Kulturë\Letërsi

Prof. Dr. SKENDER ASANI: ALFABETI DHE DREJTSHKRIMI, INTEGRUESIT E KOMBIT TONË EDHE NË KUPTIMIN GJEOGRAFIK

ALFABETI DHE DREJTSHKRIMI, INTEGRUESIT E KOMBIT TONË EDHE NË KUPTIMIN GJEOGRAFIK
Kam kënaqësi dhe nder t’ju drejtohem në ditën e dytë të konferencës mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”. Jam shumë i nderuar që ky aktivitet shkencor mbarëkombëtar filloi dje në Shkup, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, sot po vazhdon në Prishtinë, ndërsa prej nesër do të vijojë edhe në Tiranë.
Të nderuar, duke qenë në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne në fund të vitit që shkoi nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës, që këtë jubile të madh të gjuhës e të kombit tonë ta shënojmë bashkërisht dhe kështu të dalim përtej kufijve politikë, duke ndërtuar ura kulturore e shkencore, ashtu siç kemi vepruar edhe para 50 vjetëve me vendosjen e gjuhës standarde. Rrjedhimisht, konferenca e sotme është fryt i këtij bashkëpunimi.
Sigurisht se kjo ngjarje merr dimension tjetër kur në mesin tonë e kemi edhe një pjesëmarrës të Kongresit të Drejtshkrimit, siç është prof. Rexhep Qosja, që edhe sot si para gjysmë shekulli e ruan gjallërinë intelektuale për të na ndërgjegjësuar për rolin e njësuar të gjuhës standarde shqipe.
E derisa flasim për pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit, dua të theksoj se edhe intelektualët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në atë kohë nuk kishin asnjë dilemë rreth këtij përcaktimi. Pjesëmarrja e prof. Remzi Nesimit, që kishte kumtesë dhe ishte nënshkrues i Rezolutës së Kongresit, si edhe e prof. Petro Janurës dhe prof. Sejfedin Sulejmanit, ishte dëshmi se në cilën anë do të ishin shqiptarët e asaj ane në gjysmëshekullin që vijonte.
E kur jemi te gjuha standarde, do të më lejoni të flas si historian. Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e Shtypuri Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik. Një komb i ndarë në baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund e gjeti elementin që do ta lidhte dhe do ta njësonte. Gjuha standarde shqipe, me Kongresin e Drejtshkrimit, u bë mjeti që i lidh dhe bashkon shqiptarët, duke ua rrafshuar të gjitha dallimet, për t’i bërë një komb që do të projektohet pikërisht përmes gjuhës. Pas këtij kongresi u bë relative se a je shqiptar në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Preshevë, në Ulqin ose në mërgatë, ngase tashmë ishte krijuar indi lidhor i kombit dhe kjo do ta tipizonte secilin shqiptar kudo që të jetë ai. Prandaj, shikuar në këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më e rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë.
Duke e përfaqësuar Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, që sivjet shënon 15-vjetorin e themelimit, dhe kështu duke u bërë zëri i albanologjisë në Maqedoninë e Veriut, dua të ndaj me ju kënaqësinë se alfabeti dhe drejtshkrimi na kanë integruar si komb edhe në kuptimin gjeografik. Kongresi i Alfabetit, që është mbajtur në Manastirin e Maqedonisë së Veriut, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Tiranës, janë tri pikat që më mirë se gjithçka e hartëzojnë identitetin tonë të përbashkët kombëtar. Si për koincidencë, kjo konferencë dhe këto aktivitete shkencore po bëjnë përsëri bashkimin e kombit, duke na mësuar se kufijtë politikë janë trivialë dhe se neve na pret një e ardhme europiane pa kufij.
Po e përfundoj fjalën time duke i dëshiruar sukses kësaj konference dhe duke uruar që bashkëpunimi i këtillë trepalësh të vazhdojë, të rritet, të fuqizohet dhe të sjellë gjithnjë e më shumë aktivitete të përbashkëta, që jo vetëm do të na mësojnë të komunikojmë e të bashkëpunojmë, por edhe do të na stërvitin të mësojmë nga njëri-tjetri, në mënyrë që brezave që vijnë t’ua trashëgojmë këtë frymë dhe këtë traditë.
Edhe njëherë suksese, ju faleminderit dhe mirupafshim!
Skender Asani, drejtor
Prishtinë, 23.11.2022