Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Krematorium i vetvetes (Tregime me pak fjalë) 25

Kisha shprehi që secilën natë ta krijoja përrallën time. Përrallën për fëmijët që t’i zinte gjumi. As mua nuk më zinte gjumi pa e rrëfyer përrallën që e krijoja, së pari, brenda vetes, mandej e bartja në kokë e, fjalët që rridhnin, bënin rrëfimin e dëshirueshëm: fillimisht, për pak dremitje, madje për një gjumë të lehtë. Në këso rastesh, për ta çliruar fëmijën nga frika, për të fituar vetëbesim a shpresë, e kisha gjithnjë edhe për veten time. Kur fëmijët dremitnin dhe i zinte gjumi, te brendia ime ndodhte e kundërta: ndieja një zgjim për së brendshmi, po zgjohesha nga ëndrra e nga përralla, një lëvizje brenda vetes, një thyerje e re e një iluzioni… Ishte zgjim a trishtim?Po lëvizja drejt botës së fëmijërisë dhe drejt botës së fëmijës apo drejt pikëllimit?Gjërave u jepja kuptim të ri. Së pari, i theva kufijtë midis kohëve, s’ka më të tashme, të kaluar apo të ardhme. Diçka ajnshtajniane. Zbulova aq shumë zbrazëti brenda vetes, përmes këtyre iluzioneve, sa mu duk tepër e dhimbshme të çlirohesha nga to, sepse krejt ato ishin maska mbi boshllëqet e mia. Vdiq iluzioni i madhështisë, vdiq ai i famës së rrejshme, vdiq ai i të qenit së bashku me të tjerët, vdiq iluzioni se më nuk do të ndodhë ndonjë e keqe në liri. Vdiq iluzioni i kujdesit ndaj atij, i cili kurrë nuk do të kujdeset për ty. U shkri iluzioni se ka drejtësi gjyqesh, organesh e institucionesh, ligjesh, iluzioni se ekziston Dora e Drejtësisë, mu shndërrua në Dorë të zbulesës së prapaskenës: ja mashtrimi, salla e parave në vend të sallës së gjyqit, salla e dredhive dhe e premtimeve të rreme në vend të ndëshkimit njerëzor a hyjnor. E vërteta zhduket dhe del versioni i saj fals. Vdiq edhe ai iluzioni i marrë për ta pritë dikë, me shpresën për t’i qarë hallet e a ai kurrë nuk vjen. Si Godoja që nuk vjen kurrë. Bota ime u shndërrua në një krematorium të vetvetes; aty varrosa shpresat, aty pështyva në baltën e besimit.Aty e lashë shpirtin të përpëlitet në zjarr. Aty për aty qesha me ata që kërkonin lumturinë. Krejt në fund, pas këtij çlirimi, e pashë vetveten në moçalet ku isha zhytur në besim, shpresë e kërkime të kota lumturie. Hëna qëndronte në qiell dhe nuk zbriste në maja shtëpish a faltoresh.Kot shikon nga Perëndimi, se dielli lind atje ku e ka vendin dhe perëndon andej kah Toka e ka drejtimin e vet. Por u bëra qenie e dhimbjes.Tashmë për mua po flitnin palgët.(18 qershor 2021)

Postimet e fundit !