Lëvizja\UÇK

Prend Buzhala: Homazh për atdhetarin Sadri Shala

Shkoi në përjetësi në moshën 93-vjeçare Sadri Ukë Shala (Ujëmirë, Klinë), i burgosur politik i viteve ’90. Ishte burgosur së bashku me djalin e tij, Ymerin.
Që në vitet ’80, kur njerëzit frikësoheshin të vinin te unë (meqë pata dalë nga burgu më 1982), ai nuk e ndalte udhën pa ardhë, së bashku me djemtë e tij, për ta treguar solidaritetin e tij. Një familje atdhetare që dha dëshmorë që në Luftën e Dytë Botërore.
Shtëpia e tij, gjatë viteve ’90, ishte konak për të gjitha veprimtaritë e lëvizjeve politike e të rezistencës kulturore, ku i mbajtëm veprimtaritë e para përkujtimore për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, për Skënderbeun… por ajo që do veçuar këtu, është mbledhja e LPK-së më 1991, ku qe kuvenduar marrja e një vendimi për kryengritje të armatosur… dhe, pas pak kohësh, burgoset Sadriu me të birin. Qe burgosur edhe një e re nga këto anë, Ajshe Berisha. Uka, djali më i madh i Sadriut, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, detyrohet të mërgojë dhe rikthehet më 1998 si luftëtar i UÇK. Në fillim të majit të këtij viti, u takuam në konakun e tij në promovimin e veprës dokumentare me rrëfime personale të Ukës Shalës (mërgimtar në Zvicër), luftëtar i UÇK-së dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Libri mban titullin “Vendimi në Ujmir, lufta për ideal” (kujtime, mbresa, përjetime, dashuri dhe urrejtje) i botuar këtë vit. Merrnin pjesë miq, familjarë, bashkëpunëtorë e veprimtarë të ilegales e luftëtarë të UÇK-së, etj nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe nga mërgata jonë. Tubimi qe mbajtur në shenjë të 3-vjetorit të shkuarjes së nënës së Ukës në amshim, si dhe të 92-vjetorit të babait të tij, Sadri Shala, i cili sot shkoi në amshim.
Historia familjare e Sadriut është histori e qëndresës, që nga Ukë Sadri Milla në fillim të shekullit XX e deri te Uka i sotëm luftëtar i UÇK-së e veprimtar i lëvizjeve kombëtare. Familje që përjetoi djegiet, ndjekjet, arrestimet e bastisjet për një shekull rresht..
Sadri Ukë Shala në burgun e Pejës përjetoi dhunën e torturat më çnjerëzore. Mirëpo, përpos qëndresës, te ky burrë fisnik e dashamirës, shquheshin edhe shumë virtyte tjera;, është njeriu që ka reflektuat gjithnjë një respekt shembullor për të tjerët, njeriu që asnjëherë nuk ke mundur ta dëgjosh asnjë fjalë të keqe për të tjerët dhe asnjëherë nuk e dëgjoje të ankohej për diçka… e ka ruajtur deri sa vdiiq një thjeshtësi proverbiale në raport me të tjerët…
I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij!

Postimet e fundit !