Portreti/intervista

Ramazan Sherja: Në 115 vjetorin e lindjes së Komandantit, Komesarit dhe Udhëheqësit të shtetit e të kombit

Në 115 vjetorin e lindjes
Enver Hoxha
Komandanti që udhëhoqi LANÇ
Enver Hoxha mbushi plot 115 nga dita e lindjes dhe 38 vjet që është ndarë nga jeta. Enveri ka hyrë në histori si një personalitet që ka dritë hijet e tij, por historianët ende nuk i kanë dhën atij vendin që i takon në histori. Është dhunim i historisë t’i ngresh bust Ahmet Zogut, Mitat Frashërit, Azem Hajdarit, Qazim Mulletit dhe të lësh në harresë figurën e një personaliteti që bëri histori për afro 50 vjet në Shqipëri.
Enver Hoxha do të mbahet mend për shumë arritje në fushën e arsimit, shëndetsisë, sigurinë e jetës, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar, ndërtimin e shumë veprave industriale e bujqësore, por ajo që ndrin më shumë në veprën e tij madhështore, është roli udhëheqës i pamohueshëm i LANÇ që solli lirinë vendit.
Pinjollët e ballistëve dhe fashistëve të djeshëm, që kur mori pushtetin PD në 1992, janë munduar më kot të errësojnë madhështinë e Luftës ANÇ. Për të arritur qëllimet e tyre të errta, ata u munduan fillimisht të heqin nga kalendari 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit dhe 5 majin, Ditën e Dëshmorëve, por nuk ia arritën dot, sepse këto dy data kanë rrënjë gjaku në zemrat e popullit shqiptar. Më pas Berisha me neofashistët që e ndjekin, u mundua të errësojë madhështinë e Luftës ANÇ, duke e quajtur atë si “luftë civile, vllavrasëse” që “u zhvillua për pushtetin e komunistëve”. Me këto pseudoakuza ata përpiqeshin të mohonin edhe rolin e Enver Hoxhës si udhëheqës i LANÇ.
Luftën ANÇ nuk e organizuan e drejtuan vetëm komunistët, por edhe mjaft nacionalistë të ndershëm si Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi, Ymer Nishani, Medar Shtylla, Haki Stërmilli, Riza Kodheli, Ollga Plumbi, Aleks Buda, e shumë të tjerë, të cilët jo vetëm u angazhuan shpirtërisht në këtë luftë, por vunë në shërbim të saj edhe pasurinë e tyre. “Ne -pati deklaruar Haxhi Lleshi- nuk e kërkuam lirinë në diskoteka, por në male me pushkë në dorë. Në ditën e Çlirimit unë isha në listën e gjeneralëve, por mund të isha edhe në listën e dëshmorëve”
Për të argumentuar më tej, se ajo ishte një luftë që përfshiu të gjitha shtresat që e donin vendin, e tregon fakti tjetër, se mjaft batalione e brigada partizane u pagëzuan me emrat e patriotëve të mëdhenj si Avni Rustemi, Abdyl Frashëri, Hoxha Tahsimi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Bajram Curri, Ismail Qemali, Riza Cerova, Halim Xhelo etj. Neofashistët përpiqen të minimizojnë edhe numrin e dëshmorëve që dhanë gjakun për liri, por 28000 të rënët për Atdhe janë emra të gdhendur, jo vetëm në zemrat e popullit , por edhe në lapidaret e çdo fshati e qyteti. Enver Hoxhën si udhëheqës të Luftës dhe si personalitet me vlera e kanë vlerësuar edhe kundërshtarët politikë, si Dr.Ymer Dishnica, Prof.Sejfulla Malëshova, Rrahman Perllaku, Muhamet Prodani etj, të cilët ishin pjesëmarrës me armë në dorë në këtë Luftë. ”Mua s’më pëlqen hiç Enver Hoxha, biles kam kërkuar të dënohet si diktator- shkruan gjeneral M. Prodani,- por ama s’kam si ta mohoj Luftën ANÇ dhe rolin e Enver Hoxhës si Komandant dhe udhëheqës i kësaj Lufte. Qefi, ndoshta ma ka, por s’kam se si ta dredhoj historinë.” Po ashtu qëndron si shkëmb mbi themele gjaku edhe data 29 Nëntor që berishsitët e ballistët nuk e njohin edhe sot. Lidhur me këtë gjenerali Muhamet Prodani ka deklaruar: “Unë sivjet parakalova para Presidentit e qeverisë më 28 Nëntor. Nga inati parakalova, se nuk dua që ballistëve t’u bëhej qefi e të na shohin të përçarë. Pse nuk e di unë që Shqipëria s’është çliruar më 28, por me 29 Nëntor, një ditë më vonë.” Duhet ta dinë fallsifikuesit e histories, se rolin udhëheqës të Enver Hoxhës në Luftën ANÇ e kanë vlerësuar personalitete të vendit, si Rexhep Qosja, Agolli, Kadareja, historianë dinjitozë që ia duan të mirën kombit, të cilët para çdo presioni, nuk pranuan shtrembërimin e së vërtetës. Besnikë të së vërtetës mbi LANÇ kanë qëndruar edhe personalitete të huaja. Misionari britanik, Fertitta Tilman, pjesëmarrës në Koalicionin e madh Antifashist Botëror, në librin e tij ”Atje ku takohen malet dhe njerëzit” shkruan: ”Gjatë misionit tim u binda fare qartë, se vetëm Lëvizja ANÇ kishte qëllime lufte me të tonat, kur njera nga partitë, Partia Komuniste Shqiptare, luftonte e sakrifikohej, dy të tjerat, Balli dhe Legaliteti, ose ishin aktivisht armiqësore, ose mbanin një asnjanësi, sa për sy e faqe”. Gjithashtu dëshmitari tjetër okular, gjermani R.Hilbert, në librin ”Lufta Nacionalçlirimtare Shqiptare”, shkruan: “Nacionalistët e humbën shansin e tyre plotsisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve. Madje as çastet e fundit, duke i ruajtur forcat e veta vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve. Enver Hoxha dhe kolegët e tij, kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalisti, por ata nuk e kishin vënë asnjëherë në dyshim, se u duhej të luftonin me armë në dorë për çdo gjë që kërkonin.” Në Konferencën e Paqes në Paris, ku morën pjesë vendet fituese mbi fashizmin dhe nazizmin, Enver Hoxha që kryesonte delegacioni shqiptar, deklaroi : ”Populli shqiptar i vogël në numër, por i madh nga sakrificat që ka bërë për kauzën e përbashkët, nuk ndodhet këtu për të diskutuar për kufijtë e tij, por për të shprehur dhe për të kërkuar të drejtat e veta. Po deklarojmë solemnisht se: brenda kufijve tanë të tanishëm nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj dhe nuk do të lejojmë kurrë që të na preken, sepse ato për ne janë të shenjta.” Enver hoxha nuk ishte dhe mbetet një strateg i LANÇ,por edhe një filozof e intelegjent që shkëlqeu para udhëheqësve të ndryshëm të botës. Piter Prifti, professor i diasporës shkruan: “Hoxha duket i mirëinformuar për letërsinë, teatrin dhe filozofinë, veçanërisht për filozofinë pedagogjike. Ai mund të pikturojë fare mirë duke mbajtur në një dorë shpatën e diktaturës së proletariatit dhe në tjetrën llampën e arsimit Perendimor”. Enveri e deshi popullin se ishte patriot me zemër, dhe nuk udhëhiqej nga shpirtvogëlsia berishiane “pas meje u bëftë qameti”. Jetojmë një kohë që neofashizmi dhe neonazistët përbëjnë rrezik për kombin dhe për botën, ndaj mbetet aktuale deklarata e legjendës së rezistencës antifashiste, Molis Glezos, bërë para ca kohësh: “Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”, e cila të kujton thirrjen e gazetarit Julius Fuçik, para litarit: “Njerëz, ju kam dashur! Jini vigjilentë!”