Shqipëria/Aktualitet

Prej 1 qershorit ndalohen qeset plastike njëpërdorimshe në Republikën e Shqipërisë

Shembull që duhet të ndiqet edhe nga Shqipëria këndej Drinit – Republika Shqiptare e Kosovës (G. L.)

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Qeset plastike njëpërdorimshe do të ndalohen në Shqipëri prej 1 qershorit 2022.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se, “pas kësaj date, do të jetë e jashtëligjshme që dyqanet apo restorantet të japin qese plastike njëpërdorimshe kur blen diçka”.
Përmes një videoje sensibilizuese, MTM, kujtoi qytetarët “mos të harrojnë asnjëherë çantën me vete. Atë që i bën natyrës, natyra ta kthen mbrapsht. Ndaj zgjidh të përdorësh çanta shumëpërdorimshme sa herë shkon për pazar. Thuaji jo qeseve plastike”.
Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike apo njëzet e gjashtë mijë ton në vit përarfërsisht. Njëlloj, mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që hamë dhe ajrin që thithim çdo ditë – edhe në këto momente.
Rreziku mjedisor ka bërë që në dekadën e fundit shumë qeveri në botë të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë me shpejtësi.
Në këtë kuadër, Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike mbajtëse si dhe e qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme të ndalohet me ligj. Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike. /j.p/