Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Kur diçka vdes brenda nesh

KUR DIÇKA VDES BRENDA NESH
(Çaste lirike me pak fjalë)
————————————————–
OH, KJO BOTË E BUKURISË
Oh, kjo botë e bukurisë!
Përse i lutesh Asaj me ritin e duarve
si drejt një Perëndie,
kur ajo është pranë Teje,
i afrohesh pranë
dhe ia dhuron nga vetja
atë që e ke në zemër.
————————————————–
KTHIMI I DYTË
Diçka vdes edhe brenda qenies sonë,
kur vdes një i njohur,
brenda kohës diçka shkërmoqet,
kthehet në gjethe fluturuese.
Ai që shkon në amshim,
qeshet nga tej-jeta
dhe na e premton Kthimin e Dytë,
për të na porositur:
dashuroni për të djeshmen,
dashuroni për të nesërmen,
të sotmen e keni të përgjithmonshme.
————————————————–
SUITË NË TRI KOHË
Kjo suitë njerëzish
s’është si suita muzikore,
e të përbashkët e kanë
Kohën e Humbur,
e me makthin e kokëdhimbjeve
u mjafton të tri kohëve.
(22 tetor 2022)