TIRANË, 17 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se opozita premton vetëm izolim nga bota, dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha se në këtë epokë kërcënimi të madh do të ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst.
“Çështja është se në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga gjithë ky kontekst kërcënues dhe kur duhet të përballemi me pasoja të diçkaje që është jashtë nesh dhe që vjen edhe tek ne, njësoj siç erdhi tërmeti dhe pandemia, na duhet të jemi sa më të qartë dhe sa më të vendosur, sa më të bashkuar dhe sa më të lidhur me partnerë dhe me aleatë të fuqishëm. Do të ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota. Nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave. Është praktikisht fatkeqësi edhe veprimtaria, edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme. Mbajnë erë, që ajo që dimë, nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama.
/r.e/