Neser mbushen 8 vjet nga përjetësimi i Refik Ymerit (1954-2014), shokut tim të idealit, i burgosur politik dhe veteran i UÇK-së
ATDHETAR I PËRKUSHTUAR DHE FJALËPAK
Neser mbushen 8 vjet nga vdekja e Refik Ymerit (nga fshati Gllogofc i Lipjanit), arsimtarit, ish-të burgosurit politik dhe veteranit të UCK-së. E kisha shok klase në shkollën fillore dhe në atë të mesme dhe ruaj shumë kujtime e mbresa nga ajo kohë, por, vitet 1978-1979, vite kur punonim së bashku arsimtarë në QAMO-n e Lipjanit, në mesin e kolegëve patriotë si: Isa Demaj, Avdi Kelmendi, Ismail Gashi, etj., ishin vitet më të arta të rinisë sonë, si veprimtarë në shërbim të kombit dhe atdheut. Mua dhe Refikut (ingjiner i makinerisë) nuk na mungonin dëshira, entuziazmi e as vrulli rinor atdhetar, sepse këtë na e mundësonte edukata dhe vetë mosha që kishim, por na mungonin përvoja, pjekuria dhe vigjilenca e duhur në veprime. E, pikërisht këtë, arritën ta mbrunin në ne shokët që i ceka më lartë.
Lidhja ime me Avdi Kelmendin, së pari si kolegë pune, e sidomos si shok i idealit, përmes organizimit dhe strukturimit të LNCKVSHJ-së në Lipjan, ndikoi në lidhjen time edhe më të ngushtë, vendimtare, në bashkëveprim me Refikun. Detyrat që mirrja nga Avdiu përpiqesha t’i zbatoj me njerëz të besës e të fjalës. E, Refiku ishte i pari dhe më i besueshmi, që mund ta gjeja në këtë rrugë të idealit. Ai qe personi i parë të cilin e pata njoftuar me detyrat që i kisha marrë nga Avdiu. Në fillim, ai vetëm dëgjonte, e kur mbarova rrëfimin, pasi heshti dhe u mendua pakëz, foli qartë dhe prerë: Jam plotësisht dakord, i gatshëm për çdo sakrificë! Kaq. Asgjë më shumë. Si gjithnjë, fjalët i kishte me ket. Ai kërkonte dhe bënte vepra, jo llafe. Brenda një kohe rekorde e themeloi “treshen” e parë, me Ahmet Bislimin dhe Sami Ukën. Ishte diku mesi i vitit 1979. Sa “treshe” të tjera ka formuar ai, unë nuk e di, sepse fundja kjo edhe nuk ishte detyrë e imja. Ndoshta, për këtë është rendi të flasin e tregojnë vetë ata që janë anëtarsuar prej Refikut në LNÇKVSHJ.
Koha dhe mënyra në të cilën vepronim para rreth 40 vitesh, për dikë sot mund të duket e lehtë, por atëbotë vërtet kërkohej shumë punë, vigjilencë e përkushtim për ngritjen e vetëdijes kombëtare te njerëzit, në mënyrë të veçantë te të rinjtë. Propaganda titiste ishte e tmerrshme. Agjenturat e ndryshme të atij pushteti publikonin e hymnizonin të “arriturat” ekonomike, bashkim-vëllaznimin dhe patriotizmin socialist jugosllav, kurse fshihnin krimet e kryera gjatë regjimit të Titos, sidomos ndaj shqiptarëve, fshihnin borxhet e mëdha ekonomike që i kishte shteti i tyre ndaj botës, fshihnin diskriminimin dhe pabarazinë e vërtetë në mes të kombeve (sidomos shqiptarëve) që jetonin në atë kreaturë pseudo-socialiste…
Fatkeqësisht, ndikimi i asaj propagande dhe atyre agjenturave ishte relativisht i madh, jo vetëm ndër masat e paarsimuara, por edhe te një pjesë e pseudointelektualëve, të arsimuar e edukuar kryesisht nëpër shkolla partiake-politike vetëqeverisëse, si ajo e Kumrovecit, e të ngjajshme. Lakejt titist, me krahun plot libra, broshura, revista e gazeta të mbushura me propagandë ideologjike “socialiste-vetëqeverisëse”, për Titon e titizmin, trumbet0nin me bujë se goja shqiptarët nën Jugosllavi shtet të tyre e kanë RSFJ-në, prandaj edhe dallojnë nga shqiptarët e Shqipërisë!!! Në funksion të kësaj propagande, ndalohej çdo roman, libër historik, revistë e publikim tjetër që mund të vinte nga Tirana. Prandaj, me bisedat e drejtpërdrejta që zhvillonim me njerëz, duke lexuar e shpërndarë literaturë të ndaluar për atë kohë apo duke sygjeruar dëgjimin e Radios dhe Televizionit Shqiptar, si e vetmja dritare informative kombëtare e kohës, rrezikonim dekonspirimin dhe rrjedhimisht përndjekjen e dënimin tonë nga pushteti. Madje, si nacionalistë-irredentistë! I përmenda këto, që të kuptohet më mirë se sa punë të rrezikshme kanë bërë Refiku me shokë, duke shpërndarë “Hasan Prishtinën” e “Shote e Azem Galicën” të Ajet Haxhiut, “Lahutën” e Fishtes, “Mërgatën e Qyqeve” të Nasho Jorgaqit, Revistat “Shqipëria e RE” dhe “YLLI” nga Tirana, etj.
Arrestimi dhe burgosja e ne shokëve të idealit (Isa Demaj, Avdi Kelmendi, Ismail Gashi, Beqir Leci, Qemal Aliu, Banush Bytyqi) në fundvitin 1979, qe një goditje e rëndë për Refikun me shokë, anipse ai i në atë kohë i shpëtoi përkohësisht arrestimit. I ndjerë i rrezikuar nga gjendja e krijuar, Refiku, më vonë, edhe me sygjerimin e shokëve të tjerë, normalisht për t’iu shmangur syrit syrvejues të UDB-ashëve, kishte lënë vendin e punës së arsimtarit në QAMO-n e Lipjanit dhe ishte punësuar në TC “Kosova” në Obiliq…
Këtu, mendoj se ja vlen të theksohet edhe një detaj nga jeta dhe veprimtaria jonë e asaj kohe. Pas lirimit tim nga burgu (1980), një natë, nëpër terr, në shtëpinë time në fshatin Kojskë erdhën Refiku, Ahmeti dhe Samiu.
-Iu pa kush? ,- ishte pyetja ime e parë, po sa hynë në oborrin e shtëpisë sime.
–Jo!- ma kthyen, ishte terr dhe s’hasëm njeri. U lehtësova disi.
Në sytë e tyre lexohej qartë shqetësimi dhe gëzimi, njëkohësisht. Të shqetësuar ishin pse shumë shokë tanë vazhdonin të mbaheshin nëpër burgje, e të gëzuar pse isha liruar unë bashkë me disa të tjerë. Pasi ndenjëm e llafosëm gadi gjerë në orët e mesnatës, ata u ngritën të shkojnë dhe unë i përcolla në rrugë deri larg nga fshati. Meqë ishte terr, nuk vërejtëm se na pa kush. Kur bëmë të ndahemi, iu kërkova në mirëkuptim që mos të rrezikonin të vinin prapë në vizitë, sepse dihej se unë isha nën syrvejim dhe ata mund të rrezikonin të burgoseshin. Kërkesën time, sa e pashë, nuk e pritën edhe aq mirë. Madje, dukeshin të befasuar. Por, unë isha i vendosur: me çdo çmim duhej t’i ruaja shokët e mi të idealit, në mënyrë që të mos bien në terrinat titiste! Kisha edhe arësye të tjera: Krerët kryesorë të LNCKVSHJ-së ose ishin arrestuar (Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi), ose ishin arratisur jashtë vendit (Jusuf Gërvalla, Sabri Novosella). Kishte mbetur i pazbuluar vetëm kryekreu i LNÇKVSHJ-së, bacë Metush Krasniqi. Kësisoj, në një farë forme, aktiviteti i LNCKVSHJ-së në githë vendin, përkohësisht gadi ishte paralizuar, meqë ishin shkëputur lidhjet zingjirore-kierarkike të organizimit. Pikërisht kjo më shtynte që Refiku me shokë përkohësisht ta pushojnë aktivitetin dhe ta heshtin aktivitetin, sëpaku deri në një moment të ri të organizimit.
Por, Refiku nuk bindej lehtë. Ai vazhdoi veprimtarinë atdhetare, mori pjesë aktive në Demonstratat e 1981-shit, vazhdoi veprimtarinë atdhetare edhe gjatë shërbimit në Ushtrinë Jugosllave, ku e kishin mobilizuar ndërkohë. Rrjedhimisht, si pasojë e kësaj veprimtarie, edhe ishte arrestuar dhe dënuar me 3 vite heqje lirie, të cilat i vuajti deri në ditën e fundit.
Për fund, do veçoja kohën e luftës së UCK-së, kur Refiku ishte angazhuar aktivisht në ndihmë të luftëtarëve të lirisë: në furnizim, bartje e strehim. Pikëmbështetje në këtë aktivitet i pati vëllezërit e tij Ragipin, Naimin, Nehatin e Vehapin, në veçanti Naimin e Nehatin, si luftëtarë aktivë të UÇK-së. Refiku ma pat kumtuar edhe mua ftesën e shokëve që unë të rreshtohem në radhët e UÇK-së dhe pastaj më pat shoqëruar (në mesin e dhjetorit 1998) në Krojmir, ku edhe qeshë angazhuar aktivisht në UÇK.
Anipse pas Luftës, një kohë, pati milituar në radhët e PDK-së, me plotë gojën mund të them se Refiku më së paku ka qenë partiak. Në fakt, “partia” e vetme e tij kanë qenë kombi dhe atdheu-Shqipëria, të cilit ia fali të gjitha energjitë e tij jetësore-intelektuale, gjithë qenien tij njerëzore-deri në përjetësi.
Lavdia, pa dyshim, do ta përcjellë gjithmonë jetën dhe veprën e Refik Ymerit! I përjetshëm do të mbetet kujtimi për të!
add a comment