Shqipëria/Aktualitet

Prend Buzhala: Kosova e pasuron civilizimin evropian, nuk e mohon atë

(Ose: Kosova përballë shumë mohimeve)

“Vonesa është forma më vdekjeprurëse e mohimit” shprehet diku C. Northcote Parkinson, një autor britanik i rreth 60 librave. Mohimi a vonesa e liberalizimit të vizave nga disa qarqe evropiane, është shkelje e premtimeve të tyre, shkelje e lirisë së lëvizjes (shkelje që kufizon me racizmin). Mirë u tha: a thua, Evropa, a i konsideron si vlerë të veten premtimet, apo ato shërbejnë vetëm si masë e demagogjisë politike dhe e ingranazheve të rënda burokratike?! Duke krijuar privilegje për liri për shtetet tjera, dhe mohim të lirisë për Kosovën, kjo as nuk përbën drejtësi e as liri të vërtetë të atyre që e proklamojnë.1. I kemi provuar mohimet nga Serbia gjenocidale. Nga Serbia, për një shekull rresht, përmes gjenocideve të pareshtura, Kosovës i është mohuar shtetësia, i janë mohuar prejardhja historike, autoktonia, traditat e gjithçka tjetër, vetëm e vetëm për shkak të të qenit shqiptar. Këtu hynin edhe gama e gjerë e mohimit të të drejtave qytetare dhe politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Krizat me azilkërkues nuk patën reshtur për një shekull rresht. Diskriminimi u shndërrua në sistem, në normë shtetërore, në normë nacionaliste-shovene. Edhe sot: pasi Serbisë i është hequr nga dora kjo mundësi gjenocidale e diskriminuese, ajo nuk pushon së vajtuari e së reshturi: si është e mundshme që më ajo të mos ushtrojë dhunë “të ligjshme”, të mos ushtrojë diskriminim, gjenocid e shfarosje “të ligjshme”, ashtu si i kishte ushtruar deri më 1999?! Këso mohimesh e këso kërkesash mohuese kundër Kosovës, siç bën Serbia, bëhen vetëm nëpër disa shtete aziatike e afrikane. 2. Fatkeqësisht, mohuesit vijnë edhe nga disa qarqe brenda nesh. Ndodhën ndryshimet që u kërkuan (në zgjedhje), por vajtuesit e shumtë shqiptarë, jashtë Kosovës e brenda saj, nuk pushojnë për të pështyrë, a për të mohuar gjithçka brenda saj: mohohet tradita, mohohen lëvizjet kombëtare politike e çlirimtare, mohohen të arriturat në Kosovë, mohohet e kaluara e saj. Mohohet Kosova e sotme dhe liria e saj! Një palë dëshiron të na thotë se ne qenkemi krejtësisht të ndryshëm nga Evropa, se me ta asgjë të përbashkët nuk kemi, se vëllezërit tanë janë aziatikët. Pala tjetër duan të na thonë se Evropa paska qenë e është gjithmonë ajo “kurva e motit”, e, çuditërisht, atje ia mësyjnë t’i dërgojnë edhe fëmijët e vet, edhe familjet e veta, “drejt kurvës”!!!Dhe të gjitha palët ia mësyjnë atyre kufijve të moçëm të Evropës me tela gjemborë. Arsyetohet secila masë e diskriminimit e këtyre qarqeve evropiane kundër nesh, dhe përputhen qind për qind me Serbinë në këso mohimesh. “Urrejtësit janë tifozë në mohim” (Adam Rippon). 3. Nëse Kosovën, po kjo Evropë, e konsideron “multietnike”, (dhe nga ana tjetër disa qarqe e quajnë “vend mysliman”), atëherë prania e Kosovës në proceset integruese, nuk është pengesë për Evropën, por pasuri. Kosova nuk e pengon as e mohon civilizimin evropian, por e pasuron atë. As Bashkimin Evropian nuk e mohon; prania e Kosovës aty e pasuron atë. Pyetja shtrohet: e çka krijon mohimi i vazhdueshëm i të drejtës për lëvizje dhe i proceseve integruese? Gjithçka tjetër mund të prodhojë, por nuk prodhon liri, demokraci e drejtësi. Mohimet e tilla kufizojnë me skllavërinë moderne. Janë mohim i dinjitetit njerëzor dhe i shpirtit njerëzor. E po, dielli ndriçon për të gjithë njësoj, dhe nuk është më pak i ndritshëm ndër ne; vetëm mohuesit e lirisë shndërrohen në njerëz të verbër, që nuk e perceptojnë dritën njësoj. Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e civilizimit evropian, ani se të tjerët u përpoqën të na e ndryshojnë këtë ADN në atë orientale, të na i shartojnë traditat e madje edhe të na i mohojnë ato. Kosova është pjesë e kësaj hapësire: HARTA E KOSOVËS ËSHTË NË EVROPË E JO NË AZI! (4 korrik 2021)