Luftëtari i lirisë Bajram Bahtiri
Portreti/intervista

R. Avdiu: Luftëtari për çlirimin dhe lirinë e Kosovës shqiptare Bajram Bahtiri 1962 – 1984

Bajram Bahtiri 1962-1984
Pak ditë pas qëndresës dhe rënies me armë në dorë të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, dhe në vazhdën e arrestimeve të shumta të veprimtarëve antipushtues gjithandej Kosovës, më 8 Shkurt 1984, policia pushtuese e kishin rrethuar shtëpinë e Hajrush Bahtirit dhe kishin provuar ta arrestonin djalin e tij të dytë, Bajramin. Rrahmani, vëllai i madh i Bajramit, ishte arrestuar më 27 Janar 1984 dhe po torturohej miziorisht si shumë veprimtarë të tjerë të arrestuar në njërën nga fushatat më të egra të arrestimeve në janar e shkurt 1984…
Kur Bajrami vërejti se shtëpia ishte rrethuar, vendosi të mos dorëzohej, por të rezistonte sepse, Ai ishte betuar se i gjallë nuk do t’u dorëzohet forcave të armikut.
Pasi kishte qëlluar për vdekje një tradhtar, duke rezistuar me një revole që kishte, largohet nga shtëpia në mënyrë që të mos pësojnë prindërit dhe motrat e tij. Ai ndiqet nga shumë policë të armatosur deri në dhëmbë. Në luftë me policinë pushtuese bie heroikisht disa qindra metra larg shtëpisë së tij, në Kodrën e Trimave, lagje kjo e njohur që nuk nënshtrohej dhe rezistonte fuqishëm kundër pushtuesve serb.
Ndonëse kanë kaluar 38 vite nga vrasja e Bajramit, kujtimi për të është i përhershëm në mendjen e të gjithë neve që patëm fatin ta njohim e të bashkëveprojmë me të në rezistencë kundër pushtuesve.
Ishim shokë fëmijërie ngase banonim në një lagje. Si të rinj shkëmbenim libra që na binin në dorë e që regjimi pushtues i kishte ndaluar të qarkullonin. Me këtë shkëmbim fillon edhe afrimi dhe organizimi ynë i përbashkët në kuadër të organizatës Fronti Nacional Çlirimatr i Kosovës….
Në demonstratat e pranverës së vitit 1981, Bajrami është shquar për guxim e vendosmëri. Ai ishte shumë aktiv në mobilizimin e njerëzve për të marrë pjesë në demonstratë. Më 02 Prill 1981, Ai bashkë me disa shokë të tjerë të gjithë nga lagjja e Kodrës së Trimave gjatë tërë ditës kishte barrikaduar rrugën në hyrje të Kodrës së Trimave dhe i armatosur e mbronte barrikadën, duke mos lejuar ushtrinë dhe forcat speciale serbe të depërtojnë në brendësi të qytetit të Prishtinës, ku zhvilloheshin demonstratat e Pranverës së luleve të kuqe, siç i quante Heroi Nuhi Berisha.
Pas demonstratave Bajrami arrestohet dhe mbahet në burg dy muaj. Menjëherë pas lirimit nga burgu ai vazhdon veprimtarinë revolucionare. Ishte ndërlidhës i dy Organizatave të fshehta që angazhoheshin për bashkim në një organizim të vetëm. Bajrami ishte i pandalshëm në forcim të organizimit antipushtues deri në rënien e tij heroike.
Rënien heroike të Bajramit, ne, shokët dhe bashkëveprimtarët e përjetuam rëndë dhe si të rinj u betuam se nuk do të ndalemi, por do të vazhdojmë të ecim në rrugën e lirisë…
Heroi Bajram Bahtiri sikurse të gjithë heronjtë e tjerë do të kujtohet me pietet e krenari ndër breza.
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit të kombit, Bajram Bahtiri!