LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË ZONËN OPERATIVE TË SHALËS DHE HUMBJET E FORCAVE SERBE
Përfundimi i Luftës Ballkanike dhe vendimet e Konferencës së Paqes i gjetën trevat veriore e verilindore shqiptare nën pushtimin serb e malazez. Ato u ndanë në njësi administrative nga nevoja për kontrollimin sa më të lehtë dhe aneksimin e tyre. Kosova nën administrimin serb u nda në pesë qarqe, kurse Peja ishte qendër administrative për rajonet e Kosovës nën administrimin malazez.1
Serbia dhe Mali i Zi ndoqën një politikë shkombëtarizuese, duke përdorur metodat e dhunës e të represionit, që përfshinin plaçkitjet, vrasjet, shpërnguljet, konvertimet, kolonizimet, e shumë forma të tjera të dhunës. Në shtator 1913, kundër regjimit serb u ngrit në revoltë treva e Dibrës. Kryengritja përfshiu një pjesë të madhe të Kosovës, kurse në mars 1914 një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethinën e Rahovecit.2 Që të dyja ato u shuan dhunshëm, kurse masat represive ndaj banorëve të pafajshëm ishin të skajshme. Krahas kryengritjeve, në vise të ndryshme të Kosovës, sidomos pas vitit 1914, filluan të riorganizoheshin çetat kaçake si përgjigje ndaj dhunës serbe.
Një gjendje e tillë për shqiptarët vazhdoi deri në fund të vitit 1915, kur forcat ushtarake serbe, të paafta të përballeshin me ushtrinë austro-hungareze nga Veriu dhe atë bullgare nga Lindja, kaluan përmes territorit shqiptar në Selanik, ku Fuqitë Aleate kishin themeluar frontin e Selanikut. Që nga janari i vitit 1916, Kosova dhe trevat tjera shqiptare u vunë nën administrimin e forcave të Boshtit, pra të Austro-Hungarisë e Bullgarisë. Zona bullgare përfshinte: Llapin, Prishtinën, Gjilanin, Drenasin, Suharekën, Prizrenin etj., të organizuara në tri qarqe: Prizren, Prishtinë dhe Shkup, kurse zona austro-hungareze përfshinte: Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderaj etj. Këto vise, ishin të lidhura me Guvermanin gjeneral ushtarak për Serbi, respektivisht për Mal të Zi.3
Në zonat e kontrolluara, austro-hungarezët dhe bullgarët ndoqën politika të kundërta ndaj shqiptarëve. Për të pasur mbështetjen e tyre, austro-hungarezët lejuan disa të drejta kombëtare si: përdorimi i flamurit e gjuhës shqipe në administratën lokale dhe vijimin e shkollave në gjuhën shqipe, kurse bullgarët nuk u njohën shqiptarëve asnjë të drejtë. Pushtimi bullgar nuk kishte asnjë dallim nga ai serb i viteve 1912-1915. Si rezultat, u shpeshtuan sulmet kaçake jo vetëm kundër bullgarëve, por edhe austro-hungarezëve. Në rajonet e Drenicës, Llapit, Shalës së Bajgorës, Gjilanit, Tetovës etj., u shtri rezistenca e armatosur shqiptare.4
Në prag të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, forcat Aleate, në të cilat gjendeshin rreth 100 000 trupa serbe, kishin shpërthyer frontin e Selanikut dhe po marshonin drejt veriut të Ballkanit. Ushtria franceze e pushtoi Kosovën dhe më pas ia dorëzoi Komandës së Divizionit Jugosllav e Armatës II serbe.5
Njësitet jugosllave të vendosura në Kosovë filluan menjëherë zbatimin e politikës së terrorit. Në emër të spastrimit të territorit, çarmatosjes së popullatës dhe vendosjes së rendit e qetësisë u zhvilluan ekspedita të shumta ushtarake. Qindra fshatra u dogjën dhe u masakruan me mijëra njerëz (burra, gra e fëmijë). Këto fushata ndjekjeje nuk pushuan deri në vitin 1924, kur u vra Azem Bejta dhe u likuidua Lëvizja Kaçake.6
Krahas aksioneve ushtarake u ndërmorën edhe veprime politike të cilat kishin për qëllim arritjen e disa objektivave: zhdukjen e kompaktësisë shqiptare në Kosovë përmes shpërnguljeve, vendosjen e elementit sllav dhe ngritjen e vetëdijes së tij etj. Për t’i realizuar këto objektiva, qeveria jugosllave gjatë muajve gusht-shtator 1920 nxori dy ligje: “Ligji për Reformën Agrare” dhe “Dekretin për kolonizimin e pjesëve të reja jugore”.7 U shpronësuan parcela të konsiderueshme tokë pjellore, të cilat iu dhuruan kolonëve sllavë. Nga të dhënat del se mbi 53 000 kolonë sllavë u vendosën në Kosovë në periudhën midis dy luftërave botërore.8 Meqë Reforma Agrare dhe Kolonizimi nuk kishin dhënë rezultatet e pritura, Jugosllavia në korrik të vitit 1938 arriti një marrëveshje për shpërnguljen e 40 000 familjeve “myslimane” nga krahinat që Serbia e Mali i Zi i kishin aneksuar më 1913.9 Ajo duhej të realizohej brenda gjashtë vitesh, por intervenimi i diplomacisë shqiptare dhe fillimi i Luftës së Dytë Botërore pamundësuan zbatimin e saj.
Në prill të vitit 1941 forcat e Boshtit, Italia dhe Gjermania sulmuan Jugosllavinë. Territoret shqiptare në Jugosllavi u ndanë në tri pjesë: Mitrovica dhe Podujeva u vendosën nën administrimin gjerman; Gjilani, Ferizaj, Kumanova etj., nën administrimin bullgar, kurse pjesa e mbetur e Kosovës, Plava, Gucia, Ulqini etj., mbetën nën administrimin italian dhe si të tilla iu bashkëngjitën Shqipërisë.10
Ky akt u konsiderua si arritje e një aspirate kombëtare ngaqë me trungun amë u bashkua një sipërfaqe dhe një popullsi e konsiderueshme shqiptare. Për t’i administruar këto troje, u formua “Ministria për trojet e çliruara”. Në krye të saj qëndruan përfaqësues shqiptarë, të cilët shfrytëzuan mundësitë e ofruara dhe organizuan sistemin arsimor në Kosovë, që gjatë viteve 1941-1943 funksionoi sipas ligjeve arsimore të Ministrisë së Arsimit të shtetit shqiptar. Gjatë këtyre viteve, në Kosovë ushtruan veprimtarinë e tyre rreth 180 shkolla fillore.11
Pas kapitullimit italian, shtator 1943, trevat shqiptare u vendosën nën administrimin gjerman. Ndërkohë forcat politike që vepronin në trevat shqiptare ishin nacionalistët dhe partizanët komunistë. Secila kishte bindjet e veta. Ndërsa, nacionalistët shpresonin në fitoren e gjermanëve, komunistët kishin idealin e vetëvendosjes së popujve. Mbi këto baza u aprovua Rezoluta e Bujanit, gjatë mbledhjes së Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës të mbajtur në Bujan, Malësi e Gjakovës, më 31 dhjetor 1943 – 1 e 2 janar 1944, që bënte thirrje për respektimin e të drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, respektivisht bashkimin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë.12
Por, një vendim i tillë nuk u respektua. Brigadat partizane serbe-maqedonase marshuan në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945 në drejtim të Kosovës. Në fillim të shkurtit të vitit 1945 komandanti suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë shpalli administrimin ushtarak në Kosovë, kurse në krye të komandës së kësaj administrate emëroi malazezin, Sava Drljeviç.13 Qëllimi i këtij akti ishte shtypja e çdo rezistence me synim aneksimin e Kosovës. Ai ishte një prelud që çoi në shtypjen e kryengritjes së Drenicës, të udhëhequr nga Shaban Polluzha (dhjetor – shkurt 1945), dhe në Kuvendin e Prizrenit (8-10 korrik 1945), apo Kuvendi i Këshillit Popullor të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, ku u miratua rezoluta që Kosova t’i bashkëngjitej Serbisë, si pjesë përbërëse e saj.14
Vitet pasuese ishin të rënda për shqiptarët. Përveçse nuk u njihej asnjë e drejtë kombëtare, ata iu nënshtruan dhunës sistematike serbe, e cila zgjati deri në vitin 1966, kur në njërin nga plenumet komuniste shkarkohet nga pozitat udhëheqëse Aleksandër Rankoviqi, i cili kontrollonte policinë sekrete jugosllave, duke shënuar edhe fundin e grupimit burokratik-centralist. Në këtë mënyrë u hap rruga drejt një faze të liberalizimit shoqëror, politik dhe ekonomik, nga i cili do të përfitonin dukshëm edhe shqiptarët, pozita e të cilëve po shkonte kah barazimi me të tjerët në Federatë.15 Por, shqiptarët kërkonin më shumë të drejta dhe shpallën vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejta kombëtare dhe njerëzore, duke u ngritur kundër autoritetit të shtetit jugosllav që për dekada i kishte shtypur e ndrydhur dhe vazhdonte të mos i dëgjonte. Kështu në nëntor të vitit 1968, në qytetin e Prizrenit, u organizua demonstrata e parë në Kosovë dhe për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova-Republikë. Ajo do të pasohej edhe nga demonstrata në komuna të tjera të Kosovës e shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi.
Arritje për Kosoven ishin hapja e Universitetit të Prishtines dhe institucioneve tjera kërkimore shkencore, si dhe miratimi i Kushtetutës së vitit 1974, e cila i ofronte Kosovës disa atribute si: e drejta për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës, e drejta për organizim autonom të qeverisjes dhe pavarësi të sistemit gjyqësor etj.16 Megjithëkëtë, statusi i Kosovës krahasuar me republikat e tjera të Jugosllavisë nuk ishte i barabartë, duke e lënë të pambyllur hendekun ndërmjet Kosovës dhe njësive të tjera federative. Shqetësimi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për prosperitet, dora dorës po fokusoheshin në një pikë: si të pavarësoheshin nga Serbia dhe të arrinin statusin e Republikës. Të gjithë ata që punonin për realizimin e saj arrestoheshin e burgoseshin. Sipas burimeve të ndryshme arkivore shqiptare dhe jugosllave në vitet 1974-1981 ishin arrestuar për veprimtari nacionaliste më shumë së 600 shqiptarë. Pa kaluar as një vit nga Kushtetuta e vitit 1974, Kryesia e RS të Serbisë organizoi një komision për të kundërshtuar zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 lidhur me statusin e krahinave dhe raportin e tyre me Serbinë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur në të gjithë treguesit ekonomik. Në vitin 1979 kapaciteti prodhues për banorë në Kosovë ishte 7,2 herë nën nivelin federativ dhe 16 herë nën atë të Sllovenisë. Në vitin 1980 të ardhurat kombëtare për banorë në Kosovë përbënin 28,1% të mesatares jugosllave. Politika ekonomike e udhëheqjes jugosllave ishte e ndryshme me praktikën që ndiqej në njësitë e tjera federative. Ajo mbeti në thelb një politikë kolonialiste. Nga ana tjeter, aspirata e shqiptarëve të Kosovës për jetë të pavarur bëhej gjithnjë e më imponuese. Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë. Demonstratat e vitit 1981 që shpërthyen në pranverë të vitit 1981 ishin rrjedhojë e këtij procesi. Studentët e Universitetit të Prishtinës dhe populli që iu bashkua gjatë muajve mars-prill 1981 demonstruan për ngritjen e statusit politik të Kosovës – për Kosovën Republikë. Kundërpërgjigjja e organeve komuniste jugosllave ishte e ashpër. Vendosja e shtetrrethimit ushtarak në Kosovë u pasua me procesin e diferencimit ideopolitik, që spastroi nga universiteti e udhëheqja e lartë politike krahinore një numër të madh intelektualësh e përfaqësuesish shqiptarë.17
Pas vitit 1981 filloi konsolidimi i nacionalizmit serb në Serbi e Kosovë, një propagandë antishqiptare, si dhe rindërtimi i mitit serb për Kosovën. Në pushtet mbizotëroi rryma nacionaliste, e cila hartoi programin nacional serb, kurse anulimi i autonomisë së Kosovës, më 23 mars 1989, nga votimi i dhunshëm në Kuvendin e Kosovës, ishte hapi i parë në këtë drejtim.18
Anulimi i Autonomisë së Kosovës vazhdoi me procesin e integrimit të Kosovës në Serbi, përmes uzurpimit të kompetencave legjislative e ekzekutive. Si reagim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën më 2 korrik 1990 Deklaratën Kushtetuese, që i jepte Kosovës të drejtën e përcaktimit të statusit të saj, kurse në shtator 1990 shpallën Kushtetutën e Kosovës, për të vazhduar më 1991 me Referendumin për Kosovën shtet të pavarur e sovran.19
Në bazë të këtyre vendimeve klasa politike shqiptare punoi në dy drejtime: konsolidimin e brendshëm përmes ndërtimit të institucioneve paralele dhe rezistencën pasive kundër okupimit, përmes sensibilizimit të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Angazhimi për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës në drejtim të pavarësisë së saj u prit ftohtë jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga njësitë tjera federale. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.20
Komuniteti ndërkombëtar, i preokupuar edhe nga rrethanat që u acaruan me nisjen e konfliktit të armatosur në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, nuk e pa të udhës t’i kushtonte vëmendje kërkesave që vinin nga shqiptarët e Kosovës. Ai u mjaftua vetëm në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe rikthimin e një autonomie lokale në Kosovë. Një qëndrim i tillë dëshmohet edhe nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut21, si dhe nga Rezoluta e Përbashkët* e Senatit dhe Kongresit Amerikan e cila në esencë bënte thirrje për ndalimin e dhunës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rikthimin e autonomisë politike të Kosovës.22
Gjatë viteve 1990-1999 faktori ndërkombëtar në përgjithësi mbajti një qëndrim refuzues ndaj kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Ai u mjaftua në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në sigurimin e një lloj autonomie në kuadër të Serbisë, respektivisht Jugosllavisë. Një qëndrim i tillë, ishte më i theksuar në vitet 1991-1992 pasi fokusi i komunitetit ndërkombëtar ishte drejtuar në problemet që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe në formësimin e qëndrimit që ai duhej të mbante. Ndaj Kosovës vëmendja ishte sipërfaqësore dhe nuk ishte pjesë e një procesi të mirëfilltë ndërkombëtar. Kjo u dëshmua në konferencën ndërkombëtare të Londrës23, mbajtur në gusht 1992. Edhe gjatë viteve 1992-1995 komuniteti ndërkombëtar ishte i angazhuar kryesisht në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa në aspektin e jashtëm Kosova u la në harresë, në aspektin e brendshëm vazhdonte dhuna sistematike policore serbe. Për shkak të cilësimit të Serbisë si faktor paqeje në Ballkan qëndrimi refuzues ndaj kërkesave për pavarësi vazhdoi edhe në vitet 1995-1997. Kosova nuk u ftua në Konferencën e Dejtonit më 1995. Komuniteti ndërkombëtar përsëri përpiqej që Kosova të kishte një lloj autonomie në kuadër të Serbisë, me gjithë rritjen e dhunës e presionit policor.
Organizimi i rezistencës së armatosur u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së saj. Ndonëse celulat e para të organizimit të rezistencës së armatosur i hasim qysh në fillim të viteve 1990, 28 nëntori i vitit 1997 shënoi daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Llaushë të komunës së Skënderajit.
Në fund të shek. XX alternativa e luftës së armatosur për çlirimin e vendit, fitoi terren në tërë Kosovën. Shala e Bajgorës24 nuk mbeti pas këtij organizimi. Atje, ashtu si në regjionet e tjera, forma e veprimit ishte fillimisht ajo guerile, e cila në vetvete përmbante strategjinë: godit e tërhiqu. Kështu, në fund të vitit 1996 dhe fillim të vitit 1997, u ndërmorën disa sulme kundër forcave serbe, si: aksioni me bomba dore më 11 shkurt 1996 në Vushtrri;25 aksioni te Ura e Gjakut (Mitrovicë), në qershor të vitit 199626; më 27 shtator 1996, u hodhën dy granata dore, në repartin ushtarak “Millosh Obiliqi”, në Vushtrri27; më 9 dhjetor 1997 në Akrashticë, u çarmatos një patrullë e policisë serbe,28 ndërsa më 28 shkurt 1998, u ndërmor një aksion në burgun e Smrekonicës.29 Edhe në fshatrat e Artakollit, përkatësisht Çyqavicës,30 filloi dalja publike e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më tej: UÇK) dhe në mars të vitit 1998 formohet baza e parë e UÇK-së, në Zhilivodë.31 Më 6 maj 1998, në Mitrovicë, studenti Artim Jashari, vrau dy policë serbë dhe plagosi një tjetër,32 por gjatë sulmit ai plagoset rëndë dhe ndërron jetë.33 Artim Jashari ishte një ndër dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bazuar në “Buletinin” nr. 1, të Brigadës 141 “Mehë Uka”, të datës 6 janar 1999, del se Njësiti i Parë i UÇK-së, ka dalë publikisht në rajonin e Shalës, në pranverë të vitit 1998, në Zabërrgjë*, i përbërë nga tetë vetë.34 U vendosën lidhje edhe me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në ato anë dhe brenda dy javëve të para, Njësiti në Zabërrgjë u zgjerua duke u përbërë mbi 30 vetë, me udhëheqës të parë të saj, Avni Imeri-Liqej.35 Më 6 qershor 1998, në Zabërrgjë u vendosën edhe pjesëtarët e parë të UÇK-së së Llapit, duke u shndërruar në qendër grumbullimi, rekrutimi, sistemimi dhe stërvitjeje të para të UÇK-së në rajonin e Shalës, por jo vetëm. Më vonë do të shndërrohet edhe si qendër e parë e stërvitjeve themelore për Nënzonën Operative të Shalës (më tej: NZOSH) dhe më pas edhe për Nënzonën Operative të Llapit (më tej: NZOLL). Nga tetori 1998, Bajgora do të bëhet qendër e stërvitjeve të Brigadës 141 “Mehë Uka”.36 Më 13 qershor 1998, në shkollën e këtij fshati (Zabërrgjë), u formua shërbimi sanitar. Prej saj, më 17 qershor 1998, niset grupi i parë i ushtarëve prej 10 vetash për në Shqipëri, për sigurimin e armatimit për repartet e vendosura në Shalë dhe më 6 korrik kthehen në Bare.37
Në qershor të këtij viti (1998), nga disa drejtues të ZOSH-së, u kërkua ndihmë për armatim të rëndë në Shtabin e Drenicës në Likovc, ku i ofruan një gulinov kundërajror 12.7 dhe një minahedhës 80 mm, i cili u mor dhe u dërgua në Shalë. Këto armë ishin të vetmet e këtij lloji për Brigadën 141 deri me kthimin e grupit II dhe III nga Shqipëria. Grupi i dytë i ushtarëve nga Shala për në Shqipëri, ishte nisur më 29 qershor dhe kishte mbërritur më 4 korrik, në Tropojë. Gjatë kthimit më 18 korrik, ata bien në pritë të forcave serbe, vritet luftëtari Shahin Krasniqi, plagosen tre të tjerë dhe një lëndohet. Pjesa e grupit që shpëtuan rikthehen në Shqipëri dhe pas ca ditësh do të takohen me grupin e tretë, i cili tashmë ishte nisur për armatim nga Shala. Ai ishte nisur më 18 korrik dhe përbëhej prej 77 vetash. Më 20 gusht, me bashkimin edhe të 10 luftëtarëve të tjerë nga grupi i dytë numri arriti në 87 vetë. Gjatë rrugës për kthim ranë në pritë në kufi në trekëndëshin Kosovë, Shqipëri, Mali i Zi dhe u plagosën dy ushtarë nga Brigada 141.38
Në rajonin e Shalës, fillimisht formohen njësitet, skuadrat, togjet dhe kompanitë, e më pas batalionet e Brigadës. Njësitet e para në terren, si pozita mbrojtëse, ishin formuar nga data 6 qershor 1998, por me shkresa zyrtare dhe emërime nga 24 qershori 1998. Kështu, pas Zabërrgjës, njësitet e para me vendqëndrim në Shalë të Bajgorës, kanë qenë: Njësiti në Bajgorë, Kaçanoll, Mazhiq, Melenicë, Rahovë, Pasomë, Vllahi, Bare, Skromë etj. Jo vetëm këto, por edhe të tjera, të formuara me kontributin e tyre çuan deri në krijimin e njësiteve më të mëdha të tipit kompani, batalion dhe brigada.
Formimi i Zonës Operative të Shalës
Kosova, deri në nëntor të vitit 1998, ishte një zonë operative e UÇK-së, e organizuar në shtatë nënzona operative (më tej: NZO): NZO e Drenicës, NZO e Pashtrikut, NZO e Dukagjinit, NZO e Shalës, NZO e Llapit, NZO e Nerodimes dhe NZO e Karadakut. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së (më tej: SHPUÇK), në mbledhjen e mbajtur më 12 nëntor 1998, mbështetur në nevojën e riorganizimit, strukturimit dhe ngritjes së komandimit, nxori këtë vendim: 1. Nënzonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpallen zona operative; 2. Të bëhet ristrukturimi i komandave të zonave operative. Ky vendim u drejtohet: zonave operative, Arkivit dhe Drejtorisë Operative.39 Me këtë vendim u bë kalimi nga organizimi i nënzonave operative, në zona operative: Zona Operative e Drenicës (më tej: ZOSH), Zona Operative e Pashtrikut (më tej: ZOP), Zona Operative e Dukagjinit (më tej: ZOD), Zona Operative e Shalës (më tej: ZOSH), Zona Operative e Llapit (më tej: ZOLL), Zona Operative e Nerodimes (më tej: ZON) dhe Zona Operative e Karadakut, (më tej: ZOK). Ato i raportonin Shtabit të Përgjithshëm (më tej: SHP) të UÇK-së, nga i cili merrnin planet e veprimeve luftarake dhe urdhrat.40
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të organizimit dhe komandimit, më 4 korrik respektivisht 23 korrik 1998, nxori Rregulloret e Përkohshme. Më 4 korrik u mor vendimi për formimin e njësive deri në kompani, kurse më 23 korrik u aprovua rregullorja e përkohshme e nënreparteve të zbulimit në luftë. Ndërkohë, më 16-17 gusht 1998, u vendos që të kalohej në nivelin e organizimit në brigada.41
Zona Operative e Shalës,* shtrihej në pjesën veriperëndimore të Kosovës, e cila kufizohej: në verilindje me ZOLL, në veri dhe veriperëndim me Serbinë dhe në jug me ZOD.42 Si çdo zonë tjetër edhe ajo kishte territorin e përgjegjësisë, në të cilën bënin pjesë qytetet, si: Vushtrri, Mitrovicë, Zveqan dhe Leposaviq. Komandant i ZOSH ishte Rrahman Rama. Shtabi i ZOSH ka qenë në Ashlan. Në ZOSH u formuan dy brigada: Brigada 141 dhe Brigada 142.43 Brigada e parë mori emrin e veprimtarit, “Mehë Uka”*. Kjo Zonë përveç dy brigadave të lartpërmendura kishte edhe Njësitin Special të ZOSH dhe Njësitin e Policisë Ushtarake. Brigadat e ZOSH, në territorin ku vepronin, në strukturë kishin batalionet që përbëheshin nga kompanitë, togjet, skuadrat etj. Të gjitha njësitë vepronin në zinxhirin komandues si strukturë organizative e UÇK-së.
Përgatitja profesionale ushtarake e pjesëtarëve të UÇK-së, në pranverë të vitit 1998 kishte filluar në malet e Çyqavicës. Stërvitjet mbaheshin në fushën Seqe në malet e Çyqavicës mbi fshatin Zhilivodë.44 Nga mesi i vitit 1998, pjesa më e madhe e ushtarëve të UÇK-së iu nënshtruan stërvitjeve ushtarake sistematike. Nga tetori deri në dhjetor 1998, ZOSH merret me konsolidimin e radhëve të veta, me stërvitje të Njësitit Special dhe të Brigadës 141, si dhe me sigurimin e sasisë së mjaftueshme të armatimit, logjistikës etj. U arritën të përgatiten, të stërviten dhe njësi elite, njësi speciale, siç ishin ajo e ZOSH dhe e Brigadës 141, e në fund të luftës, këto njësite u shndërruan në Batalion Gardist. Plani i ushtrimeve përfshinte këto fusha: taktikë e përgjithshme e speciale, përdorim i të gjitha llojeve të armatimit në dispozicion, topografi dhe përgatitje moralo-politike. Për çdo lëmi u caktuan eprorët përkatës në stërvitje. Në qendrat stërvitore në Zabërgj, Bajgorë dhe më pas edhe në Bare, me rekrutimin e ushtarëve, ata stërviteshin fillimisht që të përdornin armët e disa llojeve që i posedonin aso kohe, si: AK-47, M-48, snajper, pushkë gjysëmautomatike, mortaja, bazuka, nitroglicerina, armë kundërblinduese, armë kundërajrore (gulinov 12.7), të topave 75 mm, por disa edhe në përdorimin e granatahedhësve 60 mm, 82 mm dhe 120 mm, kur dihet se në këtë Zonë (më saktë, Brigada 141), formohet dhe një njësit i artilerisë,45 në kuadër të Njësitit Special.46 Përveç trajnimeve përgatitore, në ZOSH organizohej edhe betimi i ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: “Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem, betohem, betohem!”.47
Sa i përket furnizimit me armatim, kanë ekzistuar disa linja. Më së shumti armët u morën nga Bosnja, pastaj nga Shqipëria, por edhe nga objekte ushtarake serbe gjatë betejave dhe sulmeve ndaj tyre.48
Një kontribut të veçantë në luftën çlirimtare padyshim që ka dhënë mërgata shqiptare në perëndim. Më 19 shtator 1998, për nevojat ushtarake kishin arritur në Vushtrri, 100 000 DM (njëqind mijë marka gjermane).49 Në tetor të atij viti, përmes një kërkese ZOSH bëri thirrje për ndihmë shtesë financiare.50 Në këtë periudhë meqë UÇK-ja, kishte shtrirje operative më të madhe – rrjedhimisht nevoja për mbështetje financiare ishte imediate. Në fakt, një gjendje e tillë ishte në të gjithë Kosovën. Sa rritej numri dhe shtrirja e Ushtrisë Çlirimtare aq më shumë duheshin të ardhura për nevojat logjistike të saj. Më tej, Shtabi i Nënzonës Operative të Shalës, më 10 nëntor 1998, kishte autorizuar persona, që të grumbullonin dhe të dërgonin mjete financiare nga bashkatdhetarë për çlirimin e Kosovës.51 Lidhur me këtë, NOSH kishte dërguar më 11 nëntor edhe një kërkesë tjetër në Gjermani për sigurimin e mjeteve materiale në vlerë prej rreth 300 000 DM (treqind mijë marka) për nevoja e pajisje me armë bashkëkohore.52 Autorizimi dhe kërkesa në fjalë dhanë rezultate të dukshme në këtë drejtim nga ana e bashkatdhetarëve.
Me qëllim të rritjes së harmonisë në ushtri, moslejimit të krijimit të pakënaqësive ndër ushtarë, eliminimin e parregullsive në shpërndarje të të mirave, krijimit të lehtësirave të kontrollit dhe eliminimin e mundësisë së keqpërdorimeve, Komanda e ZOSH lëshoi këtë urdhëresë: “1. Urdhërohen komandat e njësive të Zonës së Shalës që të gjitha të mirat materiale, si: ushqim, veshmbathje, financa etj., t’i shpërndajnë në mënyrë krejtësisht të barabartë, duke filluar prej brigadave e deri te skuadra. Çdo gjë të ndahet në mënyrë të barabartë pavarësisht nga sasia apo vlera. 2. Nuk lejohen privilegje për askënd dhe për asgjë, etj.”53 Më 27 dhjetor 1998, ZOSH, nxori edhe një “Urdhëresë për ndalimin e pranimit të ndihmave për UÇK-në nga persona të paautorizuar zyrtarë”. Për këtë kishte caktuar personat zyrtarë për kontakte me donatorë dhe për çdo ndihmë duhej të informohej Komanda e Zonës, përkatësisht organi përkatës i saj – Logjistika.54
ZOSH, kishte “Buletinin”, organ i Brigadës 141.55 Për më tepër, Zona në fjalë kishte misionin për drejtimin dhe koordinimin e luftës së armatosur, kundër forcave pushtuese serbe, mbrojtjen e popullsisë civile, si dhe angazhimin në proceset politike e diplomatike rreth çlirimit të Kosovës.
Veprimtaria luftarake e UÇK-së në rajonin e Shalës së Bajgorës, më 1998
Veprimi dhe konsolidimi i njësiteve të UÇK-së në rajonin e Shalës së Bajgorës dhe Çyqavicës qe shoqëruar me veprime konkrete luftarake kundër forcave pushtuese. Duke dëshmuar para Gjykatës Ndërkombëtare Penale në rastin Haradinaj dhe të tjerët, komandanti i Brigadës 125 të motorizuar, Dragan Zhivanoviq, e përshkroi Zonën e Përgjegjësisë që kishte Brigada 125 e Motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë, për vitin 1998: “Gjatë vitit 1998 Zona e Përgjegjësisë së Brigadës 125 përfshinte komunat: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë, Zubin Potok, Serbicë, Vushtrri, Klinë, Istog, Pejë dhe Deçan”.56 Komanda e kësaj Brigade, më 24 prill 1998, dha urdhër për “vendosjen e plotë të kontrollit ushtarak mbi territorin”. Në arsyetimin e urdhrit thuhet: “Vlerësimet mbi forcat terroriste-shqiptare në zonën e përgjegjësisë së brigadës, në rajonet e fshatrave: Blagojë, Zaberrgjë, Çushka, Zahaq, Osojë etj., gjenden rreth 100 persona të cilët kanë zhvilluar aktivitete ushtarake kundër forcave tona dhe tani si civilë ndodhen në rajonet e fshatrave të tyre”.57
Intensiteti i veprimeve kishte filluar ende pa u formuar brigadat dhe zona operative. Po veçojmë, fillimisht betejën e Hamidisë, zhvilluar më 11 qershor. Ngaqë UÇK-ja kishte përgatitur njësitë e veta operative taktiko-luftarake në tërë rajonin e Çyqavicës, përkatësisht në pjesën e Artakollit në fshatrat: Trimor, Burim, Hamidi, Sibovc, Shipitullë, Strofc, Beçuk, Mihaliq, Gurakuq, Druar, Shallc, Kollë, Novolan etj., pasditen e 11 qershorit forcat serbe pësuan humbje gjatë luftimeve me forcat e UÇK-së, me ç’rast mbetën të vrarë dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (më tej: MPB), disa të tjerë u plagosën. Nga luftëtarët e UÇK-së pati të plagosur dhe të lënduar.58 Ndërkohë, më 18 qershor, gjatë një aksioni u mor Fabrika e Galanterisë së Lëkurës në Bare* dhe nga qershori deri më 15 shtator, në të u qepën rreth 2 800 palë uniforma për ZOSH, ZOLL dhe ZOD.59
Në fund të muajit qershor, me urdhrin e zëvendëskomandantit të ZOSH-së, Mensur Kasumit,60 njësitë e UÇK-së, zbresin në fshatin Bardh të Madh dhe caktojnë pikë kontrollin në territorin ku ishte zonë e kontrolluar nga policia serbe, por që më shumë shërbente si zonë neutrale. Me aksionin e ndërmarrë u çarmatos sigurimi i Kombinatit të Korporatës Energjetike të Kosovës (më tej KEK). Ndërkohë, forcat serbe me arsenal e makineri ushtarake do t’i drejtoheshin fshatrave Bardh i Madh, Grabofc, Hade, Lajthisht, dhe një pjesë të Sibofcit. Konfrontimet zgjatën disa ditë. Njësitet e UÇK-së në pamundësi për t’u përballur me ato forca, tërhiqen në fshatin Shipitullë në lagjen “Mjeku”. Në atë betejë, përveç njësive të Artakollit, morën pjesë edhe luftëtarë të tjerë.61 Në fshatin Hade, në luftime bien heroikisht tre ushtarët e UÇK-së që kishin shkuar në ndihmë nga Drenica, Ismet Uka, Mentor Dervishaj dhe Xhemajl Mehmeti.62
Intensiteti i veprimeve ushtarake u shtua nga korriku i vitit 1998 e në vazhdim, me beteja të ashpra dhe të përgjakshme, siç ishte rasti me betejën e Mazhiqit që fillon më 10 përkatësisht 11 korrik. Forcat serbe nga antena e Kutllovcit filluan aksionin duke granatuar në Mazhiq, Kutllovc, Baren dhe Vidishiqin.63 Me këtë rast, në kundërpërgjigje nga forcat e UÇK-së, te Shkoza e Madhe e Mazhiqit, u plagosën 5 ushtarë të UÇK-së.64 Më 11 korrik, forcat serbe marrin përforcime në teknikë luftarake dhe njerëz, ku priten me breshëri nga njësiti i UÇK-së. Në mbrojtje të pozicioneve ishin të angazhuara njësitë e Brigadës që aso kohe numëronte 785 ushtarë në të gjitha detyrat.65 Granatime kishte pasur edhe më 12-13 korrik. Si rezultat i tyre banorët nga Stantërgu, boshatisën shtëpitë, disa familje të Rahovës u larguan nga fshati, e po ashtu edhe në Melenicë. Edhe më 29-31 korrik e 1 gusht, kishte pasur granatime dhe të shtëna të pakontrolluara nga pozicione të ndryshme të forcave serbe.66 Për këtë raportohej që kishte konfrontime në Shalë të Bajgorës.67
Në fillim të gushtit 1998, forcat serbe kishin rrethuar fshatin Pantinë nga të dyja anët, nga ajo e Frashrit dhe Vushtrrisë. Pas luftimeve, që kulmojnë më 6 gusht, bie dëshmori i UÇK-së, Jeton Tërstena68 dhe plagosen dy luftëtarë.69 Në gusht, si dhe më 10-15 shtator 1998, konfrontimet u përqendruan nga Kutllovci-Shkoza e Madhe (Mazhiq) deri në Trepçali, ndërsa granatimet nga minahedhës dhe topa deri në 155 mm arrinin deri nga mesi i Bajgorës. Gjatë luftimeve u shpërngulën të gjithë banorët e fshatrave Mazhiq, Terrstenë, Kutllovc, Stantërg, dhe një pjesë e fshatit Bare, të cilat ishin më të goditurat. Më 1 gusht, pas granatimeve të shumta iu vu zjarri disa shtëpive shqiptare në lagjen “Livadhi” në Trepçë. Më datë 17 të po këtij muaji, UÇK nga Kërrshi i Bletës, sulmoi forcat serbe, të cilat kishin tentuar të dilnin mbi lagjen “Kolonia angleze”. Reagimi i forcave serbe qe i menjëhershëm, të cilat bombarduan pamëshirshëm vendbanimet përreth. Si pasojë u plagosën dy vajza dhe një djalë. Edhe më 21 gusht, forcat serbe sulmuan furishëm pozicionet e UÇK-së në Rajk me mjete të rënda luftarake, tanke, autoblinda dhe raketahedhës, ku pati dhe një të plagosur.70
Gjatë periudhës 10-15 shtator 1998, forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, zhvilluan aksionin në zonën e Bajgorës dhe në Stantërg të Mitrovicës, të cilët ishin futur në këmbë në Stantërg dhe kishin bastisur e djegur disa shtëpi. Një ekip i Njësive Policore kishte marrë pjesë në operacionet në zonat e Bajgorës, njësi që vepruan nën mbështetjen e tankeve dhe automjeteve të blinduara të Ushtrisë së Jugosllavisë,71 (më tej: UJ). Në mbledhjen e 13 shtatorit 1998, Lukiqi* foli për “përgatitjen e operacionit Bajgora”. Të nesërmen ai i informoi të pranishmit se operacioni Bajgora ishte kryer. Në mbledhjen e 15 shtatorit, Lukiq edhe njëherë foli për angazhimin e ekipit 2 dhe 5 të Njësive Speciale Policore në rajonin e Stantërgut dhe Bajgorës. Ndërsa, në mbledhjen e 16 shtatorit ai foli për operacionet në rajonin e Bajgorës, në fshatin Bare.72 Edhe njësia për Operacione Speciale (më tej: NJOS), së bashku me Njësitë Speciale Policore (më tej: NJSP), kishin vepruar në Bajgorë, Çyqavicë e Kosmaq gjatë tetorit të këtij viti.73
Kulmi i qëndresës dhe sakrificës për rajonin e Shalës së Bajgorës arrihet me “Ofensivën e Shtatorit”, që filloi në mëngjesin e 15 shtatorit 1998. “Sulmin në Shalë serbët e kishin bërë me një korpus dhe nga shumë drejtime”,74 duke ndërmarrë një ofensivë të përmasave të mëdha në të cilën u përfshinë disa fshatra të rajonit të Shalës, si: Stantërgu, Melenica, Maxhera, Zjaqi, Zabërrgja, Vidishiqi, Bare, Bajgorë, Kaçanoll, Pasomë, Rashan, Tërstenë, Mazhiq, Kutllovc, Trepçali, u granatuan dhe u dëmtuan pjesërisht edhe Dedia e Selaci. Shala ishte sulmuar përgjatë një vije të gjatë frontale: Rahovë-Cenaj-Melenicë-
Artileria mbronte terrenin dhe krijonte kushte për depërtimin e këmbësorisë. Derisa veproi artileria, njësitet e UÇK-së, në Melenicë dhe Rahovë qëndruan në strehimore dhe me lëvizjen e këmbësorisë pati veprime konkrete frontale në veçanti tek pjesa nga Trepça që shpinte te lagjja “Cenaj”. Forcat serbe iu vërsulën kësaj lagjeje të fshatit Stantërg, e më pas drejt Melenicës. Në lagjen Cenaj u plagos një ushtar i UÇK-së, i cili ishte dërguar për ndihmë nga Komanda e Brigadës, si dhe u vranë tre civilë. Këto viktima u varrosën pas tri ditësh nga ushtarët e Rahovës. Kurse, në një shtëpi në Preten, ishte zënë rob një person me nënën e tij, të cilët u keqtrajtuan tërë natën dhe u liruan në mëngjes.76
Rezistencë pati edhe në Melenicë. Granatimet dhe sulmet me të gjitha llojet e armëve tashmë ishin në vlugun më të madh. Rezistenca vazhdoi edhe pse goditej me minahedhës pa ndërprerje. Kështu, nga Kompania e Parë u hodhën dy predha topi 75 mm në Trepçë, ku dhe u godit një tank i forcave serbe.77 Në Melenicë, kishte vepruar me efikasitet edhe topi pa dridhje. Rezistenca në Melenicë u shua në orët e pasdites, për shkak të mungesës së municionit dhe armatimit të domosdoshëm.78
Shala u sulmua edhe nga drejtimi i Llapit, nga pjesa e Kaçanollit, duke angazhuar një arsenal të fuqishëm ushtarak e policor. Padyshim, një nga betejat më të rëndësishme në Shalë të Bajgorës ka qenë ajo e Mazhiqit. Më 11 dhe 14 shtator 1998, vëzhguesit kishin konstatuar fillimin e një ofensive të përmasave të gjëra. Për këtë, Shtabi i Brigadës 141 mori masa duke dërguar përforcime ushtarake, rreth 50 ushtarë me armatimin më të mirë që kishte Brigada dhe dy anëtarë të Shtabit. Tashmë, forcat e UÇK-së, përbëheshin nga afro 100 ushtarë në vijën e frontit. Ndërkohë, forcat serbe kishin filluar sulmin paralelisht në dy sektorë, në atë të Melenicës dhe të Mazhiqit, por në këtë të fundit fronti i luftimeve ishte shumë më i vështirë. Këmbësoria serbe tërhiqej prapa derisa granatonin nga të gjitha llojet e armëve. Konfrontimet ishin të rrepta, ato filluan edhe në distancë të afërt deri në 30-40 metra, forcat ishin të pabarabarta në numër dhe në armatime dhe u shoqëruan me humbje të konsiderueshme. Në vijën kryesore të luftimeve ishte vendosur Njësia për Intervenim të Shpejtë. Si rezultat i konfrontimeve të drejtpërdrejta, fillimisht pati tre të plagosur e më pas ra dëshmori i parë i kësaj beteje, Avni Shabani-Dedia. Më vonë, pati të plagosur lehtë dhe të tjerë shumë rëndë.79
Pas një qëndrese të fuqishme në Mazhiq, bien pozicionet e mbrojtura. Ndërkohë, në vijën lindore të frontit në Kaçanoll, vepronte Batalioni i Parë. Një kompani e këtij batalioni, duke bashkëvepruar me ZOLL, mbrojtën pjesën më të madhe të atyre pozicioneve, të cilat ranë përfundimisht më 16 shtator. Nga forcat ushtarake të Brigadës 141, u vranë disa luftëtarë.80 Më 16 shtator ishte edhe qëndresa e plakut 82-vjeçar nga Mazhiqi, Rifat Zeneli. Për të, kishin raportuar edhe mjetet serbe të informimit. Motra e tij Rabija, e cila kishte qenë e paralizuar ishte djegur në shtëpi.81
Më 15 shtator, ngaqë u thyen forcat e UÇK-së, që ishin të pozicionuara në Mazhiq te “Shkoza e Madhe”, në Kaçanoll dhe ato në Melenicë, kishte mbetur e paprekur një kompani e Batalionit të Dytë, ende në vijën e parë. Ajo qëndroi deri më 17 shtator, kur u sulmua nga të dyja anët dhe e kishte të vështirë të bënte rezistencë të gjatë. Pas një qëndrese disaorëshe, thyhet edhe kjo vijë e frontit. Tashmë, kishte mbetur vetëm Batalioni i Katërt.
Gjendur përballë rrethanave të krijuara, Komanda e Brigadës 141, udhëzoi popullatën civile sidomos banorët e shtëpive që ishin afër aksit rrugor, që gradualisht të tërhiqeshin. Në afërsi të Bares, Komanda e Brigadës me lejen e pronarëve të pyjeve, kishte rrëzuar shumë drunj me qëllim të vonimit të përparimit të forcave serbe për të mundësuar evakuimin e popullatës. Kjo gjë pati efektin e vet, pasi popullsia afër aksit rrugor pothuajse u zhvendos e gjitha. Rreth orës 13:00 edhe drejtuesit e Brigadës tërhiqen në drejtim të Kovaçicës për t’u bashkuar me shokët e tjerë të nesërmen në Sllakofc dhe Ceceli.82
Në gjendjen e krijuar, Brigada 141, ndahet në tri pjesë dhe shkëputet lidhja e komunikimit. Tashmë, njësitet që ishin në Mazhiq dhe Treçali në pamundësi për ta vazhduar rezistencën në mbrëmjen e datës 15, ishin tërhequr në drejtim të Kovaçicës. Një pjesë e Brigadës kishte lëvizur në Kovaçicë e Vesekovc dhe zhvendoset në Ceceli, në qendrën e Batalioni IV. Një pjesë e Batalionit III, pika në Rahovë, mbetën të veçuara nga pjesa tjetër, e cila ishte tërhequr në Bajgorë. Pjesa e Batalionit II, mbetet e shkëputur nga pjesa tjetër e Brigadës. Po ashtu, njësiti në Pasomë kishte mbetur i izoluar nga këmbësoria serbe në formë patkoi. Me këtë rast, bashkëluftëtarë të tjerë kishin arritur që të shkojnë dhe bëjnë njoftimin e urdhëresës që ishte për tërheqje për t’u bashkuar me pjesën tjetër të Brigadës.83 Më 17 shtator ra edhe Pasoma dhe u pushtua Bajgora e u bashkuan forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Qafë të Çeshmes,84 duke plaçkitur, djegur dhe shkatërruar çdo gjë.
Shala e Bajgorës, gjatë “Ofensivës së Shtatorit”, u godit rëndë nga forcat serbe, të cilët kishin angazhuar një arsenal të fuqishëm ushtarak me mjete të blinduara e logjistike. Forcat e UÇK-së, u thyen karshi një force aq të madhe dhe mizore. Për më tepër, forcat serbe, pa respektuar asnjë kod moral, dogjën e shkatërruan gjithçka hasën dhe mundën. Vranë bagëti, dogjën e shkatërruan shkolla, shtëpi, ushqim kafshësh e të gjitha rezervat ushqimore.85 Ofensiva e forcave serbe vazhdoi më tutje drejt Vaganicës, Ashlanit dhe fshatrave të tjera rrëzë Çyqavicës. Operacioni luftarak në Çyqavicë ishte i përmasave të mëdha. Komandant gjeneralkolonel, Nebojsha Pavkoviq kishte dhënë urdhër për të mbështetur forcat e MPB në shkatërrimin e forcave të UÇK-së, në sektorin e Çyqavicës. Sipas detyrave të Korpusit të Prishtinës, një pjesë e forcave të korpusit, rrethoi forcat shqiptare. Duhej të kryhej një aksion i shpejtë dhe i vrullshëm për të mbështetur forcat e MPB-së në thyerjen e UÇK-së në malin Çyqavicë, më pas edhe në sektorë të tjerë që të parandalohej largimi i UÇK-së apo ndërhyrja e tyre në sektorët e betejave. Popullata serbe (në vendbanimet serbe) do të ndërpriste krahun e djathtë të lumit Sitnica dhe do të pengonte UÇK-në që të kalonte nga mali Çyqavicë për në Vushtrri dhe në shpatet e malit Kopaounik dhe anasjelltas. Operacionet luftarake filluan në ora 07:00 të mëngjesit të datës 22 shtator dhe u zhvilluan në dy faza sipas planit të përgatitur: Faza e parë (2-3 ditë) dhe Faza e dytë (1-2 ditë). Sipas Urdhrit detyrat e forcave serbe, konkretisht të Brigadës 125 të Motorizuar, Brigadës 15 të Blinduar, Brigadës 243 të Motorizuar86 ishin të ndara etj.
Sipas Urdhrit të dhënë filloi edhe plani i realizimit. Më 22 shtator 1998, herët në mëngjes, forca të mëdha policore e ushtarake me mjete të motorizuara dhe me artileri, pozicionohen në vijën frontale me gjatësi 3 km prej Kodrës së Madhe, fshati Pirç dhe Kodra të “Pritat e Arifit” prej ku me artileri dhe mjete luftarake granatojnë fshatin Ashlan, gjegjësisht pozicionet e UÇK-së. Këtu zhvillohet një nga betejat më të ashpra të Brigadës 142. UÇK-ja ishte pozicionuar në vijën e mbrojtjes në Gurëbardh, në “Rrogën e Zhigës”, te “Zabeli i Marës”, te “Kodra e Vogël” në pjesën veriore të Ashlanit dhe te Kodra e Kishës. Luftimet zgjatën tërë ditën. Në mbrëmje, rreth orës 21:35, forcat e UÇK-së organizuan formën e luftës diversante në pozicionet e forcave serbe dhe teknikën e saj duke shkatërruar një tank, një autoblindë dhe një kamion, si dhe duke vrarë dhe plagosur disa ushtarë dhe policë. Kjo betejë zgjati edhe në ditët në vijim (më 23 dhe 24 shtator 1998).87 Meqë në këtë fshat, kishte mijëra shqiptarë civilë, ushtria serbe kishte hedhur granata të kalibrave të ndryshme, duke mos i zgjedhur fare pozicionet, nëse janë të UÇK-së, apo të popullatës civile. UÇK-ja në këtë betejë pati 4 ushtarë të vrarë: Agim Ramadani, Mustafë Shyti, Hamit Hyseni e Bislim Imeri dhe disa të plagosur. Përveç ushtarëve të rënë pati edhe një numër të konsiderueshëm civilësh të vrarë. Edhe pse ishte gjendje e rëndë lufte, ku në çdo cep operonte ushtria dhe policia serbe, ceremonia e varrimit u krye me himn kombëtar.88
Pas “Ofensivës së Shtatorit”, e më konkretisht me zhvendosjen e shumicës së anëtarëve të Shtabit të Brigadës 141, shërbimit sanitar dhe të plagosurve në Ceceli, më 17 shtator, Shtabi i Brigadës 141 mbajti një takim në shkollën e Cecelisë, që ishte edhe kazermë e UÇK-së së Batalionit IV. Tema kryesore ishte mendimi i kalimit të Brigadës përtej Sitnicës, në zonën e kontrolluar nga Brigada 142 e ZOSH. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar në veçanti nga komanda e Batalionit IV.89 Pas një diskutimi ishte vendosur që të kthehen, dhe më 19 shtator arritën në Bajgorë. Fillimisht, më 21 shtator, në shkollën e Bajgorës u mbajt një takim konsultues me të gjithë ushtarët e Batalioneve I, II dhe III, u vendosën rregullat e riorganizimit të mëtejmë. Më 28 shtator 1998, Shtabi i Brigadës, mbajti një takim konsultues dhe koordinues me komandantin e ZOLL dhe eprorë të tjerë, me ç’rast u koordinuan disa aktivitete të përbashkëta. Më 29 shtator 1998, u bë analiza e ngjarjeve, arritjet dhe dobësitë. Më 1 tetor 1998, në Shtabin e Brigadës kishte shkuar vëzhguesi i parë ndërkombëtar (një major francez). Në mbrëmjen e 25 tetorit 1998, shkuan për vizitë pune dhe analizë të gjendjes, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në këtë përbërje: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Ramë Buja. Ishte prezent edhe komandanti i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama. Të nesërmen (26 tetor) në orën 10:00, u mbajt një mbledhje analizuese e situatës. Pas një sërë diskutimesh ishte arritur në përfundimin që të bëhej riorganizimi ushtarak, pavarësisht sfidave e vështirësive të krijuara.90
Ndërkohë, në njësitet e UÇK-së të rajonit së Çyqavicës u vërejt mungesa e madhe e municionit dhe armatimit. Me urdhër të Shtabit të ZOSH, më 24 tetor 1998, marrin rrugën për në Shqipëri për furnizim me armatim dhe municion, ushtarë nga dy batalionet (Batalioni I dhe Batalioni II) të Brigadës 142. Numri gjithsej ishte 86 ushtarë, nga të cilët, më pas, disa nuk u kthyen në Kosovë. Së bashku me grupin e Brigadës 142 ishte edhe një pjesë e ushtarëve të Llapit.91 Pas një rrugëtimi të vështirë, nga fshati Lubizhdë e Hasit kaluan kufirin shqiptaro-shqiptar dhe arritën në Cahan dhe Vlanë. Pas tri ditë qëndrimi në Shqipëri, pasi u armatosën, për t’i ndihmuar në përcjellje, ishte Tahir Sinani nga Tropoja. Gjatë kthimit, në vendin e quajtur Opterushë ushtarët hasën në pritat serbe dhe ranë heroikisht luftëtarët: Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Ymeri, por pati edhe të plagosur rëndë. Gjithashtu bien dëshmorë edhe dy komandantët nga Rahoveci, Selajdin Mullabazi-Mici dhe Xhelal Hajda-Toni.92
Veprimtaria politiko-ushtarake në Zonën Operative të Shalës në gjysmën e parë të vitit 1999
Dhjetëditëshi i parë i janarit të vitit 1999 shënoi një moment me rëndësi jo vetëm për Zonën Operative të Shalës, por edhe për historinë e luftës çlirimtare në Kosovë. Akti i kapjes rob të një skuadre të Ushtrisë Jugosllave (7 ushtarë dhe 1 rreshter) në fshatin Bare nga njësitet e Zonës Operative të Shalës, ndikoi në ndërkombëtarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veçanti dhe të çështjes së Kosovës në përgjithësi. Ndërkohë, luftimet në Zonën Operative të Shalës gjatë fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit të vitit 1999 morën një trajtë tjetër pas fillimit të sulmeve të NATO kundër objektivave të Ushtrisë Jugosllave. Kjo e fundit projektoi fushata ushtarake për shkatërrimin e UÇK-së, solli forca dhe armatime të reja nga Serbia, mobilizoi forca rezerviste, koordinoi njësitet tjera të sigurisë, për të filluar një operacion ushtarak të gjerë në fillim të prillit, e cila nga pjesa e fundit e muajit në fjalë u orientua kundër Zonës Operative së Shalës përmes operacionit “Bajgora”. Krimet e aparatit ushtarak-policor serb në Zonën Operative të Shalës, veprimet ushtarake të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Shalës dhe humbjet e forcave serbe janë disa çështje tjera të cilat do të shtjellohen në këtë studim, që paraqet pjesën e dytë të artikullit të botuar në numrin paraprak.
Përfundimi i ofensivës ushtarake të vjeshtës së vitit 1998, kishte krijuar kushte të vështira për UÇK-në, shtëpi të djegura pa “mbështetje civile”, pa ushqim dhe mundësi vendstrehimi, por të vendosur për qëndrueshmëri. Pjesa e mbetur e vitit (1998) kaloi në ripozicionim, armatim dhe mbijetesë deri në fillim të janarit të vitit 1999.
Zona Operative e Shalës në janar të këtij viti, veçohet me dy ngjarje. E para, e dhimbshme, më 3 janar 1999, ka të bëjë me vrasjen në pritë të Xhevat Jusufit ndihmëskomandant për Logjistikë në ZOSH dhe plagosjen e Zymer Halimit, zëvendëskomandantit të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Kurse, ngjarja e dytë ndryshe nga e para, ka të bëjë me zënien rob të 7 ushtarëve dhe 1 rreshteri të Ushtrisë Jugosllave, më 8 janar 1999, rreth orës 11:00, në fshatin Bare, nga pjesëtarë të Policisë Ushtarake dhe të Njësitit Special të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Kjo, “për historinë e UÇK-së, shënon një ndër të arriturat e saj më të mëdha gjatë luftës kundër forcave serbe”.93 Pas zënies rob të ushtarëve të lartpërmendur, me qëllim ngritjen lart të gatishmërisë luftarake në territorin që kontrollonte Brigada dhe në përputhje me planet operative për mbulimin e gjithë territorit brenda 24 orëve, Brigada 141 “Mehë Uka”, nxori këtë urdhëresë: “Urdhërohen komandantët e Batalionit (I, II, III dhe IV) që të ngritin shkallën e gatishmërisë luftarake në nivelin maksimal në mënyrë që në asnjë moment dhe asnjë kohë të mos gjenden të papërgatitur për kundërvënie të çdo tentimi të forcave armike që do të përpiqeshin të tentojnë ta shkelin zonën që e kontrollojnë forcat tona…”.94
Zona Operative e Drenicës, Zona Operative e Dukagjinit, Zona Operative e Llapit etj., dërguan telegrame përshëndetëse.95 Sipas ambasadorit Uilliam Uoker, janë tri ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë gjatë vitit 1998 dhe në janarin e vitit 1999, të cilat e kanë përshpejtuar thirrjen e Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, në dobi të Kosovës dhe popullit të saj. Njëra nga to, sipas tij, ishte “marrëveshja me bashkësinë ndërkombëtare për lirimin e pengjeve të luftës”.96 Ushtria Çlirimtare e Kosovës kërkonte që për 8 ushtarë serbë të liroheshin 9 pjesëtarë të UÇK-së të arrestuar më 14 dhjetor të vitit të kaluar në kufi me Shqipërinë.97 Më 14 dhjetor 1998, kishte ardhur deri tek këmbimi i zjarrit midis forcave serbe dhe UÇK-së pranë kufirit me Shqipërinë. Patrullat e Misionit verifikues, të cilët i kishte ftuar UJ që ta shihnin vendin e ngjarjes, kishin parë trupa të vdekur dhe një sasi të pajisjeve ushtarake, e cila duhej t’i shpërndahej njësive të UÇK-së. Ishin vrarë mbi 30 pjesëtarë të UÇK-së, kurse 9 ishin arrestuar. Shumica e të vrarëve kishin qenë me uniforma të UÇK-së.98
Pas zënies robër të ushtarëve jugosllavë, SHP i UÇK-së kishte paraqitur kushtet për lirimin e tyre. Kushti kryesor ishte që të bëhej këmbimi i robërve të luftës. Pra, tetë ushtarët jugosllavë mund të liroheshin vetëm nëse liroheshin nëntë ushtarët e UÇK-së të zënë robër në natën e 13-14 dhjetorit 1998, në kufirin Shqipëri-Kosovë. Këmbimi i robërve të luftës i tmerronte formacionet ushtarake serbe, sipas reporterit të gazetës “Vreme”: “Ushtria jugosllave demonstroi forcën duke ekspozuar tanket në lagjen e Dragodanit dhe Bregut të Diellit në Prishtinë. Paniku mbizotëroi në Prishtinë”.99 Pavarësisht kërcënimeve dhe ultimatumeve nga Serbia, UÇK-ja nuk lëshoi pe. Pas bisedimeve intensive mes faktorit UÇK dhe bashkësisë ndërkombëtare, e këta të fundit me Serbinë u arrit pajtimi që të bëhet këmbimi i robërve të luftës. Konkretisht më 13 janar, në Shtabin e Likovcit (Drenicë), ishte mbajtur takimi midis përfaqësuesve të UÇK-së dhe atyre ndërkombëtarë. Delegacioni kishte këtë përbërje: nga UÇK-ja, ishin: Jakup Krasnqi, Ramë Buja dhe Sokol Bashota, ndërsa përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare ishin: Kristofer Hill, Volfang Petrich dhe Uilliam Uoker.100 Kështu, po atë ditë, më 13 janar 1999, lirohen 8 pjesëtarët serbë, ndërsa dhjetë ditë më vonë, sipas marrëveshjes dhe garancisë së faktorit ndërkombëtar, më 23 janar, lirohen edhe 9 pjesëtarët e UÇK-së. Pjesëtarët e Misionit verifikues kishin hyrë në negociata me UÇK-në dhe UJ dhe arritën ta aranzhonin lirimin e ushtarëve në këmbim të lirimit të 9 ushtarëve të arrestuar të UÇK-së.101 Kjo përbënte një fitore të madhe politike, ushtarake dhe diplomatike për UÇK-në dhe Kosovën.
Më 2 shkurt ndodhi një ngjarje që dëmtoi njësitet e UÇK-së. U ndalua një kamion me armatim (ishte kamioni i tetë i radhës), duke u ndërprerë kështu edhe përfundimisht mënyra e furnizimit nga Bosnja.102 Ndërkohë, Brigada 141, më 18 shkurt 1999, urdhëroi të gjithë komandantët e batalioneve dhe të gjitha repartet ushtarake që vepronin në kuadër të saj, ta ngrinin gatishmërinë luftarake në nivelin maksimal, të bënin vëzhgim të pandërprerë, të vinin në gjendje gatishmërie gjithë armatimin që posedonin dhe për asnjë çast të mos gjendeshin në befasi.103
Në një raport të datës 16 shkurt 1999, të Korpusit të Prishtinës, thuhej se qendrat më të fuqishme të rezistencës “terroriste” gjenden në Drenicë, Malishevë dhe Shalë të Bajgorës. Gjithashtu në raport thuhej se në këto rajone ndodheshin rreth 6 800 “terroristë”.104 Për të shkatërruar forcat e UÇK-së, u organizua një sulm i ashpër drejt pozicioneve të Brigadës 142. Me urdhrin e komandantit të Brigadës 141, numër 01/163, të datës 25 shkurt, për dërgimin e 15 ushtarëve të Njësitit Special në ndihmë të Brigadës 142, u realizua shumë shpejt, madje jo aq, numri arriti në 26 vullnetarë. Ky Njësit, më 18 mars ishte kthyer në Bajgorë, duke qenë në konfrontime të ndryshme luftarake. Prej tij, deri në mbarim të luftës, në altarin e lirisë, ranë gjashtë luftëtarë dhe po aq invalidë.105
Luftime të ashpra, që zgjatën nga 22 shkurti deri më 15 mars 1999, u zhvilluan sidomos më 22-25, 27-28 shkurt dhe 8, 9, 12-15 mars. Luftohej në kodrën që ndan Akrashticën dhe Shtitaricën, në fshatrat Bukosh, Liqe, Balinc, Dolak, Pantinë, Gurëbardh, Ashlan etj. Më 26 shkurt 1999, në orët e pasdites, gjatë kryerjes së detyrës së vëzhguesit, tre ushtarë të togës së Vaganicës të Kompanisë së Tretë të Brigadës 142, kishin rënë në pritën e forcave serbe, ku ishin vrarë Muhamet Gashi dhe Gazmend Baliu, kurse ishte plagosur rëndë një tjetër.106 Ndërkohë, pjesëmarrës në fushën e betejave të tjera ishin: njësitet e Brigadës 142, Njësiti Special i Zonës Operative të Shalës, Policia Ushtarake, dhe një njësit i Brigadës 141. Në këto luftime ranë heroikisht 4 pjesëtarë të UÇK-së ku njëri nga ata ishte komandant i Togës III të Kompanisë së Dytë të Batalionit II të Brigadës 142, Bahri Kuçi, i rënë më 11 mars, në Sukë të Balincit. Në vende e pozicione të ndryshme ushtarake ishin plagosur 14 pjesëtarë të tjerë, duke përfshirë këtu komandantin e Njësitit Special të ZOSH, dhe zëvendëskomandantin e këtij Njësiti Special, komandantin e Policisë Ushtarake etj. Të vrarët dhe të plagosurit ishin nga të gjitha njësitet pjesëmarrëse në këtë betejë.107
Mirëpo, vija e frontit në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 142 ishte më e gjatë, më e madhe, aq sa ishte e madhe edhe qëndresa. Nga 3 marsi deri më 12 mars 1999, në fshatin Druar u zhvilluan luftime të ashpra jashtë të cilave nuk ngelën as Sallqi, Rezniku, Mirashi etj. Atje luftuan ushtarët e UÇK-së nga Sibofci, Zhilivoda, Strofci, Bivolaku, Beçuku, Mihaliqi, Gurakuqi (ish-Gllavotini) etj. Më 3 mars 1999, u vranë vëllezërit Radivoje e Lubisha Mitroviq dhe ishte kapur Milan Radivoje Mitroviqi – ushtar i UJ-së nga ushtarët e UÇK-së në fshatin Mihaliq. Pozicionet e UÇK-së, gjatë këtyre luftimeve qëlloheshin nga Graca, Gazimestani etj.108
Në mesin e këtij muaji (mars), komandanti i Brigadës 142, së bashku pothuajse me tërë Batalionin e Dytë, si dhe komandanti i Kompanisë së Tretë, kalojnë në ZOD dhe përqendrohen në luftimet e fshatrave, Rezallë, Marinë dhe Polluzhë, ku qëndrojnë afër dy javë, për t’u kthyer më pas në pozicionet e mëparshme ushtarake. Gjatë prillit, ashtu si vendet përreth edhe Vaganica sulmohej nga ana e forcave serbe me granatahedhës të kalibrave të rëndë, sidomos nga ana e Frashrit dhe prej Ujësjellësit në Shipol. Në vijën e mbrojtjes frontale, ishin njësitet e Batalionit të Dytë, në veçanti ato të Kompanisë së Tretë, të drejtuara nga vetë komandanti i Brigadës 142. Si rezultat i luftimeve kishte pasur edhe të plagosur. Granatimet dhe luftimet ishin zgjeruar edhe në fshatrat përreth, si në: Pirq, Verrnicë, Ashlan, Pantinë, Akrashticë, Shipol etj. Në këtë të fundit, më 23 prill, ishte ndërmarrë edhe një aksion nga një njësit i Vaganicës së Kompanisë së Tretë, ku ishte vrarë luftëtari Fadil Deliqi.109 Konfrontime të ashpra u zhvilluan edhe në kuadër të Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë, po të kësaj Brigade. Në veçanti, duhet përmendur aksioni i 5 majit kundër forcave të këmbësorisë serbe, që ishte ndërmarrë në lagjen “Bunjaku” të fshatit Mihaliq, nga një grup ushtarësh të togës të Mihaliqit dhe Beçukut, ku kishte pasur të vrarë dhe të plagosur.110
13 marsi i vitit 1999 ishte dita e kthesës, u krijuan kushtet, u rritën formacionet dhe me sa duket u fitua eksperiencë. Ndërkohë që forcat serbe sulmonin fuqishëm territoret nën mbrojtjen e Brigadës 142, filluan sulmet nga Batalioni III i Brigadës 141 dhe njësitë e tjera të brigadës.111 Me granatahedhës 82 mm dhe 120 mm nga Trepçalitë dhe me top 75 mm dhe gulinov 12.7 mm nga Melenica sulmohen pozicionet serbe në Trepçë dhe Kutllovc, ndërsa forcat në Bajer sulmohen nga fshati Sumë me granatahedhës 120 mm. Me sa duket, në shenjë hakmarrjeje ndaj këtij sulmi të rrufeshëm, vetëm dy orë pasi ndalen sulmet e UÇK-së, të njëjtën ditë, më 13 mars,112 pason një hakmarrje (masakër) e tmerrshme e armikut ndaj popullatës civile në tregun e Mitrovicës, ku vriten 5 dhe plagosen 93 civilë grupmoshash të ndryshme, por sulmohen me artileri të rëndë edhe disa pozicione të UÇK-së në Shalë. Po atë ditë, në Galicë, më 13 mars ra në altarin e lirisë, Selim Bislimi e Sabedin Prekazi dhe u plagosën tetë ushtarë të tjerë të UÇK-së.113
Në zbatueshmëri të planit “Grom-3”, nga fundi i marsit 1999, forcat e UJ dhe MPB, u përfshinë rajonet e Bajgorës dhe Stantërgut, në lindje dhe verilindje të Mitrovicës. Lubomir Saviq, ish – komandant i Brigadës 58 të Këmbësorisë së Lehtë, sqaroi se UJ dhe MPB të Serbisë kishin vendosur që së pari aksionet të zhvilloheshin në rajonin e Bajgorës dhe Stantërgut në verilindje të qytetit, dhe nga mesi i majit 1999, të angazhohen në operacionin e quajtur “Bajgora 2”, e cila përfshinte qytetin e Mitrovicës dhe territorin në perëndim të tij.114 Ndërkohë, nga janari deri në prill, pjesëtarët e skuadrës 35 dhe 85 të njësive speciale policore u dërguan për të ndihmuar Sekretariatin për Punë të Brendshme (më pas: SPB) të Mitrovicës për kryerjen e “detyrave të veçanta policore”. Në ndihmë u dërguan edhe skuadrat 36 dhe 86 të Njësitit Special Policor (NJSP). Shefi i SPB Mitrovicë, në mbledhjen e Shtabit të MPB, të mbajtur më 17 mars 1999, në Prishtinë, kishte deklaruar se SPB kishte mobilizuar rreth 665 rezervistë dhe numri i tyre ishte pothuaj i njëjtë me atë të policëve të rregullt. Në mars 1999, numri i policëve të rregullt dhe atyre të NJSP ishte 1 190, kurse rezervistë ishin 6 034. Në mars 1999, numri i përgjithshëm i forcave policore në Mitrovicë ishte rreth 8 000.115
Në javën e parë të marsit 1999, Brigada 37 e Motorizuar e UJ nga Rashka, zbarkoi në Mitrovicë, në kuadër të Korpusit të Prishtinës.116 Dokumentet e UJ tregojnë se më 7 mars 1999, ajo doli në terren në rrethinë të Mitrovicës me arsyetimin e kryerjes së trajnimit dhe rritjes së gatishmërisë ushtarake. Deri më 18 mars 1999, Brigada 211 e UJ dhe njësitet e tjera ishin angazhuar në rrethinën e Mitrovicës, kurse Brigada 125 e motorizuar po ashtu u angazhua në këtë rajon më 24 mars 1999, me detyrën për t’i shkatërruar forcat e UÇK-së, dhe të “sigurimit e kontrollimit” të territorit të Mitrovicës. Më 27 mars 1999, në Mitrovicë u dërguan edhe njësitet ushtarake nga rajoni i Prishtinës me detyrën për të bashkëpunuar me MPB-në kundër UÇK-së, si dhe të kontrollonin komunikacionin dhe objektet e tjera në Mitrovicë. Përmes një urdhërese të Komandës së Korpusit të Prishtinës, del se Brigada 37 e Motorizuar, më 2 prill 1999, ende ishte e angazhuar në rajonin e Mitrovicës dhe kishte për detyrë të shkatërronte forcat e UÇK-së, për të siguruar komunikacionin dhe për të vendosur kontrollin ushtarak në rajon.117 Më 4 prill 1999 komandanti i kësaj Brigade, Lubisha Dikoviq, lëshoi urdhrin për shkatërrimin e “forcave terroriste shqiptare”, vendosjen e kontrollit ushtarak mbi territorin, përmes së cilës kjo brigadë angazhohet në operacionin e gjerë që përfshiu komunat: Skënderaj, Drenas, Vushtrri e Mitrovicë dhe filloi më 5 prill 1999.118 Ndërkohë, me urdhëresën e datës 9 prill 1999, Komanda e Korpusit të Prishtinës i dha detyrë forcave të MPB-së, që së bashku me Brigadën 37 të Motorizuar të UJ, Brigadën 125 të Motorizuar, Brigadën 15 të Blinduar dhe Brigadën 58 të Këmbësorisë së Lehtë të UJ, të vendosin kontrollin mbi gjithë rajonin e Mitrovicës.119
Në rajonin e Shalës së Bajgorës, UÇK-ja kishte një ndikim të madh, dhe në mars 1999 ky rajon kishte qenë ende nën kontrollin e Brigadës 141. Në anën tjetër, mijëra persona të zhvendosur nga fshatrat e rrethinës së Podujevës ikën nga Dobratini për në malet e Bajgorës gjatë javës së fundit të marsit 1999, kur fshatrat e tyre u sulmuan. Aty qëndruan për pesë javë dhe gjatë kësaj periudhe pozicionet e UÇK-së iu nënshtruan sulmeve të shpeshta. Më 21 mars, sulmohen me artileri (nga Kutllovci, Bajri e Zherovnica) dhe këmbësori nga Trepça e Rahova, pozicionet e UÇK-së në Trepçali, Melenicë, Vidishiq, Bare etj. Kjo vazhdoi edhe në ditët në vijim (më 22 dhe 23 mars). Më 24 mars u zgjerua vija frontale e luftës, Suma dhe Skroma sulmohen dhe më 26 mars, armiku godet me artileri edhe në drejtim të Kçiqit dhe Karaçës. Kësisoj, armiku vazhdon deri më 31 mars, ku dhe vija e frontit zgjerohet në drejtim të Studimes, Cecelisë, Dumnicës, Samadrexhës,120 etj.
29 marsi i vitit 1999, ishte një humbje e madhe jo vetëm per ZOSH, por për tërë UÇK-në. Duke u ndier nevoja për të siguruar armatim të mjaftueshëm, Jashar Jashari (Komandant Duraku) së bashku me 45 pjesëtarë të UÇK-së, kishte shkuar në Shqipëri dhe pas marrjes së armatimit me t’u kthyer në Kosovë, forcat serbe të përqendruara në fortifikatat përgjatë kufirit kishin vërejtur lëvizjet duke u pozicionuar, të vendi i quajtur Livadhet e Qershisë në afërsi të fshatit Shishman. Me të filluar sulmin kundër tyre, luftëtarët e lirisë bënë rezistencë të fortë. Gjatë luftimeve ranë në altarin e lirisë katërmbëdhjetë bashkëluftëtarë: Jashar Jashari, Mehdi Zabeli, Mon Maqi, Jahja Demuza, Kadri Bersisha, Nuhi Elezaj, Bujar Syla, Xhemajl Avdullahu, Armend Qymyri, Bujar Syla, Naim Lata, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani dhe Besim Rama. Kishte patur edhe te plagosur.121 Vlen të përmendet se Jashar Jashari kishte qenë ndër luftëtarët e parë për formimin e njësiteve të UÇK-së, në fshatrat e Artakollit. Ishte shquar për kontributin e tij në një nga betejat e para te ZOSH-së, të 11 qershorit të vitit 1998 në Hamidi.
Më 2 prill 1999, me aeroplan luftarak bombardohet shkolla (spital ushtarak në fshatin Bajgorë), u vranë dy persona dhe u plagosën disa të tjerë. Po të njëjtën ditë granatohet dhe Kçiqi ku vriten 8 civilë, pjesëtarë të një familjeje. Sulmet frontale me këmbësori dhe artileri në vijën frontale Melenicë-Trepçali-Vidishiq etj., deri më 29 prill, pothuajse ishin të përditshme. Që t’i ndalej vrulli forcave armike, me urdhër të Komandës të ZOSH-it, njësitë e Brigadës 141, duke përfshirë këtu edhe Njësitin Special, hidhen në sulm për herë të tretë në pozicionet e forcave serbe në fshatin Rahovë, në natën e 5-6 prillit. Edhe në Rahovë, si në të gjitha vijat e frontit, pati të vrarë si, Hajrush Sinani më 6 prill në një aksion sulmues. Të nesërmen e kësaj date, më 7 prill, sulmohen pozicionet e Batalionit IV në Ceceli, Studime, Stanovc, Dumnicë etj. Më 12 prill nga Njësiti Special sulmohet një konvoj i forcave serbe të cilat po ngjiteshin në drejtim të bazës ushtarake në Kutllovc. Ditët në vijim u zgjerua vija frontale, por tash në drejtim të pozicioneve të UÇK-së (Batalionit III) në lagjen Cenaj, Majdan dhe Preten.122 Edhe në fshatin Miraqe ku ishin të stacionuara forcat serbe prej nga granatonin Skromën, Karaqen etj., ishte ndërmarrë një aksion nga Batalioni i Parë.123
Gjatë mesit të prillit 1999, u zhvilluan disa aksione të përbashkëta serbe në rajonin e Drenicës, Çyqavicës, Jezercit, Rugovës, Bajgorës-Bares, Zatriqit e vende të tjera. Këto operacione u zbatuan në kuadër të planeve të hartuara nga MPB dhe UJ gjatë fillimit të prillit 1999.124 MPB dhe UJ i koordinuan planet e tyre para operacioneve të përbashkëta të kryera nga mesi i prillit 1999. Më 9 prill 1999, Komanda e Korpusit të Prishtinës informoi njësitë e saj vartëse se “…së bashku me njësitë e MPB me qëllim të shkatërrimit të forcave terroriste shqiptare, të vendosen kontakte të menjëhershme me shefat e Seksionit të Punëve të Brendshme”, lidhur me disa aktivitete konkrete. Korpusi i Prishtinës urdhëroi që komandantët e njësive të “hartonin planin e veprimit”, pas vendosjes së kontakteve. Për shembull, komandantët e njësisë së Korpusit të Prishtinës duhej ta koordinonin operacionin “Bajgora” me SPB e Mitrovicës. Operacioni i përbashkët në rajonin e Bajgorës ishte kryer rreth datës 25 prill 1999, në bazë të urdhrit të Komandës së Përbashkët të datës 15 prill 1999.125 Sreten Lukiq kishte miratuar angazhimin e njësive të ndryshme të MPB-së në operacionin e përbashkët të MPB/UJ “Bajgora” të kryer midis 25 prillit – 6 majit 1999, në bazë të urdhrit të Lazareviqit të datës 15 prill 1999 – kur tanimë ishin kryer krime të ndryshme dhe kur 669 071 shqiptarë të Kosovës, ishin larguar nga vendi.126 Lubomir Saviq, që nga data 16 prill 1999, ishte komandant i Brigadës 58 të Këmbësorisë së Lehtë, kishte dëshmuar se nga data 25 prill e deri më 2 maj 1999, një pjesë e brigadës së tij i dha mbështetje forcave të MPB në operacionin “Bajgora”.127
Nga ditari i luftës i Brigadës 15 të Blinduar, mësojmë se më 21 prill 1999, kjo brigadë filloi me përgatitjet për t’u lidhur me forcat e MPB-së, me qëllim kryerjen e detyrave të përcaktuara në aksionin “Bajgora” dhe se më datë 24-25 prill 1999, këto njësi u angazhuan në prapavijë, duke ofruar mbështetje për veprimet e MPB-së. Më 29 prill, Brigada 15 e Blinduar së bashku me Brigadën 2 të Motorizuar dhe Brigadën 1 të Blinduar, vazhdoi t’i kryejë detyrat e përcaktuara sipas planit. Në ditar, shkruhet se, njësi të ndryshme të Brigadës 15 kishin marrë pozicione në fshatrat Zhilivodë dhe Strofcë në jug të Vushtrrisë.128 Forcat e tjera që kishin marrë pjesë në aksionin “Bajgora” ishin ekipi 35 i Njësive Speciale Policore dhe Brigada 122 Intervenuese e Njësive Speciale Policore të MPB-së, sipas dëshmive të komandantëve të këtyre njësive në mbledhjen e mbajtur më 11 maj 1999, në Shtabin e MPB-së.129
Në komunikatën e lëshuar nga komanda e përbashkët, më 15 prill 1999, thuhet se Korpusi i Prishtinës i UJ, është ngarkuar me detyrën që t’i mbështesë forcat e MPB-së në “shkatërrimin dhe asgjësimin” e forcave të UÇK-së në rajonin e Shalës, përfshirë Samadrexhën dhe Cecelinë.130 Vendimi për aksion të përbashkët midis UJ dhe MPB-së, u lëshua për shkak të koncentrimit të shtuar të ushtarëve të UÇK-së në rajonin e Bajgorës, në veri të Vushtrrisë. Në përputhje me këtë, më 15 prill 1999, u dha urdhri nga komanda e përbashkët për shkatërrimin e forcave të UÇK-së, në rajonin Bajgorë-Bare (Operacioni “Bajgora”). Qëllimi i këtij operacioni ishte që të vendosej kontrolli mbi një rajon të gjerë dhe mbi trekëndëshin midis fshatrave Tuneli i Parë/Bare në veriperëndim, fshatit Bajgorë në verilindje (që të dyja në komunën e Mitrovicës) dhe Samadrexhës në juglindje të Vushtrrisë. Ky urdhër duhej zbatuar nga Brigadat 211 dhe 15 të Blinduara dhe ajo 58 e Këmbësorisë së Lehtë të UJ. Konkretisht, Brigada 211 e Blinduar duhej të vepronte në drejtim Bajgorë-Vesekovc-Samadrexhë (gjitha këto fshatra ndodhen në lindje apo verilindje të Vushtrrisë); Brigada 15 e Blinduar kishte për detyrë të vendoste bllokadën në linjën Breznicë (komuna Obiliq)-Samadrexhë-Gojbulë-
Kësisoj, intensiteti i luftimeve ishte shtuar, humbjet në njerëz dhe mjete luftarake ishin të mëdha. Municioni në radhët e UÇK-së nisi të pakësohej. Më 21 e 22 prill sulmohet objekti ushtarak serb në Kutllovc. Me sulme të shpejta, të rrufeshme, u arrit të nxirren nga ajo bazë rreth 80 mijë fishekë kalibrash të ndryshëm, predha granatahedhësish, disa pushkë automatike, snajperë, por edhe miell e artikuj të nevojshëm për popullatën. Nga data 25-30 prill 1999, çdo pozicion i UÇK-së në Shalë të Bajgorës ishte nën zjarrin e egër të këmbësorisë dhe artilerisë serbe, por luftimet më të ashpra zhvilloheshin përgjatë lagjes Cenaj, Mali i Majdanit, Preten, Melenicë, Tepçali, Studime, Dumnicë etj. Po ashtu sulmohen: Vllahia, Magjera, Selaci, Kaçanolli etj. Se me çfarë lufte po përballeshin shaljanët, mjafton të përmendet fakti se më 25 prill, plagosen dy luftëtarë të UÇK-së në Kodrën e Majdanit, ndërsa të nesërmen më 26 prill, u vra komandanti i Njësitit Special, Shemsi Ahmeti dhe bashkëluftëtarë të tjerë, si: Rrustem Hyseni, Arsim Muzaqi, Ahmet Haxha, Xhemajl Haxha dhe Asllan Cimili dhe u plagosën tre të tjerë. Më datë 27, në Preten u vra Enver Musa dhe Shemsi Istrefi. Më datë 29 prill, në Melenicë, vriten Sokol Preteni, Qazim Cimili dhe Esat Meholli, por kishte edhe të plagosur.132
Më 30 prill, njësitet e UÇK-së nisën të tërhiqen në pozicionet e dyta (rezervë), pasi u sulmuan nga shumë drejtime: Maja e Madhe-Gurishtë-Qafë Bare-Cërnavërë; Bajgorë-Vesekovc-Ceceli-
Nga fundi i prillit, ofensiva e UJ nga lindja dhe perëndimi i Bajgorës bëri që UÇK-ja ta humbiste kontrollin mbi këtë territor. Refugjatët u përfshinë nga lufta, por ndonjëherë edhe forcat policore e ushtarake serbe i morën ata në shënjestër. Rreth datës 27 prill një avion gjuajti në drejtim të shkollës, e cila ishte strehimore për qindra njerëz, ku pati të vrarë dhe të plagosur.135 Disa civilë ikën në Kërpimeh, kurse rreth 10 000 të tjerë në Dobratin. Por, në fund të prillit, Dobratini ra nën kontrollin e forcave serbe duke i detyruar banorët vendas dhe personat e zhvendosur të iknin në drejtim të kodrës, në Kaçanoll dhe Bajgorë.136
Tashmë, më 28 prill 1998, rreth orës 11:00, forcat serbe ishin të pozicionuara në vendin e quajtur “Te Pishat” në Barilevë (fshat në komunën e Prishtinës), dhe granatuan fshatin Dumnicë e Epërme, përkatësisht u hodhën dhjetëra granata të kalibrit 120 mm në drejtim të malit Gërdeç, ku ishin strehuar popullata e zhvendosur kryesisht nga Stanovci, Vushtrria dhe Maxhunaj. Si pasojë e këtyre granatimeve, u vranë 6 civilë dhe u plagosën 15 të tjerë (Fanol Gashi 7-vjeçar, pas plagëve të marra ndërron jetë), ishte plagosur edhe një ushtar i UÇK-së. Të gjithë të plagosurit u bartën nga ushtarët e UÇK-së, për në spitalin ushtarak në Sllakofc. Ata që ishin në gjendje më të rëndë u dërguan për shërim në spitalin ushtarak në Kovaçicë.137 Përfundimisht, më datë 28 prill 1999, forcat serbe përparuan në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, në kodrinat në drejtim të Mitrovicës, duke vendosur kontrollin mbi Bajgorë dhe duke formuar një kamp në fshatin Bare. Në të njëjtën kohë, forca të tjera serbe filluan sulmin nga drejtimi i Podujevës. Për dy ditë ata i konsoliduan pozicionet dhe njëkohësisht filluan një ofensivë të madhe kundër UÇK-së nga disa drejtime. Më 1 maj, forcat serbe arritën të përparojnë deri në fshatin Vesekovc, një pikë strategjike e UÇK-së në lartësinë malore në veri të Vushtrrisë. Në mbrëmje filloi granatimi i Sllakofcit, mëngjesin e nesërm u intensifikuan dhe popullata filluan të shkonin në drejtim të Cecelisë, me synimin për të arritur në Studime të Epërme dhe në Vushtrri.138 Në Sllakovc, UÇK-ja i rezistoi forcave serbe të cilat kishin ardhur nga drejtimi i fshatit Melenicë dhe nga drejtimi i Llapit. Po në të njëjtën kohë, UÇK-ja nga Sllakovci u nis në drejtim të lindjes, ndërsa forcat serbe vazhdonin granatimin.139 Edhe më 2 maj 1999, rreth orës 11:00, fshati Sllakovc u granatua ashpër. Po digjeshin shtëpitë dhe dëgjoheshin të shtëna nga armët automatike. Pas pak, këmbësoria serbe hyri në fshat dhe shumë shqiptarë në këmbë, me kuaj dhe me automjete, filluan të largoheshin.140
Më 1 maj 1999, forcat serbe të cilat granatonin pareshtur me minahedhës dhe armë të tjera artilerie, kishin arritur deri në Vesekovc. Gjatë konfrontimeve ishin plagosur tre ushtarë të UÇK-së. Të nesërmen, luftimet u intensifikuan. Këtu togës së Batalionit IV iu bashkëngjitën disa ushtarë të Njësisë Speciale të Brigadës 141. Ndërkohë, forcat serbe hynë në Skromë. Edhe gjatë kësaj dite, në Vesekovc zhvillohen luftime, ku vritet ushtari i Njësisë Speciale, Nysret Musa. Po këtë ditë, nga plagët e marra ndërron jetë, Faruk Beqiri, i cili varroset me nderime të larta ushtarake në fshatin Ceceli.141 Kështu, deri në fund të prillit 1999, UÇK i kishte rezistuar forcave serbe.
Disa nga krimet serbe në Zonën e përgjegjësisë së ZOSH
Pas përparimit të forcave serbe, shqiptarët e zhvendosur, të cilët po fshiheshin në malet rreth Shalës, më 28 prill 1999, ishin nisur në drejtim të Samadraxhës, Sllakofcit dhe Cecelisë. Forcat serbe vazhdonin të granatonin disa fshatra në rrethinën e Bajgorës. Më 2 maj, ato thyen linjën e frontit të UÇK-së pranë Bajgorës e Melenicës, duke i detyruar të strehuarit që të largohen nga rajoni në fjalë.142 Një numër i madh i popullatës ia mësyjnë Vushtrrisë nëpër Studime dhe pas tërheqjes së banorëve, pason edhe tërheqja e ushtrisë, e cila u bë nën rrebeshin e armatimit të rëndë të forcave serbe.143 Situata vazhdonte të ishte e vështirë. Pas depërtimit të kolonës me persona të zhvendosur shumë shqiptarë të tjerë kishin mbetur në rajonin midis Dumnicës e Cecelisë, disa kilometra në jug, në zonën ku UÇK-ja kishte rivendosur kontrollin përsëri. Por, së shpejti forcat serbe zunë pozicione në kodrinat përreth duke prerë kështu edhe rrugën për në Vushtrri. I vetmi shteg për të shkuar në qytet ku mund të sigurohej ushqimi ishte përgjatë një përroi që rridhte në drejtimin Studime e Epërme-Studime e Poshtme-Vushtrri. Disa herë policia kishte gjuajtur dhe vrarë fshatarët shqiptarë që kishin tentuar të hynin apo dilnin nga Vushtrria, siç ishte rasti i datës 14 maj, ku disa ushtarë të UÇK-së kishin gjetur trupat e gjashtë burrave që ishin vrarë afër një përroi.144
Ndërkohë, kolonës së refugjatëve që lëvizi në drejtim të jugut nga fshatrat Ceceli dhe Sllakovc, iu bashkuan edhe shqiptarë të tjerë që kishin kërkuar strehim në këto anë dhe përbëhej prej qindra automjetesh dhe 3 000 deri 5 000 refugjatësh, që shtrihej deri në fshatin Studime e Epërme. Forcat serbe-jugosllave e shoqëruan atë dhe gjatë rrugës dogjën shtëpitë në fshatrat Sllakovc e Ceceli.145 Kolona fillimisht kishte arritur në Ceceli për të vazhduar më pas në drejtim të Studimes së Epërme, Studimes së Poshtme dhe në qytetin e Vushtrrisë.146 Rreth orës 17:00, forcat serbe me automjete të blinduara arritën deri tek pjesa veriore e saj. Pjesëtarët e forcave serbe kishin uniforma të kamufluara ngjyrë të gjelbër, ngjyrë të kaltër dhe ngjyrë të zezë. Disa bartnin edhe shami në kokë, të tjerë kishin fytyrat e ngjyrosura, e disa mbanin maska plastike që mbulonin gjithë fytyrën dhe fytin, të hapura në sy dhe gojë. Pjesëtarët e veshur me uniforma të kamufluara ngjyrë të gjelbër dhe kaltër që iu afruan kolonës, ishin pjesëtarë të MPB-së dhe UJ.147 Në Studime gjatë natës (më 2 maj), përkatësisht nga ora 22:00 deri në ora 24:00, ndodhi një masakër e rëndë dhe e tmerrshme, shkaktuar nga forcat e armatosura serbe ndaj popullatës civile shqiptare, ku u vranë 99 shqiptarë civilë, tërësisht të pafajshëm.148
Në mëngjesin e 22 majit 1999, pjesëtarët e UJ dhe të policisë kishin hyrë në qytetin e Vushtrrisë, duke dëbuar qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe duke i detyruar ata të lëviznin në drejtim të varrezave të qytetit, që paraprakisht ishte e rrethuar. Rrugës për në varreza disa njerëz u ndanë nga familjet e tyre, i rreshtuan tek një mur dhe i vranë me armë zjarri.149 Një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i detyruan të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës.150 Pengmarrësit shqiptarë u torturuan në mënyrë çnjerëzore, pastaj u ekzekutuan të gjithë. Kufomat u ngarkuan në një kamion dhe u dërguan në Serbi, përkatësisht në varrezat masive në Qendrën e Njësive Antiterroriste në Batanjicë, Beograd. Tre personat përgjegjës për mbikëqyrjen e forcave serbe ishin: Vuqina Janiqijeviq, Dragan Petroviq dhe Lubisha Simiq, zëvendëskomandant policie në Vushtrri.151
Më 24 maj 1999, një grup vajzash (8 veta), ndërsa po kalonin lumin Studime, u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat pushtuese serbe.152 Më 31 maj 1999, artileria dhe minahedhësit e Brigadës 37 të Motorizuar serbe filluan sulmin në fshatin Studime e Poshtme. Brenda një ore policët e njësive speciale, të ndarë në grupe me nga 2-3 veta, u futën nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Ata i tmerruan banorët, u plaçkitën sendet me vlerë, i dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe nga fshati. Me këtë rast, njësitet speciale policore dhe ato të policisë së rregullt serbe vranë dhjetëra shqiptarë, përfshirë edhe 12 anëtarët e familjes Gerxhaliu.153
Humbjet e forcave serbe në komunën e Mitrovicës dhe Vushtrrisë
Forcat serbe të përfshira në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, paraqisnin një kombinim kompleks të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njësive të saja speciale, të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicive lokale dhe një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e qeverisë në Beograd. Gjatë viteve në fjalë, në ballafaqim me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë pjesëtarë të forcave të tilla serbe. Deri më tani posedojmë të dhëna jo të plota për humbjet e tyre. Megjithatë për të folur për to do mbështetemi në disa burime. Në Mitrovicë, policë të plagosur rëndë, më 1998, ishin 4, dhe të plagosur lehtë 6 veta. Më 1999, policë të plagosur rëndë 11, ndërsa lehtë 17.154 Ndërsa, më 1998 gjithsej aksione nga UÇK-ja, në Mitrovicë ishin kryer 34, dhe më 1999, 42 aksione.155 Sipas Bojan Gjokiq, i cili pretendon të këtë pasur në dispozicion materialin burimor nga MPB e Serbisë, del se në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, u vranë 50 pjesëtarë të MPB-së. Që të gjithë ishin serbë e malazezë, përveç njërit që u etiketua si “tjetër”. Sipas komunave në territorin e Skenderajt, u vranë 27 pjesëtarë të MPB, në atë të Mitrovicës 13 dhe të Vushtrrisë 10.156 Në vazhdim po japim dy tabela për numrin e të vrarëve të MPB-së në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, më 1998 dhe 1999 dhe atë sipas muajve.
Viti/Komuna | Serbicë (Skënderaj-S.S.) | Mitrovicë | Vushtrri | Gjithsej |
1998 | 15 | 7 | 1 | 23 |
1999 | 12 | 6 | 9 | 27 |
Gjithsej | 27 | 13 | 10 | 50 |
Të dhënat mbi vrasjet e pjesëtarëve të MPB-së në territorin e Drejtorisë Policore të Mitrovicës, sipas muajve:
Viti/muaji | Mars | Prill | Maj | Qershor | Gusht | Shtator | Tetor | Nëntor | Gjithsej |
1998 | 2 | / | 2 | 2 | 2 | 13 | 1 | 1 | 23 |
1999 | 12 | 6 | 6 | 2 | 1 | / | / | / | 27 |
Gjithsej | 14 | 6 | 8 | 4 | 3 | 13 | 1 | 1 | 50 |
Sipas tabelës nuk kemi të dhëna për muajin korrik dhe dhjetor.
Sipas librit, “Спомен Књига – Јунаци отаџбине, Друго допуњено издање, Савезна Влада, Војна штампарија, Београд, 2000”, (“Libër kujtimi – Heronjtë e atdheut” (Botimi i dytë i plotësuar, Qeveria Federale, Shtypshkronja Ushtarake, Beograd, 2000), libër biografik që i kushtohet të “rënëve për atdhe”. Gjatë periudhës kohore maj 1998 – qershor 1999, në rajonin e Mitrovicës në ballafaqim me forcat e UÇK-së u vranë rreth 23 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe. Vetëm gjatë muajve maj-shtator të vitit 1998 u vranë 6 pjesëtarë të këtyre forcave, prej të cilëve pesë policë të rregullt dhe një polic rezervist.157 Në periudhën prill-qershor 1999, rreth 14 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe ranë në luftime me UÇK-në. Nga ky numër, 7 ishin policë të rregullt dhe të tjerët rezervistë ushtarakë.158
Në komunën e Vushtrrisë, UÇK prej 1 janari deri më 31 dhjetor 1998, kishte ndërmarrë 14 aksione, ndërsa nga 1 janari deri më 20 qershor 1999, 33 të tilla.159 Në vitin 1998 ishin plagosur rëndë 2 policë dhe plagosur lehtë 4 të tjerë. Më 1999, të plagosur rëndë ishin 6 veta dhe të plagosur lehtë 7 të tjerë.160 Sipas studiuesit Bojan Gjokiq, më 1998 dhe 1999 në territorin e Vushtrrisë u vranë gjithsej 10 pjesëtarë të MPB-së, një (1) më 1998 dhe nëntë (9) veta më 1999.161 Ndërsa, sipas librit të lartëpërmendur: “Спомен Књига – Јунаци…”, gjatë periudhës shkurt 1998 – qershor 1999, në rajonin e Vushtrrisë u vranë rreth 24 pjesëtarë të forcave policore e ushtarake serbe. Nga ky numër vetëm dy policë të rregullt u vranë gjatë vitit 1998, njëri humbi jetën në fatkeqësi, kurse të tjerët në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999. Nga 21 sosh, 4 ishin pjesëtarë të rregullt të UJ, 8 rezervistë të UJ, 5 të MPB* dhe 4 rezervistë të MPB-së. Nga ky numër vetëm një ishte vrarë nga NATO, për dy nuk jepen të dhëna, kurse pjesa e mbetur prej 21 sosh u vranë gjatë luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.162
Sigurisht, një shifër e tillë e humbjeve të forcave serbe në ZOSH, mund të jetë e diskutueshme, sepse ajo përfshinë vetëm pjesëtarët e forcave serbe të regjistruar e klasifikuar në: pjesëtarë të rregullt të MPB-së, pjesëtarë rezervë të MPB-së, ushtarë të rregullt, ushtarë rezervë dhe ushtarët vullnetarë, pra nuk përfshihen grupet tjera. Sigurisht, një shifër e tillë e humbjeve të forcave serbe në ZOSH, mund të jetë e diskutueshme, sepse ajo përfshinë vetëm pjesëtarët e forcave serbe të regjistruar e klasifikuar në: pjesëtarë të rregullt të MPB-së, pjesëtarë rezervë të MPB-së, ushtarë të rregullt, ushtarë rezervë dhe ushtarët vullnetarë, pra nuk përfshihen grupet tjera.
Përfundim
Fillimi i vitit 1999 shënoi një pikë kthese në historinë e luftës çlirimtare në Kosovë. Kapja robër e një skuadre të Ushtrisë Jugosllave nga pjesëtarët e Zonës Operative të Shalës në fshatin Bare ndikoi në ndërkombëtarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ajo lidhi marrëveshje me faktorin ndërkombëtar për këmbimin e tetë ushtarëve jugosllave me nëntë ushtarë të UÇK, që ishin arrestuar në dhjetor të vitit 1998 nga forcat ushtarake serbe në kufirin Kosovë-Shqipëri. Pa dyshim, kjo paraqiti një fitore diplomatike, politike dhe ushtarake për UÇK-në dhe Kosovën. Sigurisht, një ngjarje e tillë e vuri Zonën Operative të Shalës në agjendën e hakmarrjes jugosllave, kurse në anën tjetër ajo u kishte dhënë vullnet dhe vetëbesim njësiteve të UÇK-së të kësaj zone në luftën për liri. Kështu, gjatë fundit të shkurtit deri kah mesi i marsit të vitit 1999 në territoret e Zonës Operative të Shalës u zhvilluan luftime të ashpra me forcat ushtarake/policore serbe, që si rezultat kishte rënien dëshmorë të një numri të ushtarëve të UÇK të kësaj zone. Sukseset e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës dhe intervenimi ushtarak i NATO, bënë që qarqet ushtarake të hartonin projekte ushtarake të shkallës së gjerë.
Projekti ushtarak jugosllav “Grom-3” dhe ai “Bajgora”, duke filluar nga fundi i marsit të vitit 1999, kundër kësaj zone u vërsul një forcë e kombinuar ushtarake-policore-rezerviste jugosllave, të cilat krahas artilerisë përdorën edhe aviacionin bombardues. Luftimet në Zonën Operative të Shalës gjatë muajve mars – maj 1999 ishin tejet të ashpra. Vetëm gjatë kësaj periudhe nga radhët e UÇK-së ranë mbi 28 dëshmorë. Një ndër qëllimet kryesore të politikës jugosllave ishte edhe shfarosja dhe dëbimi i shqiptarëve nga trevat e tyre, prandaj në vazhdën e këtij qëllimi një numër masakrash të përmasave të ndryshme u kryen në Kosovë. Vetëm në Zonën Operative të Shalës gjatë pjesës së parë të vitit 1999 u kryen disa masakra ndaj popullsisë civile: Masakra e Studimes – 99 civilë të vrarë; Masakra e Vushtrrisë – 68 të vrarë; Masakra ndaj familjes Gerxhaliu, etj. Krahas argumenteve të cekura më sipër, si përfundim mund të themi se Zona Operative e Shalës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luajti një rol me rëndësi në luftën çlirimtare, rol të cilin ia imponuan jo vetëm rrethanat gjeografike, por edhe tradita e atdhedashurisë e kultivuar përmes brezave e cila u manifestua me përfshirjen në Ushtrinë Çlirimtare dhe mbështetjen e saj të pakusht nga gjithë banorët e zonës në fjalë.
1 Liman Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2004, f. 65-71.
2 L. Rushiti, “Rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesve serbo-malazezë, 1912-1914”, Kosova, nr. 24-25/2002-2003, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003, f. 166-169.
3 Sabri Rexha, Historia demografike e Kosovës – Vështrim historik nga mesi i shekullit XIX, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2013, f. 134-135.
4 Histori e Popullit Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: Toena 2002, f. 442.
5 Mikel Ndreca, 87 vjet terror dhe gjenocid shtetëror 1912-1999, Prishtinë, 2001, f. 42.
7 Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë më 1918-1941, Prishtinë, 1981, f. 52.
8 Milovan Obradović, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovo 1918-1941, Pristina, 1981, f. 221.
9 Arkivi i Kosovës, Fondi diplomatik i MPJJ, Ambasada jugosllave në Turqi, Kutia III, f. 5, Dosja II, 1939, f. 65-66.
10 Fletorja zyrtare 19 qershor 1943-XXI, Nr. 70, f. 4. Dekret Mëkambësuer Nr. 189, Krijim i Këshillave Administrative në Viset e Lirueme, Tiranë, 28 maj 1943. Alberto Pariani, Ekrem Libohova & Kolë Bibë Mirakaj.
11 Hysni Myzyri, Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001, f. 293-294.
12 Ana Lalaj, “On the Bujan Conference”, The Truth about Kosovo, The Academy of Sciences of the Republic of Albania, The Institute of History, Tirana, 1993, f. 207.
13 Zbornik Dokumenata i Podataka o Narodnooslobodilačkom ratu, Tom II, Knjiga XV, Dokumenata Centralnog Komiteta KP Jugoslavije i Vrhovnog Štaba NOV i PO Jugoslavije i Generalštaba JA, 1 janar – 15 maj 1945, Vojnoistorijski Institut, Beograd, 1982, Dok. 96, f. 169.
14 Historia e popullit shqiptar, Vëll. IV, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Toena, Tiranë, 2007, f. 341-342.
15 Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, f. 338.
16 Kosovo: pravo i politika, Kosovo u normativnim aktima pre i posle 1974. godine, Helsinki odbor za ljudska prava u Srbiji, Beograd, 1998, f. 12.
17 Lefter Nasi, Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986), Toena, Tiranë, 2011, f. 98.
18 Zekeria Cana, Fejton (XIV), Kosova Sot, 26 shtator 2000, f. 19.
19 “Report”, The Truth on Kosova, f. 345.
20Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1991, Dosja 1598, Deklaratë e Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, f. 141-142.
21 AMPJ, viti 1990, Dosja 1098, Rezolutë mbi gjendjen në Kosovë, f. 5-7; 12-14.
* Concurrent Resolution – Rezoluta e Përbashkët është një rezolutë që aprovohet nga dy dhomat e legjislativit dhe për të nuk kërkohet nënshkrimi i shefit ekzekutiv dhe nuk e përmban fuqinë e ligjit.
22 AMPJ, viti 1990, Dosja 957/1, Rezolutë e Senatit Amerikan për Kosovën, dërguar Ministrisë së Jashtme në Tiranë nga përfaqësuesi i përhershëm i RPS të Shqipërisë pranë OKB-së, Bashkim Pitarka, Nju Jork, më 4. 7. 1990, f. 11-16.
23 Raporti kosovar, Instituti për kërkime dhe zhvillimeve të politikave, Seria e kërkimeve politike, KIPRED, Prishtinë, 2005, f. 42; 304-305 – Shqiptarët e Kosovës u ftuan si vëzhgues, por jo si pjesëmarrës. “Nëse planifikoni të jeni në Londër në kohën e mbajtjes së Konferencës”, i shkruante Lordi Kerington Rugovës, do të ishte e mundur që t’i keni disa takime, mirëpo “për arsye praktike dhe të tjera nuk do të jetë e mundur që delegacionit tuaj t’i ofrojmë qasje në konferencë (…) Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar që pikëpamjet e shqiptarëve të Kosovës të dëgjohen…”.
24 Shala e Bajgorës është një hapësirë gjeografike e populluar kryesisht me popullsi shqiptare, si një tërësi kompakte e etnografike. Shtrihet ndërmjet qyteteve: Leposaviqit (në veri), Podujevës (në lindje), Vushtrrisë (në jug) dhe Mitrovicës e Zveçanit (në perëndim). Rreth dyzet fshatra në lindje të lumit Ibër (Angrit të lashtë), u takojnë këtyre komunave, si Albanikut (Leposaviqit): Ceraja, Lumbardhi (Bistrica) e Koshtova e Vllahisë; Zveçanit: Këlmendi, Boletini e Zhazha; Mitrovicës: Shpati (Shupkovci), Kodra (Zasella), Rrëzhana (Strana), Gurakuqi (Kutllovci), Stantërgu, Lumëzi (Reka), Rahova, Kçiqi i Vogël, Shkemzeti (Cërrnusha), Rashani, Mazeti (Mazhiqi), Tërstena, Bajgora, Barja, Vidusha (Vidishiqi), Maxhera, Melishta (Melenica), Lajthishti (Zabërrxhë), Kaçanolli, Ukshinaj (Kovaçica), Starasella, Rrëzhana, Delmari (Ofçari), Dedaj (Dedia), Batahiri, Lisi (Lisica), Vllahia, Bletaja (Selaci), Zijaça, Sheshi i Vjetër, Trepçalitë etj.; Vushtrrisë: Kurillova, Skroma, Lajthiza, Gumnishta, Sllakovci (Gryka), Vesekofci; dhe Besianës (Podujevës): Zhitia e Breca. Në aspektin gjeografik, në territorin e Shalës së Bajgorës bëjnë pjesë edhe disa fshatra tjera, si: Rudari i Madh, Rudari i Vogël, Jozheviku, Kamenica, Bugariqi, Grabovci etj. Shih: Fazli Hajrizi, Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë (Ngjarje, personalitete historike, arsimore dhe kulturore), Prishtinë: “Libri Shkollor”, 2011, f. 23.
25 Gjykata e Qarkut Prishtinë (më tej: GJQP), P. nr. 37/97, Në emër të popullit, Aktgjykim, Besim Rama, Sahit Jashari, Ali Januzi, Idriz Asllani, kryetarja e Kolegjit, gjyqtarja Sllagjana Petroviq, Prishtinë, më 21.07.1997, f. 6.
26 Fjalori Enciklopedik i Kosovës, I, A-K, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2018, f. 812.
27 GJQP, P. nr. 37/97…, f. 40.
28 Intervistë dhënë autorit nga Shekip Fazliu, ish-komandant i Kompanisë së Dytë në kuadër të Batalionit IV të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, 15 dhjetor 2019.
29 Intervistë dhënë autorit nga Rexhep Suma, ish-komandant i Njësitit për Intervenime të Shpejta të Brigadës 141 “Mehë Uka”, 20 qershor 2019.
30 Safet Hasani, Enver Tahiri, Çyqavica çerdhe trimash, Prishtinë: Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, 2012, f. 48.
31 Intervistë dhënë autorit nga Arif Krasniqi, ish-komandant i Batalionit Parë të Brigadës 142, korrik 2020.
32 NK – SO89, Humbjet e policisë serbe gjatë luftës në Kosovë, f. 15, 19; Kosova Arkiv, Artim Jashari – Lajmet e televizioneve më 6 maj 1998, publikuar 31 tetor 2018, https://www.youtube.com/watch?
33 Halit Barani, Tmerri i dokumentuar, Mitrovicë: “Viprint”, 2009, f. 175.
* Fshat në komunën e Mitrovicës.
34 Buletini, Nr. 1, 6 janar 1999, Arkivi i Brigadës 141 “Mehë Uka”.
35 Intervistë dhënë autorit nga Emin Musa, ish-ndihmëskomandant i Personelit, të Brigadës 141 “Mehë Uka”, dhe njëri ndër themeluesit e saj, mars 2019.
36 Miftar Kurti, “Zona Operative e Shalës në shtypin e Kosovës dhe Shqipërisë (1998-1999)”, Kosova, nr. 44/2019, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2019, f. 233.
37 Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.
38 Intervistë dhënë autorit nga Nexhat Dedia, ish-pjesëtar i Njësitit të Parë në Zabërrgjë, dhjetor 2019.
39 Arkivi i Institutit të Historisë, Prishtinë (më tej: AIHP), Fondi: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (më tej: UÇK), Shtabi i Përgjithshëm (më tej: SHP), Nr. 442-7/661, Sekret ushtarak, Prishtinë, më 19.11.1998, Jakup Krasniqi.
40 Jakup Krasniqi, Kthesa e madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Botim i dytë, Prishtinë: Gjon Buzuku, 2006, f.101, 117.
41 Skender Zhitia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- Zona Operative e Llapit, Prishtinë: Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 2008, f. 62, 64.
* Nënkupto Nënzonë Operative deri në nëntor të vitit 1998. Shih më lart vendimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të datës 12 nëntor 1998.
42 Skender Zhitia, Roli i Mbrojtjes Civile në luftën çlirimtare të Kosovës 1998-1999, (Punim doktorate), Prishtinë: Fakulteti Filozofik, 2019, f. 50.
43 Međunarodni Krivični Sud za bivšu Jugoslaviju (më tej: MKSJ), Tužitelj protiv Milana Milutinovića, Nikole Šainovića, Dragoljuba Ojdanića, Nebojše Pavkovića, Vladimira Lazarevića i Sretena Lukića (I. dio), Predmet br. IT-05-87-T, Presuda 1 od 4, 26 februar 2009, f. 321. https://www.icty.org/x/cases/
* Mehë Uka, u lind në Bajgorë, më 26 dhjetor të vitit 1962. Si i ri filloi veprimtarinë kombëtare në kushte ilegaliteti. Ishte një nga pjesëmarrësit dhe organizatorët e demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981. Pas shtypjes së demonstratave, për dy muaj u burgos në Prishtinë. Në shkurt të vitit pasues u arrestua, u burgos dhe u dënua me 18 muaj burgim të rëndë për organizim dhe propagandë kundër shtetit jugosllav. Edhe, në vitin 1984, ndërkohë që po kryente shërbimin ushtarak në Kumanovë, u arrestua nga Policia Ushtarake e Armatës Popullore Jugosllave dhe iu dorëzua UDB-së, ngaqë kishin dekonspiruar grupin konspirativ, në të cilin kishte vepruar edhe Meha. Pas hetimeve gjashtëmujore, u dënua me 7.5 vjet burg, të cilat i vuan në burgjet e Prishtinës, Prizrenit, Somborit, Zrenjaninit dhe Mitrovicës. Në dhjetor 1990, u lirua në bazë të një amnistie të përgjithshme. Me 1993 ishte pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Për të tretën herë, më 1994 e burgosën për dy muaj në Burgun Ushtarak të Nishit. Pas lirimit, më 1996, iu bashkua shokëve të hershëm të idealit dhe inkuadrohet në radhët e LKÇK-së, duke shërbyer si platformë e ndërtimit të identitetit politik në fillet e grupeve ilegale me synim të organizimit të luftës së armatosur. Një nga detyrat e cila iu besua ishte ajo e koordinatorit si dhe përgatitja e një platforme të përbashkët për unifikimin e forcave për çlirim. Pas disa takimeve të mbajtura, në parim ishte arrit marrëveshja për bashkimin e të gjitha formacioneve klandestine në një front të vetëm, kishte mbetur vetëm nënshkrimi formal i saj, por më 29 dhjetor 1996, armiku i organizoi një pritë në fshatin Lushtë, me ç’rast dhe mori rrugën e përjetësisë. Më 1 janar 1997, u bë varrimi i tij në fshatin e lindjes, në Bajgorë të Shalës. Me emrin e tij sot janë emërtuar shkolla, rrugë, sheshe, janë thurur këngë e poezi, u ngritën përmendore, etj.
44 S. Hasani, Enver Tahiri, Çyqavica çerdhe trimash…, f. 52.
45 Miftar Kurti, Vrojtime historike, Prishtinë: Faik Konica, 1997, f. 77-78.
46 Intervistë dhënë autorit nga Hasan Preteni, ish-komandant i Batalionit III të Brigadës 141 “Mehë Uka”, dhjetor 2019.
47 AIHP, Fondi UÇK, Dosja SHP, Rregullore e Përkohshme e Organizimit të Jetës së Brendshme të Ushtrisë, Prishtinë, 1998, f. 1.
48 M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 79; Komandanti i Zonës së Katërt Mbrojtëse të TMK-së, Rrahman Rama, “Fushata ajrore e NATO-s për ne ishte shpresëdhënëse”, Kosova sot, 25 mars 2000, f. 5.
49 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, dokumenti Nr. 702/98/3, Fondi “Vendlindja Thërret”.
50 Po aty, Bashkatdhetarëve tanë që përkohësisht punojnë dhe veprojnë në botën e jashtme, Shalë e Bajgorës, 20.10.1998, Shtabi i UÇK-së për rajonin e Shalës.
51 Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Nënzona Operative e Shalës, Nr. 1/33, datë 10.11.1998, Shalë e Bajgorës, Nënzona Operative e Shalës, komandanti Rrahman Rama.
52 Po aty, Vëllezërve: Shaqir Tahiri, Islam Mulaku, Fadil Haziri, Gjermani. Tema: Kërkesë për sigurimin e mjeteve materiale për nevoja të pajisjes me armë bashkëkohore, 11.11.1998, Shalë e Bajgorës, Nënzona Operative e Shalës, komandanti Rrahman Rama.
53 Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Nr. J01-004/98, më 09.12.1998, komandanti Rrahman Rama.
54 Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Nr. J01-021/98, datë 27.12.1998, “Urdhëresë për ndalimin e pranimit të ndihmave për UÇK-në nga persona të paautorizuar zyrtarë”, komandanti i ZO të Shalës, Rrahman Rama.
55 Po aty, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Shalës, Brigada 141 “Mehë Uka”, Buletini, organ i Brigadës 141 “Mehë Uka”, janar 1999, Nr. 1.
56 Fond za humanitarno pravo (më tej: FHP), Dosije 125, motorizovana brigada Vojske Jugoslavije, Beograd, 2013, f. 9.
58 Qendra për Informim në Kosovë (më tej: QIK), Informatori ditor nr. 980612, Prishtinë, 12 qershor 1998.
* Fabrika e Galanterisë së Lëkurës në Bare, ishte filial i një fabrike në Titovo Uzhice në Serbi. Fabrika kishte personel kryesisht të gjinisë femërore pothuajse nga i tërë regjioni i Mitrovicës. Aty kishin punuar edhe një numër i vogël serbësh.
59 M. Kurti, “Zona Operative e Shalës…”, f. 233.
60 Intervistë dhënë autorit nga Mensur Kasumi, ish-zëvendëskomandant i Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.
61 Intervistë dhënë autorit nga A. Krasniqi…, korrik 2020.
62 S. Hasani, Çyqavica çerdhe trimash…, f. 55.
63 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni, Ditar lufte, më 10.7.1998 dhe 11.7.1998.
64 Qëndresa dhe heroizmi i përmasave legjendare, Nëntë vjet nga beteja e Mazhiqit – në kujtim të 15 shtatorit 1998, Kujtesë – fokus, 14 shtator 2007, f. 22.
65 Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.
66 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, H. Preteni, Ditar lufte, më 12.7.1998, 13.7. 1998.
67 Kosovo Chronology: 1997 to the end of the conflict, Reserch and Analytical Papers, Foreign & Commonëealth Office, London, June 1999, f. 28-29.
68 Faik Shala, “U pamundësua plani sekret i armikut për krijimin e zonës së lirë serbe nga Frashëri deri në Pantinë”, Zëri i Kosovës, 10 mars 2000.
69 Vushtrria – Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtërri 2003, f. 247.
70 Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.
71 Međunarodni sud za krivično gonjenje (më tej: MSKG) lica odgovornih za teška kršenja međunarodnog humanitarnog prava počinjena na teritoriji bivše Jugoslavije od 1991. Godine, Predmet br. IT-05-87/1-T, Vlastimir Djordjevic, Datum: 23. februar 2011, f. 119-120. https://www.icty.org/x/cases/ djordjevic/tjug/bcs/110223_ judgement_p1_bcs.pdf
* Vlastimir Gjorgjeviq u akuzua nga Tribunali i Hagës për krime të kryera në Kosovë gjatë periudhës 1 janar 1999 – 20 qershor 1999, derisa ishte ndihmësministër i MPB-së dhe drejtor i sektorit për Siguri Publike.
* Sreten Lukiq – shef i Shtabit të MB-së për Kosovë që nga qershori 1998 e deri në fund të luftës.
72 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 3 od 4, f. 445, https://hr.wikipedia.org/wiki/
73 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 31.
74 J. Krasniqi, Kthesa e madhe…, f. 121; M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 70.
75 M. Kurti, “Zona Operative e Shalës…”, f. 233.
76 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni, Ditar lufte, më 12 dhe 13. 7. 1998.
77 Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019.
78 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni III, Hasan Preteni, Ditar lufte, më 15.09.1998.
79 Intervistë dhënë autorit nga E. Musa.., mars 2019
80 “Të bashkojmë mendjen e punën për ta zënë agun e lirisë”, Bujku, 30 nëntor 1998, f. 3.
81 Qëndresa dhe heroizmi i përmasave legjendare…, f. 22.
82 Intervistë dhënë autorit nga Emin Begu, ish-pjesëtar i Njësitit të Parë në Zabërrgjë e ish-ndihmëskomandant për Moral dhe Politikë në Brigadën 141 “Mehë Uka”, dhjetor 2019; Intervistë dhënë autorit nga N. Dedia.., dhjetor 2019.
84 Emin Musa, Fjalë rasti në Akademinë përkujtimore me rastin e 16-vjetorit të Epopesë së Mazhiqit, Mitrovicë, me 15 shtator 2014.
85 Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Mitrovicë (më tej: KMDLNJ). Mbi arsimin në Mitrovicë 1990-1999, Kutia Nr. 26. Raport i Këshillit Komunal të Arsimit dërguar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Prishtinë.
86 Zona neodgovornosti, Fond za humanitarno pravo Beograd, http://zonaneodgovornosti.net/
87 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 70-71.
88 Sabit Syla, Arsimi shqip në Mitrovicë (Mësimdhënës dhe luftëtarë të lirisë), Prishtinë: Libri Shkollor, 2013, f. 188.
89 Intervistë dhënë autorit nga Gani Imeri, ish-pjesëtar i Njësitit të Parë në Zabërrgjë e ish-komandant i Batalionit IV në Brigadën 141 “Mehë Uka”, shtator 2019.
90 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga Emin Musa, Përshkrimi i ngjarjeve pas “Ofensivës së Shtatorit” 1998, në Brigadën 141 “Mehë Uka”, shtator 2019.
91 Intervistë dhënë autorit nga Safet Hasani, ish-polic ushtarak i Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.
93 M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 71-72; Agim Zogaj, “Vdekja e madhe erdhi pa paralajmërim”, Zëri, 16 nëntor 2002, f. 18.
94 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Brigada 141 “Mehë Uka”, Nr.01-1/5, më 10.1.1999, komandanti Hysni Ahmeti.
95 Po aty, Dosja SHP, Telegram mbështetës ZO të Shalës nga ZO e Drenicës, Instituti i Historisë-Prishtinë, 2017; Berat Luzha, Arkivi i luftës i Agjencisë Shtetërore Informative “Kosovapres” Vëllimi i parë (4 janar-28 shkurt 1999), Prishtinë: Instituti i Historisë, f. 99-100.
96 J. Krasniqi, Kthesa e madhe…, f. 157; M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 27.
97 Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16 januar 1999, https://www.vreme.com/arhiva_ html/430/4.html, qasja 13 tetor 2019.
98 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 137.
99 Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16 januar 1999, https://www.vreme.com/arhiva_ html/430/4.html, qasja 13 tetor 2019.
100 Intervistë dhënë autorit nga ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tetor 2019.
101 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …., f. 139.
102 Intervistë dhënë autorit nga Hysni Ahmeti, ish-komandant i Brigadës 141 “Mehë Uka”, korrik 2020
103 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Brigada 141 “Mehë Uka”, Tejet sekret ushtarak, Nr. 1/137, më 18.02.1999, komandanti Hysni Ahmeti.
104 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 3 od 4, f. 363-364.
105 Emin Musa, Ditar lufte, i mbajtur në Artakoll, Taragjë, 25. 02. 1999 – 18 mars 1999.
106 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga Ismet Haxha, ish-inspektor i Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm, korrik 2019.
107 M. Kurti, Vrojtime historike.., f. 72-73.
108 Intervistë dhënë autorit nga Aziz Bici, ish-komandant i Batalionit I të Brigadës 142, të Zonës Operative të Shalës, korrik 2020.
109 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Shënim nga I. Haxha.., korrik 2020.
110 Intervistë dhënë autorit nga Muharrem Miftari, ish-komandant skuadre i togës se dytë të Kompanisë Dytë, të Batalionit Parë të Brigadës 142, korrik 2018.
111 Intervistë dhënë autorit nga H. Preteni.., dhjetor 2019.
112 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 74.
113 E. Musa, Ditar lufte…, Taragjë, 13 mars 1999.
114 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 251-252, https://www.icty.org/x/cases/
115 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285.
116 Bojan B. Dimitrijević, “Jugoslovenski vojni vrh i pripereme za rat sa NATO, oktobar 1998 – mart 1999”, Istorija 20. Veka, Br. 1/2009, Beograd: Institut za Savremenu Istoriju, 2009, f. 169.
117 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285-286.
118 Dosije: Rudnica, Fond za humanitarno pravo, Beograd, 2015 http://www.hlc-rdc.org/wp- content/uploads/2015/01/ Dosije_Rudnica_sr.pdf, f. 24.
119 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 285-286.
120 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 75.
121 Jashar Zejnullah Jashari (16.3.1962-29.3.1999), https://www. radikosovaelire.com; Bedri Tahiri, Jashar Jashari, Komandant Duraku, “Meshari”, Prishtine 2015, f. 129-130.
122 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 75.
123 Intervistë dhënë autorit nga Hajzer Istrefi, ish-komandant i Batalionit I të Brigadës 141 “Mehë Uka”, korrik 2020.
124 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 1 od 4, f. 395.
126 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 3 od 4, f. 483.
127 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 2 od 4, f. 269.
129 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…, Presuda 1 od 4, f. 270.
130 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 440.
131 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 269.
132 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 74-77; Intervistë dhënë autorit nga H. Preteni.., dhjetor 2019; Qerim Hamiti, Fjalë me rastin e pesë-vjetorit të rënies së komandant, Shemsi Ahmeti, mbajtur në tubimin përkujtimor në Zasellë, 25 prill 2004.
133 M. Kurti, Vrojtime historike…, f. 77.
134 Lista e dëshmorëve dhe të plagosurve të ZOSH-it, Arkivi i Zonës IV Mbrojtëse -TMK, Mitrovicë, 2007.
135 FHP, Kosovo – Kako viđeno…, f. 248.
137 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, Ditari i Batalionit IV “Rexhep Musa”.
138 MKSJ, Tužitelj protiv Milana Milutinovića…., Presuda 2 od 4, f. 268.
139 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 440.
140 Po aty, f. 441.
141 Deklaratë dhënë autorit nga G. Imeri, nëntor 2019.
142 Human Rights Watch, Po Naređenju…, f. 490.
143 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV “Rexhep Musa”, Referimet – Raportimet, Raport i Punës dhe aktivitetit të Batalionit të Katërt, para, gjatë dhe pas ofensivës së fundit të forcave armike.
144 Human Rights Watch, Po Naređenju…, f. 501.
146 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 441.
147 Po aty, f. 441-442.
148 Fjalori Enciklopedik i Kosovës, II, L-ZH, Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2018, f. 1060.
149 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 452-453.
150 Fjalor Enciklopedik i Kosovës II (L-ZH)…, f. 1062.
151 MSKG, predmet Vlastimir Djordjevic …, f. 452-453.
152 AIHP, Fondi UÇK, Dosja ZOSH, Batalioni IV, Ditari i Batalionit IV “Rexhep Musa”.
153 Dosije Diković Ljubiše, Fond za humanitarno pravo, Beograd, 23 janar 2012, http://www.hlc-rdc.org/wp-
154 NK – SO89, Humbjet e policisë serbe…, f. 180-190.
156 Бојан Ђокић, “Квантитативна анализа убијених и несталих припадника МУП-а на КиМ од албанских паравојних формација 1998-2003”, Безбедносt, Часопис Министарства унутрашњих послова Републике Србије, Београд, Vol. LIX, No. 3, 2017, f. 152-152.
159 NK – SO89, Humbjet e policisë serbe…, f. 191-192.
161 Б. Ђокић, “Квантитативна анализа…”, f. 152-152.
* Nuk epet statusi i tyre, besoj të jenë pjesëtar të rregullt të MPB-së.