Shqipëria/Aktualitet

Qeset prej letre zëvendësojnë ato plastike në tregje, Rama: Mbrojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Tregtarët po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qeset e shëndetshme të letrës, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për pazar.

Qeveria ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj.

Ligji parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike.

Ndërkohë nga 1 korriku fillon zbatimi i gjobave për shitësit që vijojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga tregjet në kryeqytet teksa shihet se qeset prej letre në pazaret e ditës po përdoren masivisht.

“Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës. Sa mirë të shohësh që përditë e më shumë tregtarë po zëvendësojnë qeset e dëmshme plastike, me qeset e shëndetshme të letrës, ndërsa shumë blerës po marrin trasta për pazar. Kështu mbrojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë nga dëmi i frikshëm i qeseve plastike mbi mjedisin dhe shëndetin”, u shpreh Rama në rrjetet sociale. /j.p/

Postimet e fundit !