TIRANË, 15 shkurt/ATSH/- Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për mediet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken u shpreh se Shqipëria ka ndjekur një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë të të gjitha vendeve të rajonit.
Duke bërë të ditur detaje nga takimi i zhvilluar me Blinken Rama tha se “kemi folur për rajonin dhe kemi ndarë shqetësimet”
“Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë të të gjitha vendeve të rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara sepse është në interes të popullit tonë që bashkimin me Evropën ta shohë si pjesë të pandarë vlerash”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.
Në fjalën e tij, Rama falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
“Është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne dhe gjykimi i aleatëve tanë, por prej disa vitesh kemi ndjerë interesimin e vazhdueshëm të administratës amerikane dhe të DASH e faktit që Sekretari në takimet e rëndësishme nuk e lë pa e nënvizuar dhe nevojën për ta shtyrë më tutje këtë proces si një interes strategjik të SHBA”, u shpreh Rama.