Kulturë\Letërsi

Shefkije Islamaj: GJUHA STANDARDE SHQIPE DHE ARDHMJA E SAJ

Njē kumtesë me shumë interes e gjuhëtares së njohur, prof. Shefkije Islamaj, për historinë, të tashmen e të ardhmen e standardit tē shqipes, për rëndësinë e tij si një prej vlerave më të mëdha kombëtare që kemi, për zotërimin e tē cilit duhet treguar kujdes shumë më i madh jo vetëm nga gjuhëtarët, por edhe nga institucionet shtetërore, arsimore, kulturore, mediatike dhe gjithë përdoruesit. (Mila Buxheli)

GJUHA STANDARDE SHQIPE DHE ARDHMJA E SAJ
Çdo gjuhë standarde ka historinë e saj, të tashmen e saj, por ka edhe të ardhmen e saj
Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe është i shënuar me një histori të gjatë përpjekjesh, vështirësish, pengesash e veprimtarish të shumta e sakrifikuese të atdhetarëve, veprimtarëve e zelltarëve tanë gjuhësorë, letrarë e kulturorë edhe përmes një procesi të gjatë standardizues që u intensifikua sidomos në gjysmë e dytë të shekullit 19-të në kohën e Rilindjes Kombëtare për të vazhduar përgjatë shekullit 20 deri në vitin 1972 kur përfundimisht u ligjësua në pikëpamje shoqërore, politike, kulturore por në rend të parë shkencore Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe dhe i gjuhës së përbashkët letrare që po mbush 5 dhjetëvjetëshat e vet pikërisht këto ditë kur po mbahen edhe aktivitete të shumta shënuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup e më gjerë. Jo vetëm në historinë tonë kulturore, por edhe në historitë kulturore të Ballkanit e përtej tij, proceset standardizuese gjuhësore, më herët ose më vonë ose shumë më vonë, gjithmonë janë nxitur nga idetë e ndërgjegjes kombëtare dhe nga ndjenjat e përkatësisë kombëtare. Dhe këto ide janë bërë forcë lëvizëse në historinë e një populli siç janë bërë edhe në historinë e popullit shqiptar.
Duke pasur parasysh historinë e gjuhës letrare shqipe, duke e njohur kontekstin e saj historik e politik e duke i ditur rrugën e ecejaket e saj në këtë histori si edhe proceset e saj standardizuese që sollën krijimin e saj, nuk mund të mos themi se kjo histori, ky rrugëtim, këto procese nuk kanë ecur lehtë e pa vështirësi llojesh të ndryshme, përkundrazi. Krijimi i një gjuhe letrare, procesi i normimit dhe i standardizimit të saj gjithmonë, pra gjithmonë, bart, pos përmasës kryesore gjuhësore e shkencore, edhe përmasat si këto: ideologjike, politike dhe simbolike që ndërlidhen ngushtë mes vete dhe shoqërohen me kritikën gjuhësore dhe me mendimin për gjuhën. Kështu është krijuar dinamizmi tipik i të arsyetuarit të hapur mbi gjuhën dhe mbi bazën mbi të cilën është ndërtuar ajo dhe rrjedhimisht edhe mbi bazën e drejtshkrimit të saj. Në këtë mënyrë u krijua një marrëdhënie e ndërsjellë midis përpjekjeve për standardizimin e gjuhës dhe ndryshimeve shoqërore e politike, sepse është e kuptueshme pse standardizimi i gjuhës shqipe është gjithmonë i lidhur edhe me botëkuptimin mbi gjuhën si simbol identiteti, i identitetit tonë kombëtar e jo vetëm si mjet a instrument i marrëveshjes mes nesh, që natyrisht është përbërësi themelor i saj. Kritika shkencore, prandaj, duhet të jetë më objektive, më reale e më paanshme dhe të marrë parasysh shumë faktorë, faktorët historikë, politikë, shoqërorë, kulturorë dhe jo vetëm ata gjuhësorë, që kanë ndikuar në jetën tonë kombëtare dhe në krijimin standardit tonë gjuhësor, që do të thotë se duhet të marrë parasysh të shkuarën, të sotmen e sidomos të ardhmen e saj, të gjuhës standarde, por jo vetëm – duhet të marrë parasysh edhe të ardhmen e vetë kombit. Përthyerjet historike të shumë kombeve, siç po dëshmohet edhe sot, nuk kanë përfunduar, ato po përsëriten e përsëriten, prandaj kohezioni brendakombëtar vazhdon të mbetet fjalë kyçe në jetën tonë kombëtare. Sot për sot dhe kushedi sa kohë. Ne nuk jemi as francezë, as gjermanë, as anglezë dhe jeta jonë, historia jonë nuk shëmbëllejnë me të tyret. E as gjuha e historia e saj. Dhe arsyet dihen. Dhe referimi me to nuk na ndihmon shpesh.
Gjuha standarde shqipe vazhdon edhe sot të mbetet identifikuese dhe ruajtëse e identitetit shqiptar. Ndërkaq kritika negative ndaj gjuhës standarde dhe normës së saj shpesh jep përfytyrimin e dëshirës për një eksperiment ose eksperimentim pa farë strategjie a projektimi rrjedhojat largvajtëse të të cilit mund të parakuptohen e të mendohen.
Një gjuhë standarde për të qenë e aftë të përmbushë funksionet e saj, funksionet e synuara me normimin e saj, e kjo do të thotë që të bëhet një mjet i përbashkët dhe i vlefshëm komunikimi, për një komunitet më të gjerë shoqëror, që ka një ndjenjë të zhvilluar përkatësie, që ka një identitet të përbashkët, që ka një ndjenjë të përbashkët ndjeshmërie gjuhësore, një mjet që mund të veprojë e të aktualizohet me sukses në shumë fusha të jetës së tij duhet të ketë një pranim të gjerë. Gjuha standarde shqipe këtu e 50 vjet e ka këtë pranim. Kundërshtimi i saj i përket një grupi individësh që shfrytëzon të drejtën e tij legjitime për t’u mos pajtuar me qëndrime a vendime të caktuara në rrethanat e sotme demokratike të shoqërisë shqiptare. Dhe është e drejtë e tij siç është e drejtë edhe e shumicës të ngulmojë në vlefshmërinë e standardit dhe sidomos, pra sidomos në të drejtën e patjetërsueshme që shqiptarët kudo që janë të kenë një gjuhë të përbashkët, një gjuhë standarde të ligjësuar, të vlerësuar e të dëshmuar se ajo ka kryer e po i kryen të gjitha funksionet e një gjuhe standarde, të një gjuhe të pasur, moderne, të epshme për t’u modifikuar e për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja e të përshpejtuara shoqërore, ekonomike, teknologjike, shkencore, kulturore e të tjera.
Përcaktimi, krijimi dhe përdorimi i drejtë i një gjuhe standarde parakupton gatishmërinë e pjesëtarëve të një bashkësisë të gjerë etnike, shoqërore, që e pranon simbolikisht dhe objektivisht gjuhën standarde si sistem të përbashkët gjuhësor dhe që rrjedhimisht tregon gatishmëri edhe për ta mësuar dhe zbatuar në situatat komunikuese të përcaktuara me normën e saj. Në gjithë hapësirën e saj në fushat e përcaktuara të përdorimit të saj zbatohet norma e gjuhës standarde me sukses, me më pak kujdes ose me shkujdesje. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme për rrethanat dhe kontekstin tonë historik, shoqëror, politik, arsimor e kulturor. Cili është niveli i përvetësimit dhe i zbatimit të kësaj norme në këto 50 vjet është një çështje tjetër që do diskutim të gjerë dhe që do mobilizimin e të gjitha institucioneve të rëndësishme e përgjegjëse. Çdo normë gjuhësore duhet të mësohet, askush nuk lind me gjuhën standarde.
Se zotërimi i plotë i normës gjuhësore nga të gjitha shtresat e parapara të folësve dhe të shkruesve do të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të lehtë, pa pasur parasysh as rrethanat tona historike, politike, shoqërore të shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete dhe pa komunikime e kontakte mes vete gjatë, si dhe faktorë të tjerë të shumtë ndikues e përdallues në këto pesëdhjetë vjet tona historie aspak të lehtë në gjithë hapësirën tonë të përbashkët gjuhësore, ka qenë dhe mbetet ide dhe parashikim utopist. Prandaj zotërimi a përvetësimi dhe zbatimi i normë gjuhësore të shqipes standarde ka marrë kohë e do të marrë kohë edhe më tej për arsyet që u theksuan dhe për të tjera që nuk u theksuan. Por, shtrohet pyetja kush e di e kush mund ta thotë saktë e me siguri se ç’ kohë u janë dashur popujve të tjerë të zhvilluar dhe dukshëm më të zhvilluar se ne, ose më të pazhvilluar, për ta zotëruar standardin e tyre?
Gjuha standarde shqipe ka tashmë historinë e saj, po e jeton të tashmen e saj dhe po ndërton të ardhmen e saj dhe kjo e ardhme është shumë e besueshme:
– sepse arritjet 50 vjeçare gjuhësore e shkencore, arritjet në fushën e pranimit, të përvetësimit e të zbatimit të gjuhës standarde e të normës së saj të kodifikuar në këtë Kongres na lejojnë të themi se gjuha standarde shqipe përmbush të gjitha kriteret që janë përcaktuar nga studiuesit e krijimit të gjuhëve standarde: funksionin përbashkues – gjuha standarde shqipe bashkon të gjithë shqiptarët e të dyja dialekteve; funksionin veçues – gjuha standarde shqipe përfaqëson identitet të veçantë, simbol që identifikon bashkësinë shqipfolëse, shqiptarët, në raport me bashkësitë gjuhësore joshqipe; funksionin simbolik – gjuha standarde për shqiptarët është simbol i identitetit kombëtar; funksionin e autoritetit – gjuha standarde, pasojisht zotërimi dhe zbatimi i saj, si për shqiptarin si subjekt shoqëror, ashtu edhe për shqiptarët si bashkësi etnike, do të thotë autoritet; funksionin qytetërues – me stadardizimin e gjuhës shqiptarët janë bërë komb modern; funksionin komunikues dhe kulturor – gjuha standarde shqipe kultivon dhe zhvillon shprehjen gjuhësore dhe kulturën gjuhësore në përgjithësi përmes sistemit arsimor, administratës, medies, letërsisë, etj.; funksionin shoqëror-politik – gjuha standarde i siguron gjuhës shqipe statusin e gjuhës kombëtare, zyrtare dhe shtetërore por, për një status të tillë të gjuhës standarde është me rëndësi të madhe qëndrimi ynë ndaj saj, vetëdija jonë për rëndësinë e saj dhe qëndrimi ynë ndjenjor ndaj saj, të cilat ia sigurojnë asaj jo vetëm statusin shoqëror–kulturor por edhe statusin shoqëror-psikologjik. Gjuha standarde shqipe i përmbush mirë këto funksione, prandaj ajo ka të ardhmen e saj.
-sepse gjuha standarde shqipe ka edhe treguesit e tjerë të rëndësishëm shoqërorë: historinë, që shprehet përmes vetëdijes për bashkëkzistencën dhe vazhdimësinë e pashkëputshme të dialekteve të saj, të gegërishtes e të toskërishtes, përmes vlerave të përbashkëta kulturore që shprehin këto dy idioma të shtresëzuara e të mbrujtura në gjuhën standarde; gjallësinë – gjuha shqipe është standardizuar në një moment të historisë së saj, por ajo po tregon qëndrueshmëri dhe hapje ndaj ndryshimeve që ka sjellë e po sjell koha, që po sjell zhvillimi i shqiptarëve në gjithë hapësirën e tyre dhe që po sjellin zhvillimet në përgjithësi në gjithë botën; dhe përshtrirjen – gjuha shqipe është standardizuar dhe pranuar nga gjithë shqiptarët kudo janë, pra, edhe nga gegëfolësit. Këta tregues janë përgjigjja më e mirë që i bëhët kritikës negative por janë edhe tregues projektues të së ardhmes së saj.
-sepse gjuha standarde ka kaluar tashmë disa dhjetëvjetësha dhe gjatë kësaj kohe ajo është studiuar gjerësisht si në rrafshin teorik ashtu edhe në rrafshin praktik. Mund të thuhet, prandaj se gjuha standarde shqipe sipas teorisë bazë për krijimin e gjuhëve standarde përmbush të gjithë treguesit që përbëjnë një gjuhë standarde: qëndrueshmërinë elastike të standardit të saj, si tendosje dinamike midis kodifikimit dhe normës reale, që do të thotë se ajo është stabilizuar me kodifikim përkatës, kurse norma e saj e përcaktuar me këtë kodifikim ka treguar elasticitetin e duhur për t’iu përshtatur ndryshimeve e zhvillimeve të kohës dhe të folësve të saj për të cilët u krijua, pra për shqiptarët kudo qofshin ata. Kjo dëshmon se ajo do të ketë të ardhmen e saj.
-sepse çdo kthim prapa do të thotë mohim i gjithë asaj pune të gjatë, të madhe dhe të kuptimshme të zelltarëve e të lëvruesve të shqipes pothuajse dyshekujsh, do të thotë mohim i pesë dhjetëvjetëshave jete të standardit të shqipes të realizuar e të dëshmuar në të gjitha funksionet e tij në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë mohim i aftësisë së shqiptarëve për të bërë një gjuhe letrare të përbashkët në shkallë kombëtare, do të thotë mohim i aftësisë për të pasur vetëdije se u duhet një gjuhë e përbashkët standarde, do të thotë mohim i aftësisë për të vlerësuar rëndësinë e të qenët bashkë nga pikëpamja gjuhësore, do të thotë mohim i aftësisë për t’u rreshtuar me të gjithë ata popuj, afër e larg gjeografisë shqiptare, që kanë zgjidhur historikisht, politikisht dhe kulturalisht çështjen e gjuhës së përbashkët gjuhësore me kohë, do të thotë në të vërtetë mohim i së vërtetës së madhe se shqiptarët kanë pasur e kanë vetëdije, aftësi e gatishmëri të kenë një gjuhë të përbashkët standarde, ta zhvillojnë gjuhën e tyre standarde dhe të mblidhen rreth një gjuhe të përbashkët standarde siç janë mbledhur rreth një flamuri e rreth një kombi. Edhe për këtë arsye gjuha standarde ka të ardhmen e vet.
-sepse gjuha standarde është edhe gjuhë politike: po cila gjuhë standarde nuk është gjuhë politike përderisa krijimi i gjuhës standarde është pjesë e politikës gjuhësore të çdo shteti e të çdo shoqërie, sepse ajo është pjesë e politikës së përgjithshme kulturore, arsimore, kombëtare, është pjesë e politikës së jashtme dhe e politikës së brendshme që ndjek një shtet. Prandaj gjuha standarde ka të ardhmen e saj!
-sepse historia jonë kulturore dhe kombëtare ka dëshmuar prirjen e fuqishme përafruese e përbashkuese që ka karakterizuar proceset standardizuese në historinë e gjuhës shqipe dhe në historinë e shqiptarëve dhe faktet për këtë prirje janë shumë kokëforta sepse janë nxitur jo vetëm nga arsyet gjuhësore e kulturore, por edhe nga arsyet shoqërore, politike, ekonomike. E kjo i siguron gjuhës standarde shqipe të ardhmen e saj.
Dhe si përfundim:
Gjuha standarde shqipe sot me veçoritë e funksionet e një varianti standard të krijuar gjatë procesit të gjatë standardizues paraqet gjuhë të pranueshme dhe të autoritetshme për të gjithë shqiptarët kudo janë, ndërsa vëmendja e atyre që merren me planifikimin gjuhësor në gjithë hapësirën gjuhësore shqiptare, e atyre që studiojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën standarde shqipe, duhet të drejtohet rreth kujdesit të munguar ndaj saj, kujdesit të munguar institucional, pra kujdesit shtetëror e shoqëror. Jo vetëm institucionet shkencore që merren me planifikimin gjuhësor, jo vetëm gjuhëtarët që studiojnë gjuhën, po edhe lëvruesit e gjuhës – shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, gazetarët dhe të gjithë përdoruesit e saj duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e madhe që ka përdorimi i drejtë i gjuhës standarde dhe i gjuhës në përgjithësi, i njërës prej vlerave më të mëdha kombëtare që kemi.
Gjuha standarde ka të ardhmen e saj sepse këtë të ardhme do ta ndërtojmë bashkërisht siç kemi krijuar historinë e saj bashkërisht e siç po e jetojmë të tashmen bashkë.
Gëzuar Përvjetorin gjysmëshekulli të gjuhës standarde!
Kumtesë (version i shkurtuar), lexuar në Konferencën shkencore “Një komb – një gjuhë”, kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, mbajtur në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 23.11.2022.