Ai sot kuvendon në histori
me tempujt që kanë hyrë në përjetësi
Homazh për Xhemajl Fetahun
E kam për nder që t’i them disa fjalë modeste karshi veprës madhore të njeriut, i cili dha gjithçka për popullin e vet. Pa pretenduar se nëpërmjet kësaj akademie përkujtimore do të shpalosim figurën e ndritur të njërit ndër veprimtarët më të shquar të viteve ’80-ta e ‘90-ta, në shenjë nderimi e kujtimi veç sa po rikujtojmë pjesë nga jeta dhe vepra e atdhetarit të paepur për liri e pavarësi të trojeve etnike.
Duhen të mbahen me dhjetëra akademi përkujtimore e shkencore ku do të prezantonin shumë shokë të idealit, që të qesim në pah veprën dhe figurën e madhe të njeriut të ilegales e më vonë edhe të luftës së UÇK-së. Kur do të shpalosen një ditë me qindra dëshmi nga shokët e tij, atëherë Xhemajli nuk do të duket vetëm dëshmor, por figura e tij do të ngritet në panteonin e heronjve kombëtarë të historisë më të re të qëndisur me nder e nam.
Xhemajl Fetahaj u lind në një familje me tradita kombëtare. Që në moshën e rinisë së hershme i ndikuar nga familja dhe shokët e tij, ai fillon të shkëlqejë me zgjuarsinë, dashurinë dhe guximin e treguar për të rrugëtuar i vendosur shtigjeve të mundimshme drejt lirisë së vendit të vet. Në kullën e Fetahajve të Raushiqit të Pejës nga i ati i tij Meta, një burrë i urtë dhe patriot, mësoi rrugën e lirisë. Gjatë gjithë kohës i ati dhe vëllezërit, e mbështetën fuqishëm në rrugëtimin e tij. Jo rrallëherë edhe ne, disa prej shokëve të Xhemajlit në odën e Fetahajve, u frymëzuam më shumë për të punuar në të mirë të atdheut tonë të robëruar.
Xhemajli në shkollën e mesme ekonomike në Pejë, bashkohet me shumë nxënës të përjashtuar e të burgosur nga Deçani e Burimi. Ishin vitet 1981-82, kur bashkëvepronim dhe shkëmbenim literaturën dhe revistat e ndaluara të asaj kohe. “Xhema” me emrin përkëdhelës siç e quanin të gjithë shokët, me guxim e maturi shpërndante në popull flakadanin e lirisë.
Pas demonstratave të vitit 81, ne atëherë si nxënës, përpos aktiviteteve ilegale, bënim përpjekje të organizonim protesta e demonstrata në Pejë. Xhemajli kudo dhe kurdoherë ishte i pari në sakrificë. Ai e donte atdheun dhe lirinë, ndërsa lavdin s’e pranonte kurrë. Në prillin e vitit 1993 kishim përfunduar maturën e shkollës së mesme. Me Xhemajlin isha dhe shok klase. Ne të dy bashkë me shumë shokë e shoqe të përjashtuar dhe të dënuar më parë për veprimtari politike, tek po ktheheshim prej Burimit, policia dhe UDB-ja na arrestojnë të gjithëve. Në stacionin e policisë në Banjë të Pejës do të na torturojnë policia dhe sigurimi shtetëror. Në mungesë provash, gjysma e shokëve dhe shoqeve do të lirohen, ndërsa ne, disa që kishim qenë të arrestuar në vitin 1981, sërish na dënojnë me burg.
Pas dy muajve ne u liruam nga burgu i Pejës. Në vazhdim, në retrospektivë, po rikujtojmë një libër të lexuar nga Xhemajli e që i kishte lënë mbresa të thella. Ishte figura kombëtare e Mic Sokolit, e përshkruar në romanin e Sylejman Krasniqit, që kishte lënë gjurmë në shpirtin e tij. Kur i rikthehem këtij romani dhe krahasojmë veprën madhore të dëshmorit, në kujtesën tonë na shfaqet një roman i ri me Mic Sokolin e kohës së vet.
Xhemajli vazhdimisht ishte në shënjestër të UDB-së, por, me gjithë këtë kurrë nuk pushoi së vepruari.
Kontaktet e para të tij me veprimtarët e LPK-së datojnë shumë herët. Për shkak të veprimtarisë atdhetare, Xhemajli në nëntor të vitit 1983 sërish burgoset. Ishte kjo një kohë kur gjeneratat e tij shkonin në shërbimin ushtarak, por ai kurrë nuk u pajtua që të shërbejë në Armatën Jugosllave. Pas hetimeve në burgun e Pejës, Xhemajli, edhe pse i ri, u dënua me 5 vjet burg. Në gjykatore dhe hetuesi, ai mbajti betim të pathyeshëm duke mos treguar asgjë për shokët. Përpara gjykatësve të asaj kohe ai do të shprehet: “Prej kufirit të Shqipërisë e deri te kufiri i Serbisë, krejt ajo çka është bërë kundër regjimit tuaj, e kam bërë unë për popullin tim. Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë me të dalë nga burgu krejt veprimtarinë time kam për ta orientuar kundër këtij regjimi dhe do të luftoj për të drejtat e popullit tim”.
Pas vuajtjes së dënimit ai menjëherë filloi të vente kontakte me shokët e tij të mëparshëm dhe vazhdimisht i shtynte punët përpara. Në kohën kur u vranë veprimtarët e dalluar të ilegales Fahri Fazliu e Afrim Zhitia, Xhemajli studionte Histori në Universitetin e Prishtinës. Atë kohë Xhemajli kishte krijuar rreth të gjerë në lëvizjen studentore të asaj kohe. Ai qysh atëherë parandiente se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe angazhohej për një organizim të ri për të shkëputur prangat e robërisë.
Në demonstratat e viteve ‘88, ‘89, ‘90 ishin vrarë shumë të rinj. Xhemajli bashkë me shumë studentë të tjerë të ilegales, shkonin t’i vizitonin familjet e të vrarëve nga policia serbe. Gjatë këtyre vizitave, me iniciativën e Xhemajlit, në praninë e familjarëve dhe masave të gjera të popullit, vazhdimisht lihej porosia për lënien mënjanë të hasmërive dhe vëllavrasjeve. Kjo iniciativë atë kohë gjeti përkrahje nga populli. Anëtarë të LPK-së vejnë kontaktet me intelektualët shqiptarë dhe fillojnë aksionin gjithëpopullor për pajtimin e gjaqeve. UDB-ja, duke parë sukseset e këtij aksioni, vazhdimisht i ndiqte veprimtarët e pajtimit të gjaqeve. Kur po rrezikohej rrethi i shokëve, u krijua një rreth tjetër i të rinjve, në koordinim të plotë me të parët, gjë që e shtyri aksionin. Prapë me iniciativën e Xhemajlit dhe me përkrahjen e shokëve, u krijua një rreth tjetër i të rinjve, në koordinim të plotë me të parët, gjë që e shtyri aksionin përpara. Deri në gushtin e vitit ’90-të ishin falur mbi 800 gjaqe dhe po aq ngatërresa, duke bërë kështu rreth 80% të faljes së gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë. Xhemajli, duke qenë një njeri përplot virtyte njerëzore e kombëtare, posa e shihte se një punë ose aksion po ecën mirë, ai ua lëshonte në dorë të tjerëve dhe vetë fillonte iniciativën për një aksion tjetrën. Në vazhdim po citoj një rrëfim të Naim Mahmutajt, njëri ndër shokët e Xhemajlit: “Në varrimin e dëshmorit Qamil Morina kishim shkuar shumë shokë t’i bënim nderimet e fundit. Ne përpiqeshim të mbajmë rendin dhe përcillnim porosinë për pajtimin e gjaqeve. Ishte fillimi i vitit 1990, kur aksioni i pajtimit të gjaqeve veç shkonte mbarë. Xhemajli më ofrohet dhe më thotë: “ne tani duhet të merremi me punë të tjera, duhet përgatitur kryengritjen e armatosur dhe nuk bën të vonohemi në këtë drejtim”. Asnjëherë ai nuk tentonte vetë ta merrte namin dhe të fitojë emër, përkundrazi e donte punën dhe ishte shumë i afërt me shokë, i sinqertë dhe tepër modest. Në atë kohë vështirë ishte t’i shpëtosh syrit të UDB-së që përcillte këmba këmbës veprimtarët si Xhemajli.
Regjimi i atëhershëm, duke e parë rrezikun nga puna e tij, sërish ia mësyn shtëpisë së Fetahajve për ta kapur Xhemajlin. E rrethojnë familjen e tij në Raushiq të Pejës, por për fat Xhemajli nuk gjendej aty. Nga ky rrethim arrin të dalë nëna e Xhemjlit dhe ta lajmërojë një shok të tij në Pejë, i cili së bashku me shumë shokë të tjerë, arrijnë të falsifikojnë dokumentet dhe ta përcjellin atë në Evropë. Policët e revoltuar se nuk kishin arritur të kapin Xhemajlin, si dhe nga qëndrimi i pathyeshëm i familjes së tij, e marrin si peng të atin e tij, bacën Metë dhe për disa ditë rresht e rrahin në mënyrën më çnjerëzore. Në vazhdim po citoj sërish një shok të Xhemajlit i cili sot thotë: “Është e rëndësishme të theksohet ky largim i Xhemajlit edhe për një arsye tjetër. Ishte vjeshta e vitit 1990, kur se bashku me disa shokë të tjerë kishin përgatitur një plan që përmes Pejës, duke kaluar nëpër Rozhajë dhe Mal të Zi, të kalonin deri në Bosnjë, ku atje kishin lidhje të mira për të kaluar në Gjermani. Pasi u takuan me Xhemajlin në Prishtinë, ku qëndronte ilegalisht, i treguan për situatën në familjen e tij dhe qëndrimin e shokëve për t’u larguar nga Kosova. Ai i dëgjoi me vëmendje fjalët tona. Me buzë në gaz na tha: “Unë po pajtohem me qëndrimin e shokëve që të largohem përkohësisht nga Kosova, por plani juaj për kalimin tim deri në Bosnjë rrezikon shokët dhe unë do të nisem vetëm”. Atë kohë ne u kthyem në orën policore në Pejë. Xhemajli arriti të kalojë në Gjermani.”
Edhe pas largimit nga vendlindja, ai kurrë nuk pushoi së vepruari, derisa u kthye sërish në Kosovë me pushkë në dorë. Duke lënë pas një jetë të tërë në shërbim të popullit dhe atdheut të tij, Xhemajli vritet në betejën e Koshares. Atje sot pushon në përjetësi trupi i vëllait dhe shokut tonë. Lajmin për rënien heroike e dëgjova në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit. Vjedhurazi për heroin shkrova një vjershë prej burgut, dhe vetja më ngjante atë ditë në një pikë uji i të madhit oqean, para tempullit të pavdekësisë së lirisë në istikam.
Të përshkruash njërën ndër figurat më të mëdha të historisë më të re, vetëm një akademi përkujtimore është e pamundur. Ngase Xhemajlin e gjejmë në grupet ilegale, në protesta e demonstrata, në pajtimin e gjaqeve, në LPK, e, së fundi, në luftën e UÇK-së. Ai sot kuvendon në histori me tempujt që kanë hyrë në përjetësi.
.
(Fjalë rasti e lexuar në Akademinë Përkujtimore në Prishtinë, më 31.05.2001)
add a comment