Shqipëria/Aktualitet

Revista ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës: Fluturime ndërkontinentale nga Shqipëria, nxit investimet në turizëm

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Ekonomia e turizmit në Shqipëri po lulëzon sërish dhe së fundmi numri i vizitorëve ka arritur të njëjtat nivele sa përpara krizës COVID-19. Mbërritjet e turistëve të huaj arritën në 4.9 milionë në nëntëmujorin e 2021-shit, krahasuar me 2.1 milionë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Revista e njohur online e specializuar vetëm për zhvillimet në fushën e aviacionit, aeroTELEGRAPH, i ka kushtuar një shkrim zhvillimeve në transportin ajror në vendin tonë.

“Vitet më të mira turistike të Shqipërisë janë afër. Dhe për të përballuar fluksin e vizitorëve, duhet investuar në infrastrukturën e vendit. Po ndërtohen hotele, rrugë dhe së fundmi aeroporte të reja (aeroporti i fundit që u hap ishte aeroporti ndërkombëtar i Kukësit në verën e vitit 2021)”, thuhet në artikullin e shkruar nga Martin Dichler për faqen e njohur të fluturimeve.

Pak ditë më parë ka nisur një tjetër projekt i rëndësishëm, aeroporti në qytetin bregdetar të Vlorës. Në prill të vitit 2025 do të vihet në funksion aeroporti ndërkombëtar i Vlorës me një kapacitet deri në 3 milionë pasagjerë, i kërkuar shpesh nga industria e turizmit.

“Aeroporti mesdhetar po ndërtohet nga një konsorcium ndërkombëtar që përfshin grupin nga Zvicra dhe Kosova, ‘Mabetex’ me seli në Lugano dhe grupin turk YDA. Për themeluesin nga Kosova të ‘Mabetex’, Behgjet Pacolli, i cili prej kohësh dëshironte të bënte një investim të tillë në Republikën e Shqipërisë, kjo është përmbushja e një dëshire të kahershme”, citohet artikulli.

Sipas aeroTELEGRAPH, kryeministri Edi Rama ka një vizion të madh për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, ndaj aeroporti i ri do të ofrojë për herë të parë fluturime ndërkontinentale nga Shqipëria dhe në këtë mënyrë do të nxisë zhvillimin e turizmit, veçanërisht në rajonin bregdetar jugor të Shqipërisë.

“Ndërtimi i një aeroporti në Vlorë ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e turizmit në zonë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi”, thotë Valon Lluka, kryetar i Bordit Mbikëqyrës të aeroportit, duke folur për aeroTELEGRAPH. “Ndërtimi i aeroportit do të nxisë shumë zinxhirë hotelesh që të investojnë në bregdet dhe të ndërtojnë resorte të ndryshme””, citohet aeroTELEGRAPH.

Kostoja e investimit për ndërtimin e një terminali 34,000 metra katrorë me kapacitet deri në 3 milionë pasagjerë në vit, 24 pozicione parkimi avionësh dhe një pistë 3200 metra, pritet të jetë rreth 104 milionë euro.

“Në këmbim, kompania operuese do të marrë një koncesion 35-vjeçar, i cili, sipas Valon Llukës, do të operohet nga Munich Airport International, një degë e aeroportit të Mynihut e themeluar në vitin 2017”, thotë aeroTELEGRAPH.