(Çast lirik)
Kur i dëbuan këndej, iu thanë
këtu më nuk keni tapi as emra
as varre, as tempuj, as Dardani
Iu thanë: kurrë s’keni qenë, as keni ekzistuar
e ata gjithnjë e më shumë
e popullojnë përjetësinë e historisë
Thonë: tashmë ajo kohë është e largët
s’ka më kthim prapa
Thonë kështu me Dardaninë e rrëmbyer
e sa më shumë që na e marrin me dhunë
ajo bëhet gjithnjë e më shumë e jona
Kot thonë: ato histori tashmë kanë vdekur,
kot thonë, e tokat munaxhire vijnë gjithnjë e më afër nesh
Kot thonë
jeni të harruar përfundimisht,
thonë kështu edhe kur shpirti arbëror aty fle nën dhe
më shumë se një tapi perandorish
Është histori
që as ndahet e as matet me kufij kohorë
as emërtohet me tapi të perandorive
Dhe ende nuk është gjetur ajo fjalë shfarosjeje
që e përcakton shuarjen e historisë
ajo mund të ndodhë vetëm kur merr fund kjo botë
e kjo do të thotë:
tokat muhaxhire janë përjetësi e pamatshme dardane
(11 shkurt 2021)