Kulturë\Letërsi

Shefkije Islamaj: Në kujtim të atdhetarit të madh e shkrimtarit të veçantë Adem Demaçi (25.2.1936 – 26.7.2018) Adem Demaçi sot do të mbushte 88 vjet

Në kujtim të atdhetarit të madh e shkrimtarit të veçantë Adem Demaçi (25.2.1936 – 26.7.2018)
Adem Demaçi sot do të mbushte 88 vjet
LIGJËRIMI ARTISTIK NË PROZËN E ADEM DEMAÇIT
Botimi i kompletit të veprave të Adem Demaçit, sado me vonesë i jep mundësinë studiuesit ta shohë gjithë opusin e tij krijues letrar nga aspekte të ndryshme. Për fat të keq, jo vetëm vepra e Adem Demaçit, por edhe veprat e autorëve të tjerë me emër në letërsinë shqipe presin që të bëhen objekt studimi letrar, gjuhësor e stilistik për të përfushur, pos të tjerash, edhe prirjet zhvillimore të poetikës e të stilistikës shqipe në përgjithësi përmes veprave të autorëve të veçantë që shënojnë fillime, ndihmesa a ecje me peshë në këto zhvillime.
Shkrimtari Adem Demaçit nuk mund të trajtohet ndaras veprës së tij siç parapëlqehet a sugjerohet nga kritika e historia letrare sepse jeta dhe vepra e tij përbëjnë një tërësi që ka treguesin përpjekje për të ndërtuar jo vetëm shqiptarin e Kosovën, por edhe kulturën e tij. Personaliteti i tij bashkon atdhetarin, intelektualin, shkrimtarin, mendimtarin, publicistin, politikanin e protagonistin e djeshëm e të sotëm të proceseve historike e kulturore shqiptare. Dhe vepra e tij letrare shfaq jo vetëm njeriun me përgjegjësi të lartë në procesin historik të sendërtimit të lirisë sonë, po edhe shkrimtarin misionar që bashkë me lirinë politike gjakon edhe lirinë mendore e shpirtërore të njeriut shqiptar. Në këtë kontekst vepra e tij në të dyja këto segmente është mision.
Që në fillimet e tij letrare që janë edhe fillimet e prozës shqipe në Kosovë, zëri i Adem Demaçit si shkrimtar është zë plotësisht i veçantë që do të ketë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë, po edhe ndikim në mendësinë që do të shoqërojë emancipimin e shqiptarit si subjekt shoqëror e politik dhe intelektualizimin e shqiptarit si subjekt kulturor, rrjedhimisht edhe letrar. Botimi i romanit Gjarpinjtë të gjakut si edhe botimi i disa tregimeve që i paraprijnë atij, nuk sollën, prandaj vetëm nismën e mbarë letrare shumë ndikuese e jehuese në letërsinë shqipe të Kosovës, po edhe rrjedhojat që u pasvijnë librave që kapërcejnë kohën e pritshmëritë shoqërore e kulturore.
Ashtu sikur në prozën e fazës së parë të krijimtarisë që rrok disa tregime dhe romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, edhe në romanet e botuar këtu e njëzet vjet më parë e deri sot, Adem Demaçit nuk shkruan sa për të treguar një histori siç bënte dhe siç e thotë edhe vetë madje Norman Maileri, sepse ai nuk mund të shkruajë pa pasur parasysh rrethanat dhe kontekstin shoqëror-politik në të cilin ka jetuar e jeton. Ai, po kështu, nuk u kredh as në romane historike siç bënë shumica e romansierëve shqiptarë një kohë të gjatë, për t’u ndier më të mbrojtur nga diktatura a nga keqkuptimet e kohës, sepse të merresh me të sotmen është gjithmonë më e rrezikshme sidomos në rrethana e kushtet e regjimeve antidemokratike, ose në shoqëritë e paemancipuara politikisht e kulturalisht. Ai, megjithatë, edhe në veprat e botuara në dy dhjetëvjetëshat e fundit, zgjodhi të dytën – të trajtojë probleme që përbëjnë qenësinë tonë sot me dilemat që shoqërojnë këtë qenësi.
Por, do t’i hynim në hak shumë shkrimtarit tonë këtu sikur vlerësimet për këtë vepër të mbeteshin në vlerësimin që shquajnë vetëm rëndësinë dhe ndikimin shoqëror e kulturor të veprës së tij, pa i dhënë vendin e çmuar sidomos anës estetike të veprës, sepse ajo që shquan dukshëm veprën letrare të Adem Demës nuk ka vetëm rëndësinë shoqërore po ka, sidomos, edhe vlerën artistike.
Shkrimtar, talenti i të cilit spikat fuqishëm që në romanin që mban si autor një të ri më pak se 22 vjeçar, Adem Demaçi, që në fillimkrijimtarinë e tij dukshëm premtuese në një fushë djerrë të prozës që po fillonte të blatohej në Kosovë, ishte i vetëdijshëm se veprën letrare e mbijetojnë nëpër kohë sidomos vlerat artistike. Trajtimi i temës së gjakmarrjes në romanin “Gjarpinjtë e gjakut” dhe i temave që lidhen me njeriun e problemet e pasluftës, konfliktet, dramat, çështjet ekzistenciale e morale të shoqërisë shqiptare në prodhimtarinë e frytshme të autorit sidomos në dy dhjetëvjetëshat e fundit, në veprat “Libri për vetmohimin”, “Heli e Mimoza’, “Nëna Shegë e pesë gocat”, “Shkrumbnaja e dashurisë”, “Dashuria kuantike e filanit” dhe Alb Prometeu”, sjellin më vete edhe risinë e një ligjërimi të veçantë artistik, me një shtresë të dukshme të figurshmërisë popullore në tregimet e para dhe në romanin e parë, kurse më pas të çliruar pak a shumë prej kësaj shtrese, por të shprehur me një ligjërim që sa vjen e intelektualizohet, duke e pasuruar prozën tonë me një pamje të re të këtij ligjërimi.
Parimor në jetën e tij shoqërore, politike e intelektuale, edhe vepra e tij letrare shpreh parimësi sa i përket përdorimit të mjeteve artistike dhe ruajtjes së frymës popullore të këtyre mjeteve e mundësive. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. I përgatitur për t’i shërbyer popullit nga i cili ka marrë gjithçka të vlefshme dhe të kuptimshme për ekzistencën e tij, edhe me gjuhën e stilin, ai do të shprehë vlefshmërinë dhe kuptimësinë e shpirtit të këtij populli, që tregohet më së miri e më së ploti në gjuhën e tij, në ligjërimin e tij, që është në të vërtetë pasuria e tij e paçmueshme e historisë së djeshme, të sotme dhe të ardhme.
Ligjërimi artistik i “Gjarpinjve të gjakut’, dukshëm më shumë se i romaneve të më pastajme, dhe pak a shumë edhe i romanit “Shkrumbnajë e dashuri”, ka rrjedhën dhe strukturat ligjërimore të shqipes popullore me treguesin e një përpunimi të vetëdijshëm. Ai karakterizohet me leksikun e frazeologjinë popullore e krahinore, të rikuptimësuar a të prejardhur, me variante të shumta idiomatike, me ndërtimet e strukturat sintaksore karakteristike për gegërishten verilindore. Larmia e ndërtimeve sintaksore, sidomos thjeshtësia e natyrshmëria e ndërtimit të këtij ligjërimi e bën të dallueshëm dhe vetjak ligjërimin artistik të Adem Demaçit. Dialogët e monologët janë mbresëlënës dhe të ngjyrosur stilistikisht, kurse intonacioni i larmishëm i bën ata dukshëm të natyrshëm.
Mund të thuhet se ligjërimi artistik i Adem Demaçit, në të gjitha nivelet, ka veçoritë e gjuhës dhe të ligjërimit popullor, ashtu sikurse edhe stili rrëfimtar. Kjo vlen posaçërisht për romanin “Gjarpijtë e gjakut”, i cili është shkruar fillimisht në dialektin gegë dhe 30 vjet më pas është kthyer në gjuhën standarde. Ligjërimi i rrëfimtarit të tij i ngjan rrëfimit dhe intonacionit të së folmes popullore të Kosovës, i ngjan një bashkëbisedimi të gjallë, i cili zakonisht është i mbushur me shprehje e frazeologji popullore, ndërtime, madje edhe formula të njohura popullore, tipike për rrëfimin e ligjërimin bisedor veriak, siç mund të përdallohet edhe në tekstin në vijim:
“-Qe besa û di me t’thanë: mos e nguc grejzin me krane. Se e nguc të zezën tane! …
Të gjithëve u pëlcet një gaz i shfrenuar.
-Shihe, shahpërpjetin!
-Ky se, fjalët Demush e vetë kurrkush! Ha-ha!
-Shihe ti, herrneckun!
-Nuklani!
-Ckonlani!
-Pantraveli,
-Ky koka ai farë “Raciviri”…
Rreckani!”
“Po ç’m’i fshini hashuret me ditë sodit, he kuku medet”, mendoi djaloshi sy vogël e hundëkurriz dhe prej gojës së madhe i rrodhën fjalët drithëritëse.” (“Gjarp.”16)
Siç mund të shihet nga ky tekst i shkurtër, i nxjerrë nga romani i lartpërmendur, dialogu që zhvillohet e përdallon qartë e mirë stilin e narracionit të shkrimtarit dhe, sidomos, shprehësinë e veçantinë e gjuhës popullore, mbi të cilin ndërtohet ky ligjërim. Shrehësia në këtë dialog është arritur me leksemat e frazeologjitë e ngjyrosuara fuqishëm stilistikisht: shahpërpjet, herrneck ckonlan, nuklan, pantravel, rreckan; fjalët Demush e vetë kurrkush, fshini hashuret.
Dialogu ndërtohet ngjashëm me atë të thjeshtligjërimit popullor edhe me format mbizotëruese foljore siç janë e kryera e thjeshtë, e tashmja historike, habitorja etj., të cilat konsiderohen forma tipike për këtë ligjërim. Sidomos denduria e përdorimit të habitores (“Ky koka (qenka) ai farë “Raciviri”… “) jo vetëm në ligjërimin e rrëfimtarit, po sidomos në dialogët e monologët e personazheve të shumtë, i jep tekstit letrar frymën e idiomës gege të Kosovës ashtu sikur edhe ndjenja e ritmit në ndërtimin intonativo-sintaksor që i jep prozës së tij vlerë të veçantë stilistike. Megjithatë, gjedhja ligjërimore e kësaj proze nuk zbulon vetëm idiomën thjesht dialektore, por më shumë gjallërinë, pasurinë dhe larminë e ligjërimit të folur shqip. Së këndejmi mund të thuhet se lidhja dhe harmonia e ligjërimit të narratorit me ligjërimin e personazhit, ngjyresa e fuqishme dialektore e këtij të dytit si shtresë shprehëse dhe stilistike edhe e sintaksës, e frazeologjisë dhe e figuracionit popullor, që shquan edhe ritmin e brendshëm të kësaj proze, janë veçoritë kryesore që e përcaktojnë dhe e përafrojnë nga ana tipologjike ligjërimin e shkrimtarit tonë me ligjërimin e shumicës së prozatorëve tanë të njohur në Kosovë, por me dallimin se proza e Adem Demaçit shpreh natyrshmërinë dhe gjallërinë më origjinale të ligjërimit shqip të Kosovës. Duhet të thuhet, ndërkaq, se ky ligjërim edhe pse mbart veçoritë e ligjërimit popullor të arealit të tij gjuhësor, ai i kapërcen kufijtë e ngushtë krahinorë e gjeografikë.
Duhet të thuhet se në prozën artistike të Adem Demaçit zbulohet qartë jo vetë njohja e mirë e gjuhës popullore nga ana e autorit, por shquan edhe këmbëngulja që të shfaqet sa më besnikërisht kjo gjuhë, të zbulohen sa më gjerësisht mundësitë e mjetet e saj leksikore, në përgjithësi krijuese dhe përpjekja të ripërtërihet, sidomos, fuqia e saj shprehëse, e cila më së miri e më së dukshmi dëshmohet në dialogët e shumtë të romanit “Gjarpinjtë e gjakut”.
Siç dihet tipi i ligjërimit popullor paraqitet si një prirje e theksuar e pjesës më të madhe të krijimtarisë artistike jo vetëm në gjysmën e parë të shekullit 20, prandaj ligjërimi i “Gjarpinjve të gjakut” është diçka e pritshme dhe më se normale për prozatorin e ri kosovar asokohe,në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar.
Para lexuesit të kujdesshëm të veprës së Adem Demaçit, dalin edhe veçori të tjera tipike ose veprime plotësisht vetjake, që e bëjnë gjuhën e stilin e tij të përdalluar sidomos në rrafshin sintaksor. Ato janë: larmia e madhe e formave dhe e kohëve foljore, sidomos e mënyrave të pashtjelluara foljore, mbizotërimi i fjalive emërore, sintaksa me fjali të tipit proverbial, mënyra ndërtimi, mënyra të lidhjes së fjalëve, të cilat janë kthyer në burim shprehësie të lartë. Ndër format foljore me dendurinë më të madhe që ndeshen në ligjërimin e tij janë e kryera e thjeshtë dhe e pakryera:
“Pas këtyre fjalëve Mustafa kryeshtruar, zbathur dhe i kërleshur si cjapi ndër dhi, si plumb i gjallë, depërtoi murin e njerëzve dhe hyri në mes, te kufomat.” (“Gjarp.”.125)
“Nata villte ethe. Mustafa fliste troç e mroç, mbarë e mbrapshtë! Herë fliste me orëprerët, herë me njerëzit, herë me hënën, herë me yjtë. Fliste, vajtonte e qante. Njerëzit sygapërruar, të pafuqishëm të bënin diçka vetëm lënureshin në gërhanat e rrëqethjeve, vetëm pinin vrer ethesh … “(“Gjarp.”127)
Ngjeshja semantike e fjalisë dhe ngjeshja semantike e lidhjeve sintaksore, siç shihet nga dy shembujt e dhënë, pastaj përdorimi i strukturave sinonimike si dhe mënyra e shpërndarjes së sintagmave brenda fjalisë, e bëjnë ligjërimi artistik të Adem Demaçit të përjetohet në mënyrë të veçantë. Këtë përjetim e bën më të fuqishëm përdorimi i krahasimit dhe i metaforës gjuhësore. Krahasimet e tij nuk janë vetëm kuptime të figurshme po edhe kuptime plotësuese e ngjyrime kuptimore. Ato në të vërtetë paraqesin kuptime të reja me simbolikë të veçantë:
“Bucina buzë Përroit të thatë, në Koliq, është bërë pothuajse tokllinë e rjepcuar nga bari, duket si lëkura e lopës së zhgjebosur.
Këto gjethe që më shumë u ngjajnë do duarve të ligshta të një foshnjeje të dergjur lëvizin kah dielli duke thënë: O, baba diell ! Veç një shi na duhet që të ngihemi me ujë, veç edhe një e pastaj syri yt përvëlues saç i kuq t’u bëftë.” (“Gjarp.” 6).
Më tej duhet të thuhet se ligjërimi i prozës së Adem Demaçit në rrafshin leksikor e semantik-stilistik karakterizohet me fusha të pasura tematike leksikore, nga të cilat shquajnë leksiku fshatarak gjeografik, i bimësisë, i shtazërisë, etj., përmes leksemave si këto: lajthishtë, kallamishte, bucinë, çufrrak, çufrrajë, imshtajë, gargulleshë, norkë, etj., pastaj leksiku etnografik përmes leksemave që sot dëgjohen rrallë, për të mos thënë fare dhe njihen edhe më pak nga rrethi i lexuesve të rinj si: kmishë konopçe, opingë bugarishte, opingë me përkresa, shokë lahuri, kuti fakfoni, xhurdi, allti karadakçe, gur i brincës, lojë pitpidak, etj.
Një pasurim shquhet te leksiku që karakterizohet me ngjyresa keqësuese përmes njësive leksikore si këto: shtihan, rrapaçuk, pallangoz, pallazuz, hundëkorriz, përçudajkë, pandlan, bykmadh, përqyrran, shterran, etj., të cilat në gjithë veprën e tij janë në numër të madh.
Me interes i çmojmë edhe formimet ndajshtesore tipike të të folmeve të Kosovës si këta emra (disa nga këta përdoren edhe si mbiemra): dajok, bablok, musteqok, hollak, rrafshak, verdhak, baluk, pinxhuk, ckonlan, nuklan, rreckan, shterran, vokan, gurec, rrotel, panravel, harrneck, shahpërpjet, patalog, kostrovë, gapërr, karathi, gjeratore, etj.; pastaj foljet: vekrroj, stupcoj, grepacoj, akulloj, kokrroj (për godas me armë), thimthoj, kërkëlloj, sumuroj, ngarroj, zgrapcoj, qepoj, kaçumit, katrrith, trumhas, gëzhas, etj.; mbiemrat: i ngrafitur, i përshqyer, e djegësishme, i zdërvajur, etj.; ndajfoljet si këto: krenarisht, dashurisht, kalamendshëm, mllefshëm, mëdyshas, tullug, përskithi, thartas, thershëm, ngërdhucshëm, pickueshëm, rrëmoqe-rrëmoqe, tërhoz, kalastrej, etj.; tingullimitimet: ngicatje, zhëzhamë, zhapëllimë etj., deri edhe frazeologjitë e këtyre tipave: i vjen ujt në jaz, ia hangrën kok-rrat e fundit, hy në bri të dhisë, i vjen gjaku n’sy, ia prej shkurt drutë (dikujt), fshij hashuret (dikujt), u bënë lakën mes vete, u bënë kaçavej, bëj veshtë turjelë, i knon qyqja mbi vorr, etj.
Një veçori të ligjërimit të Adem Demaçit e konsideroj përdorimin shumë të dendur të përshkrimeve, në të vërtetë paraqitjen me denduri të madhe të strukturave me cilësorë si në shembujt në vijim: “… përbri vetes pa një burrë rrapaçuk, mustaqethinjur dhe sypicërrak.” (“Gjarp.” 27), ose: “Kur në grykë të bucinës duket Ymeri, djalosh faqebaxhurrë, symadh dhe hu-ndëthyer, fyelli ndalet …” (“Gjarp.”
Loja me fjalët, e ngjashme me lojërat popullore, është veçori tjetër në rrafshin e leksikut dhe të përdorimit të tij të figurshëm si në shembullin në vijim: ohçe moj ohçe/ këmishën konopçe; tlinat e linit/bishtin e minit; plisin e leshtë/hapi djalo veshtë,etj.
Studimi i hollësishëm i ligjërimit të Adem Demaçit do të zbulonte në tërësinë e tij të gjitha veçoritë që e bëjnë atë të dallueshëm dhe të veçantë në prozën shqipe. Një studim të tillë e meriton vepra letrare e shkrimtarit të talentuar Adem Demaçi.
Të paktë janë shkrimtarët shqiptarë të cilët jo vetëm me veprën artistike, por edhe me jetën e veprimtarinë e tyre sugjerojnë, nxisin, frymëzojnë dhe kuptimësojnë jetën tonë si Adem Demaçi ose, si më me qejf e quajmë, Baca ynë i madh dhe shumë i çmuar. Ai me veprën e tij artistike nuk është vetëm shkrimtar, por është edhe veprimtar i cili nga lexuesi kërkon konfirmim dhe pjesëmarrje në vizionin e tij për botën që ofron dhe që dëshiron ta ndërtojë jo vetëm me art. Ashtu siç para figurës së tij atdhetare e intelektuale nuk mund të mbetet askush indiferent, në të vërtetë nuk mund të mos mrekullohet, ashtu nuk mund të mbetet indiferent as para veprës së tij artistike. Adem Demaçi, si me veprën jetësore, si me veprën artistike na e thotë troç atë që e ndien e jo atë që duam të dëgjojmë, prandaj ligjërimi i tij artistik përjetohet fuqishëm dhe paharrueshëm.
U botua në librin tim “Gjuha – teksti dhe konteksti”, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2014, f.263.