaforat. Si krahasimet, si metaforat paraqesin burim të gjerë shprehësie e figurshmërie në romanet e tij. Duke vënë raporte të reja ndërmjet dukurive a objekteve me anë të krahasimit, duke përdorur njëkohësisht edhe figurat e tjera si metaforën, metoniminë, sinekdotën, ironinë, përsëritjen, grumbullimin, paralelizmin, elipsën, ligjërimi artistik i Qosjes ka fituar ndjeshëm peshë semantike, shprehësi dhe figurshmëri.
Fusnotat
1,“Vdekja më vjen prej syve të tillë”, Prishtinë, 1974; “Një dashuri dhe shtatë faje”, Tiranë, 2003; “Nata është dita jonë”, Tiranë, 2007; “Bijtë e askujt” I, II, Prishtinë, 2010; “Të fshehtat e treguara”, Tiranë, 2020.
2. Për njësive frazeologjike të Rexhep Qosjes, të ndërtuara edhe mbi bazën e krahasimeve, shih studimin “Romani si zbulim”, në këtë monografi, f. 494.
3. Keneth Burke, “A Grammar of Motives”, Prentice-Hall, Incorporated, New York, 1945; sipas Zdenko Lešić, “Teorija književnosti”, “Sarajevo Publishing”, 2005, f. 189.
4. Shefkije Islamaj, “Gjergj Fishta – gjuha dhe stili “II, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012, f. 420.
Vijon