Shqipëria/Aktualitet

Roti: BE të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës shqiptare

A thua sa deklarata të këtilla “mëshire” ka lexuar e dëgjuar populli shqiptar në Kosovë gjatë këtyre dy dekadave për liberalizimin e vizave?!!

Kosova shqiptare është shteti i vetëm në rajon që mbahet e izoluar dhe populli i saj në geto! Ka njëzet vite që BE – ja dhe diplomatë, qeveritarë e zyrtarë të vendeve të BE – së tallen me të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të gëzuar të drejtën e lëvizjes së lirë në shtetet e Evropës së bashkuar! Edhe një shtet si Serbia, përgjegjëse për dhunën, terrorin, vrasjet, masakrat dhe gjenocidin ndaj popujve tjerë në Iliri (sidomos ndaj popullit të pushtuar shqiptar…), ka vite që ka fituar të drejtën e lëvizjes së lirë, kurse populli shqiptar i Kosovës, viktimë e masakrave dhe gjenocidit të organizuar dhe ekzekutuar nga shteti serb, është privuar nga kjo e drejtë kaq elementare!! Me sa duket Kosova është izoluar nga BE -ja me qëllim që të zbrazet nga populli i saj shqiptar! Ikja e shqiptarëve nga Kosova, duke paguar nga 3 mijë, 4 mijë e 5 000 euro për një vizë e pohon këtë! Po të ishte liberalizuar lëvizja e lirë rinia shqiptare e Kosovës nuk do të kishte nevojë të paguante qimet e flokut për një vizë, por do të shkonte në vendin e dëshiruar, do të qëndronte aq sa lejon viza dhe do të kthehejë në vatrën e saj… Kështu shkojnë e nuk mund të kthehen! Janë të shtrënguar të ndjekin rrugë e të bëjnë “zgjidhje” vetëposhtëruese vetëm e vetëm që të mbeten aty! Si duket ky është edhe një çmim që duhet të paguajnë shqiptarët dhe Shqipëria e copëtuar… Zgjidhja e përherëshme do të ishte ribashkimi i kombit dhe i Shqipërisë në një shtet e me një FLAMUR kuqezi para se të “bashkohemi” me BE – në e me shtetet e botës. Vetëm kështu dhe vetëm atëherë do të ishim të vlerësuar e respektuar në BE e kudo në botë. (Redaksia e GL)

 

PRISHTINË, 30 mars /ATSH/ Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ishte mesazhi i qartë i ish-ministrit gjerman për Evropën, Michael Roth pas një takimi të zhvilluar me të dërguarin special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Roth insistoi se Ballkani Perëndimor i takon BE-së, duke kërkuar gjithashtu nga Brukseli hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor na takojnë dhe meritojnë më shumë se vetëm fjalë. BE-ja duhet t’i mbajë premtimet, duke nisur nga bisedimet për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e liberalizimin e vizave për Kosovën. Demokracia dhe rendi e ligji janë të rëndësishme”, ka shkruar Roth në Twitter.

Me qëndrimin e tij, u pajtua dhe Lajçak i cili e rishpërndau postimin duke shkruar “nuk mund të pajtohesha më shumë me vlerësimin tuaj”! Michael Roth kishte shërbyer në postin e ministrit shtetëror për Europën në periudhën 2014-2021, në kohën kur kancelare e Gjermanisë ishte Angela Merkel. Roth është shfaqur si mbështetës i madh i shqiptarëve dhe i rrugëtimit të rajonit drejt BE-së”.