Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve, por edhe të vlerësimit të kandidatëve në mënyrë individuale nëpër komunat e caktuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Agon Maliqi.
Partitë opozitare të nivelit qendror, në zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, shënuan fitore përballë Lëvizjes Vetëvendosje, e cila udhëheq me pushtetin qendror, të cilin e kishte fituar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit me mbi 50 për qind të votave.
Fitueset kryesore të zgjedhjeve lokale janë, Partia Demokratike e Kosovës, në nëntë komuna dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në shtatë komuna. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pushtetin në nivelin qendror, ka arritur fitoren në katër komuna.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sipas Eminit dhe Maliqit, janë reflektim i qytetarëve përballë partive politike në përgjithësi, por edhe reflektim i partive politike opozitare, të cilat kishin marrë mesazhin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur vota e tyre i dërgoi ato në opozitë.
Emini: Disfata e Vetëvendosjes për mungesë të kapaciteteve
Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbësja më e madhe në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk arriti të fitojë në qytetet më të mëdha të Kosovës, përveç në Gjilan, pavarësisht se rezultati i rivalëve të saj ishte mjaft i ngushtë në komunat si Prishtina dhe Prizreni.
“Humbja e këtyre të dyjave (Prishtinës dhe Prizrenit) është disfatë jo vetëm në aspektin strategjik, por edhe me faktin që pikërisht këto dy komuna janë ato me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur. Do të thotë, në Prishtinë ka qenë për një mandat e gjysmë, ndërkaq në Prizren ka qenë për dy mandate. Kështu që në këto të dyja, tregon se, edhe pse ka pasur ndryshim të qeverisjes lokale, ka pasur një humbje të shpresës së qytetarëve dhe kthim të rezultatit, gjë që tregon një disfatë të Vetëvendosjes dhe një mungesë të kapacitetit që të ketë rrëfim suksesi në nivel lokal”, thotë Emini.