Lëvizja\UÇK

Rudina Zeqiri: Heroi i Qëndresës Shqiptare – RAFI HALILI – kushtrim brezash

(Kumtesë e mbajtur në Akademinë për Rafi Halilin në Universitetin e Tetovës)

E dashur zonja e Rafi Halilit, Mahije! Të dashur familjarë të Rafiut: motra Hyreme, bijat Rina e Shqipërikuqja dhe i biri Shqipodëshmori! I nderuar rektor i Universitetit të Tetovës, prof.dr. Reshat Qahili! I nderuar prorektor për arsim, prof.dr. Vullnet Ameti! Bashkëveprimtarë dhe miq të Rafi Halilit! Profesorë dhe studentë të Universitetit të Tetovës! Zonja dhe zotërinj!

Hyrje

Muaj janar ndër vite ka qenë dhe mbeti gjatë ogurzi e tragjik në historinë e popullit tonë, që nga vdekja e Gjergj Kastriotit e këtej. Janari i vitit 2022, pas shumë bashkëveprimtarëve të tij, na e mori edhe korifeun e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Rafi Halilin, i cili pas një sëmundje të rëndë dhe vuajtjeve jetësore në shërbim të lirisë, u nda nga jeta qetësisht në familjen e tij në mëngjesin e 28-të të muajit që sapo lamë.

Shënime biografike

I lindur në Gajre të Tetovës më 12 tetor 1950, shkollimin fillor Rafi Halili e mbaroi në vendlindje dhe në Tetovë, ku vazhdoi edhe shkollimin e mesëm. Si gjimnazist i vitit të dytë, në moshën 17 vjeç, ai bashkë me shokun e tij të bankës, Gafur Lokun, tash dëshmor i kombit, vendosën flamurin kombëtar shqiptar në Tetovë, kurse pas zbulimit torturohet mizorisht nga organet policore të regjimit dhe dënohet me 20 ditë burgim. Demonstratat e vitit 1968, Rafiu i kishte kuptuar si akt historik kur shtrohej për zgjidhje çështja shqiptare nën Jugosllavi, prandaj mori pjesë aktive në to. Arrestohet sërish dhe përjashtohet nga gjimnazi. Më 1972 Rafiu regjistroi juridikun në Universitetin e Kosovës. Atje me shokët e tij formoi organizatën „Kushtrimi i Lirisë“, e cila kishte objektiv programi bashkimin kombëtar. Që nga themelimi, nën drejtimin e Rafi Halilit, ajo filloi demaskimin e politikës pushtuese e koloniale të regjimit jugosllav në trevat shqiptare të aneksuara dhunshëm prej tij. Duke pasur organizata karakter politik, por edhe ushtarak, veprimtarët e saj siguruan një sasi armësh të rrëmbyera në institucionet zyrtare. Pasi u zbulua kjo veprimtari, organet e pushtetit shtetëror (UDB), arrestuan veprimtarët, për ta dënuar udhëheqësin Rafi Halili me shtatë vjet burg të rëndë. Pas lirimit nga burgu, Rafiu vazhdon veprimtarinë çlirimtare, por në konspiracion të thellë, larg familjes. Organet policore bien në gjurmë të tij dhe e rrethojnë më 6 qershor 1982. Në rezistencën me armën që ia kishte dhuruar bashkëveprimtari i tij, Rexhep Malaj, Rafiu plagoset rëndë nga forcat e armatosura deri në dhëmbë dhe dërgohet para gjyqit për t’u dënuar me 20 vjet të tjera burgim. Dhjetë vjet më vonë, bashkatdhetarët e tij organizojnë protestë masive kundër mbajtjes në burg të Rafiut, me ç’rast lirohet nga burgu, por mbahet nën survejim të rreptë policor. Më 2001, në moshë dhe me shëndet të rrënuar, Rafi Halili u bashkëngjitet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Veprimtaria

Në orët e rënda të historisë së robërisë të shqiptarëve, Rafiu iu përgjigj kushtrimit, duke bërë betimin solemn para popullit të tij për të luftuar me gjithë shpirtin kryengritës dhe tërë qenien e tij për lirinë e mohuar, të përdhosur e të dhunuar gjatë nga hordhi pushtuese që shkelën trojet shqiptare. Rafi Halili e filloi që në moshën adoleshente veprimtarinë atdhetare. Shkolla e parë e edukimit të tij patriotik ishin personalitetet Bajram Veliu, një i afërm familjar dhe profesori i tij, Beqir Berisha. “Kur qëndrimet politike që merr në gjirin familjar, – ka thënë Rafi Halili, – përputhen me ato që i dëgjon edhe nga ndonjë prej kuadrit pedagogjik në shkollë, atëherë lirisht mund të themi se krijohet një bindje, që as topi nuk e luan. Si nxënës gjimnazist Rafiu filloi veprimtarinë në rrethana të vështira robërie të shqiptarëve në periudhën e sapo shkarkimit të satrapit Rankoviq, por të vazhdimit të rankoviqizmit pa Rankoviqin. Ndërkaq veprimtaria e tij, si student dhe themelues i organizatës çlirimtare „Kushtrimi i Lirisë“ qe shumë më e pjekur, më e organizuar, e strukturuar dhe shumëdimensionale. Në këtë kohë Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë, pas shumë goditjeve të rënda policore, po përtërihej, ristrukturohej dhe ngrihej e zgjerohej me cilësi të re dhe organizim të qëndrueshëm. Rafi Halili që atëherë merrte përvojën e këtij organizimi te ri në Kosovë, por organizata u zbulua shpejt dhe veprimtarët e saj u dënuan me shumë vite burgim. Rafi Halili me t’u kthyer nga burgu gjen një situatë të re në vend, me zgjimin e madh shqiptar, por edhe me zgjerimin e fuqizimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në të gjitha viset e pushtuara nga Jugosllavia. „Kushtrimi i Lirisë“ doli përsëri në skenën e Lëvizjes, bashkë me organin e saj të shtypit me të njëjtin emër. Vetëm gjatë vitit 1981 në Tetovë, Shkup, Kërçovë, Gostivar, Dibër e Kumanovë u shpërndanë rreth 40.000 trakte politike. Ndërkaq Buletini „Kushtrimi i Lirisë“ shpërndahej gjerësisht bashkë me gazetën „Liria“ të OMLK-së. Zëri i „Kushtrimit të Lirisë“ së Rafiut jehoi në malet e fushat e Atdheut të tij të kërrusur nga robëria, në katedrat universitare ku studionte, në dhomat e ngushta të konvikteve të studentëve shqiptarë në Prishtinë, në odat e burrave me buzë të çara, në qarqet patriotike intelektuale, fshatare, punëtore e të rinisë revolucionare, në qelitë e burgjeve – kazamate jugosllave etj.

Burgu

Pas arrestimit të vitit 1972, Rafiu dënohet dhe dërgohet në Burgun famëkeq të Idrizovës. Aty në kushte të tmerrshme torture dhe vuajtjesh ai me shokët që gjeti aty dhe me të tjerë që i sollën më vonë, vazhduan veprimtarinë revolucionare. Rafiu ka kujtuar atë kohë duke thënë: „Edhe në Burgun e Idrizovës arritëm të futnim literaturë të ndaluar, që na shërbente për ngritjen tonë intelektuale dhe aftësimin për të vazhduar luftën drejt realizimit të qëllimeve tona kombëtare. Madje, edhe aty rezistonim qoftë përmes grevave, qoftë përmes protestave të ndryshme“ Në Burgun e Idrizovës Rafiu u njoh dhe u lidh si vëllai me vëllanë, me veprimtarin e shquar, Heroin e Kosovës, Rexhep Malajn, të cilët u bënë të pandashëm në jetë. Burgimi rreth tetëmbëdhjetë vjet, nuk arriti ta topiste shpirtin luftarak dhe t’ia shterte energjitë për të qenë deri në vdekje ai Rafiu veprimtar e luftëtar parimor dhe i pamposhtur.

Figura morale

Rafi Halili ishte stoik në veprimtari, në burgje e në jetë. Të flasësh për figurën morale, luftarake e humanitare të Rafiut është një kapitull më vete i jetës së tij të bujshme. Ndjehem e privilegjuar që pata fatin ta njihja nga afër këtë personalitet të shquar e figurë markante të lirisë së kombit tonë, këtë luftëtar të paepur me karakter të fortë dhe energji të pashtershme luftarake, burrë të vendosur e të pathyeshëm, me dashurinë e flakët e të pashuar për popullin e vet, me qëndrimin krenar në çdo situatë, por edhe modestinë dhe kujdesin për të tjerët, në radhë të parë për bashkëveprimtarët e vet. Rafiu ishte bashkëshort, baba, gjysh e vëlla i përkushtuar dhe shumë i dashur. Ishte fjalëpak, por kur fliste qëllonte në shenj, fjalët i zinin vend, në log burrash e në auditorë, në libra e para mikrofonit e kamerave. Idetë e Rafiut rridhnin si ujët e Radikës, herë qetë e herë me rrëmbim përmbytës, varësisht nga situatat, nga çasti dhe motivi. Ky personalitet i përvojës së gjatë me veprimtarinë çlirimtare, me bagazh teorik dhe praktik me zemrën që rrihte për atdheun dhe lirinë e tij, do studiuar dhe njohur gjithanshmërisht, në tërë dimensionin kompleks të tij. Është për keqardhje fakti që idetë e pikëpamjet e Rafiut për jetën e luftën, për lirinë e veprimtarinë, për politikën e të ardhmen e kombit nuk janë shënuar në tërësi, prandaj i mori me vete në varr. Është bërë për të një libër nga Instituti i Historisë në Prishtinë, por edhe këtu ndonjë tjetër, kurse më 9 shkurt të vitit 2019 kam zhvilluar edhe unë një intervistë të gjatë me të, por as të gjitha bashkë nuk janë mjaftueshëm për Rafi Halilin. Jeta dhe veprimtaria e Rafiut përbëjnë lëndë me vlerë të lartë historiografike që duhet shfrytëzuar, analizuar e vlerësuar, duke e vendosur në vendin e vet në thesarin e vlerave tona kombëtare.

Përfundim

Veprimtaria çlirimtare e Rafi Halilit pati jehonë jo vetëm në Tetovën e tij, por në gjithë kombin shqiptar. Kombi ynë do ta kujtojë me pietet ndër mote luftëtarin e paepur për të drejtat legjitime të popullit të vet të shumëvuajtur, burrin vizionar dhe trim, prijës dhe veprues përgjatë një gjysmë shekulli në jetën e tij të lavdishme. Rafiu kurrë nuk bëri Pazar me idealet e tij fisnike, ai kishte parimet e tij jetësore që ia mbajtën kurrizin e papërkulur, si kolonat e betonarmesë që mbajnë ndërtime madhore. Rafiu ishte për të gjallë shkollë e edukimit patriotik të brezave shqiptarë dhe do të mbetet i tillë përjetësisht edhe nga amshimi, duke e bërë të gjallë dhe të përjetshëm, jo vetëm kujtimin për të, por edhe porositë e mesazhet e lirisë që rrezaton figura e tij. Lavdi emrit, jetës dhe veprës së Rafi Halilit!

Ju falemnderit.