Prof. Dr. BEGZAD BALIU:
ARTISTI PA DINJITET
(Shënime nga nëntoka kulturore e Prishtinës në kafene Amaro, 5)
Në tavolinën e kafenesë krejt papritur kalëroi mbi karrige Abdylrrezakhalimi, i biri i Jozefinës dhe Markshalgjatit, me shqetësimin prej artisti, intelektuali e qytetari të dinjitetshëm. Miku im që në këtë jetë transformohet siç transformohet mali e deti, siç transformohen stinët e motit, sot ishte shumë kureshtarë të dinte, në të vërtetë të thoshte të vërtetën e tij më parë se sa ta dinte nga unë: cili do të ishte fati i bashkëkohësve të mi e të tij, cili do të ishte fati ynë, sikur të mos ishte lufta, pasi të vërtetën e tij për ne që e kemi kaluar luftën e paska thënë artisti i përmasave jugosllave Enver Petrovci alias Енвер Петровић i Teatrit Serb të Beogradit, të Novi Sadit a Teatrit të Nishit.
– Profesor, profesor… – ngutet të më pyet a të më përgjigjet Abdyli i Markut, Rezaku i Jozefinës dhe Halimi i Shalgjatit. – E dëgjove çka tha Enver Petrovci, Enver Hoxha i Lëvizjes sonë Ilegale, Enver Petroviqi i Teatrit të Beogradit? E dëgjove Zoti Profesor, çka tha në këto DITË, që të gjithë ne po i quajmë Ditët e Shqipes; në këto ditë, që politikanë e intelektualë, gjeneralë e diplomatë të bashkësisë ndërkombëtare po i quajnë Ditët e Krenarisë, Ditët e Humanizmit Planetarë!
– E dëgjova, e dëgjova… – i them mikut tim, duke e zvarritur zërin. – E dëgjova artistin që i ka humbur të gjitha, teatrin që e ka bërë të famshëm (sepse Teatri i Prishtinës as Teatri i Tiranës nuk janë Teatri i Beogradit, Teatri i Novi Sadit, as Teatri i Nishit, ku luhen dramat me përmbajtje satirike a humoristike për spektatorë të shfrenuar politikë); që e ka humbur filmin, që e ka humbur pasurinë dhe shoqërinë. Dhe kur e humb pasurinë, thotë populli e humb dhe shpirtin, – i them me dhembjen, që dukur e ndjeja kur e përditshmja “Rilindja”, reagonte me tekstet e saj në mbrojtje të trajtës shqipe të mbiemrit të Enver Petrovcit, vendosur në trajtën sllave në pllakatet e Teatrit të Beogradit, të Nishit a të Novi Sadit, si Enver Petrović.
– A do të thotë kjo që artistit i lejohen të gjitha, pra të fyej luftën, sepse ai nuk tha po të mos ishin luftëtarët, po tha PO TË MOS ISHTE LUFTA edhe të fyej luftëtarët e lirisë së Kosovës, e kjo do të thotë edhe heronjtë e rënë në luftë, edhe fëmijët e pafajshëm, edhe gratë e dhunuara edhe shtëpitë e djegura edhe…. sepse është artistë dhe artistit i lejohen të gjitha! – ngutët të më pyet e të përgjigjet Rrezaku im.
– Jo, jo – ngutem të flas, – artistit të madh apo atij tjetrit më modest, i lejohet të flasë e të tallet me politikën, të flasë e të tallet me bashkëkohësit e tij, të flasë e të dehet në marrëzinë e tij, të puthë e të kafshojë në mes të skenës, madje të vishet e të zhvishet në film… Artistit të madh madje i lejohet të kritikojë e të pallojë, por…, por…, por…, artistit të madh, nuk i lejohet: Kurrë(!) Kurrë(!) Kurrë(!), të kritikojë e të fyejë dalëzotësit e lirisë së tij, të vendit të tij, për më tej ai duhet ta ulë, poshtë, tepër poshtë, për të mos thënë, ta shterojë zërin e tij në Ditët e lirisë, Ditët e kujtesës kombëtare, Ditët e memories kombëtare, Ditët e çlirimit të qyteteve tona një nga një, kur më shumë se gëzime ka edhe lot e dhembje.
– Më fal! Më fal! – ndërhynë miku im. – Po ti e dëgjove çka tha Enver Petrovci, – e dëgjove çka tha ai për luftëtarët, për politikanët e dalë nga gjiri i tyre, për…
– E dëgjova e dëgjova, – i them me zë më të lartë e më të vendosur se sa kur përgjigjem në rastet e tjera. Dhe i përgjigjem duke menduar se jam para tij, sikur jam para studentëve, sikur jam para familjarëve të mi, sikur jam para brezit tim e bashkëkohësve të mi. Dhe i përgjigjem duke ja numëruar një nga një:
1. Po të mos ishte lufta, do të kishim më pak luftëtarë, po më shumë qytetarë të devotshëm të këtij vendi!
2. Po të mos ishte lufta fëmijët tanë do të njihnin e do të kishin më shumë gjyshër e gjyshe dhe do të dëgjonin më shumë përralla kombëtare seç lexojnë sot përralla të popujve të tjerë.
3. Po të mos ishte lufta do të kishim më pak murana varresh me emra dëshmorësh e më shumë pllakate artistësh para teatrove me emrat e tyre.
4. Po të mos ishte lufta, do të kishim më pak shtëpi të reja, po më shumë kulla të traditës shqiptare për sytë e botës.
5. Po të mos ishte lufta do të kishim më pak gra të dhunuara dhe më shumë nëna të lumtura.
6. Po të mos ishte lufta nuk do të kishim kaq shumë familjarë të zhdukur, – memorie e dhembjes së madhe kolektive.
7. Po të mos ishte lufta, ah… po të mos ishte lufta, nuk do t’i kishim 1133 fëmijë të vrarë, po 1133 artistë të TEATRIT TË MADH TË KËSAJ BOTE, të cilët nuk pranuan të luanin në një Teatër ku emri a mbiemri i tyre do të shkruhej fundbotshëm, në mënyrë përçmuese, si ai i Enver Petrovcit në Teatrin e tij të Beogradit, të Nishit a të Novi Sadit.
*Qoftë edhe vetëm për këtë arsye artisti i madh i skenës ish-jugosllave Enver Petrovci është dashur të heshtte, më parë se sa të fliste, qoftë edhe vetëm gjatë Ditëve të Kujtesës së Krenarisë Kombëtare!
add a comment