Kulturë\Letërsi

Sarë Gjergji: Një libër sintezë jo vetëm për Lagjen e “HALIMËVE”

Promovim: “NJË LIBËR SINTEZË JO VETËM PËR LAGJEN E HALIMËVE”
Fehmi Ajvazi ( në bashkëpunim me Sokol Godenin dhe Bekim Halimin):
LAGJA E “HALIMVE” TË SELISHTËS,
Lena Graphic, Prishtinë, 2023.
   Rruga për lirinë e vendit tonë, është një rrugë e gjatë, e vështirë, e njomur dhe larë me gjakun e brezave të shumtë. Populli ynë, për të mbijetuar e për të mbërri këtu ku jemi sot, u ndesh në luftë të ashpër e të pandërprerë edhe me politikën, presionin, propagandën dhe demagogjinë e pushtuesve të ndryshëm përgjatë historisë. Në këtë rrugëtim, gjithsesi, të lavdishëm, patriotët shqiptarë nuk ushqyen asnjëherë iluzionin se çështja e çlirimit të atdheut mund të zgjidhej nga të tjerët, por vetëm me angazhimin tonë deri në vetëflijim. Në dritën e këtij rrugëtimi të përgjakshëm në periudha e kohë të ndryshme duhet parë edhe lënda, të cilën autori Fehmi Ajvazi e ka trajtuar në librin LAGJA E “HALIMVE” TË SELISHTËS, i cilësuar me të drejtë libër historik, dokumentar dhe monografik.
Duke u thelluar në leximin dhe shqyrtimin e tekstit në fjalë, kuptojmë dhe bindemi se, siç thotë edhe vetë autori Ajvazi, “Kjo monografi në formë historike dhe dokumentare nuk është fare e thjeshtë, sipërfaqësore, as vetëm një tekst përshkrues provizorë që i kushtohet një lagjeje, një fshati etj. Është më shumë se kaq, sidomos kur e mësojmë faktin se lagjja e Halimve të Selishtës, është pjesë e fshatit Sefer – prejardhja dhe autoriteti i të cilit, s’i rrjedhojë e angazhimit dhe e sakrificës brez pas brezi të banorëve të këtij fshati për liri dhe të drejta, është dëshmi e madhe e historisë sonë kombëtare shekuj me radhë.”
Libri hapet me arsyetimin për nevojën e përgatitjes dhe botimit të librit, për të vazhduar me një lëndë që kap shekuj e hapësira që sot, për fatin tonë të keq, u takojnë disa shteteve aspak miqësore me ne, deri në këto momente kur po flasim këtu.
Problematika që shtrohet në libër – lënda që merret në shqyrtim, kundrohet nga rrafshe, anë e aspekte të ndryshme. Kjo dhe dikton autorin që punën e vet hulumtuese, përqasjen dhe interpretimin e të dhënave e fakteve, ta ndajë dhe sistemojë në 12 kapituj. Kjo ndarje, përveç se si nevojë procedimi dhe metodologjie të punës shkencore, ia mundëson lexuesit që më lehtë t’i qaset pjesës, tekstit ose një çështjeje që nxit më tepër kureshtjen e tij. Duhet thënë, gjithashtu, se kapitujt janë të ndërlidhur ndërmjet vete dhe e pasojnë njëri – tjetrin, duke e plotësuar mozaikun deri në pjesën më të imtë, duke na dhënë kështu, me një kulturë të lartë shkrimi dhe me një kompetencë shkencore, tablonë e vërtetë dhe të plotë të lagjes së urtë të Halimëve në sfondin historik të angazhimeve, ngjarjeve, luftërave e çka jo tjetër të popullit tonë.
Autori, duke hulumtuar e dhënë prejardhjen e lagjes së Halimëve, prek tema e ngjarje të rëndësishme historike, më pak ose fare pak, nëse jo edhe të pa trajtuara më parë. Ato që dikur i konsideronim vetëm rrëfime gojore, që arritën brez pas brezi tek ne, me punën e mirë dhe qasjen argumentuese e shkencore që hasim në këtë libër të Fehmi Ajvazit, studiues, jo vetëm të fushës së historisë, në të ardhmen do t’i vlerësojnë si të vërteta historike, gjë që këtë libër e bën edhe më të rëndësishëm. Piroti, një qytet dikur shqiptar, do të imponohet për studiues, si një fakt i trishtë historik dhe një shembull emblematik terrori e dhune ndaj shqiptarëve në një periudhë të caktuar historike, në sfondin e së cilës qëndron stoikisht edhe lagjja e Halimve të Selishtës e lidhur edhe me jetën dhe të bëmat e tribunit Idriz Seferi. Halimët, siç dëshmon autori, i ndihmuar nga fakte historike, jo vetëm të historiografisë shqiptare, por edhe nga dy personazhe të tjera, këtu mes nesh, Sokol Godenit e Bekim Halimit.
Autori, Ajvazi, me një zhdërvjelltësi dhe elekuencë shkrimi e me një akribi shkencore, e hulumton dhe e skanon mrekullueshëm lagjen e Halimve në kohë, rrethana e kontekste të ndryshme politike, sociale, ekonomike, kulturore, dhe të njëjtën e shpërfaq para nesh dhe e përcjell tek brezat e ardhshëm dramën e saj me gjithë përvujtërinë, përkushtimin dhe flijimin e pashoq në altarin e atdheut.
Trashëgimi i emrave nga njëri brez tek tjetri i lagjes së Halimve, traditë kjo tipike shqiptare, sikur e dëshmon tabanin e vazhdueshëm kombëtar të kësaj lagjeje. “Dardha pikë nën dardhë”, thotë një fjalë e urtë popullore.
Jo vetëm Seferët. Selishta me shtatë lagjet e saj, njerëz të urtë e të përkushtuar për çështjen kombëtare deri në luftën e fundit (heronj, martir, dëshmorë, të burgosur politik), marshojnë ballëhapur në këtë libër. Një faqe tjetër, gjithsesi e dhimbshme e historisë tonë, e shpërfaqur në këtë libër, është edhe dëbimi i shqiptarëve për në Turqi dhe kolonizimi i trojeve tona. Pavarësisht kalvarit të vazhdueshëm nëpër të cilin kaloi lagjja e Halimve, ata jo vetëm mbijetuan, por u bënë edhe pararojë e lirisë së atdheut.
Këtë sikur e përligj edhe toponimia krejtësisht shqipe kudo shkelën e jetuan Halimt.
Kurorë e këtij kalvari, i këtij rrugëtimi nëpër kohë të ndryshme, në ditët e sotme, nuk janë vetëm aktorët dhe personalitetit historike në fushë të mejdanit – përballë armikut, por edhe të politikës, të kulturës, të artit, të shkencës e të dijes.
Ulk Burimi, themeluesi i lagjes, Jetullahu, Halimi e shumë halimë të tjerë (siç i hasim edhe Librat amë të të pagëzuarve në Stubëll) na vijnë madhërishëm para nesh. Është kënaqësi tek lexon për pasardhësit e atyre halimëve, pra për halimët e sotëm, tek i sheh shumë human dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme të dijes e të biznesit. Hë për hë, autori Ajvazi tregohet shumë i kujdesshëm tek sjell edhe emra të përveçëm para nesh, si Shkëlzenin e Avniun, të njohur jo vetëm në rrafshin kombëtar, Skënderin, Fehmiun, Halimin, Fatmirin, Idrizin, Hamzën e shumë të tjerë.
Zhegër, 11.08. 2024