Portreti/intervista

Prend Buzhala: Homazh për Sabahajdin Cenën

HOMAZH PËR SABAHAJDIN CENËN
PAS KALIMIT TË TIJ NË PËRJETËSI
Sikur Kosova nuk dëshiron të besojë se ai më nuk është në mesin tonë!
Na iku edhe një Njeri Emblematik i Kosovës, Sabahajdin Cena (13 mars 1953-13 janar 2023). Një njeri shumëpërmasash, që u mor me shunmë veprimatri; që nga edukuesi e deri te studiuesi, që nga veprimtari i terrenit e deri te luftëtari i UÇK-së, që nga kronikani i betejave luftarake e deri te oratori i zjarrtë e i zoti nëpër manifestime, tubime, përkujtimore, tribuna shkencore…
1.
Ishte Njeriu që krijoi miq kudo. Ishte njeriu që përzemërsisht i afronte të gjithë.
Kur na shkojnë njerëzit e mirë, Kosova varfërohet.
Edukues proverbial, kronikan i luftërave, studiues, qëmtues i zellshëm i traditave,
Mik e vëlla me bashkëluftëtarë dhe me studentë, me njerëz të letrave dhe me intelektualë, me pleq ë devotshëm të odave e traditave e me klerikë, ai kudo që shkonte, krijonte një vatër, një shtëpi banimi në zemrat e njerëzve: me fjalën e tij që tingëllonte sa hyjnore aq frymëzuese, sa këshilluese aq edhe domethënëse, sa largapmëse aq edhe e guximshme, urtake dhe e ngrohtë. Fjalë që e çlironte njeriun, fjalë jetëdhënese e jo që e ngushtonte.
Kosova kishte nevojë për Fjalën e punën e tij.
Aq u jepte forcë me fjalën e tij të bekuar nënave të dëshmorëve, kur i varrosnin të bijtë e tyre; aq e përzemërt tingëllonte fjala e tij kur bisedonte me fëmijët që u ishin varrë prindërit në luftë dhe njerëzit ndiheshin më të fortë, më të mobilizuar në synimet e qëllimet për liri e për jetë.
Virtytet e mëdha njerëzore e intelektuale të Prof. Sabahajdinit do t’jenë gjithmonë frymëzim e motivim për çdo gjeneratë.
2.
Sabahajdini na vinte shpesh edhe në Klinë, në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë” me kumtesat e tij kushtuar luftës e krijimtarisë letrare, si dhe në manifestime e promovime veprash. Personalisht, e njihja që student gjatë viteve ’70… Hokatar dhe i ngrohtë në bisedë të drejtpërdrejtë, njohës i mirë i anekdotave, traditës dhe urtësisë popullore nëpër odat shqiptare… Së këndejmi, ai ishte edhe Njeri i Letrave.
Kur isha redaktor në të përjavshmen e Prishtinës “FOCUS”, më 2006 (gazetë që e drejtonte Rasim Selmanaj, pothuajse për vite të tëra ai për çdo numër kishte shkrimet e tij e kronikat e tij për dëshmorët e UÇK-së, për betejat e UÇK-së, dëshmorë e beteja pa dallim, që iu takonin të gjitha trevave të Kosovës e të gjitha trevave shqiptare. Botonte sidomos edhe kumtesa për rapsodë e për folklorin tonë, meqë ishte edhe profesor universitar që e ligjëronte këtë lëndë.
Këto ditë, kur botoi vëllimin “Kronikë lufte”, mu duk libër i lexuar tashmë,s espe ato shktime i kisha lexuar që më parë fjalë për fjalë e rresht për rresht.
3.
Kohët e liga kanë njerëz të ligj, dhe prodhojnë vetëm mote ligështimi, por kohët e liga nxjerrin në skenën e shoqërisë e të historisë edhe njerëz të fortë, mobilizues, që e mposhtin të ligën, që i ndryshojnë rrjedhat e historisë, siç ishte i tillë udhërrëfyes e këshillues dhe Sabahajdini.
Kur na shkojnë njerëzit e mirë, e kuptojmë se toka varfërohet për një shpirt fisnik. Kurse qielli pasurohet për një qenie engjëllore. Dhe mbetet që kujtimin tonë ta fisnikërojmë me shëmbëlltyrën e këtyre qenieve emblematike.
Ky fisnikërim ndërlidh dy botë: vdekja arratiset edhe nga emri i Sabahajdinit. Amshimi ndërlidhet me të përkohshmen. E përkohshmja i dhuron amshimit thesaret e pasura të gjallimit mbi tokë.
Në botën e këtejme, kujtesa na bëhet një përcjellëse besnike.
Kjo përcjellëse nuk na shmanget, qëndron e palëkundur, është e lidhur me idealet tona brenda nesh, brenda vetvetes sonë.
Shumë njerëz të mirë na shkuan gjatë këtyre viteve.
Në këtë lagje radhitet edhe Sabahajdin Cena.
Ai ka shkuar, por ai qëndron këtu, si përcjellës besnik në trajtën e qenies memoriale.
Ngushëllime bashkëluftëtarëve të tij, familjarëve, kolegëve, studentëve e nxënësve të tij dhe mbarë Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
(13 janar 2023)