Kulturë\Letërsi

Recensioni i Fatmir Arifit për librin “Komiteti i Deçanit – LNÇKVSHJ”

Libri “Komiteti i Deçanit”, vepër e studiuesit dhe veprimtarit të njohur, Hasan Ukëhaxhaj, përbën një nga botimet e rralla së fundmi mbi historinë e shqiptarëve në shekullin e shkuar. Ai, e mbarështron rrëfimin e tij duke u mbështetur në referenca autentike, gjë që e bën këtë libër të veçantë për disa arsye: Së pari, autori në kuadër të vështrimit historik, e trajton gjendjen e rënduar të shqiptarëve në kuadër të disa marrëveshjeve ndërkombëtare të shekullit XX, të cilat kanë pasur pasoja të thella në zhvillimin, avancimin dhe shtet-ndërtimin e kombit shqiptar si tërësi. Me të drejtë autori shkruan se këto pasoja po vazhdojnë të kenë ndikim negativ edhe në shekullin XXI, për sa i përket të drejtës së bashkimit kombëtar si fazë e përmbylljes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.  Së dyti, autori i këtij libri, me një mjeshtëri të rrallë ofron të dhëna të sakta për sa i përket Komitetit të Deçanit, duke filluar nga: ideja, themelimi, shtrirja dhe veprimtaria e tij, duke u bërë një dëshmi e fortë se një libër i këtillë i ka munguar historiografisë shqiptare dhe komunitetit të historianëve që merren me studimin e kësaj periudhe. Së treti, kjo monografi ka një vlerë të shtuar për faktin se është shkruar nga njëri prej protagonistëve të themelimit dhe drejtimit të Komitetit të Deçanit. I shkruar nga një distancë kohore dyzetvjeçare, me një metodologji të përshtrirjes së problemeve nga e komplikuara tek e thjeshta, autori nuk ka rënë për asnjë moment në grackën e subjektivizmit, ku jo rrallë herë studiuesit rrëshqasin pavëmendshëm. Përkundrazi, dëshmia e gjallë e pranisë e bën këtë vepër edhe më të denjë e të pakontestueshme. Së fundmi, Hasan Ukëhaxhaj, në kuadër të kësaj monografie historike, përveç kujtesës së tij si dëshmitar i kohës, na ofron dhe dëshmi nga bashkëveprimtarët e kësaj organizate si dhe një sërë dokumentesh arkivore, e sidomos nga arkivat e shtetit shqiptar, të viteve 1960-80-ta. Këto dokumente janë referencë e qëndrueshme, e cila pasqyron zhvillimin dhe kontributet e shtetit shqiptar në unifikimin e gjuhës shqipe, ngritjes së vetëdijes kombëtare te shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze,  avancimin e dijes dhe kulturës në kuadër të marrëveshjeve midis institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.  Brenda këtij libri, lexuesi do të gjejë një vështrim të gjallë mbi përpjekjet dhe sakrificën e njërës nga organizatat e fshehta anti-jugosllave, e cila ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë moderne kombëtare të shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze, siç ishte Komiteti i Deçanit. Ndër të tjera, Hasan Ukëhaxhaj, në kuadër të këtij studimi, na sjell biografi të çmuara të emrave me kontribute të njohura dhe të vlerësuar si personalitete të fushave të ndryshme, veprimtarë të shquar të lëvizjes së fshehtë çlirimtare, ose luftëtarë të zotë, të cilët u flijuan për liri, për çlirimin e Kosovës dhe si qëllim të fundmë – bashkimin e kombit shqiptar. Lexuesit kureshtar dhe studiuesit të ardhshëm do t’u vijnë aq të gjalla ngjarjet e rrëfimet gjithandej nëpër faqet e librit, sikur të ishin protagonistë. Ndonëse ky ka qenë vetë synimi i autorit tek thotë: “Përmes këtij libri, do të mundohem t’i kthej shokët të gjallë në mesin tonë”. Kjo dëshirë mund të jetë ura, të cilën shkrimtarët rëndom e ngrenë për të lidhur brezat e epokat, apo dhe petku me të cilin është mbështjellë pengu i tij e i të gjithë neve – Amaneti ynë i Madh, dhënë të parëve tanë e shokëve që ranë¬.