Në kohën që Europa kërkon të diversifikojë burimet e saj të gazit për të reduktuar varësinë nga Rusia, Shqipëria mund të jetë një lojtar kyç në sektorin e gazit në Evropë dhe mund të kthehet në një qendër energjetike, shkruan portali grek Euroactiv.
Sipas artikullit në fjalë kompania amerikane Excelerate Energy Inc po planifikon që Shqipëria të jetë vendi që mund t’i ofrojë gaz dhe produkte energjitike pjesës tjetër të rajonit në mes të krizës globale të energjisë.
Kompania do të sigurojë termocentrale lundruese në Shqipëri, duke e lejuar atë të prodhojë energji elektrike, të nxisë prodhimin dhe të rrisë eksportet, ndërsa po punon edhe me Exxon Mobil Corp për të ndërtuar një projekt për konvertimin e gazit natyror të lëngshëm në energji elektrike në Vlorë.
I pyetur nga Bloomberg për termocentralet lundruese, kreu i kompanisë Excelerate Steven Kobos, thekson: “Është një projekt i mirë energjetik për Shqipërinë. Natyrisht, ne shpresojmë që kjo do të çojë në mundësinë për të ofruar dhe shitur gaz në Evropë.”
Euroactiv thekson se Shqipëria është aktualisht e varur nga energjia hidroelektrike dhe importon lëndë djegëse fosile. Megjithatë, pa kapacitet depozitues ajo u shitet vendeve të tjera gjatë muajve kryesorë të prodhimit – pranverës dhe fillimit të verës. Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të blejë energji nga lëndët djegëse fosile në dimër për të plotësuar kërkesën.
Qeveria – thotë artikulli- vazhdon të japë leje për hidrocentrale, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura se ndryshimet klimatike, rritja e temperaturave dhe keqmenaxhimit në dekadat e kaluara, i bëjnë liqenet që përdoren për energjinë hidroelektrike të funksionojnë me kapacitet të kufizuar dhe shpeshherë ulja e nivelit të ujit, kërcënon situatën tashmë të pasigurt energjetike.
Ndaj në këtë moment që vendi planifikon të ndërtojë më shumë hidrocentrale në veri dhe projekte gazi në jug, mund të shfrytëzohen ndërlidhjet në rajon si projekti midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me një kapacitet 400 kV që është tashmë në ndërtim e sipër, rikosntruksioni i lidhjeve energjetike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe një plani të veçantë për një linjë të re transmetimi energjie me Kosovën, që së bashku me termocentralet lundruese dhe stacionet e gazit të lëngshëm të kompanive amerikane, do ti japin vendit një strategji të re energjitike.
add a comment