TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka cilësuar Samitin e sotëm në Tiranë, një hap të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një shenjë shprese.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Scholz thekson se, është mirë që ky takim i rëndësishëm u organizua për herë të parë në vetë rajonin, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Ky sinjal buron nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mora pjesë sot së bashku me homologët e mi nga vendet e tjera anëtare të BE-së”, tha ai.
Ai u shpreh se, pothuajse 20 vjet më parë, BE i tregoi Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit. Por ne nuk kemi arritur aq larg sa mendonim në atë kohë. Prandaj është e rëndësishme që ky proces i anëtarësimit të fitojë tani një shtysë të re.
Ai theksoi se, presim që vendet e anëtarësimit të përafrohen me politikën e sanksioneve të BE ndaj Rusisë.
“Sigurisht, si BE, ne kemi pritshmëri të qarta edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Për shembull, ne presim që vendet e anëtarësimit të përafrohen me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. E kam thënë shumë qartë në Tiranë”, tha Scholz.
Ai tha se, samiti i sotëm ishte një angazhim për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një shenjë shprese.