ZYM, NË TAKIMET E GJEÇOVIT, TË 51-AT ME RADHË:
ATY KU MERR UDHË TË REJA IDENTITETI ARBËROR-SHQIPTAR
Në Zym të Hasit, edhe sot ishte një festë e vërtetë dhe një ditë e bukur tetori. Hapësirat e qendrës së këtij vendbanimi historik ishin të mbushura jo vetëm me qytetarë, por edhe me ekspozime të ndryshme: të veshjeve tradicionale shqiptare, të luleve, të ushqimeve tradicionale e sidomos me festën tradicionale të pjekjes së Ditëve të Rakisë, prodhues të kësaj pijeje nga anët e Dukagjinit dhe Hasit. Ishte një ambient etnografik, tipik etnik, shqiptar, një mikpritje proverbiale zymjane. Një etnografi përplot emocione.
Në TAKIMET E GJEÇOVIT, të 51-at me radhë, merrnin pjesë qytetarë nga të gjitha viset etnike shqiptare, përfaqësues qeveritarë e komunalë, shkrimtarë, njerëz të kulturës, etj.
Janë, ndër të tjera, disa figura që identifikohen me këto TAKIME, siç janë organizatorët Frrok Kristaj, At Ndue Kajtazi, Arbnora Kolegjeraj,
1
Në fakt, sot ishte dita e dytë e tyre. Ato filluan ditën e djeshme me FESTIVALIN E BUKËS, për të tetën herë, tashmë tradicional ky festival, i vetmi i tillë që mbahet në hapësirat euroballkanike. Hasjanët janë të njohur për zejen e furrtarisë, dhe kjo karakteristikë e tyre ka qenë shtysë për themelimin e një veprimtarie të tillë në këto Takime. Në këtë festë të bukës pati tribunë shkencore (ligjëruar nga Frrok Kristaj e Albert Mirdita), ekspozimi i gatesave tradicionale etj. Po ashtu aty janë promovuar katër libra të tri autoreve hasjanë: motër Franciska Suzana Lekajt, Hatixhe Çollakut dhe Arbnora Kolgjeraj-Rexhajt.
2.
Ndërkaq sot takimet vazhduan me Programin tradicional të tyre. Ato i hapi nikoqiri At Ndue Kajtazi, i cili ndër të tjera, iu uroj mirëseardhjen me një tekst domethënësd:
“Takimet e Gjeçovit 2022
Të gjithë juve këtu ju urojmë mirëseardhje,
Mirë se erdhët në Zym, në vendlindjen e Bogdanit, pishtarit të dijes dhe pishtarit të lirisë,
Mirë se erdhët në Zym, aty ku mori shtat e këndoj Pal Hasi,
Këtu ku gjetën strehë ipeshkvinjtë: Mihill Suma e Gjon Nikollë Kazazi, e Karagiqi që mori rrugë për në Kuvendin e Arbërit,
Mirë se erdhët në vendin ku u shkrua Abetarja e parë.
Mirë se erdhët në vendin ku pushojnë eshtrat e trupit të dërmuar të Patër Luigj Palit.
Mirë se erdhët në Zymin e Gjeçovit, ku mori shtat Kanuni i Lekës.
Mirë se erdhët në Zymin e Katarinës, ku ajo mësoi si luhet, këndohet e vajtohet në dërrasat e vekut, e këto dërrasa do ti bëjë dërrasa të teatrit.
Mirë se erdhët te Anton Pashku me rënkimin e tij “OH”…
Mirë se erdhët në vendin e bukës, ku buka quhet shpirt.
Mirë se erdhët në vneshtin e rrushit – Zym.
Mirë se erdhët në vendin ku me gotë të rakisë lëvdohet Zoti.
Mirë se erdhët në Has, ku nuk kishte asnjë han, sepse çdo shtëpi ishte e hapur për mysafirin, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. “Takimet e Gjeçovit 2022 ” manifestimi që po mbanë gjallë kujtesën kombëtare e që po e promovon traditën e vlerat atdhetare, fetare, kulturore e artistike, sipas shembullit të figurës së Atë Shtjefën Gjeçovit.”
Mandej përshëndetën ministri i kulturës, sinisë dhe sporteve i Qeverisë së republikës së Kosovës, Hajrullah Çeku, kryetari i komunës së Prizrenit Shaqir Totaj, edhe vetë hasjan dhe deputetja shqiptare e parlamentit kroat Ermina Lekaj Përlaskaj. Ishte domethënës edhe gjesti i Ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gkergjit, i cili radhën e tij për të përshëdnetur, ia dha mulla Xhevat Kyreziut. Mulla Xhevati, ndër të tjera tha se ndjehet krenar që e tarshlgon mbiemrin e Shtjefën Gjeçovit – Kyreziut, e që i takon rrënjëve të një gjaku. Përshëndeti edhe një klerik hasjan. Me pika muzikore, valle shqiptare, u paraqitën të rinjtë e SHKA “Katarina Josipi” të Zymit.
Në Tribunën shkencore kushtuar mikpritjes shqiptare, ligjëruan Arbnore Kolgjeraj, etnologe dhe Prend Buzhala.
Në orën tardicionale letrare poezitë e tyre i lexuan poetë nga trojet etnike shqiptare si Vera Istrefaj (Kukës), pastaj Halil Gashi (Kanada), Ramadan Mehmeti, Prend Buzhala, Gjon Gjergjaj, Skënder Berisha etj. Gjatë gjithë kohës, në skenën e amfiteatrit zymjan, që ngjet në një amfiteatër antik, në ri grupe ishin të ekspozuara veshjet e trojeve të krahinave të ndryshme shqiptare, si dhe gatimet, për të cilat foli aktivistja Remzije Berisha, duke i prezantuar me radhë veshjet e Hasit, Mirditës, Malësisë, Tetovës, Dukagjinit, Drenicës, Karadakut etj.
3.
U ndanë edhe çmimet tradicionale. Çmimin “Pena e Gjeçovit” e fitoi studiuesi dhe historiani Jaho Brahaj, ndërsa Çmimin “Unaza e Katit sivjet i dhurohet dr. Prof.. Edi Shukriut.
Kësaj radhe, po e veçojmë një shënim për studiuesin Jaho Brahaj, i cili foli edhe për figurën e Gjeçovit, me thirrjen “TË NJOHIM KONTRIBUTIN DHE VLERAT E DIJETARËVE TANË”!
Jaho Brahaj është i lindur në Kryezi-Pukë në vitin 1952. Ka, botuar artikuj në shtypin e përditshëm dhe në revista shkencore, dhe ka marrë pjesë me kumtesa në aktivitetet shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ka përgatitur dhe botuar gjatë viteve 1984-1995, katër broshura monografike me tematikë traditat e rrethit Pukë. Ka, botuar librat studimorë:
– “Il primo Albanese D’Italia” (Arbëreshi i parë në Itali), në Brindizi, në gjuhën italiane. – – “Emblema Shqiptare”. Studim monografik për heraldikën historike shqiptare.
– Kronikë e Derës së Gjon Buzukut”,
– “Flamuri i Kombit Shqiptar”.
– Studime dhe artikuj per Shtjefen Gjeçovin.
– “Kurora Mbretërore Shqiptare”
Ka, përgatitur dhe botuar 4 vëllime, nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit, siç janë: vëllimi me publicistikë “Shtyllat e Kombit”, vëllimin poetik: “Tomorr e Pashtrik Përpiquni”, drama “Shqyptari Ngadhnjyes”, novela e shkruar në vitin 1902 “Mnera e Prezës”. Në vëllimin publicistik “Shtyllat e Kombit” është paraqitur dhe një bibliografi e Shtjefën Gjeçovit me zëra të panjohur nga bibliografia e tij deri në këtë vit (1999). Në konkursin e shpallur nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës Tiranë në vitin 1997 për botimet historike të periudhës 1992-97, është fitues i çmimit për monografinë shkencoro-historike.
4.
Pas Programit artistik, tribunave, ekspozitave etj. të pranishmit shijuan pijet e Ditëve të rakisë, si dhe ushqimet tradicionale shqiptare.
add a comment