Portreti/intervista

Prof. dr. Shyqeri Galica: Në kujtim të Prof. Abdyl Kadollit

INTELEKTUAL I DENJË, VEPRIMTAR I DALLUAR ATDHETARIE

Kohë më parë, më 2019, u nda nga ne miku e kolegu ynë, profesor Abdyl Kadolli (1946-2019), pedagog, shkrimtar, kritik, eseist e publicist, i cili tërë jetën u përpoq të japë ndihmesën e tij në shumë forma, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të arritur në qëllimin parësor – lirinë dhe bashkimin e kombit. I edukuar në frymë atdhetare, intelektual e njeri me diapazon të gjerë, fisnik e dinjitoz, por shumë modest, ai do të angazhohet në periudhat më të ndjeshme në veprimtari për çlirimin e atdheut, që gati do t’i kushtojnë me jetë. Pos punës si pedagog, shkrimtar, esesit, kritik e publicist, ai në vitet ’90 të shekullit të kaluar do të bëjë një punë të veçantë si sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë me seli në Prishtinë, me ç’rast do të rrëmbehet, do të torturohet e do të kërcënohet nga policia sekrete serbe për veprimtarinë e tij atdhetare dhe do të hidhet në shpatet e Gërmisë për ta ndalur angazhimin e tij për liri. Por, përkundrazi, ai do të punojë edhe më shumë pas këtij veprimi me tërë mundin e vullnetin për të dalë nga prangat e pushtuesit. Si rezultat i punës së tij me përkushtim në Forumin e Intelektualëve Shqiptarë do të jetë vepra publicistike “Ora kombëtare” (“Ars”, Prishtinë), që do ta shohë dritën në vitin 2001. Ai ka botuar dhe vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit” (“Rilindja”, Prishtinë, 1998), por ka lënë në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera.Mbase do të duhej përmendur edhe veprimet e tij si punonjës i gazetës “Rilindja” kur do të reagojë rrufeshëm në padrejtësitë dhe kërcënimet që u bëheshin punonjësve të këtij institucioni gjatë diferencimeve të pushtuesve në forma të ndryshme, sidomos në vitet ’80 të shek. XX. Pa dyshim, ishte ndër të paktët që paraqiste argumente dhe kundërshtime ndaj pushteta¬rëve të asaj kohe, që me çdo kusht donin të ndërmerrnin masa ndaj gazetarëve e punonjësve të tjerë për të kënaqur apetitet e pushtetit serb.Nuk do të duhej të kalonim pa përmendur dhe fakte të tjera. Abdyli nga rroga që merrte në “Rilindje” për të mbajtur familjen, gjente mundësinë që të ndihmojë edhe veprimtarët, të cilët në atë kohë, sidomos në vitet ’80 të shekullit të kaluar, pa anën materiale nuk do të mund të vepronin. Këtë e bënte bashkë me disa kolegë të tjerë të Pallatit përkundër atyre që i bënin shërbim pushtuesit.Angazhimi dhe përkrahja e Lëvizjes kombëtare dhe e Luftës së UÇK-së në të gjitha format ishin të përhershme, prandaj shpeshherë do të paraqitet me shkrimet e tij për të artikuluar pikëpamjet atdhetare dhe për të inkurajuar forcat liridashëse për realizimin e synimeve tona shekullore, siç nuk do të mungonin dhe kritikat e reagimet ndaj dukurive e veprimeve joparimore.Këto dy dekadat e fundit, në dy mandate, ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor e kryeredaktor i revistës sonë letrare “Metafora”, të cilën e realizoi me profesionalizëm e përkushtim të madh, madje duke lënë shumë punë personale anash dhe duke u ndihmuar krijuesve të rinj e të vjetër për publikimin e punimeve letrare e shkencore. Ndihmesa e tij e dalluar ka qenë edhe në organizmin e manifestimeve tona letrare e kulturore, sidomos në dy takimet që tashmë janë tradicionale, festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”, që mbahet më 9 e 10 qershor në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – në Prishtinë, Prizren e Kukës dhe takimi letrar “Esad Mekuli”, që mbahet në Prishtinë. Shumë herë ka qenë anëtar jurie e pjesëmarrës në aktivitete letrare e shkencore në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në mjedise të tjera. Ndihmesa e tij në fushën e letërsisë e të shkencës është e madhe – ka bërë redaktimin e shumë e shumë botimeve, që pa dorën e tij nuk do të botoheshin, ose do të dilnin të gjymta…Pa dyshim, Abdyli ynë do t’i mungojë familjes e të gjithë neve, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë përjetë!