Në një intervistë për Avvenire, Prodi thotë se paqen e bëjnë të mëdhenjtë dhe në këtë pikë, roli i SHBA-së dhe Kinës është i pazëvendësueshëm.
Mund të dukem monoton, por nuk dua të ndryshoj asnjë rrokje në atë që kam thënë që në fillim: nuk do të kishte mundësi pa një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dhe kështu është edhe sot. Ne duhet të pranojmë se mbreti është lakuriq dhe të kemi parasysh epërsinë amerikane dhe kineze në botë: paqen e bëjnë ata që janë në krye.
Paqja ka gjithmonë vlerën e saj në histori. Një nga gabimet e bëra deri tani ka qenë asociimi i kësaj fjale me një lloj pakti me djallin. Madje ka pasur një përpjekje për t’i cilësuar naivë ata që flasin për paqen. Qëllimi ynë duhet të jetë të reflektojmë se cilat janë kushtet për një paqe të mundshme, të drejtë dhe të qëndrueshme.
Ish-kreu i Komisionit Europian thotë se kontinenti i vjetër duhet t’i japë një strukturë definitive kufijve të tij. Prodi e vë theksin te vendet e Ballkanit si pjesë e Europës dhe nevoja për një reformë institucionale të Unionit.
Që nga viti 2002 kam insistuar në atë që e përcaktova si një “unazë e vendeve mike” për t’u krijuar me të gjitha shtetet fqinje, të cilat mund të negociojnë marrëveshje dypalëshe me Bashkimin, të ndryshme nga njëra-tjetra, për të rritur rolin e tyre individual në një politikë fqinjësie që garanton stabilitet.
Evropa duhet të jetë e ndryshme nga fuqitë e tjera botërore pikërisht për shkak të diversitetit të historisë përmes së cilës jemi formuar, pasi kemi kaluar tashmë dy luftëra shumë tragjike. Kjo është arsyeja pse nuk e kuptoj pse Franca në të kaluarën e afërt ka bllokuar negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Prodi ndalet te Franca, si një “nyje” që pengon evoluimin e procesit evropian. Ai parashikon një Europë të drejtuar vetëm nga Gjermania:
E gjithë kjo mund të bëhej brenda një dite nëse vetëm Franca do t’i vinte Evropës në dispozicion armën bërthamore dhe të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Përkundrazi, nuk e bën këtë, duke mbetur vetëm përballë telasheve në rritje me vendet afrikane të ish-perandorisë.
Evropa duhet të pajiset për një rol të ardhshëm. Riarmatimi historik, i rëndësishëm i Gjermanisë do të ndryshojë përgjithmonë natyrën e kontinentit tonë, i cili deri tani është drejtuar nga motori franko-gjerman me një rol jo aq margjinal – në fund të fundit – të Italisë. “Bon gré” ose “mal gré”, me këtë ritëm Evropa në të ardhmen do të ketë një udhëheqës të vetëm: Gjermaninë.
Mbretëria e Bashkuar nuk mund të jetë, pasi ka dalë dhe tani është penduar për Brexit. Dhe Franca nuk mund të jetë më. Më vjen ndërmend ai përkufizimi i vjetër për ish-perandoritë si një shofer që drejton makinën duke parë vetëm në pasqyrën e pasme…
n.s. / dita